-Kryeministri Isa Mustafa: Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë.
“Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. “Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa. Ndëkohë që opozita ka paralajmëruar për nesër protestë në Prishtinë, lidhur me zhvillimet në skenën politike kryeministri kosovar tha se, ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. “Populli ynë thotë: ‘Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka’. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt”, u shpreh Mustafa. Sepse, vijoi ai, shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. “Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA, NË PRITJE:
Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran.
17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës.
Të dashur miq,
17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm.
Zonja dhe Zotërinj,
Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj.
Zonja dhe zotërinj,
Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste, ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale.
Të nderuar të pranishëm,
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.
Të dashur miq,
Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.
Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor, të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale.
Të nderuar të pranishëm,
Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte.
Të nderuar të pranishëm,
Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu, është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze.
Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.