• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndjesëkërkesa rilindiste dhe preferimi i budallallëkut ndaj hipokrizisë

December 18, 2020 by dgreca

SHKRUAN:GENC POLLO/

“Unë kam futur për herë të parë kërkesën e faljes nga anëtarët e qeverisë” thoshte  Edi Rama para tre ditësh duke shpjeguar dorëheqjen e Sandër Lleshit. Më bëri përshtypje ky pretendim. Jo për shkak të dëshirës të gjithëpranishme të Ramës që të vendosë precedentë kudo. Mbaj mend  se në vitet intensive si ministër i arsimit i kam kërkuar ndjesë një kategorie maturantësh, të cilët padashje u defavorizuan në një procedurë; por ky ishte një episod gati i humbur në kujtesë të cilin e rrithirra jo për të denoncuar përvetësimet rilindiste (kam shkruar para një muaji për disa raste syresh) por për të vënë në dukje se, bazuar në kujtesën time e në ndihmën e gugllimit, kërkesa e ndjesës nuk duket fort e pranishme në diskursin publik shqiptar përfshi këtu edhe atë të politikanëve të lartë. 

Në këtë periudhë epidemie dhe inaktiviteti relativ gjeta kollaj kohën të hulumtoj mbi pendesën e ndjesën ndërpersonale (në dallim të asaj të njeriut ndaj Zotit), koncepte të pranishme në etosin klasik greko-romak por të zhvilluar thelbësisht në fetë abrahamitike: përzgjodha ndjesën judaike apo teshuvah, e cila mu duk si më e plotë e që përbëhet nga 1) pranoj gojarisht  gabimi tim e  kërkoj ndjesë; 2) shpreh pendesë të sinqertë e vullnetin për të mos përsëritur gabimin; 3) bëj çfarë është e mundur për të korrigjuar gabimin e për të kompensuar a qetësuar personin e lënduar; 4) veproj ndryshe nëse përsëritet e njëjta situatë. Kështu e përkufizon atë Tora e hebrenjve por edhe versionet e mëvonshme në moralin europian po aty rrahin. 

Përkundrejt këtij standarti le të shohim edhe modelin e demonstruar nga qeveria Rama

Para dy muajsh ministri i brendshëm Sandër Lleshaj  i tha një deputeti polemizues  se “polic ke qenë e polic do të mbetesh!” . Me sa duket i ndikuar  nga barcoletat e kohes se Partisë se Punës ku polici, përfaqsues zyrtar por i rëndomtë i pushtetit të frikshëm,  shfaqej përherë si kokëtrashë. Më vonë Lleshaj kërkoi falje! Kujt i kërkoi falje ? Policëve që ndodheshin në drejtimin politik të tij dhe që duhen motivuar e bërë të ndjehen mirë e krenarë për punën e tyre në zbatim të ligjit? Policëve në fytyrën e të cilëve ministri shquante vetveten? Jo tamam! Lleshaj shkruajti  ne facebook se u kërkoj sinqerisht ndjesë atyre që mund të kenë keqkuptuar thelbin e reagimit tim. Atyre ? Po kujt saktë? Tërë popullit ? Apo atyre brenda policisë që janë më të ndjeshëm se të tjerët?

Prirja për të shmangur ndjesëkërkesën ndaj atyre që ke lënduar nuk filloi me Lleshajn. Në prill 2016 në Kuvend, Ditmir Bushati, asokohe ministër i jashtëm, ulur në bankën qeveritare, hedh ujë me shishe mbi deputetët e opozitës që protestonin para foltores. Më pas, po në facebook, kërkon ndjesë. Kujt? Mbase kolegëve që i “vaditi” edhe pse i paprovokuar personalisht prej tyre? Jo tamam! “…jam i keqardhur për reagimin tim instiktiv….kërkoj ndjesë qytetarëve për faktin se nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë…” Tërë pjesa tjetër e postimit, apo gati 95% e tij, flet për farmakun opozitar, Lulzimin që mërzitet nga vetingu, Monikën që saboton integrimin si dhe sinjalizon një sihariq pas dy muajsh lidhur me negociatat me BE; gjithësesi gjëra pa lidhje me temën tonë por informative për kontekstin). 

Por modelin e ndjesës rilindiste më rezulton se e ka dhënë shefi i tyre gjashtë vjet më parë: në mars 2014, po në Kuvend, duke ju drejtuar pas polemikës

një deputeti opozitar, Rama i përsëriti disa herë “o rrotë k…!” Të nesërmen në televizion ai deklaroi se nuk ka arsye që t’i kërkojë falje deputetit por i kërkon ndjesë dy herë shqiptarëve për gjuhën e papërshtatshme (dy herë meqë ishte shef qeverie; për të tjerët mjaftonte vetëm një herë – sqaroi ai). 

Me siguri ka shembuj të tjerë të ngjashëm nga kjo qeveri por edhe këta më lart mjaftojnë për të kuptuar se ndjesëkërkesa e tyre është larg së qeni një akti i denjë moral. Të paktën në përputhje me teshuvah-n e etikës bashkëkohore. Pretendimi se jemi të parët me ndjesën publike gjithashtu duket një ushtrim PiAri ku kjo qeveri investon pa kut e masë. 

Sa më lart nuk është detyrimisht kritikë e rreptë e aq më pak opozitare. Në debatin mbi moralitetin publik duhet të mbajmë parasysh se ata pa mëkate mund të hedhin gurin e parë dhe se shembulli vlen më shumë se predikimi. Por edhe pretendimet e rreme nuk ka arsye pse t’i lemë në qarkullim. 

Mendimtarët politikë të para luftës si Mit’hat Frashëri e Branko Merxhani theksonin pa u lodhur nevojën e shëndoshjes morale të popullit shqiptar. Debati bashkëkohor dëften se kjo shëndoshje kalon mes një udhe të gjatë me të përpjeta e të tatëpjeta; me hapa para por edhe pas. Ku çdo shtysë pozitive lipset të mirëpritet. 

P. S. Ndjesëkërkesa e Blendi Klosit duket si përjashtimi që konfirmon rregullin rilindist dhe është njëkohësisht më simpatikja syresh. Klosi tha në publik se muzika në bare favorizonte infektimin me covid. Ditën tjetër ai e tërhoqi thënien dhe u kërkoi falje muzikantëve (?!?!). Është e vërtetë se pohimi i parë dhe ai i dytë duken se janë në garë për çmimin “Idioti”. Po për këtë rast Klosit mund t’i thuash budalla por jo hipokrit. 

 Genc Pollo
Ish ministër e deputet – 18 dhjetor 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, Ndjesëkërkesa rilindiste

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT