
Dr. Naim Musliu/
Monografia “Diplomacia ndërkombëtare dhe Çështja e Kosovës 1997 – 1999”, e autorit Dr. Lulzim Nika, është një studim, i cili përfshinë një periudhë historike mjaft interesante dhe të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.
Periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një nga periudhat më të ndritshme të historisë së popullit shqiptar, më së paku është trajtuar nga historiografia shqiptare. Edhe pse ka botime të caktuara të kësaj periudhe, rreth luftës së Kosovës, të rralla janë botimet e aspektit diplomatik të Luftës së Kosovës. Në këtë kontekst, studiuesi Dr. Lulzim Nika ka konsideruar se duhet kushtuar vëmendje zhvillimeve diplomatike të Fuqive të Mëdha karshi zgjidhjes së Çështjes së Kosovës, duke realizuar kërkime në arkiva dhe biblioteka, për të paraqitur të dhëna me interes, të cilat ndriçojnë segmente të caktuara të zhvillimeve politike dhe diplomatike për çështjen e Kosovës.
Autori e ka parë të arsyeshme që strukturën e kësaj monografie ta trajtojë, dhe ndërtojë në këtë formë, ku ka paraqitur parathënien, hyrjen, katër kapituj, përfundimin, bibliografinë, shtojcën me dokumente dhe recensionet, duke ndjekur vazhdimisht renditjen kronologjike dhe pikëpamjen tematike.
Në kapitullin e parë “Kosova në analet e diplomacisë ndërkombëtare (1997 – 1999)”, autori trajton shumë ngjarje të cilat ndodhën në Kosovë nga viti 1989 deri më 1999. Nga suprimimi i autonomisë së Kosovës, më 1989 nga Serbia, grevat e shumta, zhvillimet pluraliste politike dhe themelim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si parti që mbronte të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, të udhëhequr nga kryetari Ibrahim Rugova, zgjedhjet e para të organizuara në Kosovë dhe krijimin e institucioneve shqiptare në krye të të cilave qëndronte Presidenti Ibrahim Rugova. Në të shtjellohet interesimi i diplomacisë ndërkombëtare, sidomos të ShBA-së për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe trajtimi jo i drejtë i çështjes së Kosovës në Konferencën e Hagës, Londrës, Dejtonit etj., protestat e studentëve në vitin 1997 dhe filllimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Masakrën e Reçakut dhe zhvillimet diplomatike e politike në Rambuje dhe nënshkrimi nga pala shqiptare i marrëveshjes së Rambujesë, e cila solli ndërhyjrjen ushtarake e NATO-s deri në çlirimin e Kosovës.
Në kapitullin e dytë “Diplomacia amerikane dhe Kosova”, shpaloset veprimtaria diplomatike e ShBA për çështjen e Kosovës, sheshimi i politikës amerikane ndaj çështjes së Kosovës, vizita e delegacioneve amerikane në Prishtinë dhe themelimi i zyrës amerikane në Prishtinë, të cilat ndikuan në krijimin dhe afrimin e politikës amerikane karishi zgjidhjes së çështjes së Kosovës në të mirë të popullit shqiptar. Në këtë kapitull autori ka trajtuar edhe koordinimin e politikës amerikane me atë britanike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Në kapitullin e tretë “Diplomacia evropiane dhe Kosova”, trajtohet qëndrimi i shteteve perëndimore të Evropës për çështjen e Kosovës, si i Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera. Shtetet evropiane ishin për ruajtjen e status kvos dhe qëndrimet e tyre gjithnjë ishin hezituese dhe të paqëndrueshme për çështjen e Kosovës.
Në kapitullin e katërt “Diplomacia ruse dhe Kosova” trajtohet qëndrimi pengues rus ndaj Kosovës, i cili mbronte të drejtën pushtuese të Serbisë mbi Kosovën dhe ishte në sinkroni të plotë me politikën serbe. Diplomatët rus ishin pengues në gjetjen e zgjidhjes së çështjes Kosovës në çdo instutucion dhe konferencë ndërkombëtare që flitej për të.
Duke marrë për bazë strukturën dhe përmbajtjen brenda tekstit, autori i ofron historiografisë shqiptare argumente të bollshme për zhvillimet e vrullshme diplomatike ndërmjet ShBA-së, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Përveç Luftës çlirimtare të UÇK-së, zhvillimet diplomatike hapën rrugë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në këtë kuadër, autori ka arritur përmes dokumenteve të shumta të provojë rolin aktiv të Fuive të Mëdha, sidomos ShBA-së, në arritjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës përmes veprimeve diplomatike e ushtarake, ku si produkt i saj është edhe Pavarësia e Kosovës.
Për hartimin e kësaj monografie autori ka përdorur dokumente arkivore të pabotuara, të botuara, literaturë relevante historiografike, memoaret etj. Në këtë kontekst, duhet përgëzuar guximin e autorit për t’i hyrë më thellësisht studimit monografik për një periudhë kohore që është ende e freskët. Prandaj, autori ka arritur të dallojë subjektin e monografisë dhe ta veçojë rolin e tij në rrethanat e kohës.
Marrë në tërësi, monografia “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997 – 1999” e autorit Dr. Lulzim Nika, do të jetë një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare në ndriçimin e mëtejshëm të zhvillimeve diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
R E C E N S I O N – për monografinë “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997 – 1999” të autorit Dr. sc. Lulzim Nika