Poeti Neki Lulaj me banim në Gjermani ishte mysafir në Shtëpinë e Vatrës me 18 maj 2013. I shoqëruar nga poetesha Rita Saliu dhe bashkëshorti i saj, ing. Adem Saliu, ai vizitoi mjediset e Shtëpisë së Vatrës.Neki Lulaj, jeton në Gjermani, ku punon në një shkollë Gjermane me fëmijë shqiptarë dhe është mësimdhënës i rregullt në një shkollë Gjermane. Është aktiv në Shoqatën e shkrimtarëve shqiptarë në Gjermani, ku aktualisht është zv/kryetar. Ai ka bashkëpunuar me median e Kosovës dhe gjatë viteve 2011-2012 ka botuar një sërë vëllimesh poetike dhe poezia e tij është pjesë në antologjitë e zgjedhura kombëtare, siç ishte ajo e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Mysafiri u prit nga kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj me bashkëshorten, Nikoleta si dhe nga editori i Diellit, Dalip Greca.
Kryetari Buçaj i uroi mirëseardhjen mysafirit dhe i foli shkurtazi për historinë e Vatrës, Kuvendin e saj, festimin e 100 vjetorit të themelimit, me 28 prill të vitit të shkuar dhe veprimtaritë e tjera në shërbim të çështjes kombëtare.
Poeti Lulaj, tha se mezi e kishte e pritur çastin e këtij takimi. Vizita këtu, tha ai, takimi për së afërmi me Nolin dhe Konicën, kanë qenë një ëndërr që ka zgjatur shumë. Tek shihte fotografitë e kolosëve të Rilindjes, poeti, u përlot.
-Më falni miq, tha ai përmes lotëve, ma falni dobësinë e poetit. Kisha mallë për rilandasit e mëdhenj që na lanë këtë pasuri Kombëtare Vatrën dhe Gazetën e saj Dielli, që të dyja kanë më shumë se nga 100 vjet jetë. Lotët e poetit dëshmojnë ndjenjë, shpirt…
Ai dhuroi për Bibliotekën e Vatrës,librat e tij me shënimin:Me mirënjohje, Bibliotekës së Vatrës, e krijuar prej Fan Nolit dhe Faik Konicës. Librat e dhuruar janë: “Dardania ime”,“Në Kështjellën e Përjetësisë”, “Zjarri i Shpirtit”, “Bukuri e Bekuar”,“Balada e Heshtjes”.
Kryetari i Vatrës i dhuroi Historinë e Federatës Vatra të prof. Beqir Meta dhe Historinë e Vatrës prej Refat Gurrazezi si dhe “Misioni i Vatrës” sipas Petraq Ktonës.
Më pas editori i Diellit e shoqëroi nëpër mjediset e ekspozitës “100 Vjet Vatër”, në bibliotekë dhe arkiv. Poeti mori fotografi të shumta dhe pasi la shënime në librine vizitorëve, u larguar i ngarkuar me shumë emocione nga Shtëpia e Vatrës.