Nga Arian Kallco/
Dikur e shikonim në ekranet e televizorëve filmin Në pyjet me dëborë ka jetë. Kohë tjetër – do të thotë dikush. Po kohë tjetër, do të ishte përgjigjia, por ajo kohë ishte për të gjithë njëlloj. Ndërsa në të “bekuarën” demokraci alla shqiptarçe”, po shohim se disa qytete janë të nënë dhe disa të njerkës. Çfarë ka ngjarë që shteti shqiptar ka harruar misionin e vet? Nuk është një harresë e rastit, por një hakmarrje primitive e një qeverisjeje që sheh tek qyteti i Ersekës kundërshtarin e vet politik. Pra ai që ka gurin dhe arrën, e braktisi këtë qytet se ka votuar për krahun e majtë. A ka më absurditet më të madh se ky? E këto gjëra ndodhin në Shqipëri dhe në demokracinë që mbeti në të gjitha provimet e shkollës dhe tash po hallakatet midis anarkisë dhe babëzisë për para, pushtet dhe dominim, një kaosi total parazgjedhor. Ku janë të gjitha fjalët e bukura të propogandës për një vend pa dallime apo ngjyrime politike? Kanë mbetur vetëm të tilla dhe do të mbeten nëse logjika e pushtetit qëndror do të mbetet peng e urrejtes patologjike për ata që janë kundra nesh. Ftesës së departamentit të kulturës për një Ditë kushtuar poezisë italiane iu përgjigja pozitivish dhe i bindur se në çelje të sezonit turistik, si në të gjithë vendin, se diçka do të kishte lëvizur dhe ndonjë investim do t’i kishte zgjidhur problemet imediate të qytetit. Kur mbërrita në Ersekë, befasia nuk do të ishte bashkëudhëtare me mua, pashë se qyteti nuk kishte ndryshuar fare. Qendra e tij ishte në mëshirën e fatit, plot me gropa dhe me asfalt të konsumuar, edhe nga dimri i sivjetëm. Të pasistemuara edhe rrugët që të lidhin me qendrën, rrugicat, lulishtet, sheshet etj. Duket sikur qyteti ka dalë nga lufta me zemërimin e radhës prej sovranit politik që nuk arrijnë të shohin më larg se interesi i tyre elektoral. Pak retrospëktivë: Vitin e kaluar në muajin gusht morëm pjesë në Ditët e kulturës bashkë me shumë miq të shoqatës Pegasi Albania dhe Kosova, por gjendja është po ajo, nuk ka ndryshuar as edhe një fije. Rruga që nga Korça është po ajo, e njëjta e 23 viteve më parë, e paristrukturuar, pa asnjë investim, vetëm disa arna apo pulla të zeza që mbushin gropat deri në hyrje të qytetit. Kjo është rruga nacionale që ende sot ka mbetur jashtë vëmendjes së shtetit shqiptar dhe të qeverisë. A mund të ndodhë një “gabim” i tillë në kohën kur po mburemi para botës se turizmi shqiptar është në kulmin e lulëzimit të vet? Kjo do të ishte vetëm një hipokrizi e vërtetë. E pafalshme, e pafalshme! Sovrani nuk harron të bëjë fushata, takime dhe mitingje në këto ditë të çeljes së fushatës, por memoria i ka ikur fare për ata njerëz që marrin pjesë në të, që zbatojnë programet elektorale, nëse ka ndonjëherë të tillë, që përleshen përditë me vuajtjet, varfërinë dhe përballjet e turpshme politike të ndarjes së shqiptarëve. Edhe kultura e qytetit përpiqet të ngrihet mbi apatinë apo gjumin në të cilin e kanë shtënë ethet elektorale, por edhe për të mungojnë fondet. Në takim me kryebashkiakun mëson se deri më sot asnjë investim serioz, bile edhe në projektet jetësore të qytetit, për ujë dhe shërbime të tjera ndaj taksapaguesve, ka një frymë me sfumaturë të dukshme braktisjeje. Dita e poezisë italiane në një qytet si Erseka është një nismë që duhet përshëndetur dhe mbështetur, pasi pavarësisht largësisë, kontaktet me qytete italiane dhe turistë nuk mungojnë. Disa ditë më parë një grup Italian u ndal për pak turizëm, por e mendoj sesi kanë reaguar kur panë rrugën nacionale dhe qytetin. Është një skenë që tash na u bë monotoni në disa zona, ku edhe qytetari më i thjeshtë nuk e shpjegon dot këtë lloj qeverisje : shteti merr, por nuk jep. Është vështirë ta kuptosh këtë mentalitet, sidomos kur takon banorë të saj që rikthehen nga vende të ndryshme dhe nuk u besojnë syve, sepse e dinë fort mirë se në qytetet ku jetojnë, mentalitete të tilla janë anakronike. Megjithë problemet e pafund, edhe në Ersekë bëjnë sikur jetojnë, një tragjedi e dhimshme që kurrë nuk po merr fund, të bën përshtypje mikpritja, dëshira për kulturën tradicionale vendase, por edhe të huaj, sensi i një qytetarie që është mësuar me problemet e përditëshme, gati të dorëzuar, por që janë të pafuqishëm t’i ndryshojnë gjërat. Ishte më e thjeshtë 23 vjet më parë. Me modestinë e qartë të mundësive, veprimtaria letrare arriti disi të hedhë hapin e parë, për ta shndërruar më pas në një traditë të bukur për nxënësit në mbyllje të vitit shkollor. Emrat e mëdhenj të letërsisë italiane, Aligeri, Petrarka, Bokaço e deri në shekullin e kaluar, ishin korniza e saj. U recituan vargje në dy gjuhë, u kënduan edhe disa këngë, u ngrit edhe një dolli për suksese në edicionet e ardhshme. Erseka, qyteti i vogël jugor, i patriotëve të mëdhenj që i dhanë kombit emra të shquar për të cilët nuk ka nevojë të flasim, pasi njihen prej të gjithëve, mjaft të përmendim gjigandin dhe uraganin Noli, bën apel që të gjitha institucionet qëndrore ta kuptojnë, ta kthejnë vëmendjen, jo vetëm të shoqërisë shqiptare, por në veçanti të shtetit. Fushatat vijnë e ikin, koha vjen e shkon, njerëzit po ashtu, por qyteti do të mbetet dhe kur brezat do të bëjnë gjyqin e shoqërisë, uroj që ta bëjnë në këto zgjedhje një të parë, ta pasqyrojnë me fakte sesa pushteti qëndror bëri për qytetin e tyre dhe t’i japin dënimim që meriton. Edhe në qytetin e harruar – do ta mbyllja me titullin e filmit në krye të artikullit – ka dhe do të ketë gjithmonë jetë. Mjerë ata që luajnë me fatet e qytetarëve dhe harram e paçin bukën e tyre.