Kur ka mbetur edhe një muaj e gjysmë nga shpërndarja e Parlamentit, shtohen thirrjet në adresë së politikës shqiptare, për të votuar Rezolutën Çame. Bllokimi i Rezolutës Çame, që njeh të drejtat e popullit çam dhe masakrës greke mbi shqiptarët e Çamërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, është denoncuar edhe nga kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj. Danaj ka shprehur domosdoshmërinë e miratimit të Rezolutës për Çamërinë nga Parlamenti i Shqipërisë. Duke i bërë thirrje PD dhe PS për të votuar këtë projekt të rëndësishëm, Danaj u shpreh se mosvotimi i rezolutës, do të thotë të ringjallësh Napoleon Zervën. “Të mos miratosh sot Rezolutën, Çame do të thotë të ringjallësh Napeolon Zervën. Është rezolutë, nuk është asgjë më shumë, domethënë thjesht tregon dinjitet. Në radhë të parë për ne Çamëria është çështje territori, nuk është çështje pronash, pronat janë të individëve, territori është i shqiptarëve, është pjesë e kombit shqiptar”, theksoi Danaj.
Argumentet
Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale ka renditur një sërë argumentesh pse duhet të votohet Rezoluta Çame. Ai e ka cilësuar absurditet mosbotimin e rezolutës. “E para më duket absurd, më duket një gjë e çuditshme që ende nuk është votuar. Kam filluar të kujtoj rezolutën e 2004-ës, para 9 vjetëve dhe asokohe kur ajo rezolutë u ndërrua në momentin e fundit, u hoq nga rendi i ditës, unë botova një shkrim me titull të cilin përsëri nuk ka ndërmend ta rishkruaj nga e para, por do ta botoj si atëherë në qoftë se nuk do të miratohet. Titulli ishte:“Deputetët shqiptarë në gjunjë para Napoleon Zervës”. Të mos miratosh sot rezolutën çame do të thotë të ringjallësh Napeolon Zervën. Kaq pak dinjitet çdo deputet duhet ta ketë, edhe nga ata që do jenë prap në parlamentin e ardhshëm edhe nga ata që nuk do jenë, them se duhet të ngrenë dorën ta votojmë që të gjithë, madje duke përfshirë këtu edhe deputetë që nuk janë me kombësi shqiptare”, tha Danaj. Si ekspert i Shqipërisë Natyrale, ai shprehet se si fillim Çamëria duhet të shpallet zonë e lire, zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi sipas tij Çamëria është çështje territori. “Fillimisht, si fillim jo si fund, Çamëria të shpallet zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Çdo të thotë zonë e lirë? Domethënë që të mos ketë kufij, që të gjithë shqiptarët e dëbuar me genocid nga trojet e tyre të hyjnë dhe të dalin në trojet e tyre. Çështja e pronave është çështje individuale e çdo shqiptari. Në radhë të parë për ne Çamëria është çështje territori, nuk është çështje pronash, pronat janë të individëve, territori është i shqiptarëve, është pjesë e kombit shqiptar. Të eleminohet absurdi i sotëm që vetëm se ke lindjen, vendlindjen në një qytet të Çamërisë, në Margëlliç, në Filat, në Paramithi, në Artë, në Prevezë dhe nuk të lejohet të futesh brenda”, shprehet Danaj.
Ja kush e mbështeti Rezolutën Çame në 2004
Në vitin 2005, komuniteti çam nuk përfaqësohej me deputetë në Kuvend. Megjithatë, Shoqata e Çamëria, e krijuar fill pa rrëzimit të regjimit komunist, hartoi Rezolutën për Çështjen Çame dhe, me anë të disa deputetëve arriti ta fusë rezolutën në procedurë parlamentare. Një nga mbështetësit më të zjarrtë të Rezolutës Çame ka qenë kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia. Asokohe Spahia ishte deputet, kryetar i grupit parlamentar të PLL si dhe anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme. Spahia ka mbështetur rezolutën si në Komisionin e Jashtëm ashtu edhe në seancë. Po ashtu në krah të rezolutës janë pozicionuar edhe katër deputetë të PLL. Rezoluta është mbështetur edhe nga tre deputetë të Ballit Kombëtar përkatësisht nga Shpëtim Rroqi, Uran Metko dhe Alfred Çako. Një nga protagonistët, Ekrem Spahia, deklaron se edhe ish-deputeti socialist, Ilir Zela e ka mbështetur Rezolutën Çame. Asokohe Ilir Zela ishte kryetar i Komisionit të Jashtëm dhe kishte shprehur qëndrimin pro, por gjithçka u përmbys pas ndërhyrjes së Nanos në momentet e fundit. Spahia deklaron se Nano ndodhej rastësisht në Greqi.
Danaj: Kufiri Shqipëri-Greqi, deri në Prevezë
Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, i ka kujtuar grekëve se kufiri Shqipëri-Greqi shtrihet deri në Prevezë. Ai është shprehur se grekët nuk e njohin mirë historinë, dhe për këtë duhet të hapin dokumentet për të vërtetuar se të parët e tyre kanë qenë dakord që kufiri të jetë i përcaktuar deri në Prevezë. “Do të vija koha kur Shqipëria dhe Greqia të ulen në bisedime dhe të hedhin të gjitha dokumentet, ku do të vërtetohet se që në kohën para se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë më 1912, është rënë dakord me grekët që kufiri ynë të ishte deri në Prevezë, madje dhe do të vërtetohet se këto politikanë grekë që janë sot nuk e njohin mirë historinë e tyre. Qysh në kohën para se Ismail Qemali ta shpallte pavarësinë në bisedimet që ka bërë me Greqinë, grekët e atëhershëm ishin dakord që kufiri i Shqipërisë të ishte deri në Prevezë. Por ashtu edhe që në kohën e Abdyl Frashërit, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në bisedimet që ka bërë me Greqinë, politikanët grekë të asokohe ishin dakord që kufiri shqiptar të ishte deri në Prevezë. Problem, mospërputhja ishte vetëm për Janinën. Atëherë, kur t’i hapim të gjitha këto dokumente, kur të ulemi në tavolinë do shikojmë që të gjitha faktet, të gjitha të drejtat janë në anën tonë dhe në raste të tilla dhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka çfarë bën”, shpjegon Danaj.
Ligji i Luftës, Danaj: Shqipëria dhe Greqia jo të dyja në NATO
Politologu Koço Danaj ka deklaruar se Shqipëria dhe Greqia nuk mund të jenë të dyja në NATO, pasi janë në gjendje lufte. “Unë do të bëja vetëm një gjë në qoftë se do të isha në Parlament apo do të isha në qeveri; do t’i kërkoja Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, që të vinte urgjent në Shqipëri dhe të zgjidhte këtë konflikt kaq të madh. Dy janë mundësitë, o ne në NATO, o Greqia në NATO, të dy në NATO nuk mund të jemi se jemi në gjendje lufte!”, u shpreh Danaj. Ai e cilësoi një absurd pasi dy vende anëtare të NATO-s nuk mund të jenë në gjendje lufte. “Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, Greqia po ashtu. Si ka mundësi që dy vende anëtare të NATO-s të jenë në gjendje lufte?! A e di shtabi NATO-s në Bruksel një gjë të tillë? Sigurisht e di, por nuk bën zë sepse nuk e ngrenë politikanët shqiptare. Atëherë problemi i parë që duhet ngritur, problemi i parë që duhet shtruar, problemi i parë që opinioni publik duhet ta shtrojë si absurd është ky: si mund të jemi ne edhe në NATO edhe në gjendje lufte me Greqinë?! Do të thotë dikush: po është formal. Atëherë në qoftë se është formal pse nuk hiqet? Po nuk është formal sepse lidhet edhe me çështjen e territoreve shqiptare të Çamërisë”.