• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BIJA E RIKTHYER NË GJIRIN E NËNËS

February 10, 2014 by dgreca

Nderim kujtimit të paharruar të Vaçe Zelës/

Nga Eugjen MERLIKA/

  8 shkurti qe një ditë e trishtuar për Shqipërinë dhe bijtë e saj, të shpërndarë nëpër botë. Atë ditë u përcoll për në banesën e fundit tokësore një grua shqiptare, një nënë, një bashkëshorte, një motër, një artiste, një këngëtare që, me zërin e saj, bëri epokë në një Vend ku mungonte zhvillimi, mirëqënia e, mbi të gjitha, liria. Vaçe Zela u njëjtësua jo me zymtësinë e Vendit që e lindi, por me shpirtin e tij poetik, duke u kthyer në zëdhënësen më cilësore të artit të këngës, të cilin ajo e thithi së bashku me qumështin e nënës në Myzeqenë e viteve të luftës e të mbasluftës.

Për vlerat e këngëtares myzeqare dhe ndihmesën e Saj në interpretimin e këngës, në larminë e saj të pafund në të gjitha gjinitë, shqiptare e të huaja, është folur shumë nga kolegët e saj të shumë viteve, nga kompozitorët, kritikët, artistët, madje dhe nga personalitete të jetës politike. Këta të fundit, atë paradite të 8 shkurtit në sallën e teatrit të operas e baletit, ku i jepeshin nderimet e fundit “Nderit të Kombit”, Vaçe Zela, përfaqësuan Shtetin që nderonte, pa instrumentalizuar politikisht, një qytetare të tij, që e kishte futur emrin e saj në fondin e artë të vlerave të tij madhore.

Ceremonia mortore, që u zhvillua n’atë teatër, qe një nga shfaqjet më të arrira të jetës shqiptare të viteve të fundit. Përgëzime të sinqerta organizatorëve, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Lushnjës për këtë spektakël, sa prekës e të ndjeshëm, po aq madhështor e të fuqishëm, në ujdi me shpirtin e ngjarjes e me përmasat e saj. U desh një vdekje e madhe për të bashkuar lirisht të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e Lushnjë, por në të gjitha trevat shqiptare, brënda e jashtë atdheut e, nëpërmjet televizionit, në çdo skaj të planetit, në një mendim të vetëm, në një dhimbje të përbashkët, në një vajtim nëpërmjet këngëve që nuk u mbyllën në arkivolin me trupin e artistes, por mbetën të lira, të shëtisin n’eterin e pafund, si një mesazh i përjetshëm i artistes lushnjare bashkatdhetarëve të saj, pa asnjë dallim, si një thirrje e përmallëshme për të ruajtur e shpënë më tej vlerat e trashëguara të këtij populli, pasurinë e pamatur shpirtërore të tij.

U arrit kjo në sajë të një konceptimi realist, njerëzor e jo burokratik të ngjarjes, u çvesh ajo nga çdo nuancë apo tonalitet politik në vetvete, mbeti një përcjellje lamtumire e përgjithëshme e një populli një bije të dashur që kthehej për t’u prehur në tokën e të parëve, mbas shumë vitesh shtegtimi e dhimbjesh në qendrën e Evropës, një artisteje që, me këngët e Saj, kishte shoqëruar rritjen e formimin e dy brezave, që i kishte dhënë atyre entuziazëm, forcë, optimizëm, kënaqësi estetike e shpirtërore. Mund të përzgjidheshin më mirë folësit, në përfaqësi të gjithë segmenteve të shoqërisë e të moshave të saj, por është e kuptueshme se improvizimi, në të tilla raste, kur koha të shtrëngon me të tepër, nuk mund të prodhojë përsosmërira. Të gjitha përshëndetjet ishin të ndjera, prekëse, dëshmi  ndjenjash të fuqishme dhe emocionesh të rralla, që i përcilleshin shikuesve të pranishëm, por edhe qindra mijrave që kanë ndjekur ceremoninë nëpërmjet televizionit. Ndërmjet tyre më duket me vënd të veçoj përshëndetjen e Kryeministrit Rama që paraqiti me realizëm mjedisin e ngrirë të Shqipërisë ku lulëzoi talenti i Vaçe Zelës, gjë që ngriti edhe më lart vlerat artistike, shpirtërore e karakteriale të këngëtares së madhe, të cilën po e përcillnin.

Një tjetër veprim domethënës e i bukur qe zbritja e arkëmortit në Prishtinë, në rrugën e tij drejt Tiranës. Nderimi i kosovarëve dhe i Nexhmije Pagarushës i a shtoi vlerën kësaj ceremonie, duke i u kujtuar të gjithëve se, pavarësisht nga meandret e laqet e real-politikës, shqiptarët mbeten një komb i vetëm, që respekton të njëjtat vlera e që ndan njëlloj dhimbjet e gëzimet në të gjitha trevat e tyre.

Emblema e këngës shqiptare u përcoll me nderime të papara. I meritoi ata sepse, për një kohë të gjatë, qe këngëtarja më e spikatur e muzikës shqiptare, sepse këngës shqiptare i ngriti monumente, i dha asaj shpirt, duke e kthyer në një pasuri kombëtare e njerëzore, të prekëshme e të ndigjueshme nga brezat që do të vijnë. Në këtë drejtim mendoj se Ministria e Kulturës duhet të bëjë më shumë për të shumfishuar CD-t me zërin e Saj, në mënyrë që ato të mos jenë një privilegj i pak “të zgjedhurve”, por një stoli e domosdoshme për çdo familje shqiptare, kudo qoftë. I nënëshkruari ka patur fatin t’a ketë treshen e CD-ve si dhuratë prej Saj, një dhuratë tepër e çmuar, të cilën e ruan me fanatizëm, duke dëgjuar, pothuajse çdo ditë zërin e Saj e duke u kthyer me kujtime në kohë të largëta. Brezi i ynë, brezi i Saj, që me këngët e kënduara prej Saj ka lidhur episode të ndryshme të jetës shpesh të hidhura (festivalet e këngës në RTV, të dëgjuara në sallat e mencave të Spaçit, Qafë-Barit, të Ballshit, Thumanës e të tjera kampeve të punës së detyruar), por edhe të çasteve të iluzioneve të lumturisë që mund të jepte një dashuri e realizuar (Djaloshi dhe shiu), sot e përcjell Vaçen së bashku me një pjesë të vetvetes, me vetëdijen se u shkëput diçka nga brenda, diçka që na kujton se jeta njerëzore po i afrohet fundit e se është kohë bilanci për këdo.

Këtë bilanc, sigurisht e ka bërë dhe këngëtarja jonë prej kohësh, jo vetëm si artiste e si njeri publik, por edhe si bashkëshorte e si nënë. Mendoj se përmasat e personalitetit të Saj në jetën artistike mbeten të pandryshuara në jetën familjare. Familjes së saj, të lindur e të krijuar, i shkon mendimi e ngushullimi i të gjithë shqiptarëve që marrin pjesë në dhimbjen e tyre. Krahas bashkëshortit të nderuar, motrave e vëllait, në jetën e Vaçe Zelës, një vënd të veçantë ka zënë bija e vetme, Irma. Nëse fëmija mund të quhet, deri diku, pasqyrë e prindërve, Irma Rodiqi do t’ishte një dëshmi e gjallë e sendërtimit në shkallën më të lartë të rolit të nënës, sepse vetëm një nënë shëmbullore mund të rrisë e të edukojë një bijë të rrallë, pa lënë mënjanë rolin përcaktues të babait, me të cilën mund të krenohet çdo prind, në çfarëdo Vendi të botës, në çfarëdo shkalle shoqërore, në çfarëdo kushtesh të një shoqërie njerëzore.

Irma Rodiqi është një model i pakrahasueshëm i një vajze të virtytëshme, i një vajze të traditës më të mirë të Shqipërisë fisnike e të zakoneve të bukura. Por ajo është dhe një vajzë bashkëkohore, që jeton në shoqërinë evropiane të shekullit 21, që përballon kërkesat e asaj shoqërie me aftësi të lëvdueshme, duke harmonizuar plotësimin e tyre me ligjet madhore të kodit të trashëguar të familjes shqiptare. Ajo punon në Institutin e Statistikave të Bazelit, një nga qytetet kryesore të Zvicrës. Për këdo që e ka sado pak idenë se për çfarë bëhet fjalë, është e qartë aftësia profesionale dhe përkushtimi në punë i kësaj zonjusheje shqiptare. Përkushtimi në profesion  shkon në një hap me përkushtimin në familje e këtu qëndron madhështia e kësaj vajze që, në shumë vite të sëmundjes së nënës së adhuruar, ka mbajtur mbi supe një barrë të rëndë, një familje në kushte të vështira. Në këtë mision ka patur tek babai bashkëpuntorin më të vullnetshëm e mbështetësin më të çmuar. Vetëm një koncept i tillë i familjes mund të përballojë gjëndje të pazakonta si ajo e familjes Rodiqi. Cilido mund të marrë me mënd se çfarë energjish e durimi njerëzor duhen për të qëndruar çdo natë pranë nënës së sëmurë e çdo ditë në krye të një detyre që kërkon mëndje të kthjellët e gjykim të saktë, ku nuk lejohet as gabimi i një presjeje.

Irma e ka përballuar atë jetë me vetmohimin e bijës, për të cilën prindërit janë të dashur e të respektuar, jo vetëm se kështu thotë pika e katërt e Urdhnimit të Tenzot, por edhe se kështu e kërkon tradita më e mirë e popullit të saj. Shpesh herë ky qëndrim kërkon edhe flijime të diçkaje nga vetja e jo të gjithë, në botën e sotme, janë të gatshëm t’i bëjnë. Të gjithë patën mundësi të shohin qëndrimin dinjitoz në këtë ceremoni dhimbjeje të Irmës në krahun e babait, Pjetrit, lotët e saj të heshtura, të përziera me vetëdijen e të qënit një bijë e denjë e një çifti prindërish të denjë.

Zoti lehtësoftë dhimbjen e tyre e u dhëntë atë qetësinë e domosdoshme mbas furtunës, nëpër të cilën kaluan, për të patur fuqinë e duhur për të vazhduar jetën me kujtimin e paharruar të nënës e bashkëshortes, që vigjëlon mbi ta nga bota e së vërtetës e që këtu u flet me gjuhën e luleve, të cilat me aq dashuri i mbolli atje në kopshtin e saj, në tokën e huaj, por edhe të dashur të Bazelit.

Mirënjohje e respekt të përjetshëm kujtimit të Vaçe Zelës, bijës që u kthye në gjirin e nënës Shqipëri, së cilës i dhuroi gjithshka pati më të shtrenjtë, talentin e përkushtimin e saj.

Shkurt 2014

Filed Under: Featured Tagged With: bija e rikthyer, Eugjen Merlika, ne gjirin e nenes

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT