Helmimi pas mitingut të PD: Reagon Policia e Shtetit, Nishani: E rëndë! Të zbardhet ngjarja/
Partia Demokratike ka çelë mbrëmjen e së shtunë fushatën elektorale në sheshin para Kryeministrisë, aty ku 90 ditë me radhë qëndroi “çadra” e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, nga ku u themelua edhe “Republika e re” për të cilën Basha u kërkoi në 25 qershor votën shqiptarëve.
“Kemi një plan për zhvillimin e Shqipërisë, sepse interesat e shqiptarëve janë interesi ynë. Shqiptarët me 25 qershor do të votojnë për të vendosur një qeveri e kryeministër që mban interesin e tyre mbi të gjitha dhe jo një kryeministër të korruptuar e që bashkëpunoi me krimin, e që kontrollohet nga krimi e interesat e krimit”, tha Basha.
Basha renditi disa nga pikat e programit që do të zbatohet në rast se ai vjen në krye të qeverisë në 25 qershor. Taksa e sheshtë 9 %, zerimi i taksës për biznesin e vogël, zhbërjen e ligjit për arsimin e lartë, një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarit, rritje të pensioneve, mbështetje të sektorit bujqësor ishin disa nga premtimet e Bashës.
Duke folur për listat e deputetëve, kreu i Partisë Demokratike u shpreh se nuk ishin të papritura. “Vendimi ishte i vështirë për t’u marrë, por jo i pamundur. PD ka zgjedhur njerëz me vlera në listat e saj. Ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë”, tha Basha.
Por theksoi ai, kjo do të jetë lista e fundit që do të bëhet nga kryetari sepse listën e deputetëve do ta vendosë qytetari shqiptar. “Premtoj reformë totale kushtetuese. Shqiptarët do të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesin e tyre në Parlament, e do të mund ti kërkojnë llogari qeverisë e kryeministrit”, deklaroi Basha.
Basha vlerësoi edhe rolin e aleatëve të saj, të cilët tha ai sot po konkurojnë nën siglën e PD-së. “Republika e re ishte hapi ynë i parë drejt fitores vendimtare në 25 qershor. Aleatët tanë politikë që sot janë bashkuar nën siglën e PD-së, dua t’i falenderoj nga zemra për qëndresën e tyre. Sot në Shqipëri, opozita është e bashkuar, ndërsa pala kundërshtare e përçarë. Të bashkuar ne shkojmë drejt fitores së sigurt”, tha ai.
Basha iu përgjigj edhe akuzave të maxhorancës për drejtimin e bashkisë së Tiranës, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama për mosmbështetje. “Unë e di fare mirë se mund të bëhej më shumë për Tiranën, por kjo ishte kosto e egos politike të Ramës, i cili për të arritur synimet e veta, goditi axhendën e qytetarëve të Tiranës. E kam vuajtur së bashku me qytetarët. Por ju premtoj se vetëm interesi i shqiptarëve do të prevalojë dhe dora ime do të shtrihet ndaj çdo kujt që punon për interesin e shqiptarëve”, deklaroi kryetari i PD-së Basha.
Basha tha se shqiptarët meritojnë një shtet të fortë. Rama, tha ai, flet për politikën si lojë shahu. “Po njerëzi çfarë janë gur shahu? Shqiptarët nuk janë gurë shahu. Por ne jemi këtu pas një betejë 90 ditore, jo thjesht e vetëm për të ndryshuar lojën e shahut, për të ndërruar gurët e bardhë me të zinj. Loja merr fund me 25 qershor. Tryeza e shahut përmbyset me 25 qershor. Atëherë ju do ta keni në dorë qeverinë . Shqiptar, merrni në dorë Shqipërinë me 25 qershor”, u shpreh Basha.
Pluhuri misterioz u hodh te podiumi, Salianji: Prag skandali!/
Hetime intensive janë duke u bërë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë, ku dyshohet se një substancë kimike është hedhur në ajër dhe ka shkaktuar shqetësime të ndryshme, tek të paktën 76 persona, të cilët janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital.
Burime nga vendngjarja dhe nga policia thonë për Syri.net se hetimet janë marrë në dorë nga Antiterrori, ndërsa në terren janë me dhjetëra specialistë të disa institucioneve të shtetit.
Por ende nuk dihet se çfarë substance është hedhur në ajër, ndërsa ende nuk është përcaktuar pista hetimore edhe pse mund të flitet për diçka të rëndë.
Në vendin e ngjarjes, të rrethuar nga policia ndodhen ekspertë kimistë të ushtrisë, specialistë të antiterrorist, agjentë të Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), ata të SHISH dhe specialistë të Gardës së Republikës.
Në vendngjarje ndodhen edhe disa prokurorë të Tiranës dhe krimeve të Rënda, që janë duke hetuar. Ende nuk ka një pistë hetimore në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ndërsa flitet për disa të tilla.
Ndërkohë kandidati i dytë i PD në listë, për deputet në Korçë, Ervin Salianji ka reaguar lidhur me ngjarjen e rënde ku mbi 50 persona janë shtuar në spital pas marrjes pjesë në mitingun e PD.
“Per te gjithe miqte dhe pjesemarresit e aktivitetit te djeshem te cilet kane simptoma te djegies dhe helmimit te mos mjekohen vete, por t’i drejtohen mjekut per trajtim sepse mund te kete komplikacione te metejshme. Dje neper spitale qe ne oret e para te mengjesit kane qene qindra qytetare! Prag skandali!” shkruan Salianji.
Helmimi pas mitingut të PD: Reagon Policia e Shtetit/
Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të lajmit në media se simpatizantë të PD ishin shtruar në spital pas përfundimit të mitingut.
Policia thotë se 50 persona të cilët janë paraqitur në spital QSUT herët në mëngjes kanë qenë në mitingun e PD dhe pasi kanë marrë mjekimin e duhur, janë larguar.
Ndërsa 3 prej tyre po mbahen ende nën vëzhgim nga mjeku.
Gjithashtu policia bën me dije se ka ngritur grupe pune që po hetojnë mbi ngjarjen.
“Në datë 28.05.2017, rreth ores 04.00 te mengjesit në Q.S.U.T., jane paraqitur per ndihme mjekesore rreth 50 shtetas me simptoma te ngjashme, kryesisht djegie ne sy dhe skuqje lekure ne pjeset e siperme te trupit. Nga verifikimet paraprake rezulton se keta shtetas kanë qenë pjesemarrës në aktivitetin e zhvilluar nga Partia Demokratike, mbajtur ne oren 19:00 te dates 27 maj, zhvilluar ne Bulevardin ‘Deshmoret e Kombit’ ne Tirane.
Pasi jane mjekuar te gjithe shtetasit jane larguar per ne banese, veç 3 prej tyre qe kane patur me teper shqetesime dhe po mbahen nen kujdesin e mjekeve ne spital. Menjehere sapo ka marre njoftim, nen drejtimin e Prokurorise se Tiranes eshte ngritur grupi hetimor me eksperte nga Policia e Shtetit, Garda e Republikes, struktura te specializuara te Forcave te Armatosura etj. Nderkohe po kryhen gjithe egzaminimet e nevojshme per te percaktuar shkakun qe provokoi simptomat si dhe zbardhjen e plote te rrethanave te ngjarjes”, thuhet në deklaratën e policisë.
Helmimi në mitingun e PD, Nishani: E rëndë! Të zbardhet ngjarja/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani kërkon angazhim të plotë të të gjithë strukturave ligjzbatuese për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në mitingun e Partisë Demokratike ku u helmuan mbi 70 qytetarë përfshirë edhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.
Reagimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani po ndjek me shqetësim dhe angazhim maksimal situatën e rëndë që ka shkaktuar lëndimin e një numri të madh qytetarësh përfshirë edhe liderin e opozitës, z. Lulzim Basha, gjatë tubimit të çeljes së fushatës elektorale të opozitës ditën e djeshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Presidenti i Republikës uron së pari shërimin sa më parë të të lënduarve dhe tejkalimin e kësaj situate pa pasoja.
Presidenti po mban kontakte me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për t’u informuar për zhvillimin e kësaj ngjarjeje si dhe kërkon angazhimin maksimal të tyre në zbulimin e plotë të saj.
