Shkrimtari Mihallaq Qilleri është një nga figurat më të mirënjohura e të talentuara të letërsisë shqipe, me një ndikim të jashtëzakonshëm në gjeneratën e tij. Veprat e shkruara prej tij vazhdojnë të kenë ndikim e frymëzojnë brezat që vijnë. Romanet, tregimet, dramat dhe poezia e shkrimtarit Qilleri janë portretizim i gjallë i jetës sociale dhe përvojave jetësore të kohës që jetojmë. Ato kanë luajtur e luajnë një rol progresiv në reformimin e shoqërisë shqiptare . Ai njihet si romancier dhe mjeshtër i tregimit të shkurtër e të plotë. Romanet dhe tregimet e tij janë të njohura për portretizimin e ndjeshëm të ndjenjave të brendëshme të personazheve, që ai përfaqëson në to. Autori Qilleri përshkruan me dashamirësi portrete realiste me jetën, me të mirat e të metat e tyre, problemet dhe sfidat, mes të bukurës e së përditshmes njerëzore. Karakteristika kryesore e shkrimtarisë interesante të Qillerit është përdorimi i gjuhës së thjeshtë, të ngrohtë dhe mbresëlënëse. Në këtë intervistë, shkrimtari Mihallaq Qilleri rrëfen momente nga jeta dhe krijimtaria e tij letraro-artistike dhe dimensionale në dramë, poezi dhe publicistikë. Por, kush është shkrimtari dhe publicisti Mihallaq Qilleri, që krahas profesionit të inxhinjierit, ai u bë edhe shkrimtar me prirje të forta qytetarie, intelektuale e krijuese. Si arriti ai të bëhet një nga zërat më të vecantë në letrat shqipe e publicistikën shqiptare, do t’I mësoni në këtë intervistë interesante e mbresëlënse.
Mihallaq Qilleri ka lindur më 25 Tetor 1948. Është Diplomuar për Inxhinjeri dhe Gjuhë _Letërsi në Universitetin e Tiranës. Biografia e tij letrare:
KRIJIMTARIA- P R O Z Ë
– JETA MBI SHKEMBINJ – TREGIME – 1975
– ZBULIMI I ISHUJVE TË HUMBUR, – NOVELË, 1976
– DËBIMI I HIJEVE, – NOVELË DHE TREGIME, – 1977
– JETË DHE DASHURI – ROMAN – 1979
– ROBI I MALIT TË ARGJENDT, – TREGIME – 1979
– NË VITET SHTATËDHJETË, – ROMAN, – 1982
– KRISTALI BLU, – NOVELE,-1986
– SHKËLQIMI I DËBORËS, – 1987.
– NJË VJESHTË ME ELIAN, – ROMAN- 1990.
– ENGJEJT E VITEVE TË VËSHTIRA, – ROMAN – 2003
– MËKATI I MURGESHËS, – ROMAN, – 2009
– BRENGA DASHURIE, – NOVELË DHE TREGIME, – 2009
D R A M A
– KUFIRI I GJAKUT, – DRAMË – 1981
– SHQETËSIMET E ANËS, – DRAMË, – 1981
– MIDIS DY DASHURIVE, – DRAMË, – 1983
– NATA E GJATË E SË SHTUNËS, – 1984
– KËRKOJ TË VËRTETËN, – DRAMË,- 1988
– KRISTALI BLU,- DRAMË, – 1990
\-TAKOHEMI PAS SHIUT-POEZI
Bisedoi: Raimonda MOISIU
-Në një nga fotot e bibliotekës tuaj në FB, kam lexuar këtë epigraf; “Këtu ngopem dhe më merr uria, këtu gdhihen e ngrysen fantazitë e mia.” Shumë interesant e mbresëlënës ky epigraf, që nënkupton krijimtari dhe krijimtarinë. Cilat janë trajektoret e karrierës tuaj krijuese?
Kjo dhomë pune e mbushur me libra është i gjithe thesari im shpirtëror. Ne shtëpinë ku linda babai im kishte nje sasi librash të kohës së para Luftës Botërore, por që për fat të keq, nga që nuk ekzistonin bibliotekat ne kuptimin e konstruktit të sotëm, ato mbaheshin ne nje sënduk të madh. Nje dimer Narta, vendlindja ime,- një vend buzë ujërave, – u përmbyt dhe kjo pasuri e babait u dëmtua. Megjithatë diçka mbeti. U kujdesa ta shtoja kur shkova ne shkolle të mesme. Me ato pak para që më dërgonin prindërit. Kur u martova dhe do të ikja nga shtepia atërore, im vëlla, shumë më i vogël se unë, më luti të mos i merrja të gjitha librat, por t’i lija edhe atij diçka. Iu përgjigja se po i lija 100 libra me kushtin që, nëse pas një viti ato nuk do ishin bërë 200, do t’ja merrja edhe ato. Për fat edhe ai shtoi.. Biblioteken më të madhe private e kam parë te shtepia e prof. Dhimitër Shuteriqit, një mik i im i asaj kohe. E pata zili. Dhe luftova ta pasuroja biblioteken time. Kur emigrova dhe shtëpia mbeti ne dorë qiraxhinjsh, më shumë se gjithçka u dëmtua biblioteka. Sot mund të kem vetëm gjysmen e librave që pata në fillim të viteve ’90.
Sa për të krijimtarinë mund t’ju them se ajo ka nisur thuajse ne adoleshencë. Duke pasur një bibliotekë, sigurisht ajo ka edhe sirtare e dollape dhe atje une ruaj edhe dorëshkrime të moshës 14-15 vjeç. Sot natyrisht nuk kanë asnjë vlerë, por mund t’i quaj si ushtrime fillestare aritmetike për të arritur të zgjidh me vonë ekuacione të komplikuara letrare. E nisa pra me poezi. Shumë shpejt besoja se isha i patalentuar atje. Proza sikur më krijonte më shumë hapësira të shprehesha. Letërsia, si të gjitha krijimtaritë e tjera, lind nga nevoja që ndjen individi për të shpërfaqur publikisht mendimet e tij për jetën e shoqërisë. Tregimet e para të botura i përkasim një moshe shumë të re dhe botoheshin ne te vetmet gazeta letrare të kohës, “Zeri i Rinisë” dhe “Drita”. Libri parë me tregime, megjithatë vonoi disi. Ai pa raftet e librarive vetëm në vitin 1975.
-Vepra juaj dëshmon gjithnjë e më shumë se jeni ndër poetët tanimë të shquar, nisur që nga shekulli i kaluar. A ka diçka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për të shkruar poezi?
Është interesante të këmbëngul se unë nuk e quaj veten poet i shquar. Përkundrazi. Mendoj se jam një poet i zakonshëm, natyrisht me pjekurinë dhe përvojën që me jep letërsia në përgjithësi, që më jep njohja me shumë poetë shqiptarë e botërorë, por kryesorja është ndjesia ime e brëndshme e këtyre 10 viteve të fundit për t’iu rikthyer poezisë si në adoleshencë. Ka disa shkaqe. Së pari vet proza e botuar në Shqipëri, -sidomos ajo e pas viteve ’90-, sikur ka humbur “gjelbërimin” e vet. Letërsia , para së gjithash, është strukturë e ndërtuar me fjali të bukura. Kur në prozen e sotme nuk ka vizatime karakteresh, kur nuk përshkruhen mjediset ku zhvillohen ngjarjet, kur natyra përreth nuk ka asnjë ngjyrë, kur idetë thuajse mungojne, kur skematizmi të zë frymen, natyrisht ajo mund të jetë gjithëçka, por jo letërsi. Shenjat e një “kashtëzimi” të tillë sikur ndjeva edhe në prozen time. Kritika e vjetër më konsideronte një tregimtar të spikatur jo aq për temat, por atë mendim e vizatim të hollë që kishin mjediset e ngjarjeve të mia. Poezia të imponon të krijosh vargje të bukura. Të filozofosh më shumë e ta ngjeshësh mendimin. Metaforat e bëjnë lexuesit të klith nga zbulimi, ose të ngjethet nga e bukura. Me këtë mendim unë nisa të vargëzoja. Pa menduar kurrë se do të botoja ndonjëherë një vëllim poetik. Por ja që poezitë e krijuara u bënë shumë. Miq e dashamirës më këshilluan t’i përmblidhja në një vëllim poetik dhe, megjithë ngurimin, ja tek dritën e botimit “Takohemi pas shiut”. Ndonëse sot mendoj se ndonja 20 a 30 poezi duhej të mos ishin përfshirë në atë libër.
-Ju keni shkruar shumë lirika dashurie e mesa di unë iu kanë quajtur “poeti rebel i dashurisë”. A ka dicka të vërtetë në këtë thënje? Kur shkruan poeti krijime të tilla?
Së pari kam mendimin se poeti e shkrimtari duhet të eksperimentojë me stilin e vet. Kjo do t’i jepte dorë të lirë të mos kufizohej nga rregulla “spartane” të letërsisë së deri atëkohëshme. Eksperimentet natyrisht kanë lidhje me formën, por edhe me përmbajtjen. Dhe kryesorja nuk është motivi, apo ngjarja, sesa ideja që kërkon të përcjellësh. Shoqëria njerëzore ka përparuar shumë, sidomos me zhvillimin e elektronikës. Koncepte të tjera për kohën, hapësirën, shpirtin, për anatominë e biologjinë njerëzore duhet të ndiqen kokëulur edhe nga artet, letërsia, muzika, piktura, etj. Dikur e quanim modernizëm këtë devijim nga tradicionalja, sot modern, apo post-modernizëm, surealizëm, a realizëm magjik etj. Krijuesi zgjedh vet metodën, sepse prej saj ai dallohet nga të tjerët.
Le të kthehemi tani se tematika e poezive të mia, të cilat ju thoni se janë erotike, apo i këndojnë dashurisë. Duhet të bëjmë një marrveshje fjalësh. Letërsia në përgjithësi e poezia në veçanti, janë ajka e së bukurës njerëzore. Por kryevepra e sjelljes njerëzore është dashuria. Një letërsi pa dashuri, pa praninë e femrës, sidomos, brenda saj , mendoj se do të na sterilizonte bukurinë e frazës, apo vargut, bukurinë e përmbajtjes, nëse do të lexonim një roman pa dashuri.
Dashuria, nga ana e saj, duke u shpërfaqur aq fine, aq e ndjeshme, aq imponuese lemon edhe shpirtëra të ashpër, kurse prej atyre të ndjeshëm do të shihnim një mirësi të pafundme. Një shkrimtar i madh, duke lexuar një poemë të stërmadhe të një poeti, tha fare thjesht se ajo nuk ishte letërsi, nuk mund të quhej poemë, sepse atje brënda mungonte femra, Nuk mund të përjashtojme balada epike, apo poema historike, por ato shkruhen për nevojat e ngutshme të brumosjes atdhetare të popujve të pushtuar, a të shtypur.
-Lexova një poezi tuajën të re “Prekje fatale”. Ja disa vargje prej saj: Në stacionin e zhurmshëm e habitur zbrite,/Duke kërkuar një ëndërr, dashuri, poezi, /Një palë duar të pasigurta aty të takuan,/ Një palë duar gjithë ankth, të ftohta për çudi.” Më mrekullon se sa bukur ju e përjetoni dhe flisni në vargje, për njerëzit që takoni në jetë qoftë edhe virtualisht. C’mund të na thoni për këtë privilegj njerëzor që ekziston dhe cila është ajo, që u jep ju shpresë në të përditshmen njerëzore?
Nuk është ndër poezitë e mia më të mira “Prekje fatale”. Por , pa marrë pozicionin e mësuesit, kam mendimin se autori pasi të ngopet me idenë e tij duhet ta shpjerë diku atë, ashtu të ngarkuar në shpinën e mendjes dhe atje, – ku ndihet mire, – të krijojë kopshtin, oborrin, apo kështjellën ku ideja e tij mund të lëviz lirisht. Atje ku vargu mund të prek gjithçka të domosdoshme për t’u mbajtur në këmbë, pa harruar asnjëherë se së shpejti duhet të bëjë rrugën e rikthimit. Mbi shpirtin e poetit tani do të qëndroj në nje stacion nga duhet ta njohin të gjithë lexuesit. Të gjitha këto kërkojnë disa kushte, Së pari vet ideja është vlerë intelekti. Së dyti, duhet të dish sesi ta shkruash atë. Së treti të jesh i sigurt se do të ndikosh sado pak te shpirtërat që të lexojnë. Të gjitha këto arrihen pas nje eksperience njerëzore, por edhe kulture. Mirë është që poeti, – pasi të ketë shfryrë afshein e vet, – ta lerë qenien të ftohet disi e pastaj ta shikoj si i huaj krijimin e vet. Kjo do ta detyronte ta redaktonte, ose ta griste.
-Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Poezia, ose proza, natyrisht shkruhen në studjo, ose, në mungesë të tij, në një ved ku nuk të shqetëson njeri. Me që përmenda prof. Dh. Shuteriqin, mund t’ju sjell ndërmend bashkëmoshatarëve të mi se ai punonte zakonisht në një tavolinë pranë dritares të kafe “Tirana”, e cila gjëndej përfund banesës së tij. Thashë që Shuteriqi kishte një bibliotekë të madhe, një shtëpi të madhe për kohën, etj. Por duhet të them se ai atje nuk bënte letërsi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në arkivin e Shuteriqit ruhen mijëra e mijëra skeda të mbushura me shënime të çuditshme, të cilat atij i vlenin për të shtruar kopshtin e veprave të veta. Shumë syresh ndoshta nuk i vlejtën kurrë. Por njëp ndër këshillat e tij për mua aso kohe ishte se duhej të punoja përditë. Nuk kishte rëndësi se sa. Por përditë. Të nesërmen ato rrjeshta mund të mos vlenin, sikundër mund të të ngjanin interesante muaj, apo vite më pare. Unë punoj në studjon time..
-Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj? Cfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?
Muza, apo Pegasi janë simbole mitike për të përcaktuar këtë veçansi të shpirtit të poetëve të lashtë. Në të vërtetë unë nuk i besoj muzës. Tashmë kur kam afro 45 vjetë që shkruaj, mendoj se të shkruarit është nevoja ime e brëndshme për të folur me zë publik, për t’u zemëruar, për të klithur, për të shpënë lule diku, për të ndjerë diellin si ngroh trupin tim, shiun se si më lag, barin që mbin çdo pranverë rreth varrit të prindërve të mi, ndërsa mua më vjen keq që vetëm ata nuk ringjallen përsëri. Talenti është i lindur. Nuk them asgjë të re nëse shtoj se ai duhet ushqyer. Në fillim të kësaj interviste shënova se krijimtarinë e nisa me poezi, por shpejtë hoqa dorë prej saj. Ku u binda, prej kujt, cili qe ky çast? E thjeshtë. Kisha një mik tepër të afërt,- të cilin e kam ende, – dhe ai shkruante poezi. Por poezitë e tij ishin ku e ku më të bukura se të miat. Ishte mosha kur tek ai kishte trokitur dashuria e parë dhe vargu, lengu, fjala e tij ishte shumë më e bukur se vargu im steril që nuk ndikohej prej asgjëje materiale, të vërtetë, por qe thjeshtë një imitacion poetësh të huaj. Për fat të keq, miku im aq i talentuar nuk u bë asnjëherë poet i dëgjuar. As ndonjë libër nuk botoi. Sot ai është një ndër avokatët më të mirë të vendit, por dembelizmi për ta ushqyer dhuratën genetike që mbartte, i humbi një rrugë të bukur për të shijuar.
-Mu kujtua shprehja e shkrimtarit të madh, Stefan King, kur e pyetën: “ Se si mund të bëhesh shkrimtar. Ai iu përgjigj –“merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni cdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra.” A ndani të njëjtën filozofi me të?
Përvojat personale të çdo krijuesi janë të ndryshme, sepse vet jetët njerëzore janë të ndryshme. Po aty mund të gjëndet edhe ajo që quhet origjinalitet. Të lexuarit natyrisht është alfa dhe omega e të ushqyerit shpirtëror. Dikujt mund t’i kenë ndodhur në jetë ngjarje dramatike të paimagjinueshme nga një tjetër, por ai nuk di jo më t’i bëjë ato vepra letrare, por as t’i rrefejë. Atij i mungojne dy elementë thelbësorë. Talenti dhe mungesa e kulturës letrare. Por ka shumë intelektualë që kanë lexuar me mijëra libra në jetën e tyre, por nuk kanë guxuar kurrë të shkruajnë vet një libër.
– Ju jeni prozator; romane novela, tregime esse, ….Tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i dhjetra librave.Cfarë mendoni se ka mbetur konstante?
Mendoj se kam pasur një fat në ciklin e krijimtarisë sime në prozë. Tregova se fillimisht shkruajta tregime. Tregimi është për mua gjinia më e vështirë e prozës, Pastaj shkruajta novela e më pas romane. Romani im i parë, ai me titull “Jete dhe dashuri” u botua në vitin 1979, pra pas katër librash në prozën e shkurtër. Romani u pëlqye shumë atë kohë dhe i gjithë tirazhi i tij kolosal prej 16.000 kopjesh u shit me shpejtësi. Por sot, kur ndonjë mikeshë e gruas vjen në shtëpinë tonë dhe kërkon ta rilexoj këtë roman, për shkak të ndjesive të dikurshme, unë preferoj të mos ia jap. Së pari vlera e një vepre rritet edhe për shkak të kulturës së shoqërisë së asaj kohe, të interesave të saj, etj. Ne rilexojme Tolstoi, apo Balzakun sot dhe, megjithë mrekullinë që rindjejmë, e kuptojme se disa nënshtresa të shoqërive borgjeze të shek. XIX janë tejkaluar. Dashuria jo..Ajo vazhdon të mbart dramën dhe bukurinë e saj së paku nga koha e Homerit. Në se poezinë do ta imagjinoja si një kasolle të ndërtuar me degë palmash, në prag të flladeve e psherëtimave; në se tregimin do ta konsideroja si një shtëpi misterioze, ( kush e njeh Tiranën ndoshta ka patur rastin të shohi një banesë dy katëshe përballë kishës së re ortodokse); në se dramën do ta përkufizoja si një kështjellë ku dëgjohen vazhdimisht klithma, përplasje shpatash por edhe ndonjë e qeshur, romanin, përkundrazi, do ta krahasoja me një ndërtesë shumëkatëshe, me themele te forta ku shkrimtari së pari ndërton kollonat e ngjarjeve, krijon dhomat e kapitujve, hap dritaret e ideve, e mbush me tullat e fjalëve, dialogëve, përshkrimeve, e së fundi, e suvaton këtë pallat me grafikën e kopertinës.
-Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një prozë, në rastin tuaj, të romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Natyrisht ka disa raporte që secili shkrimtar krijon mes së vërtetës dhe artit , mes letërsisë dhe filozofisë që kërkon të transmetoj në veprën e tij. Shkrimtari është një qytetar dhe muzat nuk janë aspak flutura që hyjnë tinëz vetëm në dhomën e tij të punës. Sidomos proza e gjatë kërkon një punë selektive të gjithanëshme. Në krijimtarinë time unë kam pasur pikënisje ngjarje të vërteta. Ato i kam ruajtur në memorje aq sa mund t’i shpërbëja. Kjo është nisja. Nëse ato nuk mund të çeleshin, të stërholloheshin, atëhere nuk ishin për krijimtarinë time. Por një roman shpesh nuk kërkon edhe aq një ngjarje të madhe, sesa një ide të madhe, ide të pathënë, një mendim shoqëror i pakonsumuar. Por, ashtu siç kanë treguar edhe shkrimtarë më të vjetër e më eksperiencë, personazhi mund të ketë fytyrën e një qengji dhe trupin e një renoceronti. Karakteri rikonstruktohet sipas nevojave e përfundimeve intelektuale. Skematizmi, i përdorur gjerësisht dikur, në foshnjërinë e letërsisë sonë, por sidomos tani në depersonalizimin e saj për shkak të së ashtuquajtur “Liri të mendimit e të drejtën e shprehjes së tij”, për fat të keq magazinat e shtepive botuese kanë mbetur plotë nga libra që nuk i blen njeri, jo aq se nuk kanë ngjarje, se sa nuk janë shkruar bukur ato.
-Shquheni në prozë për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike, psikik dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtar që i përket dy epokave – realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste?
Tregova me sipër se kam pasur fat në ciklet e krijimtarisë sime shumë vjeçare. Pas botimit të romaneve të para , nisa të shkruaja dramaturgji. Në kohën e pare besohej se një shkrimtar i njohur si unë, pse të mos bënte edhe drama edhe për teatrin e qytetit? Kjo ishte një kërkesë e here pas herëshme, por përjashtoj kategorikisht imponimin.
Në të vërtetë përfshirja në krijimtarinë dramaturgjike më ndihmoi të isha më racional në prozën time, të ndërtoja kulme ngjarjesh të cilat më pare vinin disi të shtrira në kohë e në nervin e vet, të përsosja karaktere dhe të ndërtoja dialogë intensive, nervozë, rrëmbyes..Shkruajta shumë drama, 6 prej të cilave u vunë edhe në skenat teatrore të disa qyteteve të mëdha të vendit. Sikundër dramatizova edhe ndonjë romanin tim.
Epokat e shndërimeve shoqërore e politike vetëm se e pasurojnë çdo shkrimtar mendjemprehtë dhe që doemos di të dalloj ndyshimet me frymën e lirisë, të mirëqënies, por edhe të vlerave njerëzore. Kam shkruar një roman me titullin “ Engjejt e viteve te veshtira”, botuar në vitin 2004, ngjarjet e të cilit përfshinin një kohë historike të gjatë. Ato nisnin nga viti 1967 e mbaronin në mesnatën e mbarimit të shekullit XX. Pra, përfshinte të dy epokat. Por kam mendimin se kapitujt e tij më të bukur janë ato të mesit të epokave që i linin vendin njera-tjetrës, sepse atje sheh nje transformim dramatik të mentaliteteve njerëzore, dukuri që shpesh mund të shpien edhe ne anarki. Por drama aty qëmtohej më qartë, përvijohej më saktë. Di të them se shkrimtari i vërtetë është kalorës i lirisë e dinjitetit njerëzor dhe ai nuk mund të pajtohet a priori me asnjë regjim politik, sepse asnjë prej tyre nuk i zgjidh si me magji hallet e shumicës së qytetarëve të tij. Diferencimet pasurore krijojne vetiu konflikte të mëdha. Askush nuk mendon për barazitizmin absurd të së kaluarës, por dinjiteti njerëzor duhet respektuar.
-Kur ju shkruajtët romanin “Mëkati i murgeshës”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, ky roman nuk është fantazi, por është bota e brendëshme njerëzore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?
“ Mekati i murgeshës” u botua në vitin 2008, por nga brezi i vjetër i lexuesve përmbajtja e tij qe e njohur perms novelës “Kristali blu”, botuar afro 15 vite më parë, por ehe dramës me të njejtën titull të shfaqur nga Teatri i Dramës së Vlorës. Në këtë vepër, e cila pati shitjet më të mëdha, edhe si novelë, edhe si roman, biletat më të shumta edhe si shfaqje teatrore, mendoj se meritë të veçantë ka jo aq krijimi artistik i autorit, sesa ngjarja e vërtetë. Ishte aq e veçntë jeta e personazhit tim, sa doemos do të krijonte keqinterpretime, por edhe lexime të ethshme. Për shkak pra të llojit “sui generis”-siç ma konsoderonte Kadare ne reçensionin e vet,- nxiti pështjellime edhe në kohën e regjimit komunist, por edhe në regjimin demokratik, duke spekuluar me reminishencat e asaj kohe. Kjo ishte arsyeja përsëse “Kristalin blu” unë vendosa ta ripunoja e ta botaja tashmë të plotë, duke shtuar edhe pjesët që dikur isha detyruar t’i hiqja. Nga ana tjetër tashme unë isha një shkrimtar më i lirë për të shfaqur mendimet e mia, madje edhe të interpretoja shkaqet e vërteta të dramës së personazhit tim. Është me fat një krijues kur ndesh me ngjarje të tilla..Por ato, ashtu siç të ndihmojnë të shkruash një vepër të mirë, po aq të vendosin në qendrën e ciklonit të kritikës, madje edhe të politikës.
-Ju jeni edhe publicist dhe një nga gazetarët më aktivë në mediat e vendit me shkrime publicistikë, analiza politike, sociale, si dhe shkrime të vecanta studimore në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj mbresëlënëse?
Gazetaria është po aq e vjetër sa edhe letërsia. Madje ajo sikur më bëri të ndihem dikushi dhe të kem pretendime më të mëdha ndaj vetes. Por gazetaria nuk është letërsi, madje mendoj se shpesh e prish letërsinë. Gazetaria i vlen letërsisë vetëm si përvojë jetësore, si vlerë njohëse, e pasuron shkrimtarin ose poetin të mos jetë nje individ pa njohje të realitetit shoqëror, pse jo edhe të vet relievit të vendit. Interesat intelektuale të një shkrimtari përgjithësisht duhet të jenë të gjera. Ai nuk ka përse të zgjidh edhe ushtrime algjebrike, por ama të dijë diçka nga Kushtetuta, nga Ligjet e shtetit, të dijë shumë për historinë e vendit të tij, të lexojë vepra politologësh e psikologësh, të ketë një minimum njohurish për mjeksinë në shërbim të jetës së personazheve të tij, të ndjek politikat e kohës, pse jot ë njohi edhe kombinimet e politikës ndërkombetare, e të tjera fusha. Kjo veçse mire i bën korpusit të veprës së tij. Unë kam pasur fatin të punoj disa kohë si gjeolog dhe me kete rast të njoh nga afër shumë treva të vendit, por edhe zakone, folklore, të ndjejë deri në palcë varfërinë ekonomike të zonave të thella malore, por edhe të veçantën e kësaj jete baritore të njerëzve. Shumë syresh do të ishin personazhet më interesante të tregimeve të mia.
-Cfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato c’ka ju keni lexuar, dhënë lajme apo vënë re?
Nuk e konsideroj veten ekspert të gazetarisë prandaj nuk mundem të jap edhe receta në këtë drejtim. Por duke qenë në disa vende të botës, duke lexuar shtypin e atjeshëm, ose pare emisionet televizive të kronikave, kam mendimin se gazetaria jone është tepër komuniste. Ashtu e përçarë keqas me interesa politike të pandryshueshme, me gazetarë që pavarsinë e tyre e lidhin me rrogën që marrin, ose nuk e marrin, me pozicionin që kanë sot shumica e gazetare, por edhe e kanaleve televizive, personaliteti i gazetarit, sidomos i gazetarit investikativ, është shumë i ulët. Kjo vjen, përveç të tjerave, edhe për faktin se shtypi dhe medja janë aksesorë të veprimtarisë ekonomike të pronarëve. Pra, edhe me gazetat e quajtura të mëdha, bëhet një politikë e biznesmetit që ka përtej një kompani të fuqishme ndërtimi, apo fabrikë, minierë, apo aksione të tjera. Gazetarët nuk paguhen mire, nuk janë të siguruar, ndërsa as që bëhet fjalë për honorare të bashkepunëtorëve. Gazetat dalin me disa opinione, me ngjarje të kronikës së zezë, me aforizma të marra nga kushedi se cila agjenci, me fjalë-kryqe dhe me modën e VIP-ave shqiptarë të pasuruar ne menyrë maramendëse tashme. Asnjë shkrimtar nuk është i pasur. Asnjë. Sado libra që të ketë shkruar..Letërsia, – e cila duhet të ishte një pasuri kombetare- trajtohet si mbijetesë pasionesh që sa vine e dobësohen. Ka gazeta të quajtura letrare që shiten vetëm në saj të këtyre pasioneve mjerane dhe askujt nuk i paguhet një qindarka për krijimtarinë e tij. Botuesi, po, merr një rrogë për kalamajtë edhe ai..
-Cfarë mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot? Cili ka qënë keqkupimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj krijuese?
Nuk ka kritikë..Nuk kemi përse të flasim më shumë. Nëse ajo do të ekzistonte, ashtu e ashpër dhe e vërtetë, sot do të ishin më pak të rënduara raftet e librarive dhe lexuesi do të dinte të kërkonte një autor të njohur. Tani as vet autorët nuk gjejne botimet e tyre.
-Mendoni e shpresoni se gazeta “Drita”, do të rikthehet”
Gazeta “Drita”, apo një organ i mirëfilltë letrar si ai i dikurshmi do të ishte e mundur të çelej, nëse krijohet Lidhja e Shkrimtarëve, apo se si mund të quhet ndryshe për të mos lënduar sedrën e kundërshtarëve të së kaluarës. Shteti duhet të ndihmojë shumë në këtë drejtim, A kanë piktorët nje galeri Arti? A kanë aktorët një sallë teatri? A kanë muzikantët e këngëtarët sallat përkatëse, a kanë kineastët kinema ku shfaqin filmat e tyre? Po shkrimtarët çfarë kanë, çfarë u ka mbetur. Dikur, në kohën e komunizmit, kur një poeti i botohej nje poezi në “Drita”, apo “Nentori”, i thoshte mikut të vet: “ Sot kam një gëzim. Do vish të pimë nga një varg?” Nje varg kostonte aso kohe mesatarisht 15-20 lekë. Me to mund të pije dy kafe e dy raki, ose dy birra. Sot i mbush tjetrit nje faqe gazete dhe ai as të falenderon..
-Si shkrimtar, poet dhe publicist cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në vëndin tonë?
Fola pak me lart për politikën, për shtratin shoqëror të saj, për klimen depressive që shtrin në të gjitha kapilarët e jetës intelektuale. Shqipëria po kalon nje tranzicion sklerotik. Mendoj se demokracia si vlerë e marrdhënieve ndërnjerëzore ka gjithmonë një parahistori. Historia ka pasur një kulture, ndërsa ndërgjegja e individit duhet të “genetizohet” nga të gjitha këto. Në se një vend nis e shkruan me alfabetin e vet vetëm një shekull më pare, në se krijon universitet në mesin e shek. XX, kur Çekia, p.sh. kishte univeritetin e Pragës qysh në shek. XIII, kur gjysma e popullsisë rurale jeton ne kushtet skandaloze të Mesjetës, kur gruaja vijon të trajtohet si inferiore, atëhere nuk ka se si këto mendësi të mos ndikojne edhe ne politikat dhe zhvillimin e vendit. Sa për kombin më duhet të them se ai është Brenda dhe përqark nesh, por bota është jashtëzakonisht e hapur, e madhe, me mundësi të pafundme për të jetuar me ndershmëri dhe kombi duhet të varet në një kornizë e të mbahet në dhomën më të mire të shtëpisë, port ë mos bëhet më mollë sherri e kapardisjesh.
-Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?
Peng me kane mbetur shume gjëra. Sa më shumë ikin vitet, aq me tepër ndihet ankthi e dhimbja për të parealizuarën, për të pamundurën. Kam disa projekte të cilat nuk e di nëse do të kem kohë t’i përfundoj deri në fund. Ato janë romane, drama, vellime me poezi, por edhe një liblër me disa mendime historike për Epirin si trevë ku kundërshtojë edhe pikpamjet greke, por edhe ato shqiptare për zotërime teritoresh që nuk kanë qenë të askujt veç e veç..Nejse, kjo është një temë tjetër.
– A është i lirë shtypi sot?
Mendoj se shtypi është pjesërisht i lire, për të mos imituar edhe unë disa raporte ndërkombëtare. Shtyp të lire krijohet me gazetarë të lire, me rroga të mira, me sigurinë e jetës ekonomike të tyre, pa ndikime nga qendra të poltikave të ditës.
-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….
E quaj veten teper modest për të dhënë mesazhe inteligjencës. Unë përthith çdo ditë kumte nga pjesa më e ndritur e kësaj inteligjence. Pa rolin e saj shoqëria shqiptare do vijoj të zvarritet edhe ca kohë në pluhur!
Ju faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU