Nga Keze Kozeta Zylo/
Është bërë traditë e bukur ndër emigrantë të Diasporës që në ditën përkujtimore të të rënëve në Amerikë që përkon me të hënën e fundit të Majit të organizohet piknik ku mblidhen shqiptarë të shoqatave të ndryshme te Malit tëZi, ku vlen të përmenden shoqatat si Ana e Malit, Fondacioni Plavë e Guci, Fondacioni Dom Simon Filipaj, Malësia e madhe etj…
Pikërisht në ditën e hënë, më 30 Maj shoqata atdhetare “Kraja” mblodhi në parkun “Franklin D. Roosevelt State Park” qindra shqiptarë të cilët festuan dhe u gëzuan së bashku me të gjitha familjet krajane, etj.
Kryetari i shoqates “Kraja” z.Hamid Alaj së bashku me kryesinë dhe aktivistët e dalluar si Ahmet Vela, Dul Perashi, Mirsad Kovaci, Safet Doci, Naim Haxhimurati, Shuqo Braca, Shpëtim Bardhi etj i kishin marrë masat në mënyrë perfekte edhe pse koha gjatë natës ishte me rreshje të vazhdueshme, por duket se dhe natyra mori pjese së bashku me familjet e mrekullueshme krajane duke sjellë rrezet e diellit pranë tavolinave të mbushura plot dhe fushave të gjelberta ku luanin dhe hidhnin valle fëmijët shqiptarë.
Eshtë e magjishme kur sheh fëmijë me bluzat kuq e zi dhe shqiponjën dykrenore në gjoks çka tregon transmetimin e kulturës shqiptare ndër breza. Ndërmjet fëmijëve të shumtë kishte dhe nxënës nga Shkolla Shqipe “Alba Life” si Rilind Bardhi, Jaedin Doçi, Rona Kovaçi etj, të ciët detyrimisht të sjellin ndër mendje Krajën me rrënjë të lashta dhe culture të epërme, të sjellin Krajën ku lindi Gjon Buzuku autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur “Meshari” (1555). Kjo vepër cilësohet si vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar dhe ruajtur deri sot. Gjoni ishte prift katolik për nga besimi, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit. Për autorin, e mësojmë vetëm nga parathënia e librit dhe gjuha e tekstit. “u Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzuku”.
Sipas të dhënave në webin e Krajës thuhet se Kraja është një trevë shqiptare e Malësisë së Mbishkodrës, shtrihet nga Taraboshi, përgjatë bregut Jug Perëndimor të Liqenit të Shkodrës, dhe shpateve verilindore të kurorës së Maleve të Rumisë (1.959m), Malit të Gjanë (1.323m) e Shëngëllisë, nga Cermnica e deri në Shirokë. Në aspektin më të ri tipologjik, në kuptimin e gjërë, ndahet në dy Bashkësi Lokale. Në anën Perëndimore të saj, është Bashkësia Lokale e Shestanit me fshatrat: Krricë, Dedaj, Gurëz, Pinç, Muriq dhe Ljare. Ndërsa në anën Lindore të saj gjendet Bashkësia Lokale e Ostrosit me fshatrat: Ftjan (505m), Kështenjë (245m), Bobosht (48m), Martiq (174m), Ostros i Madh (279m), Ostros i Vogël (240m), Arbnesh (302m) dhe Skje (109m) [fshati Zogaj dhe Shirokë nga ndarja kanë mbetur në territorin e Shqipërisë]. Përveç kësaj ajo ndahet edhe në tërësi rajonale të Krajës së Poshtme, me fshatrat: Krricë, Muriq, Bobosht, Sjerrç dhe Skje, si dhe në Krajën e Epërme me fshatrat Kështenjë, Martiq, Ostros i Madh, Ostros i Vogël dhe Arbnesh. Është edhe një tërësi e tretë me fshatrat: Shestan, Draçevicë, Rjeps, Pinç, Muriq i Epërm, Ljare, Brisk dhe Ftjan. Dokumentet e vjetra, duke përshkruar Krajën, fillojnë me fshatin Shirokë në lindje dhe përfundojnë me fshatin Selcë në perëndim. Në Kadastrin e Shkodrës për vitin 1485 përmendet si fshat, kurse në atë të vitit 1582, shënohet si një Krahinë e përbërë prej 18 fshatrave me 927 familje. Marian Bolica më 1614, “Krajë” i quan fshatrat nga Ura e Bunës deri në Carnicë. Ndërsa sipas Nikolla Ericos, më 1692.
Kraja përfshin gjithë pjesën e vendit, të rrethuar prej detit, prej lumit të Bunës e Liqenit të Shkodrës, që kufizohej në veri me Malin e Zi, përfshirë këtu edhe Tivari e Ulqini…”.
Në këtë piknik të bënte përshtypje se të gjitha ushqimet ishin përgatitur falas nga kryesia e shoqatës atdhetare “Kraja”, ku shërbimi ishte tejet i kënaqshëm për të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë ditë feste u organizua gjithashtu kampionati i futbollit dhe i volejbollit çka solli një atmospherë të bukur sportive dhe mjaft entuziaste. Pjesëmarrësit u argëtuan me lojëra të ndryshme të traditës si dhe nën interpretimin e kengëtarëve Sead Asllani, Hejdi Mehmeti si dhe muzikanti Lydi Boli.
Krajanët dhe shqiptarë të tjerë kaluan një ditë të mrekullueshme argëtimi që do t’ju ngelet gjatë në kujtesën e tyre.
30 Maj, 2016
New York