• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GREVA E URISË NË BURGUN E QAFË BARIT ËSHTË PËR SHQIPËRINË

April 19, 2021 by dgreca

– Kërkesa nr. 9, vulnerabile, si plaga e nëntë e Gjergj Elez Alisë –/

Nga Visar Zhiti/

Që një grup (ish) të përndjekurish politikë janë futur në një grevë të re urie dhe ku? – në burgun e tyre të dikurshëm, në Qafë Barin famëkeq, të rrënuar si kujtesa e Shqipërisë, është një lajm tronditës, është një kambanë e rëndë për Shqipërinë.

Grevës së urisë nuk po i japet mbështetja e duhur dhe as jehona e duhut, se qeveria, partitë, deputetët, kandidatët për deputetë, militantët, qytetarët, opinionet, media e gjithë janë të përfshira në fushatën zgjedhore politike të tanishme, të 25 prillit, kështu po thuhet, ndërsa përtej oqeanit, në SHBA diaspora po sensibilizohet dhe bën apelin që grevës së urisë t’i jepet përgjigje. 

Në fakt është kjo që i ka munguar në këto 30 vjet demokracisë postdiktatoriale të Shqipërisë, tranzicionit të pa mbarim, zhgënjyes dhe të trishtë, që edhe pse vendi është hapur, ka pluralizëm partiak, ekonominë e tregut të lirë, pavarësisht se cilët pasurohet dhe si, njeh të drejtat e njeriut, kur ka shumë rëndësi si zbatohen ato dhe sa arrijnë dhe te qytetari më i thjeshtë, kur Shqipëria ka hyrë në NATO, në koalicionin më të fuqishëm euroatlantik, por sa jemi ne në gjendje dhe të vendosur të mbrojmë veten, truallin dhe detin tonë dhe aspirojmë të futemi në familjen e saj të natyrshme evropiane, ishim të parët që e kërkuam me qeverinë e parë deokratike dhe kemi mbetur të fundit në raport me të gjitha shtetet afër dhe larg, që bënin pjesë në perandorinë komuniste, megjithëse vendi ynë kishte diktaturën më të egër dhe më mizore, që ende vazhdon, mashtrueshëm, me forma të përditësuara, etj, etj. 

Futja në Europë kërkon dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj së kaluarë së saj, diktaturës dhe diktatorit Enver Hoxha me bashkëpunëtorët, se sa janë dënuar ata dhe sa janë integruar në shoqërinë e tanishme të dënuarit e tyre, qëndrimi ndaj isht të burgosurit politikë, të gjallë dhe të vdekur   

   Në fund të fundit në këtë realitet të përzierë janë dhe shkaqet e grevës së re në burgun e Qafë-Barit. 

Ndjej dhimbje dhe shqetësim të madh. Duket sikur na kthen po në atë gjendje. Gjej një nga poezitë e mia të shkruar fshehurazi në Qafë Bari, botuar në posdiktaturë, por e ruaj ende fletën e origjinalit. Ruaj atë vuajtje, ato plagë. Ja, poezia:

GREVË URIE

Edhe brenda në burg 

ka prapë një burg.

Të fusin brenda 

po s’punove për shembull, 

                              e të tjera, e të tjera.

Ti, i shtrirë mbi dyshemenë 

e birucës së arkivoltë, sot s’hëngre bukë.

As dje. As pardje. As para tri ditësh.

Që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore.

Dhe s’do të hash as nesër, as pasnesër, 

as i vdekur.

– Ngordhsh! – tha polici ditën e parë.

Të dytën u zgërdhi si një çizme e shqyer.

Heshti të tretën.

Njollat e murit i dridheshin mbi fytyrë.

Ditën e katërt: ha! – të tha.

– Ç’ke? – të pyeti ditën e pestë.

Pastaj erdhi dita e gjashtë. Në fakt 

asgjë s’erdhi. Dita e shtatë u fsheh 

pas të nëntës. Viti i parë i Krishtit 

u hodh para festave të Nëntorit.

Ditëvdekja e diktatorit vononte. 

Ngulte këmbë si mushka.

Por erdhën ata të komandës 

                                    në birucën tënde.

Kokëposhtë ishin të gjithë. Se 

pasqyroheshin në pjatën me supë 

                  të ftohtë. Si sy ciklopi – pjata.

Bukën e hanë minjtë që lëvrinin lirshëm – 

nota muzike mbi vijat e … doktrinës.

Muret vallëzojnë. Herë afrohen, 

                                       herë largohen.

Një britmë vrapon zbathur 

                                      nëpër korridor.

Brumbujt u trembën. Shih si dalin 

nga të çarat e kujtesës pa kafkë.

Njolla drite 

                  se nga ranë, 

si të vjellat e ditës së sëmurë.

Dhe u mblodhën rreth teje 

oficerët, mjeku. Byroja politike. Marksi.

Revolucioni kulturor Kinez. Ti hesht. 

Nuk lëviz nga vendi.Ende

di të kuptosh absurdin e atyre 

                          që ta japin bukën tënde 

dhe të marrin jetën.

E shtunë, 4.II.’84

Dhe prapë grevë urie, sikur vazhdon në shekull tjetër, në mijëvjeçarin e ri, në Shqipërinë tjetër, demokratike. Tani, në prag të zgjedhjeve të reja…

S’i kanë dhënë jehonë, mund t’u duket përsëritje, pengesë, e pa kohë, etj.  Ajo mund të politizohet, të përdoret, mund të jetë e nxitur siç nxitet nga çdo opozitë dhe goditet nga çdo pozitë, po ajo, edhe e pas shprehur, është “Nyja Gordiane” e realitetit posdiktatorial shqiptar, në fund të fundit mbart të drejtën e atyre që u përndoqën dhe u burgosën për një Shqipëri antidiktatoriale, demokratike, ka dufin e lirisë, dëshirat dhe idealet për një Shqipëri më të mirë, që dënon krimet e çdo kohe, vendos drejtësinë në shoqëri dhe në pronën e saj e të gjithsecilit.

Pra, sërish në grevë urie futen në burgun e shpartalluar të Qafë-Barit ish të burgosurit politikë të atij burgu e të tjerë, ata që bënë dhe revoltat në burg kundër dhunës komuniste para më shumë se 3 dekada, në Spaç e Qafë-Bari, të vetmet në të gjitha burgjet politike në perandorinë komuniste, kur tani ata grevistë nuk janë më të rinj, janë 60 vjeçarë, madje njeri midis tyre në këtë grevë grevë, bashkëvuajtës yni, ka ende në shpatull vragën e plumbit, që e goditën gjatë revoltës ata oficerë të burgut, që jo vetëm nuk u ndëshkuan, por një pjesë e atyre u lanë të ikin si azilantë politikë, jo në Rusi, Kinë a Kubë, por në Perëndim dhe që andej guxojnë ende të sulmojnë të ish të burgosurit e tyre, ndërsa të tjerë zunë detyra të reja në Shqipërinë Demo(n)kratike, shpesh të larta, madje ndonjë koleg i tyre, ndër më të këqinjtë, u bë dhe president Republike, edhe ai sulmon i pa ndëshkuar ish të burgosurit politikë e tani seleksionoi kanditadët për deputet të partisë më të madhe të opozitës, ku të burgosurit politikë mbështetën shpresat dhe një pjesë dhe iu përkushtuan, pra në këtë kaos, edhe të dëshiruar, greva është e domosdoshme dhe ulëritëse. Ajo është fushata e vërtetë.

Shpesh kërkesat e (ish) të përndjekurve politikë, të mohura në këto dekada, i reduktojnë në kushtet ekononomike, në dëmshpërblimin e tyre, që më së shumti, moralisht i ka ngjarë një shpërblimi-të-dëmshëm. Edhe tani gjej  se kërkesat e tyre në Qafë Bari përmblidhen në 8 çështje:

1. Ndryshimi dhe përmirësimi i ligjit që përjashton, persekuton dhe diskriminon qindra të ish-të burgosur politik (2007-2009 e në vijim).

2. Përfshirja e letrave me vlerë në dëmshpërblimin financiar

3. Kthimi i parave të mbajtura në faturën e dëmshpërblimit nga përfitimi

falas i banesave nga shteti për kategorinë tonë

4. Kompensim fizik e material të pasurive të konfiskuara, pronat dhe tokat bujqësore të grabitura nga diktatura e ligjit 7501

5. Njohja me projektligj dhe vlerësimi i punës së papaguar të të gjithë të dënuarve dhe të përsekutuarve politik

6. Status të veçantë pakete ligjesh për pensionet duke u dëmshpërblyer të gjithë të dënuarit pa avokat mbrojtjeje

7. Financa të ligjëruara për sëmundje profesionale të fituar dhe trashëguara nga puna e rëndë e me pasoja në miniera, këneta etj

8. Vlerësimi i krimeve të komunizmit si krime kundër njerëzimit, në përputhje me praktikat ndërkombëtare të shteteve ish-komuniste.

Normale dhe të drejta. Që ato të plotësohen me ndërgjegje e drejtësi, duan përgjegjshmëri shtërore dhe historike, se rrënjë janë më të thella  Kërkesa është bërë herët, e përsëritur shpesh, ku krahas konkretes, është idealja, madje dhe universale. 

Që të kuptohet më mirë, po ripërsëris atë që ka shpjeguar një ish i burgosur në kampin e Aushvicit, hebreu-hungarez Imre Kertész, shkrimtar nobelist, dhe kjo përbën thelbin e krijimtarisë së tij, por dhe ndërgjegjen shoqërore që duhet të kenë të jithë.

Sipas tij “Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon… Ai thekson se “holokausti tani ka krijuar një kulturë”… e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende… mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin. 

Kur lexojmë holokaust kam të drejtë të nënkuptoj dhe persekutimin tonë..

“Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. (Kupto: persekutimin, shën. imi. “Il secolo infelice”, Imre Kertesz, “Bompiani”, Milano 2007. fq, 54, 258, nënvizmet e mia.)

Ja, pra kërkesa vulnerabile, nr, 9 po e quajmë, por kryesorja e të gjithave, shqetësim dhe kredo e shoqërisë, që duhet të ishte dhe thelbi i fushatës elektorale të tanishme: të përshkuarit nga fryma e vuajtjes së atyre që ëndërruan dhe deshën atdheun të lirë, një shoqëri demokratike, që u ndëshkuan për këtë, të nxjerrjes së përgjegjësive ndaj së kaluarës, me kujtesën historike, dënimin e krimeve, me drejtësinë në themele, ndërgjegjësimin dhe vizionet për një ardhme më të mirë, të shëndetëshme moralisht, etj. 

Një Shqipëri demokratike dhe e begatë, është dëmshpërblimi i vërtetë. Të burgosurit politikë i dhanë Shqipërisë lirinë e tyre dhe rininë, punën e madhe të papaguar kurrë, të gjithë veprat e mëdha të ndërtuara në diktaturë kanë gjakun dhe djersën e tyre, tharja e kënetave, kanalet, taracat, themelet e uzinave e të shumë pallateve, të stadiumeve, aeroportit të vetëm, ku ende s’ka një pllakë memoriale, etj, etj. Ata sollën moralin e munguar, mos-hakmarrjen, bashkëjetesën me paqen, etj.     

Prandaj dhe ambasadorja Yuri Kim, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, superfuqisë së botës, aletatit dhe mbështetësit jetik të Shqipërisë tonë të vogël, tha: “Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshimin. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë.”

Me SHBA duhet bashkëpunuar, jo thjeshtë bindje për të mbajtur rotacionin e pushtetit. Votoni dhe për ata që janë futur në grevën e urisë e bashkëvuajtësit e tyre. Kanë vite kështu, të uritur për drejtësi më shumë e demokraci të vërtetë, jo thjeshtë atë të atyre që bënë dhe diktaturën. 

Kjo grevë e vogël ka shqetësimin e madh për Shqipërinë. Prandaj…

Filed Under: Politike Tagged With: E QAFË BARIT, ËSHTË PËR SHQIPËRINË, GREVA E URISË, NË BURGUN, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT