-Bisedë e Prof. Murat Gecaj me krijuesen e pasionuar, Zyba Hysen Hysa-/
Ne Foto: Veprimtari në Akademinë e Shkencave…Nga e djathta: Z.Hysa, M.Gecaj, I.Halilaj…(Tiranë, prill 2013)/
.-Në këto çaste, kolege e mike Zyba, kur po e nisim bisedën tonë, ndërmend sjell udhëtimet aq të bukura, që kemi bërë bashkë nëpër trojet shqiptare të Ballkanit, në përbërje të një grupi të vogël të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Po ti, çfarë kujton tani, nga ato ditë të paharruara?
– Në radhë të parë, të falënderoj sinqerisht që më kërkuat të bëjmë këtë bisedë! (Kurrë nuk do mund t’i kërkoja dikujt të shkruajë për mua dhe kurrë nuk shkruaj për ndonjë, që më thotë “Shkruaj për mua”. Unë kam shkruar për çka jam frymëzuar nga vepra e dikujt, qoftë i gjallë ose jo…).
Tani të falënderoj përsëri edhe për pyetjen që bëni, se më duket vetja si shqiponjë, që fluturoj me imagjinatë nëpër trojet tona, andej nga shkuam bashkërisht, nën drejtimin e të ndjerit dr.Ibrahim Gashi. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai na bëri bashkë (11veta) dhe nisëm misionin e shenjtë për përafrimin, deri në njësim, të programeve e teksteve shkollore, në të gjitha trojet tona amtare, ku jetojnë e punojnë shqiptarë, si dhe në diasporë. Në fund, këtë punë të palodhur e kurorëzuam me Konferencën e Parë Mbarëkombëtare, kushtuar këtij problemi, më 17 shtator 2011. Aty unë lexova temën, “Kush mbron gjuhën, ka në dorë çelësin e burgut të vet”.
Ç’të them më parë? Kujtoj udhëtimin magjik drejt Kosovës e më pas drejt Shkupit, përmes një lugine të gjelbër, si nëpër përralla. Për herë të parë, aty pashë sorkadhe, që para nesh kalonin rrugën; pashë vende, ku të parët tanë kishin luftuar ndër shekuj, për liri e pavarësi. Më dukej se ndieja krisma pushkësh dhe jehonën e thirrjeve të trimave, gjë që më mbushte me krenari të ligjëshme dhe, si pa e kuptuar, merrja një lloj energjie pozitive, e cila më jepte forcë dhe emocione, se po shkonim shkonim drejt Shkupit dhe më pas drejt Preshevës, të dyja tonat…
Ç’më bëre, o miku im! Tani më duhet të mos pushoj më, duke folur…Po, si mund ta harroj Konferencën Shkencore, në Komunën e Çairit, ku edhe unë fola për gjuhën shqipe, për profesorin nga Bukureshti, i cili i kërkoi djalit tim për dhuratë një bust të vogël të Skënderbeut. Aty thashë, që ne kemi të drejtë ta mbajmë kokën lart, sepse të parët tanë na kanë lënë trashëgimi krenarinë dhe na duhet ta vlerësojmë lart atë… Po si mund t’i harroj thirrjet e gëzuara të sallës, saqë m’u duk vetja njësh me ta, si bij e bija të një Nëne. Prandaj, besoj të kujtohet, që e vesha me dëshirë të madhe atë bluzë, ku shkruheshin fjalët e zemrës: “Jemi një!”. Po, për fatin tonë të keq, të huajtë ia kanë “shqyer gjirin” Nënës dhe bijtë mbetën bonjakë!?
Nuk e harroj as dhuratën, që na dorëzuan në atë Konferencë, portretin e Skënderbeut hipur mbi kalë, të derdhur në bronz, që e ruaj me kujdes e dashuri. Më pas ndieva dhimbjen te trualli i Shtëpisë së Nënë Terezës. Aty pashë vetëm disa shenja të verdha mbi asfalt dhe një pllakat në lulishte, si ato të njerëzve, që vdesin në rrugë nga aksidentet. Dhe fjalët nuk shkruheshin me shkronjat e Alfabetit të Manastirit, por maqedonisht dhe anglisht. Lotova atë ditë, lotoj edhe tani, kur po e rikujtoj atë ditë. Ndërsa sjell ndërmend që na shoqëronte një atdhetar i mirë, Skënder Asani. U trondita shumë, kur ai tregoi se shqiptarët, deri para pak kohe, kishin varreza të përbashkëta! Pra, as për varr nuk u kishin lënë kishin vend (shumë e dhimbshme). Por Skënderi na tha, me një krenari të madhe, që kishin mundur ta veçonin nga ajo varrezë, babanë e Nënë Terezës dhe emrin ia kishin shënuar me shkronja shqipe. Llogarit, pastaj, për tekstet shkollore, që pse nuk ishin në gjuhën shqipe, se historia, letërsia e librat tjerë hartoheshin nga autorë serbë e maqedonas. Kësaj i thonë ta mësosh historinë dhe kulturën e popullit tënd, ashtu siç e shkruan i huaji, pushtuesi. Masakër në shpirtin dhe trurin e Kombit tonë. Po, për fat të keq, ajo vazhdon edhe te ne, se nëpër universitet tona ende bëhen leksione të viteve ’70-të, nga shekulli i kaluar. Kështu, për uzinën e autotraktorëve “Enver Hoxha”, lexova një ditë në librin “Studim Teksti”, që bënin studentët e profilit të letërsisë, në Vlorë?!
Nuk më hiqet nga mendja mbrëmja, kur kaluam kufirin, nga Maqedonia për në Serbi dhe polici na foli serbisht. Ndërsa iu drejtova: “Fol shqip!” I ndjeri Ibrahim Gashi u shqetësua shumë. Por unë ngulmova e i thashë policit përsëri, duke e parë drejt e në sy: “Fol shqip, se je shqiptar!” Ai vështroi përqark, buzëqeshi pak dhe m’u drejtua shqip: “Ku më njohe?” Unë ia ktheva me buzëqeshje e dashamirësi: “Të njoha në sy, se ata flisnin shqip!” Duhet të kujtohet edhe ty, se më pas, bëra një shkrim me titullin “Të mësosh nga armiku”. Aty flitej për çka na ndodhi në shkollën e mesme të Preshevës. Po dua të përmendi këtu edhe dhimbjen, që ndjeva, kur udhëtuam për atje. Ata, që na pritën dhe na shoqëronin, tregonin: “Ky fshat banohet me serbë, ai atje me shqiptarë, tjetri me serbë, tjetri me shqiptarë…”. Lindë pyetja e natyrshme: Po, si u populluan këto fshatra, si ua lanë trojet të huajve? O Zot i madh! Edhe tani më bëhet një lëmsh në grykë e s’e përcjell dot…
Por, ne shqiptarët, kemi dhe fajet tona. Nuk kam për ta harruar takimin në shkollë, ku mes 40 – 50 mësuesish shqiptarë, hyri në sallë zëvendësdrejtori serb dhe uroi në gjuhën e tij: “Mirëdita” dhe të gjithë mësuesit ia kthyen, po serbisht. Si nuk u hap dheu të futesha brenda! Ndaj e “shava” serbin, nën buzë. Ndërsa pas pak u pendova dhe, kur u ngrita, ti duhet ta mbash mend, i kërkova ndjesë serbit dhe fajësova shqiptarët e mi: “I lumtë, ai respekton gjuhën e nënës së tij. Po ju, që dhe toka dhe gurët e drurët tuaj ju flasin shqip, pse nuk ia kthyet shqip përshëndetjen? Kush na e ka fajin për këtë gjë? Sot unë mora një mësim, nga një i huaj!?” Vërtet bota nuk na do, por fajtorë jemi edhe ne vetë për këtë, se i respektojmë më shumë tëq tjerët, se veten tonë! Po nuk respektuan veten dhe njëri – tjetrin, çfarë na ka bota? Apo e kam gabim?…Po dëgjoja një ditë “Zërin e Amerikës”, me kufje nga celulari. Flisnin gjithë ministrat e Mbrojtjes së Ballkanit, me gjuhën e tyre, vetëm ministri ynë, A.Imami, nuk denjoi të flasë shqip, por anglisht. Sinqerisht, u ligështova…
Më fal se, ndoshta, u zgjata dhe po e lë me kaq përgjigjen e pyetjes së parë. Se, nuk dua të ta rikujtoj qëndrimin në Kosovë, ku pamë që edhe kosi në supermaket ishte me etiketë serbe, ndërsa fushat e Kosovës rrinin djerrina dhe s’rrisnin gjedhë e kafshë për qumësht. Por shqiptarëve u shijonin më mirë të huajat, siç e kemi “ngrenë” nga serbi… Edhe këtu, fajin ata na e kanë?!
2. – Jetoni familjarisht dhe je me punë në arsim, në qytetin e Vlorës, aty ku mbi 100 vjet më parë u shpall përgjithnjë Pavarësia e Shqipërisë. Çfarë kuptimi simbolik ka për ju, ky fakt?
-Sapo përfundova një libër studimor. “Retorika dhe Racionalizmi në filozofinë e Isuf Luzaj”. Ai shkruan: “As unë s’e di, se si m’u bënë arsye dhe principe jete tri dashuri: A) Dashuria e Atdheut; B) Dashuria e librave; C) Dashuria e shkrimit…”. (“Filozofia e Bukurisë”, faqe 115). Ashtu si çdo dashuri, që nuk ka të njëjtën forcë në njerëz të ndryshëm, nuk pretendoj t’i kem këto tri dashuri, si e sa të Isuf Luzajt. Por të trija këto dashuri ekzistojnë thellë në ndërgjegjen time, që nga koha, kur unë kam qenë e vetëdijshme dhe besoj që do jem deri në fund me këto tri dashuri, që e bëjnë vetëqenien time të dobishme dhe përherë në formë të shkëlqyer, për të dhënë ndihmesën time modeste, si një bijë e malluar e Shqipërisë dhe e Kombit tim.
E thashë këtë, për të treguar dhe arsyen, që pse unë shkova drejt Vlorës, në një kohë, kur shumica iknin nëpër botë. Është e vërtetë ajo, që thotë Profesori më lart, se asnjë nuk e di se si bëhen principe, disa gjëra në jetë. Por di të them që, sa të jem gjallë, sa të më punojë mendja dhe dora, kurrë nuk do rresht së ngrituri me forcë për çështjen e pazgjidhur të Kombit tonë. Mendoj që është një çështje që, po nuk u zgjidh, shqiptarët kanë për të mbetur si rromët, endacakë nëpër botë!? Po, ndërsa rromët nuk kanë vatan, ne e kemi brez pas brezi, që në lashtësi… Kjo është dhe arsyeja që Vlorën e quaj “vendlindja e Rilindjes sime” dhe diku e kam thënë: “Vlora, m’u bë shtrat për zemër”. Këtu kam shkruar mbi 20 e ca libra, me poezi, publicistikë, studimorë e prozë (tregime dhe 3 romane)… Dua ta them, që në Vlorë, jam dhe ndjehem si në një vend të shenjtë. Këtu kam gjetur mbështetje e marr frymë lirisht, këtu muza ime “çmendet”, ashtu si deti, që kurrë nuk fle. Ndërsa unë shkruaj e shkruaj, pandërprerje… 15–17 orë në ditë, kur jam pushim dhe nuk ka ditë që nuk punoj deri vonë, nga ndonjëherë, deri në mëngjes…Unë nuk mund të largohem nga ky qytet dhe “ashpërsia”, në dukje, e njerëzve më ka bërë ta pyes veten mirë dhe ta kuptoj se Vlora kërkon punë, se edhe kur të qorton, të do, po qe punëtor; edhe kur të do të qorton, të vë në punë. Në Vlorë pushtohem si me energji mistike, saqë nga ndonjëherë nuk e njoh veten, shkruaj gjëra që nuk më duket se i shkruaj vetë. Dua të shkruaj diçka, që mendoj dhe më dalin gjëra krejt tjera, që më vijnë natyrshëm. Nuk di se si më rrjedhin ato, ndërsa vetëm shkruaj. Pastaj lexuesi im, sigurisht, më vlerëson më mirë, se çfarë shkruaj…
Nuk e di si ndodh, por kur kaloj afër Monumentit të Pavarësisë, shpesh qëndroj dhe më duket sikur burrat e tij lotojnë, sikur rënkojnë e sikur kanë dhimbje e kërkojnë shërim. Sikur… ah…sikur kanë etje… sikur kanë ftohtë… sikur kërkojnë miq e shokë!
Nuk kam për ta harruar një herë, kur ndodhesha në Sheshin e Flamurit, para Monumentit. Më 27 nëntor, erdhën ata të “Aleancës Kuq e Zi” dhe K.Spahiu ulërinte e çirrej dhe tjerët valëvisnin flamuj. 20 e ca veta kishin hipur mbi një role bezeje të kuqe, bërë si flamur. Ata m’u dukën si korba dhe kam ndjerë një dhimbje të jashtëzakonshme! E bënë flamurin si paçavure: hidhe për sheshi, ngrije mbi kokë, hidhe mbi shpatull, lidhe për mesi, vetëm e vetëm për të “bindur” qorrat e budallenjtë për atdhetarizmin “e flaktë” dhe për “trimërinë” e “kokave” të tyre, pa kokë kombëtare. Atë ditë jam mbyllur në shtëpi, vendosa kamerën dhe kam folur duke qarë. Tani, nuk guxoj ta shikoj atë regjistrim, aq e hidhëruar kam qenë. Se ky vend i shenjtë, vaditur me gjak dëshmorësh, në të gjitha kohërat, nuk ka nevojë për disa metra katrorë beze të kuqe, si flamur (Flamuri ynë ka përmasa të përcaktuara në Kushtetutë), por ka nevojë për burra e gra të zotë, që të punojnë për lartësimin e Flamurit tonë Kombëtar.
Vlora më ka ushqyer më mjaltin e dashurisë për vetë atë, por dhe për tërë Shqipërinë, për Kombin. Ndaj dhe krijimtaria ime u fut në “turbinën” e kësaj dashurie dhe kam mbi tre vjet, që krijimet artistike (tregime, romane) kanë mbetur atje, ku i kam lënë. Përjashtoj poezinë, që nuk arrij ta lë, se nuk më lë ajo. U jam futur edhe studimeve historike. Pra, kam çelur sytë e mendjes së “qorrollisur” nga propaganda komuniste, kur historia shkruhej nga kalemxhinjtë e diktatorit, sipas oreksit të vakteve të tij, që ndërronin sipas shijes, që i servirte bota. Ku paskam qenë! Përfundova e botova librin “Sharrajt në Jetën e Kombit”, i cili përfshin periudhën, që nga Shpallja e Pavarësisë e këtej. Por shumë gjera mbetën si në mugëtirë. Ndaj shkrova dhe librin tjetër për Isuf Luzajn, që saktëson më mirë hijet e librit të parë. Ndërsa, për ta plotësuar këtë, po vazhdoj një libër për veprën e Adem Demaçit. Shpresoj që do t’i kthehem krijimtarisë artistike, tregimeve, romaneve. Nuk e di, mbase… Unë them: Faleminderit, Vlorë e dashur, që më fute në udhët e duhura, që më ndrite mendjen dhe më bëre “skllaven” tënde dhe unë dua të mbetem deri sa të jem gjallë, nën ketë pushtet të magjisë së Vlorës sonë të dashur. Kush vjen këtu rritet, ai që s’rritet dot, piqet…
3.-Para se të flasim për krijimet e botimet tua, dëshiroj t’i informoj diçka më shumë lexuesit për përfshirjen tënde në detyra shoqërore. E them këtë gjë, se kam lexuar shpesh, sidomos në faqe të ndryshme Interneti, se ti merr pjesë aktive në çështjet aktuale të jetës shqiptare. Po kështu, jemi takuar bashkë dhe në disa veprimtari të ndryshme, që janë organizuar në kryeqytet…
-Më duket se, Dritëro Agolli, ka thënë diku: “Të bëhesh shkrimtar, duhet të jesh dhe gazetar…”. Unë nuk e kam pasur në mend këtë thënie, por tani më erdhi vetëvetiu. E pohoj që ka të drejtë. Shkrimtari është misionar i shoqërisë njerëzore dhe librat janë dritare, nga ku shoqëria shikon dritën e së ardhmes. Por jo çdo libër shkon te të gjithë njerëzit. Ata mund të mos dalin nëtërë vendin dhe mund të mos i lexojë i gjithë populli. Ndaj, një shkrimtar misionar duhet ta koncentrojë librin e tij, ta shtrydhë atë deri në një shkrim përmbledhës të ideve dhe mesazheve, që ka dashur të përcjellë në libër dhe ta publikojë nëpër gazeta, apo sot, në Internet. Kështu ai e ka kryer më shpejt, më saktë, misionin e tij. Pra, si pa dashje, edhe unë u bëra publiciste dhe shkrimet e mia janë përhapur kudo, deri në Amerikë. Ndjehem mirë për këtë gjë, se shkrimet me dritë të qetë, që të jep e vërteta e sjellë vërtetësisht te lexuesit, vlejnë më shumë se qindra beteja lufte… Nuk kam “shembur” malet, por as nuk kam ndenjur duarkryq. Kështu, edhe Facebook – un e kam kthyer në faqe misionare, ku publikoj shkrime, thënie e poezi, duke u përpjekur të ndihmoj sadopak që njerëzit të marrin një konceptim tjetër të jetës, punës, krijimtarisë.
4. – Tashmë, emri yt është bërë i njohur nga lexuesit, sidomos për disa libra të publikuar. Lutem, cilët janë ata dhe na trego, përmbledhurazi, tematikën kryesore të tyre? Po, projektet për te ardhmen…
Unë nuk mund të flas e të “mburrem” për krijimtarinë time edhe pse më lart fola për librat studimorë. Por një gjë e them sinqerisht: Krijimtaria ime është e gjallë, ajo shkruhet me dashuri dhe çiltërsi. Ajo është e thjeshtë, ashtu siç mendoj se jam edhe vetë e thjeshtë, e komunikueshme me të gjithë dhe dashamirëse për cilindo nga ata, që ulin kokën dhe punojnë për të mirën e vetes e të Atdheut. Kam botuar disa libra: poezi, libra për fëmijë, tregime, fabula, studime. Kam edhe mbi 15 libra të përfunduar, që presin botimin. Por jam e lumtur që nuk i kam botuar, se është mirë, kur ata “flenë” disa vjet. Kështu mund të bëhem vetë redaktore e tyre.
Cila është tematika kryesore e librave të mi? Në poezi, mbisundon ajo e dashurisë. Prof. Dr. Hamit Xhaferri, nga Tetova, e ka cilësuar poezinë time “Poezi e dashurisë imagjinative”. Pra, unë nuk u këndoj bukurive fizike, por shpirtërore. Ndërsa në romane, mbizotëron tema sociale, ku gërshetohen historikja, psikologjikja dhe filozofikja. Publicistika përqendrohet në politikën kombëtare. Saqaroj këtu, se kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti politike, nuk kam pranuar ndonjë post politik, nuk kam marrë ndonjë shpërblim politik dhe as kam patur privilegje nga politika e as nuk i dua të tilla. Se, nëse një krijues i pranon këto, e humbë lirinë e tij, nuk mund ta ketë më fjalën e lirë. Unë e ndiej se jam e lirë, si një pulëbardhë, që fluturoj në hapësirë, nga të dua e si të dua.
5. – Lidhur me pyetjen e mësipërme: Sa ka ndikuar e ndihmuar profesioni yt, pra puna në shkollë, për të shkruar e botuar?
-Nuk e di, ç’të them… Di vetëm që, përherë, shkruaja poezi dhe ua jepja nxënësve, me raste festash… Kjo ndodhi deri në 1978, kur më dërgoi Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” një letër, ku shkruhej: “Kujdes… ke frymë moderniste në poezi!”. Kjo ndodhi, pasi kisha dërguar për botim poemën, “Me ju, nuk jemi krushq”. Bëhej fjalë për tradhëtinë e Kinës. Ishte poemë, që nuk më erdhi më në dorë dhe më vjen keq që redaktorë, të cilët firmosnin e vulosnin krijimtaritë e krijuesve, si “moderne”, për të cilat sa veta janë vrarë, burgosur, internuar ose detyruar që ta djegin krijimtarinë e tyre për t’i shpëtuar përndjekjes diktatoriale, nuk dolën, gjatë viteve të Demokracisë, një herë para publikut dhe të kërkonin ndjesë, të rrëfenin për fatin e mijëra krijimeve të sekuestruara, që nuk u dihet as nami as nishani. Mbase, i përvetësuan, shpirti i tyre e di?!
Nuk besoj se ndikon shumë profesioni. Krijuesi mund të jetë i çfarëdo fushe të jetës. Sigurisht, ai më ndihmon në stilin tim të shkruarit, për këtë po dhe në gjuhën e pastër.
6. – Një pyetje të njëjtë ose standarde, si atë me koleget e miket tjera (mos, ndoshta, pak e bezdisshme kjo -ha, ha), kam edhe për ty: Pra, a të mbetet ndonjë gjë tjetër merak për ta shtuar, në fund të kësaj bisede?
-Unë nuk po e zgjas më, se po vazhdova më tej, besoj do e bëjmë “roman”. Aq e kam unë! Sa shkrepë urori, merr zjarr eshka. Por dua të shtoj një gjë, ose t’u bëj një apel gjithë krijuesve shqiptarë, kudo që ndodhen: Të jenë e të bëhen më miqësorë me njëri – tjetrin. Secili ka pozicionin e vet në udhën e krijimtarisë. Pra, askush nuk na e pret dot udhën tronë. Uroj nga zemra që të gjithë të jenë sa më miqësorë e të krijojnë art miqësor dhe të jenë më të buzëqeshur. Kështu dhe krijimtaria e tyre do të të sjellë sa më shumë hare te lexuesi dhe do të jetë largpamëse, që ta ndriçojë përherë e mirë udhën e zhvillimit dhe përparimit tonë, si vend e si Komb.
-Faleminderit, e nderuara Zyba, për përgjigjet tua, në këtë bisedë tonën! Kjo, besoj, do t’u pëlqejë lexuesve tanë, si për informacionin e bollshëm e me përmbajtje dhe sinqeritetin e shprehur.
Tiranë, 5 gusht 2013