Ndërhyrja me bisturi nga pushteti politik, që e ndau Akademine nga institutet, e ҫoi atë në gjëndje kome, ose siҫ thotë populli e vdekur dhe e pakallur./Nga Besnik Imeri/ Viti 2018 në Shqipëri është viti i reformave dhe këtu nuk bën përjashtim as Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Fillimisht duhet thënë se Akademia e jonë megjithëse e krijuar vonë (në mesin e dytë të shekullit të XX) kundrejt simotrave të saj, deri në vitet 90-të ka pasur suksese të jashtëzakonshme. E ngritur mbi bazën e institutive, të cilat ishin krijuar shumë kohë para saj, ajo ishte e mirëorganizuar dhe me rezultate konkrete, si dhe me një financim të kënaqshëm. Këtu mund të përmendim financimet për kërkimet arkeologjike dhe studimet në fushën e historisë, ku edhe pati rezultate të shpejta, të suksesshme dhe me një bilanc pozitiv.
Pas viteve 90-të, si kudo në administratën shtetërore, drejtimin e saj e uzurpuan të paaftët, studjuesit e nivelit mesatar dhe ata që nuk kishin shkëlqyer më parë në fushat e tyre. Rrjedhimisht puna e Akademisë, vit pas viti, filloi të bjerë dhe të kalojë në stanjacion dhe përfundoi në një gjëndje gjumi letargjik. Ndërhyrja me bisturi nga pushteti politik, që e ndau nga institutet, e ҫoi atë në gjëndje kome, ose siҫ thotë populli e vdekur dhe e pakallur.
Aktualisht reformimi i saj është si një emergjecë shëndetësore për ta risjellë atë në jetë. Për këtë mendoj se duhet marrë parasysh përvoja europiane, por edhe e vëndeve të tjera, natyra e problematikave të të cilave përafron me atë të vendit tonë. Mendoj se prioritet strategjik i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (pa përjashtuar edhe atë të Kosovës) duhet të jenë shkencat humane me renditje në rradhë të pare, shkencën e historisë dhe atë të gjuhësisë, si dhe me një punë drejtuese dhe njëkohësisht bashkëpunuese me institutet përkatëse.
Pse unë mendoj se këto dy shkenca duhet të jenë në rradhë të parë? Sepse të dyja ato lidhen me vetëdijen kombëtare dhe identitetin tonë si shqiptarë. Shqipëria dhe shqiptarët nëqoftëse nuk mësojnë se nga vijnë, kush janë parardhësit e tyre, ҫfarë gjuhe kanë folur ata, asnjëherë nuk do të bëjë përpara dhe nuk do të jetë një vend me një zhvillim normal.
Përvoja në këtë drejtim nuk na mungon. Atë na e japin paraardhësit tanë të ndritur, rilindasit: Jeronim De Rada, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Jani Vreto,etj etj, të cilët për të Rilindur Kombin Shqiptar që kishte 500 vjet në robëri dhe nga pikëpamja e memories historike ndodhej në gjëndja kome, zgjodhën pikërisht historinë e vendit tonë, etnogjenezën e tij, si dhe gjuhën shqipe, etnogjenezën e saj. Këtu ekziston edhe nje bashkëdrejtim forcash, pasi forca qeverisëse që është sot në pushtet ka shpallur në programin e saj, se do të rilindë Shqipërinë dhe meqënëse bëhet fjalë për Rilindje, apo për Ringjallje, sytë me dosmodo duhet t’i kthejmë nga Rilindasit tanë të shekullit të XIX dhe fillimshekullit të XX dhe të mësojmë prej tyre.
Por kemi përvojë edhe nga jashtë, pasi ne shqiptarët e kemi atë cen që besojmë më shumë atë që na thonë të huajt, se sa atë që thonë njerzit tanë. Rasti është Gjermania. Në kulmin e revolucionit francez në vitet 1792-179, kur Prusia ndodhej edhe ajo në prag revolucioni, pasi lëvizjet revolucionare janë infektuese, lindi një lëvizje reformatore. Njëkohësisht Prusia në këtë kohë ishte mbrapa vendeve europiane si Franca dhe Anglia për nga zhvillimi ekonomik dhe politik. Në këto kushte lindi si domosdoshmëri Rilindja e kombit gjerman.
Ishte gjenia e një personi, aristokratit të pasur Vilhelm von Humboldt me një kulture të gjërë, i cili mendonte se rilindja e kombit gjerman do të vinte nëpërmjet kulturës dhe veҫanërisht nëpërmjet njohjes së historisë së lashtë. Nxënësit dhe vecanërisht studentët medomosdo duhej të mësonin në shkolla historinë antike si dhe gjuhët e vjetra. Mëndje të ndritura gjermane të asaj periudhe që ju bashkangjitën Humboldtit ishin historiani Barthold Niebuhr, Ministri Prusian në Vatikan, Christian Bunsen, Ministri Prusian në Angli dhe Karl Ottfried Muller. Këta pranuan deshifrimin e “Gurit të Rozetës” nga francezi amator Jean Francois Champollion, zbulimi i të cilit nuk u pranua nga qarqet akademike franceze të asaj kohe. Kësaj lëvizje ju bashkuan edhe poeti aristokrat Heyne dhe filozofi Hegel.
Humboldt dhe Niebuhr ishin edhe politikanë të rëndësishëm në skenën gjermane. Humboldt u bë edhe ministër i arësimit në qeverinë prusiane. Ata refomuan sistemin arësimor, sidomos pas shpartallimit të Prusisë nga ushtria e Napoleonit në Jena në vitin 1806, duke vendosur në qëndër të kësaj reforme formimin arësimor dhe reformimin e institucioneve arësimore. Në arësimin e lartë Humboldt vuri si prioritet shkencat humane, historinë dhe gjuhësinë; kundrejt francezëve që në sistemin arësimor kishin si prioritet shkencat e sakta, politeknikumin francez me theksin tek matematika dhe shkencat e natyrës. Qëllimi i kësaj reforme ishte që të reformohej vetë Prusia nëpërmjet kulturës gjermane, duke shmangur tmerret e Revolucionit Francez. Humbold dhe miqtë e tij e shihnin studimin e antikitetit në përgjithësi dhe atij grek në veҫanti si një mënyrë për integrimin e studentëve dhe nëpërmjet tyre të të gjithë shoqërisë gjermane në jetën moderne europiane. Institucionet arësimore dhe arësimi që krijuan ata u bënë shtyllat e rendit shoqëror prusian dhe gjerman të shekullit të XIX.
Shëmbullin e Prusisë e ndoqën Franca dhe Anglia. Pas vitit 1830, në periudhën e Lui Filipit, filozofi francez Victor Cousin themeloi arësimin elementar francez sipas modelit prusian dhe ashtu si Humboldt, ai në të gjithë sistemin arësimor rezervoi një vend të veҫantë për të lashtët dhe vecanërisht për grekët. Ndërsa në Angli, studimi i antikitetit si një shkollim moral dhe intelektual për elitën, u shfaq në gjysmën e parë të shekullit të XIX duke ndjekur modelin gjerman.
Nisur nga sa u parashtruan më lart, mendoj se Akademia e Shkencave në përgjithësi dhe shkenca e historisë dhe gjuhësisë në veҫanti, pas një vegjetacioni gadi 30 vjeҫar, ka kaluar në një gjëndje sklerotike nga e cila mund të dalë me një riorganizim të përgjithshëm, ku ҫdo gjë duhet të ringrihet nga e para që nga themelet. Kjo punë do kohë. Ajo nuk bëhet me një muaj, as me një vit, madje as me dhjetë vjet.
Për këtë Shqipërisë i duhet të krijojë shkencëtarët e saj qysh në vezë. Kjo realizohet nëpërmjet ngritjes së strukturave të veҫanta, të cilat do të gjurmojnë dhe qëmtojnë talentet inteligjente qysh në arësimin fillestar. Mëndjet më të ndritura me prirje të tërheqjeve të forta drejt shkencave humane duhet të përzgjidhen, veҫohen dhe trajtohen me programe të veҫanta mësimore. Pasi të kenë kryer një arësimim të mesëm ekselent të dërgohen për studime në universitetet më të mira të botës sipas fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, antropologjisë, etnografisë, emblematikës, heraldikës, numizmatikës, ikonografisë etj, ku njëkohësisht të marrin njohuritë e plota deri në arritjet më të fundit në të gjitha nga këto fusha. Kjo pasi nuk mund të jesh një historian i mirë pa qënë një gjuhëtar i mirë. Nuk mund të jesh një arkeolog i mirë pa qënë një historian dhe gjuhëtar i mirë. Pra të jenë të kompletuar me njohuritë më të përgjithshme dhe më kryesore të arritura në të gjitha shkencat e mësipërme.
Pas realizimit të kësaj të filloj specializimi i tyre deri në imtësi në fushat përkatësë. P.sh. gjuhëtari jo vetëm të njohë mirë gjuhën shqipe dhe dialektete saj, por të njohë të gjitha nëndialektet dhe të folmet e krahinave, madje edhe të fshatrave të veҫantë me interes për këtë fushë. Të mësojë mirë gjuhët e vdekura si sanskritishtja, latinishtja, greqishtja e vjetër, aramaiken, koptiken, hebraishten e vjetër, keltishten, persishten e vjetër, gjermanishten e vjetër, sllavishten e vjetër etj. Të futen në imtësira tek fjalë të gjuhëve që kanë folur sumerianët, tokarianët, baskët, iberët, ligurët, sardët, sikanët, kalabrët, umbrianët, tirrenët, oskët, latinët, etruskët, enetët, venetët, galët, mesapët, japigët, akadianët, skithianët, baltianët, mizianët, panonianët, paionanët, dakianët, getianët, tesprotianët, argianët, tesalianët, jonianët, lelegët, peleshtianët, dorianët, eolianët, minoanët, kalkidianët, eubeasit, beotianët, aigalianët, hititët, asirianët, akadianët, karianët, hiksosit, frigjianët, likjanët, lidjanët, kananianët, jebusianët etj etj.
Kështu p.sh. Humboldt (që e përmëndëm më lart) arriti ato rezultate në ngritjen kulturore të gjermanisë si ministër arësimi, pasi ishte një personalitet në fushën e historisë dhe gjuhësisë, madje Martin Bernal në veprën e vet “Athina e Zezë” e quan një gjeni. Ai ngriti bazat e gjuhësisë Baske dhe Malajo-Polineziane. Pati një tërheqje të madhe drejt sanskritishtes dhe studjoi bazat e shkrimit kinez. Sot në Gjermani për nder të tij një universitet mban emërin Humboldt.
Ndërsa Jean Franҫois Champollion deshifruesi i “Gurit të Rozetës”, një nga zbulimet më të mëdhaja të kohës së vet, në moshën 20 vjeҫare mësoi greqishten demotike, hebraishten, arabishten dhe koptiken (një dialekt i gjuhës pellazgë të Egjiptit të lashtë).
Pas kësaj pune, krijimi i një plejade studjuesish të rinj, të jini të sigurtë që kini formatuar një shkencëtar klasi në gjuhësi që do të realizojë zbulime të jashtëzakonshme. Ajo që tani ne na duket një fantashkencë; si fakti që shqiptarët flasin gjuhën më të vjetër në botë, një gjuhë që e kanë folur zotat, pra Thoti, Zeusi, Poseidoni, Amoni etj, një gjuhë kozmike që ndoshta ka ardhur në tokë nëpërmjet jashtëtokësorëve pasi është aq e zhvilluar dhe aq e përsosur saqë nuk duket se është krijuar nga njeriu por nga hyjnitë; kjo do të jetë një realitet.
Po kështu në fushën e etnografisë të përgatiten specialist që të jenë në gjëndje të zbërthejnë simbolet kozmike të xhubletës shqiptare. Në fushën e historisë të vërtetojnë se pellazgët janë pararadhësit e racës së bardhë, të cilët ndoshta janë ardhacakë në tokë. Por që janë edhe të parët e drejtëpërdrejtë të shqiptarëve, sidomos nëpërmjet gjuhës shqipe, por edhe të popujve të tjerë europianë, si grekët, italianët, francezët, spanjollët, gjermanët, uellsianët, skocezët, anglezët, turqit, sirianët, armenët përfshirë edhe kaukazianët etj etj.
Këta do të jenë akademikët e ardhshëm të Shqipërisë. Po për përgatitjen e tyre duhen dhjetra vjet dhe të jini të sigurtë të paktën deri në 30 vjet. Dikush mund të të thotë se kjo punë do para. Shqipëria nuk bëhet pa sakrifica, pra edhe pa para. Psh tek “Veljera’ në Durrës kam dëgjuar se do të hidhen 8 miljon euro për beton. Sikur këto para të mos hidheshin për beton, por për trurin e shqiptarëve, a nuk do të ishte një veprim më me mend?!!!
Vetëm kështu mund të reformohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Çdo reformim tjetër, sidomos ao me karakter politik (siҫ janë bërë më parë), do të ishte një veprim abuziv dhe një mashtrim i rradhës.
5 janar 2018