Mimoza Selimi është një nga këngëtaret më të njohura, të talentuarsa dhe të dashura për publikun shqiptar dhe në Diasporë, me një karrierë dhe përformancë shumë origjinale, ajo ka forcuar ndjeshëm statusin e saj kombëtar dhe europian në koncertet që ajo ka dhënë, brenda e jashtë trojeve shqiptare, vecmas në Zvicër ku ajo jeton, me prezenvën e të huajve, dhe interesi që ata kanë treguar për të njohur muzikën, kulturën e popujve të tjerë, në vecanti të asaj shqiptare,- është për tu admiruar. Klithmën e tingujve muzikorë të parë të jetës së saj, e ka prezantuar në Festivalin e Interpretuesve në vitin ’85-ë, me këngën- “E dua vendin tim”- të kompozitorit të shquar Agim Prodani, e kënduar më parë nga Artistja e Popullit, idhulli i saj përtej eternitetit, Vace Zela. Me zërin e ëmbël e të ngrohtë, plot mirësi e elegancë, që të bën thuajse të hysh verbërisht në kopështin magjepsës të saj muzikor dhe artistik, këngëtarja Mimoza Selimi ka krijuar, ka dhënë dhe jep shpirtin e talentit të saj nga aureola e tingujve të serenatave dhe muzikës së lehtë. Serenatat, këngët e muzikës së lehtë e popullore, këngëtarja e talentuar dhe e mirënjohur Mimoza Selimi i këndon dhe ia dhuron të gjithëve, sikur hap valixhen me perla e xhevahire, plot ëmbëlsi e mëncuri, me ngarkesë emocionale, që kapin anë të natyrshme të së përditshmes njerëzore, dhe mbartin ëndërra e dëshira me rreze hënore, si vetë dashuria. Për zërin e mrekullueshëm dhe talentin e saj e kanë cilësuar si Edit Piaf shqiptare dhe Ambasadorja e Muzikës Shqiptare në Europë. Në këtë intervistë, me një modesti të thekur më shumë nga sa duhet, ajo përvecse rrugëtimit të saj artistik, Mimoza na zbulon edhe një sekret; ajo shkruan edhe poezi dhe së shpejti hedh për botim, vëllimin e saj të parë poetik. Për më shumë ndiqni bisedën…
Bisedoi: Raimonda MOISIU
Bisedoi: Raimonda MOISIU
– Znj.Mimoza jeni një emër Artiste, fort i njohur në Shqipëri , në Kosovë, në Diasporë dhe trojet shqiptare. Cila është kënga e parë që keni kënduar? Cfarë viti?
Si fillim do doja t’ju falenderoja që më kontaktuat për intervistën Znj. Raimonda!Kam kënduar që e vogël, por prezantimi im i parë në aktivitetet e RTVSH, ka qenë në Festivalin e Interpretuesve në vitin ’85-ë, me këngën “E dua vendin tim” të kompozitorit të shquar Agim Prodani, e kënduar më parë nga Artistja e Popullit, idhulli im, Vace Zela.
–A mund të na përshkruani shkurtimisht, Zvicrën, aty ku ndërthurren edhe kultura të tjera.
Zvicra është një vend ku ndjehem shumë mirë, ku kam mësuar shumë, dhe që më ka dhënë shumë. Është për tu admiruar bashkëjetesa e respekti midis nacionaliteteve e kulturave të ndryshme, dhe këtë e kam vënë re në koncertet që kam dhënë, ku prezenca e të huajve, interesi që ata kanë për të njohur muzikën, kulturën e popujve të tjerë, është për tu admiruar.
–Artiste, këngëtare me një karrierë të gjatë, që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
Jam munduar të jap më të mirën nga vetja. Kam patur momente të bukura, por dhe të vështira. Një nga momentet që do doja ta kujtoja, është rruga që ndoqa për të marrë pjesë në Festivalin e Interpretuesve të Këngës në RTVSH. Isha maturante në Shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër. Isha shumë aktive në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”, ku zhvilloheshin shumë aktivitete. Drejtor në atë kohë ishte Nard Bushati, që të gjithë e therrisnim Zotni Nardi. Një burrë që buronte, mirësi, energji, pozitivitet. Unë, e ndrojtur sic isha, por dhe kurajoze, i them: Zotni Nardi, do kisha shumë dëshirë të merrja pjesë në Festivalin e Këngës në RTVSH . Ai buzëqeshi, mori telefonin dhe u lidh me Redaksinë e Muzikës në Radio Tirana, ku bisedoi në mos gaboj me Spartak Tilin. I foli për mua, dhe c’duhej të bënim që të merrja pjesë në Festival. Kaluan 3-4 muaj, dhe në fund prillin e ’85-s marrim një letër, ku thuhej që më 10 Maj, duhet të paraqitesha pranë Redaksisë së Muzikës në Radio Tirana. Isha shumë e emocionuar, kisha ankth se isha përpara një të panjohure që ndoshta do të shënonte dhe fillimin e realizimit të endrrës sime. Dita erdhi, shkova në Radio Tirana, dhe ka qenë provimi më i vështirë i jetës sime. Dhoma e vogël e Redaksisë së Muzikës, ishte plot. Kam kënduar për herë të parë, përpara një jurie me emrat më të shquar të artistëve sic ishte Ferdinand Deda, që më shoqëroi në piano, Eno Koco, Spartak Tili, Avni Mula, Gazmend Mullai. Nuk kam për ta harruar kurrë atë ditë. Ishte fillimi i udhëtimit tim në rrugën e këngës, udhëtim sa i bukur, aq dhe i vështirë.
-Ju jeni diplomuar pranë Universitet “Luigj Gurakuqi” Shkodër , ku qëndron forca e inteligjencës Tuaj, – cfarë iu shtyhu të bëheshit këngëtare dhe pse?
Jam diplomuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, si Mësuese e Ciklit të Ulët. Nuk e kam ushtruar si profesion, sepse për hir të së vërtetës, endrra ime ishte të ndiqja studimet në Gazetari. Në ata kohë kishte ligje absurde. Ne që mbaronim shkollën e muzikës ishim të “persekutuar”. Nuk kishim të drejtë të ndiqnim studimet në asnjë lloj degë tjetër përvec Ciklit të Ulët, në Akademinë e Arteve kuptohet që po, dhe kush kishte miq, kishte privilegjin të studjonte Gjuhë- Letërsi.Gjithmonë kam dashur të jem jo vetëm këngëtare, e pas 4 viteve si përgjegjëse e kulturës në Zejmen, Lezhë, fillova si Redaktore Muzike në Radio Tirana, dhe pata dhe një eksperiencë të mrekullueshme dhe në TV. Vite plot mbresa, emocione, që ndoshta do ti hedh dhe në një libër.
-Të kënduarit ka qënë një pasion i hershëm i juaji, apo talent i lindur? Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore?
Dëshira për tu bërë këngëtare më ka lindur që kur kam qenë e vogël. Ka qenë zëri i të Madhes Vace Zela, që më bëri të ëndërroj, e për fat familja ime, e më shumë nga të gjithë Babai im i shtrenjtë, më ndihmuan që ta ndjek ëndrrën time.
-Ju jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë të muzikës së lehtë, serenatat korcare por edhe këngë lirike, balada të muzikës popullore? Na tregoni dicka për kar rierën tuaj?
E vërtetë që unë njihem me tepër si këngëtare e serenatave, e muzikës se lehtë. Por e dua shumë dhe muzikën popullore qytetare, folklorin, të të gjitha krahinave, dhe e ndjej veten të privilegjuar sa herë që jap koncerte në Zvicër, ku prezantoj muzikën tradicionale shqiptare. Ne kemi muzikë të mrekullueshme. Cdo herë pas koncerteve, të huajt vijnë e bisedojnë, ndajnë emocionet me ne dhe komplimentet nuk mungojnë asnjëherë.
-A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Nuk kam shkruar tekste këngësh, por shkruaj poezia. Gjej në të qetësinë, lirinë e të shprehurit të ndjenjave të mia, dhe për mua është thjeshtë magjike.
-Kini nxjerrë disa vidioklipe dhe albume muzikore, por keni dhënë edhe koncerte brenda e jashtë atdheut. C’mund të na thoni për këtë? Cfarë mund të presin adhuruesit nga këto vidioklipe e albume debutues? Cilët janë producentët e tyre?
Kam kënduar në Shqipëri në kohë të vështira për artistët. Ishtë e vështirë të rregjistroje një album, videoklip. Megjithatë, me aq mundësi sa kisha unë nxora dy albume, në vitin ’94-ën, një album i titulluar “Nata” punuar e rregjistruar në Prishtinë me kompozitorin Naim Krasniqi, dhe në vitin 2000-ë, albumin “Të pres” që është dhe titulli i një prej këngëve më të dashura për mua.
-Jeni një nga këngëtaret Artiste më të preferuara, të adhuara e të kërkurat në trojet shqiptare. Pjesëmarja tuaj në shumë koncerte e evenimente me taban historik e kombëtar në komunitetin shqiptar aty ku jetoni, a e mendoni se ka ndikim në rritjen e erudicionit qytetar, intelektual dhe të identitetit shqiptar në tokë të huaj?
Mendoj që është mision i cdo artisti të paraqesë vlerat më të mira të artit, në rastin tim të këngës, përpara publikut. Mua, sinqerisht që më ka kushtuar shumë financiarisht fakti që nuk e këndoj këngën komerciale sic bëhet sot. Por ndjehem shumë e pasur, sepse në shpirt jam e qetë. Nuk mundem të bëj dot ndryshe.
-Jetoni në Lozanë të Zvicrës . Cfarë ju lidh me dy qytetet e Shqipërisë; Leskovikun dhe Korcën? C’janë serenatat për Ju?
Po, jetoj në Zvicër. Gjaku, që nuk harrohet kurrë, që të thërret të kthehesh kudo që të jesh. Serenatat për mua janë si ninullat, u rrita me to. Në familjen time janë kënduar gjithmonë.
– Cilat këngë preferoni të këndoni më shpesh; muzikën e lehtë, serenatat, baladat apo populloret?
Nuk mund të bëj një ndarje që të them preferoj të këndoj më tepër serenatën, baladat apo këngën popullore. E rëndësishme për mua është që kënga të më ngjallë emocion, e atë që ndjej, gëzimin, dhimbjen, tëp ërcjell tek publiku. Në përgjithësi, muzika , arti, i bashkon njerëzit, pavarësisht nacionaliteteve që i përkasin. Të mos flasim për fanatikët, që ekzistojnë dhe në art .
-Si femër intelektuale dhe Artiste, si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Shqetesohem, indinjohem, kur dëgjoj për krimet në familje, vrasje pa shkak, dhunim të femrës. Si mund të quhet e civilizuar një shoqëri, kur nuk rrespekton, keqtrajton femrën, krijesën më të brishtë? Kuptohet që dhuna, droga, janë fenomene që i hasim kudo. Por ndryshimi qëndron në atë se sa bëhet për t’i parandaluar, për t’i ndihmuar dhe nga ana psikologjike femrat e keqtrajtuara e të rinjtë që ndodhen nën ndikimin e drogës. Sa punohet për sensibilizimin e shoqërisë për këto fenomene negative? Unë kam vite që jam larguar, por nuk mund të qëndroj indiferente për cfarë ndodh në vendin tim. Më duket sikur në Shqipëri, ekziston një indiferentizëm që vret. Per ne që jemi larg, dhimbja është akoma më e madhe. Qytetaria, emancipimi i shoqërisë, mendoj që ndikojnë shumë në zvogëlimin e krimit, dhe kthimin e besimit tek qytetarët për të jetuar me dëshirë në vendin e tyre.
-Kë dëshiron të falenderosh për realizimin e ëndrrës tuaj si këngëtare?
Vitet kalojnë, e unë për fat nuk ndjej peshën e tyre. Nuk i braktis asnjëherë ëndrrat, e luftoj që t’i kthej në realitet, edhe pse nuk është e lehtë. Asnjëhere nuk e kam patur të lehtë, e ndoshta këtu gjej dhe forcën. Kam projekte…
-Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?
Instrumenti im i preferuar është pianoja, por nuk mund të them që luaj në piano.
-Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtare që i përket dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?
Ishte periudhë e vështirë si para edhe pas ’90-ës për mua. Do kisha dashur të kisha rregjistruar më shumë këngë.,
-Vizitoni shpesh dhe Shqipërinë. Si e përjetoni këtë situatë që prek të gjithë të larguarit jashtë vendit?
Zakonisht shkoj 2 herë në vit në Shqipëri, jam shumë e lidhur me familjen dhe jam e lumtur të jem pranë mes të shtrenjtëve të mij.Ndjehem keq para miqve të mij që koha nuk më premton t’i takoj. Por nuk harroj asgjë, koha që ikën vetëm m’i bën më të shtrenjtë miqtë e kujtimet e mira.
-Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
Brezi i mëparshëm? Më vijnë ndërmend shumë emra. Artistë dhe Artiste, që bënë art në kohë shumë të vështira, ku kishte një kontroll e censure monstruoze. Për fat të keq ka nga ata që brezin e mëparshem e identifikojnë me militantizëm, përçues e mbrojtës së ideologjisë së asaj kohe. Duhet ta vendosi gjithësecili veten në vendin e tyre, të mendohet, e të kuptojë sa shumë kanë bërë Brezi i mëparshëm. Përulem para tyre. Nuk do më keqkuptojnë lexuesit nëse vecoj Vace Zelen, sepse ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën time. Kam patur fatin ta kem patur pranë gjithmonë që nga viti ’86-ë, që për një vit ishte Mësuesja ime. Afrimiteti që krijuam më pas ishte si Nënë-Bijë. Sa shumë mësova prej saj. Njoha Vacen Artiste, Vacen Nënë, Vacen Bashkëshorte, Vacen Rrebele, që dëgjonte muzikë të huaj dhe kur ishte e ndaluar e nuk i duronte padrejtësitë. Kam shumë për të treguar, por kujtimet janë aq të shtrenjta dhe është më mirë t’i mbaj për vete. Në jetën time kam njohur shumë njerëz, për fat. Që kur kam qenë fëmijë në Zejmen, Lezhe, në lice në Shkoder, pastaj në fakultet në Shkodër, qytetin e rinisë sime, ku me deshën aq shumë, ku mësova aq shumë, dhe ku guxova të qesh me barcaletat ´e rrezikëshme”. Kudo që shkova, njoha njerëz që më dhanë aq shumë dashuri, e që përfitoj t’i falenderoj që u bënë pjesë e udhëtimit të jetës sime në gëzime e vështirësi. Fjala FALEMINDERIT , nuk ka forcë ta shprehë mirënjohjen time, por dua t’ju them nuk ju harroj! Ju dua shumë e lus Zotin t’ju bekojë në cdo hap të jetës suaj!
-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….
Jam shumë e “vogël” para intelektualëve të vërtetë që jetojnë në Shqipëri. Jetoj larg, por e di që për ata jeta është e vështirë.Ndoshta mund t’ia lejoj vetes t’ju them që janë të pasur, shumë të pasur! Qytetaria dhe mëncuria nuk blihen me para!
Ju faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU