Nga Fahri Xharra /
Sa interesant me këtë historinë tonë . atë që e dinim nuk guxonim ta thonim, e për atë që nuk kishim asnjë pike njohori rrihnim ( e edhe sot rrahim ) gjoks duke e vërtetuar ma paditurinë tonë e në përfitimet e atyre që na donin ashtu si ishim dhe ashtu si jemi edhe sot . Me të vërtetë ,mjerimi mendor qenka një kafshatë që nuk kapërdihet e kur edhe rrah gjoks duke e mbrojtur atë mos dije , atëherë i vie era si e lakrave “ turshi” kah mesi i pranverës .
Kujt t`i shkonte mendja se kishte shqiptar ortodoks në Maqedoni ? Edhe ata që e dinin nuk guxonin se regjimet e ndryshme që moti kishin vendosur “veto” mbi çdo gjë që sillej rreth të vërtetës sonë . Heshtje historike me qëllim të harresës , me qëllim të shlyerjes përfundimisht nga hartat e kombit një masiv të madh kombëtar. E mësonim Migjenin , por në heshtje na ngacmonte se kush ishte ay nga kishte ardhur ? askush nuk fliste .
E lexonim trumcakun që vuenta nga melankolia, i cili fatkeqsisht kishte lindur nënjë vend të shkretë. ishte në një vend ku ishte një natyrë- e cila nuk mund të quhej natyrë. …Por e dini që trumcaku bëri vetvrasje ? sepse ishte në një vend ku ‘kafshatat e mjerimit ‘ nuk kapërdiheshin . Por nuk kapërdihen edhe sot.
Interesant ! jemi ë vend ku kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tone reale. Asnjë herë nuk e sqaruam se nga ishte Migjeni , sepse nuk guxonim e as nuk donim.
“I gjyshi Nikolla Dibrani – quhej me këteë mbiemër gjenerik, se familja e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare te Rekës (po nga krahina ku ka lindur edhe poeti patrioti shqiptar Josif Jovan Bagëri) – qe shperngulur nga mezi i shekullit te 19-te. Kemi plot familje të shperngulura ne kete qytet te Veriut: Gjergaj, Siliqi, Banushi, Kadiqi, Dibra, e te tjera. Nikolla Dibrani qe murator nga mjeshtria dhe thonë se mori pjesë në ndërtimin e kishës ortodokse në Shkoder. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshme, ne Mal te Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me një vajzë nga Kuçi, me Stake Milanin, e cila kishte edhe ajo si gjithe banoret e asaj krahine, shqipen per gjuhe amtare. Nikolla Dibrani, kur humbi jetën në Mal te Zi, aty nga moti 1876, la pas dy bij: Gjoken(Gjergjin) dhe Kriston, fare te vegjel.
Gjergjj Nikolla hyri shegert te Beroviqet, te cilët u kijdesë sikur ta kishin birin e tyre. Ata e ndihmuan jetimin të vejë edhe ne shkollën italiane. Më vonë, ndersa u mbante hesapet, i ndihmoi edhe në një pijetore, ngjitur me magazinën e tyre, në të cilën me kohë punoi per hesap te vet duke shitur mallra ushqimore. Gjergji(ose Gjoka) qe burrë i urtë, i ndërshem e me karakter. Për këto cilesira, për here e zgjidhnin epitrop ne kishen ortodokse dhe, sepse e çmonin dhe e nderonin, komuniteti i tij e dergoj te perfaqesonte në Kongresin Kishtar te Beratit me 1922. Me cilesitë e tij te mira ai fitoi një shoqe jete te pajisur me kulturë e me bukuri te rrallë, Sofi Anastas Kokoshin, me të cilën u martua me 17 Shtator 1900. Kjo grua pati lindur me 15 Tetor 1881 dhe vdiq me 16 Gusht 1916 duke lënë pas te shoqin me dy djem e katër vajza nën kujdesin shtepiak të së vjehrrës plakë. Milloshi qe atëhere pesë vjeç.
… Milloshi, i cili pati mbaruar shkollen unike ne Shkoder me 1923, kur i vdiqën babai dhe i vëllai, ndodhej ne Tivar tek e motra më e madhe, Lenka Jovani, e martuar atje me një mekanik nga Kavaja, Llazar Jovani. Milloshi po studionte ne klasen e dytë te gjimnazit kur i ungji, Jovan Kokoshi, e lajmeroj se i pati nxjerre burse per ne gjimnazin e Manastirit. U nis per atje në vjeshtë 1925. Pasi mori atje semimaturen me 1927, me rezultate te mira, për vjetin shkollor 1927-1928, kundër dëshires se tij e regjistruan ne Seminar. E mbaroj këte shkollë me 1932. Ne diplomen e leshuar prej drejtorisë me 18 Qershor 1932, cilesohet “bir i Gjergjit, tregtar”.”
Në vitet e 90-ta kam lexuar nëpër disa websites që Migjeni ishte serb, dhe vete u çudita pasi një fakt i tille kurre nuk na ishte permendur ne shkolla. – pyet një lexues A është e vertetë? A ka degjuar ndonjeri tjeter per ketë? Mua nuk me zë meraku se cfarë origjine etnike kishte Migjeni familjarisht, pasi për mua ai gjithmonë do te mbetet nga poetet shqiptare më të preferuar, por vetem sa per të shuar kuriozitetin.
Nqs. Migjeni me të vertetë ishte serb, atehërë kjo duhej te ishte permendur dhe në tekstet tona shkollore. Mua do me vinte keq nqs. politika shqiptare na i ka mbajtur fshehur ketë fakt nga biografia e tij, pasi arti i Migjenit qendron shume me lart se lojerat e felliqura politike ne Ballkan. ?
Migjeni ,shqiptari ortodoks i Maqedonisë !
Pra , lojëra të të fëlliqura mbi token tonë, në popullin tonë e për popullin tonë.
Fahri Xharra .15.07.15
Gjakovë
Poet i mjerimit të djeshëm dhe profet i mjerimit të sotëm
Ne Foto: Migjeni 1911-1938/
Shkruan: Gani Qarri/ Zvicer/
Migjeni u lind më 13 tetor të vitit 1911 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq në moshë të re i mundur nga sëmundja e Tuberkulozit,atëherë kur mjerisht ende nuk i kishte kaluar të 27-at, duke ndërruar jetë më 26 gusht të vitit 1938,në spitalin Tore Peliçe afër Torinos në Itali.
Emri tij i vërtetë ishte Milosh Gjergj Nikolla dhe vinte nga një familje e varfër shqiptare, jeta e të cilit do të rëndohej gjithnjë e më tepër nga vdekja në vdekje dhe fatkeqësi të rënda e të njëpasnjëshme, të cilat i morën anëtarët më të ngushtë të familjes.
Migjenit,qysh në moshën 5 vjeçare, së pari do ti vdiste e ëma,kurse tetë vite më vonë kur ai ishte vetëm13 vjeçar ,do ti vdiste edhe i ati, për të mbetur jetim dhe nën mbikëqyrjen e vëllezërve të sëmurë dhe gjyshes plakë e të lodhur nga vitet.
Por, për fat keq,nuk do të vononte shumë dhe do ti vdisnin edhe gjyshja bashkë me vëllezërit, njëri pas tjetrit, duke lënë Migjenin krejt të vetmuar me sëmundjen e rëndë të tuberkulozit e cila e vetmja i qëndroi “besnike” dhe nuk iu nda asnjë herë deri sa e mori në moshën më të mirë rinore,duke e quar në mënyrë të parakohshme në përjetësi.
Shkollën fillore ai e mbaroi në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër,për të vazhduar seminarin në Tivar, ndërsa nga viti 1928 deri më 1932, përfundoi mësimet teologjike në Manastir. Migjeni, edhe pse qëndronte nën kontrollin e mjekëve,nuk do të shkonte shumë kohë dhe do të mundej nga sëmurja e Tuberkulozit nga e cila pati humbur edhe të ëmën dhe anëtarët tjerë të familjes.
Megjithëse shteti i atëhershëm do ta dërgonte për mjekim në Sanatoriumin “Shën Peliçe” të Milanos,fatkeqësisht edhe atje, ai nuk do të gjente shërim, duke vdekur shumë i ri dhe në moshën më të mirë djaloshare,mu atëherë kur pritej krijimtari e bujshme me vlera të larta letrare.
Më 1933,Migjeni do të punësohej fillimisht në Vrrakë, fshat i vogël ky në afërsi të Shkodrës, i cili do të bëhej i njohur për të gjithë shqiptarët dhe më gjerë,edhe për faktin se atje do të punonte ai si mësues.
Përveç punës arsimore, ai merrej edhe me shkrime, të cilat fillimisht do ti botonte te Revista “Iliria”përmes të cilave shprehte pezmin shpirtëror kundër mjerimit social dhe jetës së zymtë në vend.
Vjershat dhe tregimet që shkruante, do ti botonte në disa gazeta dhe revista të kohës, si; “Iliria”,”Përpjekja shqiptare ” “Jeta dhe Kultura”, “Kuvendi Kombëtar”, “Shqypnija e re” etj. Ndërsa krijimet e tij poetike më 1936, do ti botonte në librin “Vargjet e lira” të cilat, për shkak të pasqyrimit të gjendjes së vështirë sociale në vend, do të ndaloheshin nga censura e atëhershme shtetërore.
Gjatë gjithë kohës sa punoi si mësues, ai dimër e verë nga Shkodra deri në Vrrakë, do të udhëtonte nëpër borë dhe shi me biçikletë, të cilit do ti përkeqësohej aq shumë gjendja shëndetësore sa që për kurimin e tij,do të dërgohej në Itali,por nuk të gjente shërim as atje.
Ndaj, nga sëmundja e tuberkulozit e cila ishte ndër sëmundjet më të rënda në ato kohë, nga e cila pak kush mundi të shpëtonte,Migjeni më 26 gusht të vitit 1938,kur ishte vetëm në moshën 27 vjeçare, do të ndahej nga jeta dhe mbyllte sytë përgjithmonë në vend të huaj.
Pas vdekjes,do të varrosej në Tore Pelice të Torinos, trupi i të cilit,atje do të qëndronte më tepër se sa zgjati vet jeta e tij, pra mese 28 vite me radhë.
Në vitin 1954, apo 26 vite pas vdekjes së kësaj figure madhore të letrave shqipe, së pari do ti botohej vepra e plotë,kurse dy vite më vonë,apo në pjesën e dytë të viteve të pesëdhjeta, nga Italia në Shqipëri do të ktheheshin edhe eshtrat e tij,për tu varrosur me nderime të mëdha, më 5 shkurt të vitit 1956, në Shkodër.
Vepra e plotë e Migjenit,do të ribotohej disa herë,në vitin 1954,më 1957 dhe 1961, si edhe pas viteve të 90-ta.
Ai,përkundër jetës së shkurtër,pati një krijimtari të bujshme e cila e bëri që Migjeni të jetë njëri nga autorët më të çmuar shqiptar me gjithë kohën e kaluar-gati njëshekullore,që nga vdekja e tij.
Për hir të së vërtetës,duhet cekur se përkundër shndërrimeve të shijeve në letërsi dhe artin e shkrimeve nëpër kohë, si dhe të gjitha zhvillimeve kulturore e letrare të gjeneratave shqiptare, Migjeni,me veprën e tij mbetet i pazëvendësueshëm e shumë i pranishëm ndër shqiptarët,që nga vendlindja e tij Shkodra dhe kudo flitet e frymohet shqip.
Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër,se krijimtaria e tij, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë brezat dhe gjeneratat,pa dallim moshe. Ai qe i pari i cili në letrat shqipe gdhendi dhe skaliti me mjeshtri të rrallë modelin e njeriut të mjerimit, të cilin e përjetësoi dhe bëri të pavdekshëm për popullin tonë,përjetimet e të cilit nuk ndryshojnë shumë, nga koha kur ai shkroi, me gjendjen në të cilën jetojnë edhe sot një numër i madh shqiptarësh.
Njeriu i mjerimit ndër ne,edhe sot, jo vetëm se vuan e heq të zitë e ullirit si personazhet e Migjenit dikur, por ai kohë pas kohe i mbytur nga pesha e vuajtjeve të “shekullit të ri”,vetëvritet diku publikisht, herë duke u hedhur nga lartësitë shumëkatëshe, herë duke ia shkrepur vetes, apo edhe duke u vetëdjegur me benzinë në vende publike, para syve të qindra kalimtarëve i cili ndoshta kurrë nuk ka qenë më prezent dhe kaq vetë-flijues, siç është tani.
Ndaj, vetë gjendja e shqiptarëve , edhe në këto kohë,bënë që temat e shkrimeve të Migjenit të mbeten aktuale dhe përmbajtja e tyre të ketë karakter të përjetshëm kombëtar edhe për faktin se mjerimi si i vetmi fenomen,sado fatkeq që mund të jetë-është ruajtur dhe trashëguar me “besnikëri” dhe më shumë se çdo dukuri tjetër në këto troje.
Nga e gjithë kjo dëshmohet se nuk është vetëm magjia e shkrimeve migjeniane ajo që në trojet shqiptare mbijeton ndër vite dhe mote, por është edhe gjendja aktuale e njeriut tonë këtu,e cila mjerisht përsëritet si këngë e dhembshme e një “dashurie” të vjetër. Pra është mjerimi, prodhimi më origjinal vendor i cili tek shqiptari vazhdon pa mbarim dhe garanton bashkëjetesën e veprave letrare të Migjenit me këtë popull, si ushqimet “BIO” të cilat jetojnë më gjatë dhe bëjnë kalimin përtej kohëve.
Gani Qarri Cyrih, Dhjetor 2013
Migjeni-uragan i panderprere
Nga Behar Gjoka/
Vepra letrare e Migjenit, në poezi dhe prozë, duke qenë moderne, njëherit ura ndërlidhëse me letraren e hershme, pati dhe ka një shkëlqim të beftë dhe të paimagjinueshëm. Shenjat autoriale dhe estetike, moderne dhe të mëvetësishme, gjuhësore dhe letrare, kanë të bëjnë me tekstet e tij, ndonëse prej amshimit të largët, qw tashmw mbushi 75 vjet i shuar nga jeta, rrezaton dritë dhe art të përveçëm. Në kuptimin fizik, për shkak të ndarjes nga jeta shumë përpara kohe, Migjeni ikën nga bota e të gjallëve në moshën 27 vjeçare, një fikje e parakohshme. Kurse, si shenja artistike, në poezinë novatore, si dhe në larminë e shkrimit të prozës, ai është një uragan i shkrimit letrar nw gjuhwn shqipe. Njw uragan qw nw kuptimin fizik ndërpritet përpara kohe, por njw uragan arti, si frymë dhe veprimtari shkrimi, që e vijon mbijetesën e vetë, fluturimin e pandalshëm, sot e gjithë ditën. Në kuptimin dhe shenjimin letrar, si tekste dhe poetikë shkrimore, hyri si një uragan dhe solli përmbysje etike dhe estetike, gjuhësore dhe letrare, si askush tjetër në letrat shqipe, të kohërave moderne, në poezi dhe prozë, në sendërtimin e një poetike shkrimore të përveçme, të patejkaluar ende në sendërgjimin e letrares në letërsinë shqipe. Mjerisht, tashmë që kemi nevojë më shumë se sa kurrë, si moral dhe frymë letrare, si mbijetesë dhe teknikë shkrimi, si qëmtim letrar dhe gjuhësor, pikërisht gjatë kësaj ndërkohje, ndaj tij dhe veprës së gjerë letrare, heshtim madje edhe më tepër dhe në një mënyrë krejt absurde, si me thënë vetëmsa bëlbëlzojmë përpara magjisë dhe artit novator të Migjenit, madje ndonjëherë edhe në mënyrë mjerane, bëjmë sikur e dimë dhe ia njohim vlerat dhe ngjyresat e shumëfishta. Migjeni, për asnjë arsye dhe gjasë, teorike dhe praktike, shkrimore dhe estetike, gjuhësore dhe letrare, kurrësesi nuk mundet që të trajtohet si një rast i zakontë, sepse në fakt ai është unik në shumëçka, në ndërprerjen e parakohshme të jetës, e po kaq në magjinë letrare të mbyllur, në një formësim dhe shprehësi letrare. Pra, vepra letrare e tij, në poezi dhe prozë, me shtjellime të posaçme, më në fund do të duhet kundruar dhe interpretuar në sistemin ekzistencial, si dhe në modelimet e ndryshme letrare, çka na dëshmon se arti dhe shkrimi i tij letrar, në ide dhe frymë, në teknikë dhe formësimin shkrimor, është shumë më tepër mbikohor, madje në shumicën e tipareve si shkrim letrar krejt i pakohë, aq sa duket sikur poezia dhe proza e tij, fatet e jetës dhe mjerimi i skajshëm, janë shkruar në këtë kohë, pra në kohën e tanishme, si me thënë janë pjesë e bashkudhëtimit të qenies njerëzore, njëherit edhe më përtej hapësirave tona. Poezia e Migjenit, një nga dëshmitë më përfaqësuese të autorit, që përmblidhet në Vargjet e Lira, që ngërthen në substancën e vetë, caqet e plota të shkrimit poetik, si mendim dhe formësim, po kaq edhe risimet e përveçme shkrimore si vargëzim dhe poetikë, si shenjë dhe arritje letrare, duke shënuar urën e ndarjes përfundimtare me shkrimin e poezisë klasike. Tekstet poetike migjeniane, ngjizur me ndjeshmëri dhe magji shkrimore, mbeten një referencë e pashmangshme e modelimeve të shkrimit modern, në ide dhe formë, në stil dhe figurime, madje në shumicën e hapësirës teksologjike të tyre, gati–gati të paimagjinueshme. Proza e shkrimtarit, qw shpalohet në një vëllimin Novelat e Qytetit të Veriut, sendërton botën e universit artistik në këtë gjini, ku shohim realizimin e disa llojeve letrarë të prozës, të novelës, tregimit, skicës, pamfletit, fejtonit, e këto të mbramet në lëmin e publicistikës, pra duke hedhur kështu binarët e shkrimit të prozës, tashmë vetëm në rruginat e ligjërimit letrar modern, si dhe duke pasuruar kështu poetikën dhe tipologjinë e shkrimit të prozës nw gjuhën shqipe. Pra, Migjeni ynë, me atë përmasë dhe natyrë të shpaluar në krijimtarinë letrare, në poezi dhe prozë, si rrallëkush shkrimtar i letrave shqipe, veçmas i përmasës moderne, nuk përmbyllet dhe qarkohet, vetëm në hipotekat zyrtare, të akademizmit të formuar në hijet ideologjike dhe sociologjike, me mendje të mbyllur dhe që simbas rastit, artin e mjeshtrave, ose e ngrenë në zenit, ose e lëshojnë nëpër humnera, për nevojat jashtëletrare