
Metush Kryeziu, Komandant Batalioni në UÇK, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Malishevë, ushtrues detyre i Nënkryetarit të OVL në Selinë Qëndrore Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale ka si qëllim diskreditimin e luftës së UÇK. Kjo gjykatë sipas Komandant Kryeziut është e inskenuar nga Serbia dhe se e vetmja shpresë për zgjidhje të drejtë është Amerika.


GJYKATA SPECIALE DO TË DISKREDITOJË LUFTËN E UÇK
Gjykata Speciale tregoi se qëllim të vetëm ka diskreditimin e luftës së UÇK-së dhe jo drejtësinë, sikur e pretendon. Gjykata Speciale është gjykatë e njëanshme dhe kjo gjykatë arrestoi krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës pa të drejtë juridike. Tashmë, është e qartë për secilin, që nuk i mbyll sytë me dashje, se themelimi i Gjykatës Speciale në Kosovë është një mashtrim dhe padrejtësi e madhe që po i bëhet popullit shqiptar.
GJYKATA SPECIALE E INSKENUAR NGA SERBIA
Kjo Gjykatë e inskenuar nga Serbia dhe qarqet anti shqiptare ishte një mashtrim dhe vetëmashtrim i imponuar edhe me joshje e beneficione, por edhe me shtrëngim, kërcënim e shantazhim individual e kolektiv, me gjoja rrezikun e një Gjykate të njëanshme të miqve të Serbisë në Këshill të Sigurimit e në OKB, nga njëra anë, dhe me liberalizim vizash e përshpejtim të integrimit euroatlantik, në anën tjetër. Kjo Gjykatë naziste ashtë një e pa drejtë më e madhe që njeh historia ndonjëherë, e cila po tenton te degradojë luften e shenjtë të Kombit Shqiptar, luften e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
AKUZA ME DËSHMITARË TË RREMË
Këto akuza mbi të cilat ka prerë fletëarrestet Prokuroria Speciale, janë akuza të fabrikuara në Serbi me dëshmitarë të rremë. Një proces farsë. I gënjeshtërt dhe i papranueshëm. Gjykata Speciale po bën një krim të madh me këtë drejtësi të stisur. Kjo është një Gjykatë e rremë e krijuar në një proces politik të rremë e të padrejtë mbi kauza që nuk qëndrojnë dhe nuk kanë qenë kurrë të vërteta. Kur akuza e Gjykatës ra për trafikimin e organeve, në mënyrë djallëzore dhe tinëzare, kjo Gjykatë ndërroi kahjen dhe ngriti akuza të tjera të bazura në prokurori e kriminelë serbë. Asnjë gjykatë, asnjë prokurori, asgjë institucion në këtë botë nuk mund të hedh baltë mbi luftën e drejtë e të pastër të UÇK.
AGRESORI U KTHYE NË VIKTIMË
Turpi më i madh i kësaj Evrope është që merret me akuzimin e viktimave të luftes, ndërsa agresorin e ka kthyer në viktimë. Kjo gjykatë po vret edhe njëherë 13.000 viktimat që vrau Serbia. Kjo gjykatë po “perdhunon” prapë 20.000 motrat tona. Kjo gjykatë po vret të mitur pleq e gra. Kjo gjykatë po shfaros, po shkatërron gjithçka që është ndërtuar në Kosovën e pas luftës. Kjo është tepër e rëndë për popullin tonë, për shtetin tonë, për kombin tonë.
SITUATA E RËNDË INSTITUCIONALE
Arrestimet e padrejta të krerëve të shtetit të Kosovës dhe të krerëve të luftës kanë shkaktuar një situatë të rëndë në vend. Institucionet në Kosovë janë të brishta. Situata pandemike po bëhet çdo ditë më e rëndë. Arrestimi i kreut të shtetit dhe atyre që udhëhoqën për të ardhur kjo liri përbëjnë një ngjarje tepër të papranueshme. Krerët e shtetit dhe të luftës akuzohen padrejtësisht në emër të Drejtësisë. Situata është e pa përballueshme. Vendi ynë jeton ditë të zymta.
GJYKATA SPECIALE NË KUSHTETUESE
Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës jemi duke punuar për ti mledhur nënshkrimet nga Deputetët për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë gjykatë Speciale. Kjo gjykatë është një maskaradë. Kjo gjykatë është e paligjshme. Asnjë Gjykatë në botë nuk mund të veprojë me mandat të skaduar. Gjykata Speciale është e vetmja gjykatë në planet që po vepron pa mandat. Si mundet Evropa ta pranojë këtë? Kjo nuk ndodh askund. Që nga Gushti i këtij viti, kjo gjykatë nuk ka më asnjë mandat dhe asnjë të drejtë. Disa deputetë na kanë premtuar për inicim të procesit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Po punojmë fuqishëm. Jemi duke menduar dhe skenarin e protestave dhe çdo skenar të mundshëm deri sa të dalë e drejta jonë. Askënd në këtë botë nuk do ta lejojmë të veprojë padrejtësisht në kurrizin tonë.
SHPRESA VETËM TEK AMERIKA

E vetmja shpresë në Kosovë dhe në këtë proces të pandershëm dhe të padrejtë është Amerika. Shpresojmë, u bëjmë thirrje dhe kemi besim se Shtetet e Bashkuara do ta ndalin hovin dhe qëllimet e kësaj gjykate poshtëruese që ka per qëllim të barazojë luften e popullit, luften Çlirimtare me agresorin serb që ushtroi genocid në Kosovë. Kjo Gjykatë Speciale po përkrahet fatkeqësisht edhe nga disa shtete Evropiane si dhe qarqe të brendshme për interesa personale , duke lënë mënjanë interesin kombëtar.