• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VISAR ZHITI: Librat janë hakmarrja jonë kundër së keqes që kaluam…

May 29, 2021 by dgreca

MESAZH I SHKRIMTARIT VISAR ZHITIT PËR PROMOVIMIN NË VATËR TË LIBRAVE TË BASHKËVUAJTËSIT TË TIJ DINE DINE ”ALIDA” DHE “GJYQI I SHOPENHAUERIT”

E DASHUR “VATËR” E SHQIPTARËVE NË SHBA*

I dashur mik dhe bashkëvuajtës, Dine Dine!

I dashur mik dhe bashkeqytetar Dalip Greca

Të dashur të pranishëm në këtë takim, 

Përgëzime për këtë takim, përurimin e dy librave me autor Dine Dinen, njëri me bashkautor dhe bashkëshorten e tij, Adriana Dine, botuar në Shqipëri dhe faleminderin për ftesën që të isha dhe unë bashkë me ju. 

Do të desha të isha, por për shumë arsye nuk munda dot. Kujtoj që kam qenë më parë në një tjetër përurim mes jush, po të Dine Dines, për romanin “Mbi varkën e Karontit”, ku ai rrëfen me sinqeritet dhe pa urrejtje, madje dhe pa akuzuar, dënimin e tij.

Dhe unë me Dine Dinen u njoha  në burgun e Spaçit, u bëmë miq dhe ajo miqësi, ashtu si dhe me të tjerë njerëz të mirë dhe të besës në burg, kishin një rendësi të madhe për të qendruar kundër së keqes, për të qenë njerëz, atje ku ishte e vëshirë. Kujtoj bisedat me Dinen, kemi folur shpesh për librat, për poezinë, Dinia më dha dhe përktheu poezinë “If” të Kiplingut, kemi folur për Heminguejin, kujtoj, për filozofë, Dinia dinte dhe donte Shopenhauerin, etj, kemi folur për Lazër Radin, shkrimtar i burgosur dhe i internuar gjithë jetën, vjehërri i Dines, kemi folur për dorëshkrimin e tij për Migjenin, etj, pra për gjëra të ndaluara. 

Po kështu vazhduam kur na shpërngulen në burgun e Qafë-Barit, edhe kur u liruam, deri sa ra apo u shpërbë diktatura komuniste në Shqipëri e Dine Dine, si qytetar i lirë mërgoi në SHBA.

Por prej andej erdhën librat e tij, roman në fillim, novelat e tregimet.

Dine Dine duket sikur kërkon shplodhje shpirtërore në atë që shkruan, jo kujtimet e vuajtjes dhe të përndjekjes vetëm, po ato ku është dashuria, jeta që kërkon normalitetin dhe bukurinë e vet.                                                 Novela “Alida” në ballinën e pasme” ka dhe këtë vlerësim timin:  

“Alida” êshtë një novelē e shkëlqyer, jo për dashurinë, por për pamundesinë e saj, fiksimin e pashpjegueshëm erotik si patalogji, me sfond vuajtjen në internime e burgje  të rrëfimtarit e kohën më pas deri në tej jetë.

Të kujton rrëfimet alla Turgeniev e Cvajg, një klasiçizem që autori e ndiqte me ëndje dikur si letërsi e ndaluar. 

Pathosi dhe e çiltërsia, moskokëçarje ndaj të vërtetës, dënimeve, familjes, etj, janë përqendruar në njē obsesion, që i tutet arritjes së një dashurie reale, duke e besuar këtë si dashuri dhe kështu iluzioni “Alidë” bëhet më i fortë.”

Dine Dine tashmë është autor në letrat e ditëve tona, sipas meje. Unë sapo kam botuar librin “Kartela të Realizmit të Dënuar” një studim i gjerë për letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e autorëve të dënuar, që vazhdojnë të shkruajnë dhe tani, etj, pra të një ‘letërsie tjetër”, krejt ndryshe nga ajo e Realizmit Socialist, i imponuar nga regjimi i dikurshëm, por theksoj se “Letërsia e Realizmit të Dënuar” nuk erdhi që të zëvendësojë letërsinë shqipe, por për të sjellë vetveten, ato të vërteta të munguara, për të cilat letërsia ka aq shumë nevojë.

Mbase i diskutojmë çështjet që ngre ky libër ndonjë ditë në “Vatrën” tonë, por desha të them se mes shumë “kartelave” që ka ky libër, emrave të shkrimtarë të dënuar, një pjesë mizorisht si asgjëkund tjetër, me pushkatim  nga regjimi gjakatar apo autorë të çmuar që janë shuar burgjeve, veprat e të cilëve e nderojnë letërsinë shqipe, që tregojnë se ajo qëndroi dhe dha vlera kombëtare, po kështu dhe me dëshmitë tona, me poezinë që nxorëm nga burgjet, që përkthehet dhe emocionon lexuesin nëpër botë, etj, etj, me vazhdimet deri më tani me libra të kujtesës, etj, pra, mes atyre kartelave të shumta me vlerësime, tashmë është dhe ajo e Dine Dines, ja, ç’është shkruar shkurt, ndër të tjera në atë:      

“DINE DINE

…Ishte rritur internimeve, nip i një kryeministri të dënuar, familje e madhe nga Dibra, të ikur jashtë si kundërshtarë politikë, larg në SHBA. Atje emigroi dhe Dinia, kur sa po zhbëhej diktatura dhe nisi të botojë dhe në median e diasporës, kujtime për bashkëvuajtësit, rrëfime e recensa librash dhe tani së fundmi nxori romanin autobiografik “Mbi varkën e Karontit”. Dhe vazhdon të punojë, të rrëfejë burgun e tij…

“Alida” – është novela që e pasoi, dashurie e gjitha, për pamundësinë e dashurisë, ku pengesë nuk është vetëm burgu. 

“Gjyqi i Shopenhaurit” – novelë tjetër bashkë me disa tregime, të shoqëruara dhe me rrëfime të bashkëshortes së tij, Adriana, bija e Lazër Radit.. Që nga internimi ajo i vinte në burg, mbante familjen me dinjitet dhe nder duke punuar kanaleve, rriste djalin… 

Qëndresa e grave të internimeve, me burrat në burg, është një heroizëm tronditës, shenjtëri e dashurisë, që letërsia shqipe ua ka borxh. Së pari letrat tona…”

Ja, këto do të thosha dhe unë modestisht, po të isha me ju në këtë përurim për librat e një bashkëvuajtësi dhe miku.

Librat janë hakmarrja jonë kundër së keqes që kaluam.

      Ju dëshiroj vetëm të mira!

Miqësisht,

Visar Zhiti

         28 maj 2021

*Në pamundësi për të ardhur në promovimn e librave e bashkëvuajtësit të tij Dine Dine, shkrimtari Visar Zhiti dërgoi këtë përshëndetje që u lexua në fillim të veprimtarisë nga moderatorja Marjana Bulku.

Filed Under: Opinion Tagged With: hakmarrjv jone, mesazh per Dinen, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT