Nga Uk Lushi/
Vera është stina kur shqiptarët nga mbarë bota afrohen me njëri-tjetrin më së shumti gjatë tërë vitit. Bijtë dhe bijat e shqiponjës takohen dhe shoqërohen në plazhet e Ulqinit, Velipojës, Vlorës apo Sarandës; në bregliqenin e Shkodrës, Pogradecit, Strugës apo Plavës; dhe gjithashtu në luginat dhe majat e Kodrës së Diellit të Tetovës, Rugovës së Pejës apo Thethit të Shalës. Këto bukuri magjepsëse të natyrës së dheut, ujit dhe ajrit të vendeve tona i vizitojnë edhe mijëra bashkëkombës që jetojnë jashtë trojeve tona etnike, në Diasporë. Shqipëria, gjatë ditëve verore, bëhet një.
I pushtuar, i shtrënguar dhe i copëtuar për qindra vjet, populli shqiptar në shekullin e XXI-të hyri me një barrë të rëndë ndarjesh në krahët e tij. Për fat të mirë, me zgjuarsi ne e kuptuam shumë shpejt që dallimet mes pjesëtarëve të një kombi, në fakt, janë të dobishme njëjtë si të përbashkëtat dhe filluam t’i shohim dhe trajtojmë variacionet lokale-krahinore, partiake-politike, fetare-religjioze dhe gjeografike-territoriale— ashtu si janë— si pasuri kombëtare. Megjithatë, fatkeqësisht, dallimet që ende vazhdojnë të mbulohen nga një mjegull fodulle e mosnjohjes janë një duzinë veçantish normale mes shqiptarëve brenda dhe atyre që jetojmë në Diasporë. Është pak e çuditshme që kjo temë gati nuk është rrahur fare as në atdhe e as në kolonitë tona nëpër shtete të ndryshme ku gjallojnë shqiptarët. Pse, sot, shqiptarët jashtë trojeve amnore, më shpesh se më rrallë, konsiderohen sikur të ishin një ishull i ndarë nga toka mëmë? Pse shqiptarët në tokat tona na thonë neve, shqiptarëve mërgimtarë, ju, ose, anasjelltas, ne atyre ju?! Pse nuk ka bashkëpunim dhe shfrytëzim më përmbajtjesor mes shqiptarëve në atdhe dhe jashtë atdheut? Pse nuk shfrytëzohet potenciali i çmuar dhe larmishëm i mërgimtarëve dhe Diasporës shqiptare? Si mund të shfrytëzohet përparësia e të pasurit Diasporë për popullin shqiptar?
Emigrantët nuk janë copë e ndarë e kombit shqiptar. “Ne dhe ju” apo “ju dhe ne” jemi një. Diaspora jonë ka kontribuar, kontribuon dhe do të kontribuojë për popullin tonë. Shtetet tona, jo edhe sa duhet për Diasporën.
Potenciali i parë i Diasporës është pasuria. Por para se të mendohet si të përdoret kjo fuqi është me rëndësi të merret parasysh se sa e vështirë dhe sa djersë e vuajtje derdhen për të bërë pasuri në vendet e huaja. Shumë shqiptarë në atdhe nuk provojnë as të imagjinojnë krajatat e emigrantëve që duhet të fillojnë nga zero dhe të çajnë përpara: ankthin për letrat, mësimin e gjuhës së huaj, adaptimin në një ambient shpeshherë krejt ndryshe nga ai i vendlindjes, mungesën e shoqërisë, netët e gjata pa gjumë duke kujtuar me mërzi torturuese familjen dhe miqtë, punën (nëse e gjen) deri në fyt gjatë ditëve stresuese, urgjencën për t’u (ri)shkolluar në një sistem tjetër, dhe, patjetër, ndjenjën e obligimit të ndash sa më shumë para për t’i dërguar familjes dhe njerëzve tu atje prej nga vjen. Pak njerëz në mëmëdhe mund të përfytyrojnë paragjykimin e dyfishtë të cilit i nënshtrohen emigrantët nga vendorët në shtetet ku sistemohen se gjoja të huajt marrin ndihma sociale dhe kështu shterojnë arkën e buxhetit ose, nëse nuk e bëjnë këtë, janë të gatshëm të punojnë më fort dhe për më pak para se sa shtetasit dhe kështu ulin pagat dhe rrogat e vendësve. Studime të tëra kanë provuar këto pohime si të rreme, por ato vazhdojnë të mbijetojnë. Pra, është shumë me rëndësi të kuptohet se paratë e fituara nga shumica dërmuese e emigrantëve janë para të vështira dhe meritojnë respekt, si kur merren si remitenca, si kur kërkohet që të investohen në atdhe.
Sipas Bankës Botërore vendet në zhvillim vetëm në vitin 2013 kanë pranuar më shumë se 440 miliardë dollarë remitenca, por vetëm 10% e kësaj shume është investuar në asete të vlerës së lartë, kurse 90% në gjëra të nevojave elementare si ushqimi dhe veshmbathja. Shtetet shqiptare duhet ta evitojnë këtë gabim dhe përmes Agjencive për Promovimin e Investimeve (API), të cilat në Tiranë dhe Prishtinë do të ishte e dobishme të unifikohen në një API të përbashkët të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, të krijojnë platforma transparente për mundësi investimi në projekte infrastrukturore dhe energjetike si p. sh. Termocentrali “Kosova e Re”, që është edhe investim me rrezik të ultë edhe me kthim të leverdishëm. Që investimi të jetë në pajtim me autoritetet rregullatore ku jetojnë emigrantët dhe dyfish i sigurt shtetet tona në Ballkan do të duhej të regjistrojnë bonot apo instrumentet financiare në shtetet ku jetojnë pjesëtarët e Diasporës dhe të angazhojnë banka investuese në ato shtete të cilat do të bënin shitjen e instrumenteve dhe distribuimin e kuponit dhe/ose profitit. Nëse duhet gjithsesi të tejkalohet kjo barrierë, atëherë API-të mund të organizojnë fushata informuese dhe prezantuese ku emigrantët do të mund të konsiderojnë mundësi tjera që kërkojnë shuma më të vogla.
Potenciali i dytë i Diasporës është fuqia e lidhjeve dhe rrjeteve si etnike ashtu edhe inter-etnike. Rrjetet e emigrantëve janë më multilinguale, multikulturore dhe multisektoriale se sa ato të vendorëve dhe më të përshtatshme për bërje biznesi dhe shkëmbime të të gjitha llojeve. Shumësia dhe lloj-llojshmëria e kontakteve mundëson reagimin e shpejt dhe efikas në ujdi me kulturën lokale nëse kërkesa dhe oferta për investim dhe bashkëpunim puthiten përkundër që janë me mijëra kilometra larg njëra-tjetrës. Në këto kohë globale, diasporasit shqiptarë kanë mundësi të influencojnë qeveritë e vendeve ku jetojnë të mbajnë qëndrime pro-shqiptare, të ndikojnë në korporata të mëdha të transferojnë pjesë të zinxhirit të operacioneve apo biznesit të tyre në tokat shqiptare dhe të inkurajojnë institucionet e dijes akademike të japin bursa apo hapin degë në shtetet tona për studentët që duan të zgjerojnë diapazonin e njohurive të tyre. Sa për ilustrim, një studim nga Royal Society në Britaninë e Madhe nga viti 2011, (duke përdorur shpeshtësinë e citimit), ka ardhur në përfundimin që bashkëpunimi shkencor mes hulumtuesve nga vendet amë dhe atyre nga Diaspora jep rezultatet më të mira dhe fjala vjen një punim i bërë nga një shkencëtar në Kinë dhe një koleg kinez në Amerikë citohet tri herë më shumë se sa një punim i bërë vetëm në Kinë. Mjetet e komunikimit bashkëkohor dhe Interneti gati i kanë fshirë kufijtë dhe largësitë fizike dhe komunitetet e emigrantëve janë të lidhura vazhdimisht dhe ngushtësisht me kombin e origjinës. Shtetet e shqiptarëve do të duhej të shfrytëzonin këto rrjete dhe këta njerëz sepse përfitimet do të jenë të dyanshme dhe do të përshpejtojnë përparimin e kombit shqiptar. Disa nga emigrantët e aftë dhe me lidhje të forta do të duhej të ftohen dhe binden të kthehen, qoftë përkohësisht qoftë përhershëm, duke u propozuar të marrin role udhëheqëse në administratat, institucionet apo kompanitë e shteteve tona në Ballkan. Një dorë e përfaqësuesve të elitave shqiptare që kanë komplekse dhe frikë nga zotësitë dhe shkathtësitë e emigrantëve me përvojë do të duhej të kujtojnë rolin e madh e kryeministrit Manmohan Singh dhe bashkëpunëtorit të tij Montek Ahluwalia, të dy të edukuar në Oxford dhe të kthyer në atdheun e tyre, që luajtën në reformat shoqërore dhe ekonomike në Indi në fillim të viteve 1990-ta.
Potenciali i tretë dhe mbase më i rëndësishmi i Diasporës është universi i ideve dhe vizioneve globale. Në botën e sotme nuk ka nevojë të zgjidhet mes vendit A dhe vendit B. Shqiptarët e jashtëm, shumica, jetojnë me një këmbë në shtetin rezident dhe me një tjetër në atdhe dhe si emigrantët e gjithë globit, tash që kombi shqiptar nuk është më nën robëri, mund të udhëtojnë dhe bile kthehen në Shqipëri kur të duan. Qarkullimi i lirë përhap idetë dhe përvojat sikur era anijet me vela. Emigrantët nuk janë më të mirë apo mençur se sa shqiptarët tjerë, por ata janë më të ekspozuar përkundrejt sistemeve të ideve, shkollimit dhe zhvillimeve më të avancuara dhe duke parë botën nga më shumë anë dhe dritare mund të jenë në pozicion të krijojnë gjëra që marrin më shumë kohë të qartësohen për shqiptarët brenda. Njeriu i cili jeton jashtë vendit e mat veten kundrejt dy standardeve— atij të vendit mikpritës dhe atij të vendit amë— dhe kështu mund të rris vlerën e tij apo saj duke parë se cili standard është më i lartë në cilën fushë.
Mirëpo edhe Diaspora nuk mundet aspak pa rrënjën respektivisht popullin në trojet etnike. Emigracioni i ka shumë të mira dhe, edhe nëse Shqipëria bëhet parajsë mbi faqe të dheut, populli shqiptar duhet gjithherë të ketë emigracion. Bile nuk do të duhej të ketë asnjë shqiptar apo shqiptare të vetme që nuk del dhe përjeton botën disa herë në jetën e tij apo saj. Por emigracioni i ka edhe kërcënimet dhe të këqijat e veta. Pa ndihmesën, vlerat dhe kapacitetet e mëmëdheut Diaspora është jetëshkurtër dhe pëson disfatën më të madhe të mundshme— asimilimin dhe zhdukjen. Së këndejmi, adresimi i njëri-tjetrit me “ne dhe ju” është adresim absurd dhe tani e tutje, çdo stinë kur takohemi në detet, fushat, apo bjeshkët tona, le të ndalemi dhe kujtojmë që të gjithë shqiptarët jemi nga e njëjta pemë që quhet NE dhe le të bëjmë gjithçka që ajo të jetë sa më e shëndoshë dhe fortë.