• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUZEU I AT GJERGJ FISHTËS DO LARTËSOHET NË MADHËSHTINË E POETIT KOMBËTAR

September 10, 2020 by dgreca

Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore Lezhë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, punën e jashtëzakonshme për ndërtimin Muze të shtëpisë ku ka jetuar Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta, punën për restaurimin e Kishave dhe monumenteve të tjera në Lezhë. Me Paulin Zefin bisedoi gazetari i Diellit, Sokol PAJA.


MUZEU I AT GJERGJ FISHTËS, NGA HARRESA TE DALJA NË DRITË

Përsa i përket Shtëpisë ku At Gjergj Fishta ka jetuar periodikisht, përgjegjës për lënien e këtij objekti në harresë të plotë janë të gjitha qeveritë pas vitit 1991 dhe sidomos “Ministrat e Kulturës”. Nga viti 1991 dhe deri më 2008, ky objekt ka patur statusin si Monument Kulture i kategorisë së parë, por ende nuk kam arritur ta kuptoj arsyen ose qëllimin dashakeqës të vendimit që është marrë më 5 qershor 2008, duke i dhënë statusin si Monument Kulture i kategorisë së dytë. Megjithatë, ky vendim nuk është asgjë në krahasim me lënien kriminale në harresë për 29 vite me rradhë! Unë personalisht, duke nisur nga viti 2014, krahas fushatës mediatike intensive, lobimit nga të gjitha anët, dërgimit të projekteve dhe kërkimit të donatorëve, jam kujdesur me financat e mia modeste edhe për mirëmbajtjen e këtij objekti, hapësirës muzeale dhe 150 m rrugë, e cila e lidh shtëpinë me rrugën e asfaltuar. Siç e kam theksuar vazhdimisht në Media dhe po e perifrazoj, për periudhën 2014-2020, ka munguar vetëm leja nga ana e Ministrisë së Kulturës, sepse financat nuk kanë qenë kurrë problem. Edhe pronarët e objektit, të cilët i kam ndihmuar personalisht për të siguruar dokumentacionin e objektit në vitin 2015, kanë qenë gjithmonë dakord. Më janë vetëofruar me dhjetra donatorë dhe shumë të tjerë të cilëve u kam kërkuar ndihmë. Me to mundet të kisha restauruar dhe ndërtuar edhe 50 shtëpi dhe jo vetëm këtë objekt. As projektet sʼkanë munguar (dihet). Projektin e parë ma kanë kthyer mbrapsht në tetor 2014, kurse ky fundit që është miratuar me 18 shtator 2019 është konceptuar fillimisht nga unë, projektuar nga arkitekti-projektues, Dodë Zhuba, dhe preventivuar nga ing. Sokol Toma. Fati im i madh dhe sidomos i këtij Monumenti ishte se ish-Kryetari i Bashkisë, Z.Fran Frrokaj, me ka caktuar si koordinator i Bashkisë Lezhë për të bashkëpunuar me Qeverinë Shqiptare në lidhje me “Projektin e 100 fshatrave”, ku bëjnë pjesë Fishta dhe Ishulli i Lezhës. Gjatë pranverës dhe verës së vitit 2019, kam qenë i angazhuar personalisht me grupin e punës së bashku me Profesorë dhe studentë të Universitetit Polis, për punën në terren dhe hartimin e projekteve. Projektin për restaurimin e shtëpisë e kam dërguar dorazi në Ministri të Kulturës në mars 2019, por në muajin maj është përjashtuar nga prioritetet e Qeverisë dhe pas lobimit të vazhdueshëm pranë Ministres Elva Margariti dhe ndërhyrjes së Kryetarit të Bashkisë, Z.Pjerin Ndreu, ky projekt u rikthye sërish në vëmendje. Në terren erdhën specialistët e I.M.K. dhe hartuan variantin final, i cili është miratuar në K.K.R. më 18.09.2019. Pastaj e kam bërë publike më 23 tetor 2019, me rastin e 148 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës dhe lajmi u përhap me një shpejtësi të rrufeshme, duke ngrohur zemrat e shumë patriotëve, por sidomos të adhuruesve të të madhit “FISHTA”. Përsa i përket financimit të projektit, unë kam qenë gjithmonë i gatshëm nëpërmjet donacioneve, por Ministria e Kulturës vendosi të pranojë një donacion tjetër, atë të kompanisë “4A-M”, me president Z.Ardit Metaliaj, të cilin e falenderoj shumë. Pra, Ministria ka dhënë vetëm lejen, por financimin dhe punën po i kryen kompania “4A-M”. Procesi i punimeve tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe falë angazhimit intensiv të ing.Sokol Toma, me të cilin kam një bashkëpunim të shkëlqyer, po kryhet një punë shumë cilësore. Modestisht e them se në këtë objekt kanë kontribute deçizive vetëm 4 persona: 1) unë që jam angazhuar me të gjitha format prej 6 vitesh me rradhë, 2) Z. Pjerin Ndreu, i cili ka ndërhyrë për rikthimin e projektit në vëmendje, 3) Znj. Elva Margariti për miratimin e projektit dhe 4) Z. Ardit Metaliaj, i cili po financon dhe po kryen të gjitha punimet me paratë e veta. Të tjerët, i falenderoj shumë vetëm për mbështetjen e tyre morale, por mirënjohjen time më të thellë do ta kem gjithmonë për përfaqësuesit e Medias vizive dhe asaj të shkruar, e sidomos për gazetarët e nderuar të Lezhës, të cilët më kanë mbështur dhe vazhdojnë të më mbështesin në mënyrë të pakursyer. 

26 MONUMENTET E KULTURËS NË LEZHË

Brenda hapësirës integrale të Bashkisë Lezhë kemi 26 objekte të cilat gëzojnë statusin si Monumente Kulture, që në bazë të rëndësisë dhe vlerave historike e arkitekturore janë vlerësuar kryesisht si Monumente Kulture të kategorisë së parë. Natyrisht që në këtë territor kemi edhe shumë objekte të tjera, që janë asete shumë të çmuara të Trashëgimisë sonë Kulturore Kombëtare, të cilat nuk janë bërë ende pjesë e listës së objekteve të mbrojtura nga Shteti Shqiptar, por falë një fushate të cilën e kam nisur që në vitin 2014, kësaj liste i janë shtuar dhe do të vazhdojnë ti shtohen edhe shumë objekte apo site arkeologjike që i plotësojnë kriteret për ta fituar një status të tillë. Lezha ka një fat shumë të madh, madje mund ta konsideroj si një qytet të përkëdhelur nga fati, sepse përveç pozicionit të favorshëm gjeografik dhe peisazhit natyror, në zemër të qytetit ka disa asete me vlera të paçmueshme siç është Parku Arkeologjik i Lezhës, brenda të cilit përfshihen jo vetëm strukturat murale antike ilire të Lissusit të Sipërm, atij të Mesëm dhe atij të Poshtëm ose Breglumor, por gjithashtu edhe Nekropoli mesjetar, Kështjella jonë e hijshme dhe Katedralja mesjetare e Shën Nikollit/Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut etj. 

LEZHA, NJË FSHAT NJË MONUMENT KULTURE

Pothuajse në çdo njërin prej 65 fshatrave të Lezhës, kemi Monumente Kulture ose Monumente Natyrore të mbrojtura nga Shteti, por edhe site arkeologjike me vlera të jashtëzakonshme siç janë Tumat Ilire në Malin e Rrencit në Shëngjin dhe ato në Fushën e Papërdhokut në fshatin Kaluer. Po ashtu, kemi me dhjetra objekte kulti, duke nisur nga Bazilikat Paleokristiane dhe deri te Kishat e shumta mesjetare, por edhe me qindra kulla karakteristike të malësive të Veriut të Shqipërisë, banesa popullore qytetare apo fshatare etj. Për fat të keq pjesa më e madhe e këtyre aseteve dhe sidomos objektet e mbrojtura nga Shteti Shqiptar, si rezultat i mungesë së vëmendjes nga ana e institucioneve përgjegjëse kanë arritur një shkallë të lartë amortizimi, disa prej tyre janë rrënuar dhe shumë të tjera po rënkojnë që nga themelet. Në vitin 2014 kur unë mora detyrën si Përgjegjës i S.K.K.-Lezhë në D.R.K.K.-Shkodër, ndërmora menjëherë një fushatë intensive sensibilizimi në Media dhe me këtë rast falenderoj nga zemra të gjithë gazetarët e Lezhës dhe TV kombëtare e lokale. Paralelisht me fushatën mediatike u angazhova me të gjitha mundësitë për mirëmbajtjen e Monumenteve të Kulturës, duke nisur nga ato që ndodhen në vendlindjen time si: Shtëpia ku At Gjergj Fishta ka jetuar periodikisht, Kisha mesjetare e Shën Shtjefnit në Blinisht, Ura e Madhe ose Ura e Shkinës në Blinisht, udhëhoqa një ekspeditë arkeologjike me autorizim të Ministrisë së Kulturës në truallin ku ndodhej kulla në të cilën ka lindur At Gjergj Fishta dhe më pas, falë mbështetjes së miqve të mi donatorë vijova ndërhyrjet pranë Urës së Plakut Gjon në Rraboshtë, çlirova nga vegjetacioni dhe mbeturinat inerte e plastike rrënojat e Kishës mesjetare të Shën Gjon Pagëzorit në qytetin e Shëngjinit (kjo nuk është M.K.), largova grumbullin e madh të mbeturinave të depozituara prej 27 vitesh pranë banesës popullore qytetare të Sali Bajram Zekës në lagjen Varosh (Lezhë), realizova ndërhyrjet e para mirëmbajtëse pranë banesës popullore qytetare të Esat Mlikës në lagjen Skënderbeg (Lezhë), po ashtu restaurova Teqenë N’Sulti, në Malësinë e Lezhës, fillimisht me financat e mia dhe i përfundova ato falë mbështetjes financiare nga miqtë e mi të nderuar donatorë. 

BUSTI I AT FISHTËS NË SHTËPINË E TIJ

Më 30 dhjetor 2014, falë një donacioni, ngrita bustin e At Gjergj Fishtës pranê shtëpisë ku ai ka jetuar periodikisht dhe gjatë intervalit kohor mars 2014 – tetor 2015, kam çliruar nga vegjetacioni i lartë dhe nga mbeturinat e depozituara në vite, të gjitha Monumentet e Kulturës që ndodhen në territorin e Bashkisë Lezhë. Të gjitha këto ndërhyrje i kam realizuar me 0(zero) mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, sepse raportet e mia me ish-Ministren e Kulturës, Znj.Mirela Kumbaro, janë karakterizuar vetëm përplasje të vazhdueshme, të cilat nisën për Shtëpinë ku At Gjergj Fishta ka jetuar periodikisht dhe kulmuan pasi kundërshtova vendosjen dhe bëra të mundur heqjen e pllakatit të sulltan Sulejmanit të madhërishëm nga porta kryesore (lindore) e Kështjellës së Lezhës, veprime, të cilat më kushtuan me largimin tim nga detyra më 16 tetor 2015. Fatmirësisht më 13 janar 2017, ish-Kryetari i nderuar i Bashkisë Lezhë, Z.Fran Frrokaj, të cilit do ti jem gjithmonë mirënjohës, më besoi detyrën e Përgjegjësit të Sektorit të Trashëgimisë Kulturore pranë Bashkisë Lezhë, detyrë të cilën e ushtroj edhe sot. Menjëherë pas emërimit në këtë pozicion kam nisur fushatën mediatike për rehabilitimin e plotë të Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe me hartimin e projektit. Varianti i parë ka përfunduar në muajin mars 2017 dhe variantin e dytë, më të plotë, të konceptuar nga ana ime dhe të punuar nga ing. Sokol Toma, e kam dërguar dorazi në I.M.K. më 21 dhjetor 2017. Brenda pak ditësh ka ardhur në vend një grup pune nga I.M.K. dhe kanë nisur punën për hartimin e variantit final. I vetmi problem ka qenë mosrealizimi i plotë i disa ndërhyrjeve të parashikuara në projekt, sepse duke u arsyetuar për mungesë fondesh, Ministria e Kulturës “i cungoi” gjatë rrugës, dhe për këtë arsye unë u jam drejtuar për ndihmë donatorëve, duke bërë të mundur rehabilitimin e portës kryesore ilire të qytetit antik të Lissus-it, rindërtimin e plotë të  “Varrit simboli” në zemër të Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe trajtimin e të gjitha objekteve prej bronzi.

MUZEU ETNOGRAFIK I LEZHËS

Përsa i përket ndërtimit të Muzeut Etnografik Lezhë pas 28 vitesh mungesë, i cili është një muze model në vendin tonë, realizimin e tij ja kam kërkuar Kryetarit të nderuar aktual të Bashkisë Lezhë, Z.Pjerin Ndreu, pikërisht që në ditën e parë kur ai ka marrë detyrën. Falë tij, i cili angazhoi menjëherë Zv/Kryetarin e Bashkisë Lezhë e mikun tim të nderuar, Z.Ermal Pacaj, stafin e Drejtorisë së Urbanistikës dhe Drejtorisë së Shërbimeve pranë Bashkisë Lezhë, u bë e mundur një bashkëpunim dhe punë me të vërtetë e shkëlqyer, të cilën e finalizuam në një kohë rekord dhe ceremoninë e inaugurimit e kemi mbajtur pikërisht më 23 tetor 2019, në kuadrin e 148 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Impakti i krijuar në komunitet, media dhe në opinionin publik ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse njerëz të panumërt më përgëzonin dhe më falenderonin si brenda në muze, ashtu edhe në zyrë, në rrugë, në rrjetet sociale etj. Merita kryesore për ndërtimin e këtij muzeu, i takon pikërisht Kryetarit të Bashkisë, Z.Pjerin Ndreu. 

KISHA MESJETARE E SHËN BARBULLËS NË PLLANË 

Gjatë vitit 2019-2020 është bërë e mundur restaurimi i plotë i dy Monumenteve shumë të rëndësishëm: Kisha mesjetare e Shën Premtes në Balldre dhe Kisha manastirore e Shën Lleshdrit (Shën Aleksandrit) në Pruell, Spiten, e para falë donacioneve dhe angazhimit të klerikut katolik dhe studiuesit, Dom Nikë Ukgjini, dhe e dyta falë vetë banorëve të fshatit dhe angazhimit të klerikut katolik italian e famulliarit, Don Alessandro. Ndërsa aktualisht, po vijojnë punimet pranë Kishës mesjetare të Shën Barbullës në Pllanë, ku financimet ashtu si në rastin e Kishës së Shën Premtes në Balldre, janë siguruar nga Dom Nikë Ukgjini. 

PUNËT E MËDHA NË VAZHDIM

Prioritetet e mia për të ardhmen janë: 1) vendosja e shtatores monumentale të Heroit tonë Kombëtar, në Sheshin Gjergj Kastrioti, shtatore, të cilën së bashku me realizuesin e saj dhe skulptorin duarartë, Ardian Pepa, e kemi magazinuar në Tiranë dhe ka plot 18 muaj që po presim miratimin e lejes nga Ministria e Kulturës, 2) ndërtimi i një kompleksi muzeal te trualli i kullës ku ka lindur At Gjergj Fishta, 3) rikonstruksioni i plotë i Kishës mesjetare të Shën Shtjefnit në Blinisht, 4) ringritja e Kishës mesjetare të Shën Gjonit në Shëngjin ku e kam gjetur donatorin, por do ta bëj publike kur gjithçka të jetë gati për nisjen e punimeve, 5) rikonstruksion i Kishës mesjetare së Shën Gjon Pagëzorit në Mërqi, 6) rikonstruksioni i “Ndërtesës së Qelës” në Kashnjet dhe 7) konservimi e restaurimi i Urës së Plakut Gjon në Rraboshtë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Muzeu i At Gjergj Fishtes, Paulin zefi, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT