Nga Keze Kozeta Zylo/
Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot, veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot. – Mjeda/
Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” ecin në traditën e të parëve duke e festuar 7 Marsin, Ditën e Shenjtë të Mësuesit me një program të pasur artistik dhe sjellin në shenjë mirënjohjeje për mësueset e tyre buqeta të bukura lulesh.
Edhe natyra dukej sikur mori pjesë në këtë ditë shqiptare në New York, rrezet e ngrohta të diellit, cicërima e zogjve që bashkohej me fëshfërimen e lehtë të gjetheve të pemëve e bënin dhe më festive dhe më harmonike këtë ditë të shënuar.
Në mjediset e ngrohta dhe tejet komode të shkollës publikike amerikane PS 9, në ishullin e bukur Staten Island, prindër, nxënës dhe mësues të Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut si: në Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan u mblodhën së bashku për të festuar 7 Marsin. Nxënësit gjithë nur dhe me dashurinë e madhe për shkollën vinin me tufa lulesh në duar duke iu uruar mësueseve të tyre të dashura gëzuar ditën e 7 Marsit.
Ajo që ngelet dhe më impresionuese është kur disa nxënës shoqërohen dhe nga vëllezërit dhe motrat e tyre që fillojne qysh bebe të cilët i mbajnë prindërit në krah apo ulur në karrocat fëminore dhe deri më të rritur se vetë ata dhe gëzohen për të ardhur në raste festash që nuk janë të pakta për Shkollën Shqipe “Alba Life”.
Nxënësit takohen, përqafohen dhe flasin shqip me njeri tjetrin, çka është dhe misioni kryesor i programit të shkollës.
Ardhja e tyre pranë shkollës shqipe është frymëzim, është shpresë për të ardhmen e fëmijëve në Diasporë, ndonëse na mbetet një punë dhe më e madhe për të bërë, pasi mijëra fëmijë me prindër shqiptarë në botë nuk flasin dhe shkruajnë shqip dhe kjo përbën një shqetësim real për cilindo prej nesh.
Mësuesit dhe prindërit kishin kohë që përgatisnin nxënësit dhe fëmijët e tyre për këtë ditë dhe kjo përgatitje serioze u kurorëzua me sukses në programin spektakolar që u dha në këtë ditë të shenjtë.
Se Gjuhë e Shqipërisë është Gjuhë e Perëndisë
Këto vargje të poetit kombëtar Naim Frashëri u recituan plot dashuri dhe zë kulluar nga nxënësja e shkollës shqipe Melinda Djenovic që ka vite që e ndjek rregullisht shkollën dhe ka rezultate të dukshme duke arritur që të jetë dhe prezantuese në programe të ndryshme.
Programin e ka hapur sopranoja e mirënjohur Deshira Ahmeti Kërliu e cila ka kohë që i është bashkuar programit serioz të Shkollës Shqipe “Alba Life”. Znj.Kerliu iu uroi gjithë mësueseve festën e 7 Marsit dhe tha se ndihej krenare që bashkëpunonte me stafin e shkollës dhe me nxënësit. Festa e 7 Marsit vazhdoi Kërliu në këtë shkollë festohet realisht si festë shqipe, si ditë mësimi pasi mësuesët martirë që luftuan për të hapur shkollat shqipe dhe derdhën gjakun në mbrojtje të alfabetit shqip lanë amanetin që fëmijët shqiptarë të flasin shqip kudo ku janë.
Znj.Kërliu ka ftuar në skenë nxënësit e shkollës shqipe të Manhattanit të shoqëruara nga mësueset e tyre Liza Pllumi, Mane Hasanaj dhe Anila Syka.
Programi filloi me poezinë “Gjuha Jonë” të Naim Frashërit recituar nga Nora Hysa. Lendina Jahmurataj ka recituar poezinë “Nënës”. Vëllezërit Flaton dhe Gentian Hulaj interpretuan “Shkolla ime”. Edona Hasanaj “Festa jonë”.
Kevin Predlukaj interpretoi “Gjuha Shqipe” të Ndre Mjedës.
E dua shkollën time nga Simon Syku.
Programin, nxënësit e Manhattanit e mbyllën me vallen aq të njohur të Rugovës, pergatitur nga mësuesja Mane Hasanaj, valle që u shoqërua me duartrokitje të nxehta nga publiku.
Programi i pasur artistik vazhdoi me nxënësit e shkollës shqipe në Brooklyn.
Edhe pse disa nxënës munguan pasi kishin ELA test në shkollë publike përsëri programi ka vazhduar me plot sukses dhe dinjitet. Nxënësit e mësuese Raimonda Hysollit interpretuan poezi dhe këngë të ndryshme. Kelvin Rustani interpretoi “Mësuesja”, Bjarni Brluku “Nëna”, Diola Dacaj “Mësuesja ime”, Dorentina Dacaj “Nëna”, Arjon Mazda “Nëna”, Ledion Xhoi, “Nëna”, Eneo Rustani “Nëna”.
Kelvin dhe Enea Bulku me zërat e tyre të magjishëm kanë rrëmbyer zemrat e prindërve në sallë dhe janë shoqëruar me duartrokitje kur kanë kënduar këngën e Nënës të shoqëruar nga shokët dhe shoqet e klasës.
Ndërsa nxënësit e mësuese Gladiola Bakos si Oresti Salillari interpretuan plot konfidencë dhe dashuri “Dy festa të bukura” 7-8 Marsi, Rafal dhe Andri Gjonaj interpretuan nga Ali Podrimja “Zilja e shtatorit”.
Programin e shkollës shqipe në Staten Island e ka prezantuar mësuese Entela Muda së bashku me Melinda Djenovic.
Mësuese Entela ka ftuar nxënësen Dea Watkins e cila ka recituar vjershën “Zogu dhe djali”. Brendon Doda “Quhem shqiptar”.
Elira Xhemali “Festa e Mësuesit”. Rilind Bardhi “Ylli i vogël lart në qiell”. Ndërsa Dea Kerliu befasoi me vjershën që kishte krijuar vetë plot dashuri dhe ëmbëlsi fëminore.
Jaedin Doci “Libri”, Ariela Gashi “Dy festa të bukura” dhe Brian Muda “8 Marsi” nga shkrimtarja Adelina Mamaqi.
Programi ka vazhduar me nxënësit më të rritur duke filluar me Melinda Djenovic “Gjuha Shqipe”, Naim Frasheri, Arsi Muda me poezinë “Atdheu” nga shkrimtarja Laureta Petoshati. Olivia Verteniku nga Filip Shiroka “Shko Dallandyshe”. Denis Doda “Mësueses”. Alba Ujkashi “Epika” nga Ali Podrimja dhe Alisa Pocesta: “Unë jam shqiptare”.
Të gjithë nxënësit kanë kënduar së bashku këngën: “Mësuese e dashur” interpretuar nga Dea Kerliu dhe Dea Watkins.
Mjaft spektakolare ishte kërcimi i valles së Napolonit nga nxënësit në Staten Island udhëhequr nga mësuese Entela Muda dhe Dëshira Kerliu. Shamitë kuq e zi përgatitur nga duartë e arta të gjyshes së Elira Xhemalit valëviteshin në ajër mjeshtërisht nga duartë e vogëlusheve.
Në fund të koncertit spektakolar nga nxënësit e shkollës shqipe z.Qemal Zylo themelues i shkollës Shqipe dhe drejtues i saj i ka dhuruar buqeta me lule të freskëta gjithë mësueseve si Liza Pllumit, Mane Hasanj, Anila Syka, Aferdita Kacupaj, Gladiola Bako, Raimonda Hysolli, Entela Muda, asistenteve si Gela Bulku etj, dy artisteve shqiptare Dëshira Kërliut dhe Lindita Mezini Loles si dhe ish mësuese Adelina Lacaj, Ornela Melo, Mimoza Salillari anëtare e Bordit, Mizi Tutovic Doda, dr.Valbona Zylo Watkins, etj, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën e tyre të përkushtuar.
Pjesëmarrësit së bashku me nxënësit pasi drekuan sponsorizuar nga z.Harry Ujkashi vallëzuan dorë për dore dhe u argëtuan me valle dhe këngë të ndryshme nën tingujt e
DJ drejtuar nga Odise Salillari dhe Andrea Lole.
Ishte një ditë shqiptare midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në New York, ishte një ditë që edhe pse të ikur larg Mëmëdheut zemra jonë rreh për të, rreh siç thotë Mjeda 124 vjet më parë: “Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot, veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot.”
Të gjithë kaluam një 7 Mars të bukur me një ditë të dielltë si shkronjat e Gjuhës Shqipe, Gjuhës sonë Hyjnore!
6 Mars, 2016
Staten Island, New York