Intervistë e Editorit të Diellit me artistin Mirush Kabashi në Vatër, Ditën e Flamurit/
Dielli:- Si ndjeheni sot nё Shtёpin e Vatrёs,nё Ditёn e Shenjtё tё Flamurit?/
– Mirush Kabashi: Mendoj se jam në vendin e duhur në kohën e duhur, këtu nё Shtёpinё e Vatrёs. Ku më më mirë se në Vatër që për 105 vite e udhëheq këtë festë në SHBA mund ta urojmë njeri tjetrin: E gëzofshim në jetë të jetëve, Ditën e Shenjtë të Pavarësisë, Ditën e Shejtë të Flamurit të Shqipërisë!Këtu unë thërras me zë të lartë: Mbahu Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!
Dielli- Në kufijtë e një muaji erdhët dy herë në SHBA. Kush ishin ftuesit Tuaj gjatё kёtij turneu të dytë nё SHBA?
–Kabashi: Këtë herë ishin disa: Shoqata “Dibra” e Nju Jork-ut, Shoqata “ Bijtë e Shqipes” në Filadelfia dhe Shoqata rinore “Albanian Youth Center” në Stamford Connecticut.
Dielli – A mund tё pёrshkruani mbresat qё provuat nё manifestimet e organizuara nga shqiptarёt e Amerikёs. Çfarё do tё veçonit?
Kabashi:Kësaj pyetje, e kam të pamundur ti përgjigjem shkurt, sado të përpiqem.Në Filadelfia më entuziazmoi fakti që Shoqata zotëronte një qendër kulturore, një vile dinjitoze dykatëshe, që zbukurohej nga dy flamuj të mëdhenj (Shqiptar dhe Amerikan), dhe në hyrje TABELA me shkronja të madha “BIJTË E SHQIPES”. Ndërsa ambiente e brendshme ishin arreduar me shumë kujdes me flamuj, simbole, piktura e skulptura të herojve tanë kombëtarë. Ndërsa tabelat me foto, i takonin veprimtarëve të shquar të Shoqatës, si dhe donatorëve që kishin mundësuar blerjen si dhe rregullimin e vilës. Befasimin e pata kur në sallën e kafes e të lojrave po më priste kryetari z. Tajar Domi, dy zv.kryetarët Bujari dhe Dritani, disa zotërinj të moshës sime (antarë të Kryesisë), si dhe tre zotërinj biznesmenë sponsorizues të shalleve, kapeleve apo distiktiveve të simboleve kombëtare me rastin e kësaj feste.
Por ajo që vërtet më emocionoi, ishte piksynimi kryesor i kësaj Shoqate: Shkollimi i fëmijëve të lindur në Amerikë me gjuhën, historikun dhe kulturën e traditat Shqipare. E për këtë qëllim, ambjentet kryesore të kësaj qendre, nga bodrumi e deri tek zyra e Kryetarit, ishin shndrruar në klasa të mirmobiluara për fëmijët e moshave dhe niveleve të ndryshme.
Ndërsa darka festive ishte organizuar në një restorant luksoz me rreth 400 pjesmarrës të të gjitha moshave, kishte një skenë të larte, ku performuan artistë të kualifikuar, si dhe një pistë vallzimi e cila qëndroi vazhdimisht e tejmbushur. Ajo që do të veçoja? –Organizimi i përsosur; entuziazmi atdhetar, si dhe prezenca e ambasadores shqiptare Floreta Faber.U ndjeva i emocionuar tek interpretova para bashkatdhetarëve.
Të nesërmen në drekë, së bashku me zv.kryetar Bujarin, na u desh të udhëtonim mbi dy orë e gjysëm, në një trafik tepër të rënduar për të mbrritur në Stamford, ku pas ceremonisë së përvitshme të ngritjes së Flamurit në Bashkinë e Qytetit, do të organizohej nga Qendra Rinore Shqiptare dhe një koncert artistik me këngë e valle të përgatitur po nga ata. Tensioni se mos vallë do të mbrrinim kur të kishte mbaruar koncerti, më bëri të mendoja se kisha bërë gabim që e kisha pranuar ftesën e Geni Gjokës, një prej menaxherëve më aktivë të aktivitetit. Dhe vërtetë, kur mbrrita, aktiviteti kishte 15 minuta që kishte mbaruar. Por “spektatori” nuk ishte larguar.Ata ishin kryesisht fëmijë të moshës nga 8 deri në 17 vjeç, të lindur në Amerikë, të veshur me kostume kombëtare shqiptare dhe me flamuj amerikano-shqipatar në duar, më shumë të ulur mbi pllakat e hollit të Bashkisë, sesa në karriget përrreth ku qëndronin prindërit, po prisnin me durim një xhaxhi aktor nga Shqipëria, që do ti recitonte vargje në gjuhën e prindërve të tyre. U përmallova tek i shikoja si i përpinin vargjet e “Gjuhës Shqype” të Fishtës, apo të poezisë “Shpresë” të N. Frashërit. U pendova për dyshimin e mëparshëm.Padiskutim që ky është brezi ku duhet investuar fuqishëm me art, kulturë e traditë. Ndaj mirnjohje e falenderim për çiftin Mira e Shpëtim Saraçi, si instruktorët e organizatorët kryesorë të aktivitetit, e veçanërisht për filantropin, biznesmenin e talentuar dhe patriotin e shquar Riçard Lukaj, që e mbështeste vazhdimisht këtë aktivitet.
Dielli:- Në fakt ftuesit Tuaj ishin dibranët. Si shkoi koncerti i tyre? Si u pritët?
Kabashi: Në fakt udhëtimi në kthim, për të qenë pjesmarrës në shfaqjen e darkës në Staten Island, ishte po aq i tensionuar dhe i lodhshëm. Por supriza që më priste ma hoqi lodhjen: Dibranët, Kryesia e të cilëve përbëhej vetëm nga djem të rinj, duke filluar nga Kryetari simpatik e energjik Dash Miftari, këtë rradhë Festën e Flamurit, kishin vendosur ta organizonin në një nga sallat më prestigjoze të NY “George Theatre” (1500 vende); me “Nju York Eastern Symphony Orchestra” më 30 istrumenta nën dirigjimin e Steven Fang; me udhëheqës artistik Shpëtim Saraçin; me pjesmarrjen e disa prej artistëve më në zë të Kombit Shqiptar si Frederik Ndoci, Kastriot Tusha, Dëshira Ahmeti (soprano), Mira Konçi, Sinan Vllasaliu, Gëzim Nika, Haxhi Maqellara, etj.si dhe me pjesmarrjen e veçantë të së mrekullueshmes Amerikano-dibrane me famë ndërkombëtare Bebe Rexha. Një mbrëmje e një Koncert Madhështor, i denjë për tu konsideruar si Koncerti Qeveritar Mbarëkombetar për Ditën e Pavarësisë.
Të lumët ata spektatorë që e ndoqën, si dhe të lumët ne artistë që patëm nderin të interpretonim në atë skenë, në atë sallë, e veçanërisht përpara atij spektatori “dinamit” dibran, që e tundën atë sallë gjigande me duartrokitjet dhe thirrjet entuziaste. Më besoni….. isha thellësisht i motivuar, kur në poezinë përmbyllese, deklamova vargjet e fundit të Nolit :
MBAHU NËNO, MOS KI FRIKË
SE KE DJEMT NË AMERIKË!
Dielli – Dy vizita për një muaj në SHBA:çfarё mendoni pёr Diasporёn Shqiptare tё Amerikёs?
– Kabashi:Fundshekulli i kaluar,e veçanërisht ky fillimshekull, përbëjnë për mua, periudhën më të ndritshme të Kombit Shqiptar në Shekuj. Po përmend telegrafisht: Ndryshimi i sistemit dhe fillimi i Demokracisë në Shqipëri; Çlirimi i Kosovës e Pavarësia e saj; Fitimi I luftës dhe fillimi i të drejtave të mohuara të Shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni; Inkuadrimi i Shqipërisë në Nato; Përfaqësimi më dinjitoz i Shqiptarëve në politikën e Malit të Zi; etj.. Këto janë fitore historike që i bëjnë besimtarët të shprehen: Në këtë periudhë në ka parë Zoti! Dhe unë bashkohem me ta duke saktësuar se Zoti në Tokë është Amerika. Dhe ne duhet ti jemi mirënjohës me brezni ShBA-së, dhe ta ruajmë si sytë ballit këtë mbështetjë. Por do të ishte miopi apo malinjitet, të mos nënvizonim që në këtë përkrahje, një rol të fuqishëm ka luajtur Diaspora Shqiptare e Amerikës,…që në fillim-shekullin e kaluar,…që në qëndrimin e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris (moment shumë delikat për Kombin tonë)-dhe shqiptarët duhet t’i përulen Federatës VATRA, që luajti rolin e shtetin të munguar shqiptar.
Kam bindjen, se Diaspora e tanishme e Shqiptarëve, e shumfishuar në numër, me kontributin e qëndrimin e saj të pastër e të ndershëm, tashmë e “injektuar” me ndjenjën e Lirisë dhe të Demokracisë së vërtetë, me ndërgjegjësimin e zbatimit të ligjit dhe respektimit të shtetit, me përkushtimin ndaj punës e devotshmërisë ndaj familjes, si dhe me përgjegjësinë madhore ndaj vendlindjes Kombëtare, do ta forcojnë lidhjen me atdheun e tyre të dytë Amerikën, edhe përkundrejt papjekurisë (më e pakta që mund të themi) të klasës politike Shqiptare kudo që ndodhet, që në vend të përfitojnë nga kjo periudhë historike për ti realizuar ëndrat tona gjenetike (inkuadrimin në familjen Europiane – në Shqipëri; inkuadrimin në OKB dhe hapjen e negociatave dhe levizjen e lirë të qytetërëve – në Kosovë; përfaqësimin me dinitoz të shqiptarëve në shtet në përputhje me numrin e popullsisë dhe zyrtarizimin e Gjuhës Shqipe – në Maqedoni;…e pse jo, bashkimin e të gjitha trojeve Shqiptare në një Qeveri të përbashkët në të ardhmen dhe jo…të kacafyten për pushtet e pasuri (timon, kazan e tepsi) duke anashkaluar jo rrallë herë dhe këshillat shumë dashamirëse të Mikut tonë të madh, dhe duke u bërë shpesh qesharakë në sytë e Botës, dhe argument për komshijt tanë tinzar e të pabesë që thonë “se këta nuk dinë të bëjnë shtet e të qeverisin”, dhe përfundimisht… duke vërtetuar frazën e dhimbshme monumentale të Konicës: “Historikisht, e keqja më e madhe Shqipërisë, i ka ardhur nga vetë Shqiptarët”
Buk’ e Mëmëdheut i zëntë
Tradhëtorët e pabesë,
Dhe Zoti derrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçin pjesë!
Naim Frashëri (“Shpresë”)
Dielli – Kjo ёshtё hera e dytё qё udhёtuat nё kufijtё e gati tё njё muaji, 27 tetor, 25 Nёntor 2017. Cilat ishin mbresat tuaja pёr 20 vjetorin e Televizionit Kultura Shqiptare, koncerti nё Simphony Space nё Manhattan, NY, spektatori, artistet, niveli….?
– Kabashi:Se pari po formuloj dy vlerёsime pёr vetё T.V. nё fjalё, edhe se nuk e kam ndjekur paraprakisht. Mё ka rezonuar objektivi i tij kryesor i shprehur dhe nё emёrtimin e tij: “Albanian CULTURE”.
Dhe unё kam mendimin se shoqёria jonё thembrёn e Akilit e ka tek emancipimi, tek mungesa e mjaftueshme e kulturёs, nё raport me vendet europjane ku kёrkojmё tё inkuadrohemi. Pёrçarja, konfliktualiteti, agresiviteti, mosbesimi, nxitimi, anarshija, dembelizmi, inkorrektesia, kapadaillёku, janё disa nga efektet e dukshme tё pushtimit 500 vjeçar turk, si dhe tё izolimit 50 vjeçar komunist. Kam bindjen se “vaksina” e vetme kundёr kёtyre dukurive ёshtё KULTURA, qё nёnkupton arsimimin, artin, letёrsinё, sportin dhe besimin burimor fetar (veçanёrisht Moralin, e predikuar prej tij). Ndaj mendoj se dhe njё TV modest si ky i menaxhuar nga Adem Belliu (artist, muzikant i kultivuar), ёshtё mёse i nevojshёm dhe ka njё ndikim shumё pozitiv pёr gamёn e shikuesve tё tij.
Dhe e dyta, duke parё qoftё dhe disa sekuenca tё shkurtra filmike, qё u pasquruan gjatё Koncerti, pёr rrugёn e tij 20 vjeçare, kupton kontributin e jashtёzakonshёm arkivor, qё ky TV ka pёr pasqyrimin e jetёs, punёs, kontributit, si dhe vlerave tё veçanta krijuese dhe intelektuale, tё pёrfaqёsuesve mё nё zё tё diasporёs Shqiptare nё Amerikё, Kanada, Europё.
Sa i takon nivelit artistik te Koncertit, mund tё them se gjithmonё e mё tepёr, po qartёsohet panevojshmёria e “importimit” tё artistёve nga Shqipёria apo Kosova, pёr tё ngritur nivelin artistik tё aktiviteteve tё Diasporёs nё SHBA. Nё Nju Jork psh ёshtё kultivuar njё buqetё artistёsh tё tё gjitha gjinive, qё me mjeshtri e dinjitet janё inkuadruar nё formacionet artistike amerikane…dhe jo rrallё herё tё evidentuar. Nё skenёn e Simphony Space unё pashё soprano tё talentuara, madje dhe njё talente 12 vjeçare, violiniste ekselente si Gjilberta, pianiste tё shkёlqyera, e deri tek banda muzikore e istrumentistёve frymorё tё kombёsive tё ndryshme, qё interpretuan dhe shoqeruan kёngё popullore qytetare. Pra, njё Koncert lirik Gala, me njё spektator tё kultivuar e sqimёtar, nё njё sallё prestigjoze mu nё mes tё Manhattan, , nё Broduejn e famshёm, dёshmon pёr fillimin e njё standarti bashkohor tё kulturёs sё bashkatdhetarёve tonё nё Amerikё. Urime tё pёrzemёrta!
Dielli – Gjatё qёndrimit tё parё nё tetor, ju u takuat me miqtё Tuaj, çiftin Pirro dhe Pavlina Mani, ish profesorin dhe bashkёstudenten tuaj. Ç’farё ndjenjash provuat?
-Kabashi:Emocion dhe ngazёllim. U emocionova kur pashё profesorin tim tё aktrimit Pirro , si dhe bashkё-studenten e kolegen e talentuar Pavlina, qё kishin dalё tё mё prisnin qё tek dera e oborrit tё shtёpisё (edhe se ne u vonuam ca, ngaqё ngatёrruam rrugёn). Tashmё tё tre jemi tё moshuar e tё zbardhur. Kishim shumё pёr tё biseduar, pёr tё kujtuar, e pёr tu çmallur. Tё falenderoj Dalip pёr pasqyrimin, me shumё vёrtetёsi e dashamirёsi, nё faqet e gazetes Dielli, tё atij takimi qё pёr mua do mbetet si njё ёndёrr e bukur dhe e paharruar. Ndёrsa ngazёllimin e ndjeva kur pashё atё pejzazh tё mrekullueshёm… gati imagjinar, qё rrethonte vilёn e bukur dykatёshe tё familjes Mani. Njё parajsё e vёrtetё plotёsisht e merituar pёr njё artist tё madh. Dhe absurdja ёshtё se kёtё atmosferё paqeje e relaksi plotёsisht tё merituar, Pirros nuk ja krijoi Shqipёria, vendi ku ai shkriu gjithё aftёsitё, energjitё e pёrkushtimin e tij, por atdheu I tij I dytё Amerika.
I dashur Dalip, teatri Shqiptar ka njohur shumё regjisorё teatri, si K. Spahivogli, S. Miho,P. Stillu, S. Fanku, etj., etj., por Pirro Mani ёshtё pranuar njёzёri si Babai I Regjizurёs sё Teatrit Shqiptar.Krijimtaria e tij ka qenё dhe do tё mbetet si shkolla mё e saktё e frymёzuese pёr pasonjёsit. Dhe nё sajё tё kesaj shkolle, Teatri Shqiptar mbrriti kulme jo vetёm nё nivel Kombёtar, por dhe nё aktivitete Ndёrkombёtare.
Tё duam i dashur Pirro dhe tё kujtojmё gjithmon me mirnjohe dhe respekt. Kur u ktheva nga NY nё fillim tё Nёntorit pas takimit tonё, Robert Ndrenika ishte I pari qё mё mori nё telefon pёr tё mё pyetur pёr mbarёvajtjen tuaj dhe u gёzua pa masё nga ato tё vёrteta qё unё i thashё pёr ju, pёr Pavlinёn dhe pёr tё gjithё pjestarёt e familjes Mani. E mё pas, Alfred Buhaljoti, Rajmonda Bulku, Marjeta Larja, Dhimitёr Orgocka, Zhani Ziçishti, etj., etj.,…pa fund. Na mungon shumё… veçanёrisht Teatrit Kombёtar Shqiptar. Tё pёrqafojmё me mall dhe tё urojmё pёrzemёrsisht: Jetё tё Gjatё e tё Lumtur!(Intervistoi:Dalip GRECA. Botoi Dielli ne print-Dhjetor 2017)