
-Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim sportistët të cilët i kanë sjellë medalje Kosovës/

Në Kosovë, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim ekipin e xhudos së Kosovës në krye me trajnerin Driton Kuka, me ç’rast ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që kanë arritur rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.
Trajneri i xhudos, Driton Kuka së bashku me xhudistën Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu janë fituesit e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Ministrja Dumoshi uroj ekipin e xhudos për sukseset e arritura gjatë këtij viti duke theksuar se si ministre është munduar të punojë që të ofrojë kushte sa më të mira për sportistët që Kosovës po i sjellin suksese në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu ministrja gjatë takimit theksoi se Qendra Kombëtare e Xhudos pritet të përfundohet gjatë vitit të ardhshëm.
“Qendra Kombëtare e Xhudos që ka nisur të ndërtohet është një nga të arriturat, që si ministre e vlerësoj dhe kjo qendër pritet të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm. Kosova mund të merret shembull në rajon se si bashkëpunohet me federata sportive,”- tha ministrja Dumoshi.
Ndërkaq, trajneri Driton Kuka falënderoj ministrinë për mbështetjen dhe të gjitha institucionet duke e vlerësuar bashkëpunimin me ta.
“Po synojmë që të kemi pesë cikle për në olimpiadë dhe të sjellim tituj sa më shumë dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja”,-tha Kuka.