Udhëtimi i parë i Donald Trump jashtë vendit si President do të bëhet në Islandë, për të zhvilluar një samit me homologun e tij të ardhshëm rus Vladimir Putin. Kjo eshte nje lëvizje, që i bën jehonë takimit të Luftës së Ftohtë mes Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev, në Rekjavik në vitin 1986. Mediat raportojnë se ekipi i Trump i ka komunikuar zyrtarëve britanikë se, samiti do të zhvillohet pak javë pasi miliarderi Njujorkez, të bëhet president i SHBA.
Duket se kryeqyteti Islandez konsiderohet si vendi më i përshtatshëm për këtë takim, përderisa edhe 3 dekada më pare, kjo funksionoi mjaft mirë. Samiti do të jetë një përpjekje për të rivitalizuar raportet e SHBA me Kremlinin, ndaj në axhendë raportohet se përfshihet edhe një pakt për të kufizuar armët bërthamore.
Lajmi vjen, ndërsa Trump vazhdon të përballet me pretendimet se Rusia zotëron materiale komprometuese ndaj tij që mund të përdoren për shantazh. Të shtunën Trump tha se do të konsiderojë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, nëse kjo e fundit bashkëpunon në luftën kundër terrorizmit. Lajmi për takimin Trump-Putin zor se, do të mirëpritet nga figurat e larta të qeverisë britanike, të cilat druhen se thellimi i raporteve SHBA-Rusi, mund të lërë jashtë Britaninë. Sipas ekspertëve, jo më kot kryeministrja Theresa May, pritet të vizitojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë që muajin e ardhshëm.