Nga Arben LLALLA/
A mund të sjellë ndokush ndërmend kur ka qenë hera e fundit që Kryepeshkop Anastas Janullatosi i ka dhënë intervistë ndonjë televizioni shqiptar? Ky mendim më erdhi, kur po ndiqja për arsye studimore, pasi kam detyrë t’i them të vërtetat e mia popullit tim, intervistën e fundit, të dhënë shumë shpejt pas asaj të parafundit, a thua se Janullatosi po përpiqet të kalojë në ajër disa mesazhe të qëllimshme dhe se e ndjen që po i mbaron koha. Bëhet fjalë për intervistën në versionin online të CNN Greek, e cila pasoi për pak javë intervistën që ai dha për ERT1, për festat e fundvitit 2015.
Pse Janullatosi nuk preferon të japë intervista për televizionet shqiptare? Vetëm sepse nuk do ndjehej komod me pyetje të tipit të gazetarëve grekë, që më shumë duket e venerojnë sesa e intervistojnë? Apo lidhet me faktin që Anastasi e di, se tek populli shqiptar është parë me dyshim që ditën e parë që u fronëzua si Kryepeshkop dhe se nuk mund të na krijojë ne mahnitjen që u krijon grekëve? Apo nga që e di se sponsorët e veprës së tij i gjen vetëm në Greqi dhe askund tjetër?
Fakti është që me një kërkim të thjeshtë mund të gjesh me dhjetëra intervista dhënë për çdo kanal grek, ku Janullatosi përsërit të njëjtat mite të jetës së tij, dhe kohët e fundit i ka shpeshtuar këto dalje publike në Greqi, si për të treguar merakun, që jetën e tij duhet ta shkruajnë sipas versionit që ai dikton, dhe jo sipas fakteve dhe dokumentave. Por këtë nder, ne nuk ia bëjmë dot, ndaj do merremi me çmontimin e çdo miti të tij, sa herë që ai del dhe tenton të na indoktrinojë.
Argumenti që Janullatosi predikon greqisht, pasi nuk e di mirë shqipen dhe ka hall se mos gabon në përcjelljen e dogmave të larta ortodokse, bie akoma më poshtë, kur Janullatosi as nuk preferon të flasë për publikun shqiptar, shqip as që bëhet fjalë, por të paktën të dalë nëpër ekranet e këtij populli, që e bariton si Primat. Ndaj, mediat tona që duan të kapin ndonjë mesazh prej tij, do të duhet thjesht të përkthejnë intervistat e tij që ai jep në Greqi, vendit të cilit i shërbeu gjithë jetën, dhe se ortodoksët shqiptarë do kenë qasje me bariun e tyre, vetëm nëpërmjet përkthyesit, pasi bariu, nuk ua preferon as gjuhën, as televizionet dhe as gazetarët.
Sigurisht, edhe në këtë intervistë, Anastas Janullatosi përsëriti disa prej miteve të tij, që dëshiron shumë të ngelen edhe pas ikjes së tij në qiell, dhe madje në këtë intervistë, ai e shpall që në qiell do ikë, dhe si shenjtor madje, mit që do ta shpjegojmë në mbyllje të shkrimit.
Nuk e di nëse publiku e percepton, por në këto intervista të fundit, kapen disa delire madhështie dhe vetëadhurimi që Janullatosi, ndoshta ngaqë mosha e thyer nuk po e ndihmon më, apo ndoshta nga që ka arritur në faza të avancuara të tundimit më të madh njerëzor, atë të rënies në megallomani, ka nisur dhe po thotë hapur gjëra që në botën kristiane (që predikon përulësi ekstreme), por edhe në atë akademike, apo artistike, askush nuk guxon t’i artikulojë, edhe pse njerëzit mund të besojnë madhështira për veten, të paktën ata janë aq të logjikshëm sa t’i mbajnë këto ngrefosje vetëm në mendimet e tyre, gjë që në rastin e kryepeshkop Anastasit nuk ndodh.
Së pari, ai hiqet si filozofi apo mendimtari iluminist, duke i dhënë këshilla Europës sesi të përballet me rrezikun e Islamit, të cilin e sulmon sërish egër, siç bëri edhe për Krishtlindje, kur referoi dhe vargje kuranore për dhunën dhe aludoi për profetin Muhamed opinione jo fort të përshtatshme për klimën e bashkëjetesës fetare. Me një fjalë thotë që Europa luftoi krishtërimin dhe vakumin që u krijua po e mbush Islami. Por Anastasi harron të thotë, se ç‘bëri ai me krishtërimin në Shqipëri, me ortodoksët që i gjeti 20% dhe i uli nën 7%, në minimume ekstreme historike.
Atyre që besojnë historinë se censusi i fundit zyrtar ishte i manipuluar, u them të vizitojnë cilëndo kishë ortodokse, përfshirë dhe Katedralen e re që meshon vetë kryepeshkop Anastasi dhe të shohin pjesëmarrjen e besimtarëve. Do gjejnë vetëm personelin e punësuar, i cili është i detyruar të jetë prezent. Nga burimet e mia, kam me qindra dëshmi ortodoksësh që deklarojnë se nuk shkelin më në kishë, ngaqë nuk e ndjenë më veten të përfaqësuar dhe se ndihen të fyer nga praktika e Janullatosit që kishën shqiptare e sakrifikoi në altarin e helenizmit. Janullatosi nuk na thotë, se ky vakum i rëndë që ai krijoi në Shqipëri, si dhe nga kush do mbushet? Përpara se Janullatosi t’i japë mend Europës, le të shohë dëmin e pariparueshëm që ai vetë i ka krijuar ortodoksisë shqiptare. Të ngresh një kishë, nuk do të thotë të hedhësh lekë e të bësh ndërtesa, të bukura nga jashtë, por bosh dhe të ftohta nga brenda.
Më pas, Janullatosi bën profetin dhe thotë se ka filluar lufta e tretë botërore, por ne këtë e dinim, se më përpara dhe në mënyrë të përsëritur e ka thënë Papa i Romës, dhe Janullatosi, si shkencëtar që është, të paktën të referojë mendime të njëjta që janë thënë përpara tij, që të mos bjerë në kurthin e plagjiaturës. Më interesant bëhet diskursi i tij, kur deklaron se qendra pushteti politik edhe ekonomik, kanë përqendruar kapitalin në dorën e tyre dhe se popujt po i çojnë në varfëri ekstreme, duke instaluar kështu një diktaturë të re. Nuk dua të referoj këtu listën e filozofëve që flasin për diktaturën e tregut, dhe të kompanive shumëkombëshe, pasi edhe këtu Janullatosi nuk po iluminon askënd, ai po shet sërish si të tijat mendimet e të tjerëve, por po shkojmë sërish te praktika e tij, që të shohim se teoria e tij është thjesht propagandë.
Çfarë bën Janullatosi me ata që ka nën vete? Sa e lufton ai varfërinë të paktën tek ajo pjesë e njerëzve që varen prej tij? Sa njerëz ka nxjerrë ai nga varfëria në Shqipëri? Sërish, si historian, në vizitën e fundit në Shqipëri, intervistova një numër të konsiderueshëm të punësuarish në KOASH, dhe dëshmitë e tyre më shokuan. Nga klerikët dëgjova që u mungojnë edhe gjërat më elementare të jetesës, me rroga qesharake, nën minimumin jetik, madje, Janullatosi u paguan shumën minimale ligjore në bankë, dhe pjesën tjetër, që të mos taksohet, ua jep me zarfe nën dorë, duke konsumuar kështu edhe evazion fiskal. Një klerik në Shqipëri paguhet rreth 300 dollarë, sa rroga e një banakieri, apo punonjësi higjiene nëpër institucione. Madje edhe kur të dalin në pension ata do të kenë pagesa minimale, sepse edhe siguracionet u janë paguar në minimumin e lejuar, duke i lënë kështu gjithë jetën të varfër, nën diktaturën ekonomike të Janullatosit, të njëjtë dhe më të egër, nga ajo që ai akuzon nëpër intervista.
Më të dhimbshme ishin dëshmitë e punonjësve laikë, katekistëve, të cilët paguheshin me shuma nën 250 dollarë, punojnë pa kontrata dhe shumë prej tyre edhe pa sigurim jetësor dhe shëndetësor, pa diskutuar shkurtimet pa paralajmërim nga puna, apo sjelljen arrogante të ndonjë peshkopi të konvertuar me ta. Nuk dua të zgjatem këtu, se do e kemi fokus të veçantë në të ardhmen, por gjendja ishte alarmante. Shumica e të punësuarve në KOASH, ishte në varfëri të skajshme dhe më e keqja ishte se nuk dilnin dot prej saj. Pyetjes sime, se pse nuk gjeni një punë tjetër, klerikët u përgjigjën se ishte e pamundur, pas periudhës së gjatë me veladonë dhe mjekër, askush nuk do t’i punësonte më, por dhe ata do ndiheshin me keq se tani. Ndërsa laikët thanë se ata kishin vetëm shkollim teologjik dhe se nuk do mund të gjenin një pagesë më të mirë nga kjo që merrnin se tregu do i konsideronte ekstremisht të pakualifikuar. Shumë prej tyre po bënin shkolla të tjera nga dëshpërimi dhe përpjekja për t’u shkëputur nga ky realitet.
Sërish këmbëngula me klerikët, ngaqë nuk u besoja veshëve, kur e dinin këtë gjendje, veshën rrobën e zezë? Ata m’u përgjigjën se vitet e para Janullatosi u premtoi se do t’i trajtonte me pagesën e një mësuesi gjimnazi, gjë që e mbajti vetëm për pak vite, por sot, ai e ka shkelur premtimin e tij, pasi rroga e një mësuesi gjimnazi me mbi 20 vjet përvojë i kalon të 500 dollarët. Sigurisht Anastas Janullatosi e kishte të lehtë ta shkelte premtimin, por klerikët nuk e kanë tashmë të lehtë të ikin prej kontratës së rrobës klerike, e cila është gati e përjetshme.
Kryepeshkop Anastasi Janulla duhet të shpjegojë përse ai i trajton kështu klerikët e vet? Nëse ka vështirësi ekonomike, gjë që nuk duket nga milionat që investohen, përse nuk i çliron të paktën nga veshja dhe pamja e dallueshme e tyre që ata të gjejnë punë të tjera? E thjeshtë, sepse do t’i mbajë të varfër, që t’i kontrollojë më kollaj dhe të kënaqë instiktet e veta diktatoriale. Ndaj, hirësi, mirë që na bën teori, por sot nuk e ke më luksin që gjërat e shtëpisë tënde të mos merren vesh, njerëzit e tu që vuajnë nga varfëria e kanë ngritur zërin dhe ti duhet ta dish, se diktaturat rrëzohen një ditë, qoftë edhe me vdekjen e diktatorit.
Nga ana tjetër, Janullatosi nuk hezitoi të bëjë viktimën, strategji e vjetër kjo, sa herë që ai ndjehet nën trysni. Ai tha se ka kaluar shumë zhgënjime e dhimbje në jetë, ka patur braktisje dhe tradhëti, edhe nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve. Nuk e dimë nëse e ka me peshkopët e konvertuar, të cilët duket se e kanë braktisur dhe nuk po e mbështesin më në gafat që bën, se ata janë përgjegjësi dhe zgjedhje e tij. Nëse ky zhgënjim është kronik, dy janë arsyet hirësi, ose ti nuk di të zgjedhësh bashkëpunëtorët e tu, i zgjedh ata vetëm nga niveli i adhurimit që ushqejnë për ty, dhe pastaj kur u bien maskat e hipokrizisë, ti mbetesh keq, si në rastin e ndonjë kabllogrami që të ka zbuluar tradhti të rënda në oborr. Ose je ti ai, që me sjelljen tënde arrogante, shkeljen që u bën në dinjitet, varfërinë që u imponon, apo edhe ndonjë arsye tjetër të errët, i detyron të të braktisin dhe e ke më të lehtë të qahesh sesa të pranosh pjesën tënde të fajit dhe të përgjegjësisë.
Janullatosi sërish qarkullon edhe në këtë intervistë mitin e atentatit që i kanë bërë për ta vrarë dhe plumbin e ngelur në dritaren e tij. Është qesharake të mendohet se dikush ka patur përqëllim ti bënte atentat atij, por ai dritare është qëlluar ndonjë plumb qorr të 97-s ose rikoshet. Nga ata plumba që kanë rënë në dritaret e dhjetëra shqiptarëve, dhe Anastasi na e shet për të disatën herë si atentat. Ish-oficeri i DEA-s Anastas Gjerasimos Jnaullatosi e di fare mirë se plumbin e një snajperi, nuk e ndalon dot kurrë xhami i një dritareje, por nëse ai ndjehet mirë me këtë mit, kjo është punë për e tij dhe për trashëgiminë që po lë në ato broçkulla që thotë.
Së fundi, Janullatosi shpërthen në delirin e madhështisë të shprehur në besimin e tij, se tani ai është tashmë një shenjt, dhe se shqiptarët duhet ta ngrenë kultin që ai ka një jetë që kuron, në nivele hyjnizimi. Ndaj legjitimohen edhe ikonat që ai ka porositur në katedralen e re dhe që e paraqesin si shenjt dhe mrekullibërës. Ai thotë: “Mjerë njerëzit që nuk kanë nderë dhimbje, ajo tëçon në një pjekuri të bredshme dhe do të guxoja të thosha në shenjtëri”. Ndaj, dhimbjet, zhgënjimet dhe tradhëtitë, na e kanë bërë punën e tyre, e kanë çuar Anastas Janullatosin në shenjtëri. Ajo çka tashmë na duhet të bëjmë, është ta adhurojmë e t’i falemi.
Ai këtë përjetim, të arritjes së niveleve të shenjtorëve e ka të sigurt brenda tij, fakti që me mani, po porosit vendin ku do prehet dhe po e zbukuron me afrekse, e tregon më së miri këtë gjë. Mbetet ta kuptojnë vetëm shqiptarët, që duhet ta kenë për nder që kanë një shenjtor të gjallë mes tyre dhe nuk e paskan kuptuar. Por, pjesa që nuk sugjestionohet prej shenjtorëve të vetëshpallur të ditëve të sotme, do vazhdojë të thellojë kërkimin mbi historinë e kishës shqiptare, se është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së kombit tonë. Ne, shumë shpejt do të sjellim fakte se si u ngjit Janullatosi në hierarkinë e kishës greke, pjesë e cilave organizatave parakishtare ishte, dhe se si u shkarkua nga funksionet e larta që mbante, duke marrë rrugën e mërgimit, së pari në Afrikë dhe më pas në Shqipëri dhe ç‘lidhje kishte ai me Jeronimin e Parë, (jo me të sotmin), Kryepeshkopin e juntës ushtarake greke.
Nëse Janullatosi na fton ta besojmë se është shenjtor, atëherë do të duhet të bëjmë një kërkim dhe hetim të plotë të jetës dhe bëmave të tij, ashtu siç është edhe praktika kishtare në këto raste. Sigurisht, që deri më sot, Janullatosi është shenjtori i parë që e ka shpallur përpara vdekjes shenjtërinë e tij, pasi kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e krishtërimit, por nëse nga kërkimi na del, që ajo që thotë ai qëndron, do vijë dita që edhe ne do ndezim një qiri përpara ikonës që ai ka urdhëruar të pikturojë në kishën e re, ikonografi grek Kristos Papanikolau.