Së shpejti do të përkujtohet 450-vjetori i lindjes së Shekspirit (26 prill 1564 – 23 prill 1616) dhe Shtëpia Botuese “Onufri” ka botuar gjashtë përkthime prej Skënder Luarasit: Mbreti Lir (King Lear), Rikardi II (Richard II ), Rikardi III (Richard III), Tregtari i Venedikut (Merchant of Venice) , Komedia e keqkuptimeve (Comedy of Errors), Si ta doni (As You Like It)./
Shkruan: Petro Luarasi/
Bota e qytetëruar do të nderojë së shpejti kujtimin e Uilian Shekspirit dhe tempullin e tij vezullues ku prehen dhe shpërthejnë ndër shekuj dije e mesazhe universale.
Edhe populli shqiptar ka patur mundësi ta njohë e vlerësojnë tempullin shekspirian përmes librave e shfaqjeve në gjuhën shqipe, në aktivitete akademike apo programe shkollore, të cilat vazhdimisht ndiqen me interesim dhe japin rezultate të dobishme në arsim e kulturë.Historiku i përkthimit të veprave të Shekspirit në gjuhën shqipe nis nga vitet ‘20 të shekullit të kaluar në SHBA, kur Fan Noli përktheu “Otellon“ (1918) dhe Skënder Luarasi veprën “Jul Cesari“ (1919) të cilat i pasuan me shqipërime të tjera, respektivisht edhe me tre (“Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari”) e gjashtë vepra (“Tregtari i Venedikut”, “Mbreti Lir”, “Rikardi II”, “Rikardi III”, “Komedia e Keqkuptimeve” dhe “Si ta doni”) .
Amerika e idealeve demokratike, qe vendi ku u farkëtua edhe miqësia e Fan Nolit me të birin e Petro Nini Luarasit, mikut e bashkëpunëtorit për çështjen kombëtare e kishën autoqefale.
Përgjatë një shekulli fondi i mësipërm është dyfishuar me shqipërime nga Vedat Kokona, Alqi Kristo, Napoleon Tasi, Perikli Jorgoni, Kristaq Traja, etj
Duke nisur me Shekspirin, Skënder Luarasi ka arritur rezultate shembullore në veprimtarinë e tij 60-vjeçare duke shqipëruar mbi 40 vepra të autorëve: Kalidasa, Schiller, O.Wilde, A. Tennyson, Pushkin, Whitman, De Vega, Dickens, Byron, Goethe, A.Ostrovski, Longfellow, Lessing, Winkop, Gribojedov, Milton, Eden, Rodrigues, S. Skëndi, si dhe disa të humbura me autorë: Persi Shelli, Li Taj Pe, etj.)
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që ai u njoh me veprën e Shekspirit dhe programoi përkthimin e saj që në rini. E tërhoqi më fort natyra e mesazheve universale me të cilën ai u drejtohej brezave. Me “Jul Cesarin” e ”Tregtarin e Venedikut”, Skënder Luarasi nisi përkthimin e kolanës së veprave të Shekspirit duke përmbushur edhe dëshirën e Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik me të cilat bashkohej inteligjenca progresive shqiptare.
Ndonëse nuk është kryer ndonjë studim i thelluar mbi kontributin e Luarasit në lëmin e përkthimit, analiza të pjesshme vënë në dukje disa arritje cilësore si: kontributi i hershëm, përzgjedhja e autorëve e titujve, qëllimi dhe mesazhet që përcillte përmes veprës, shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e lëndës (prozë, poezi, tragjedi, dramë, komedi, romane, materiale historike, politike, pedagogjike, etj), bagazhi i njohurive, vlerësime për stilin, ritmin, pasurimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e thellë të gjuhëve. Rëndësi ka edhe përhapja e mesazheve për qëllime të caktuara në auditore, në hartime, grupe, në teatër e publik.
Skënder Luarasi nisi të përkthejë prozë e poezi që në vitin 1918. Më 1919 përfundoi dhe përgatiti për botim shqipërimin e veprës së Shekspirit “Jul Cesari` me 120 faqe. Ky informacion gjendet në revistën “Studenti“ dhe ku kërkohej ndihmë për botimin e librave.
Paratë që do të mblidheshin nga shitja e librit do të përdoreshin për të ndihmuar studentët në nevojë si dhe për të shtypur edhe veprat: ”Tregëtari i Venedikut” dhe ”Skënderbeu ose Liri dhe Dashuri” të Uinkopit. (1) (S.P. Nini Luarasi, Jul Cesari, Studenti, janar 1920 , f. 30.)
Skënder Luarasi mendohej shumë për veprën që do të përkthente dhe e përjetonte gjatë analizën e saj duke shqyrtuar autorin, veprat e tjera të tij, situatën, epokën, mjedisin kur qe krijuar dhe ndikimin mbi lexuesin. “Po ky vazhdues i denjë i rrugës shqipëruese të Fan Nolit rronte dhe preokupohej si ai për mënyrën si duhej ta thithte veprën lexuesi shqiptar. Një dashuri sublime për këtë lexues dhe për gjuhën amtare. Fjalën shqipe, që ai e desh si ai, bëri të mundur që gjenitë e njerëzimit të jenë më të intimtë, të kuptueshëm dhe thellësisht ndikues.” (2)
(A. Kallulli, Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16 janar, 2000, f.7.)
Ai përmbushi një dëshirë të Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik, idealeve demokratike, kombëtare e shoqërore me të cilat bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare.
“ Në qoftë se përkthimet e Fan Nolit kanë qenë abetare nga e cila brezat e mëvonshëm të përkthyesve kanë mundur të nxjerrin mësime të dobishme se si duhen përkthyer tragjeditë e mëdha, atëherë mund të thuhet lirisht se përkthimet e Luarasit , janë një lloj teorie, e cila mëson se si të përkthehet drama historike. Ai është një përkthyes i madh në llojin e vet.”(3)
(Sh.Shaqiri Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Rilindja, 1 nëntor,1980, f.14.)
Për këtë kontribut madhor studjuesi Jup Kastrati deklaron ”me përgjegjësi shkencore se prof. Skënder Luarasi qëndron përkrah Nolit dhe Konicës”(4)
(J. Kastrati. Skënder Luarasi përkrah F.S.Nolit e F.Konicës, Artikull i cit., f. 2)
Skënder Luarasi në përkthimet e tij u frymëzua jo vetëm nga dëshira për njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e plotë të Shekspirit dhe nga përvoja, qëllimet dhe kriteret që kishte përzgjedhur paraardhësi i tij, por dhe ta paraqiste veprën në kuadër të zhvillimeve më të reja historike. Ai ishte i bindur se vepra e Shekspirit do t’i shërbente lexuesit shqiptar që të kuptonte edhe personazhe e ngjarje të kohëve moderne. Veprat e Shekspirit e shprehin me vërtetësi artistike frymën e kohës por janë edhe universale, japin vlera mbihistorike, që sintetizojnë përvojën botërore të historisë njerëzore. Ndaj në veprat e tij mund të shihen edhe pjesëza të historisë së hershme, edhe mund të gjykohet mbi kohë, ngjarje e vende të tjera.
Kur diskutohet për vlerat e Skënder Luarasit si përkthyes duhet patur parasysh vështirësia e origjinalit, pasuria e madhe e aforizmave, fjalëve të urta, sentencave, metaforave, simboleve që përmbajnë veprat. Atje Skënder Luarasi ka dhënë tensionin e brendshëm dramatik që përshkon skenat e gjalla e plot larmi, skalitjen e karaktereve me fjalë dhe shprehje të një gjuhe tjetër. “Veprat, pavarësisht nga zhanri që i përkasin, nuk janë zbehur e s’janë rrafshuar e rrumbullakosur, por kanë ruajtur atë jetë dhe gjallëri që kanë dhe në origjinal. Diku të ashpra e të murrëtyera, diku me ngarkesa të mëdha psikologjike e filozofike, diku të brishta e fluide, diku plot dritë e tinguj, diku si të kallkanosura e me një ngurosje të llahtarshme e mjaft domethënëse.”(5) (P. Jorgoni. Me forcë e guxim Prometeu, Drita, 16 janar, 2000, f.6)
Studjuesi Adriatik Kallulli analizon të tjera vler: “Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqipe. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” (6) (A. Kallulli: Artikull i cituar, f.7.)
Studjues të tjerë venë në pah objektivat politike të Skënder Luarasit për demaskimin e sistemeve jodemokratike
Refik Kadia: “Kur u përkthye “Tregtari i Venedikut” nga Skënder Luarasi ai i dha rëndësinë e duhur përcaktimit të Heines: “O Shylock, ti je i padrejtë! “Skënder Luarasi një pedagog i njohur për këndvështrimin e tij disident, përktheu “Rikardin II” dhe“Mbretin Lir” me synimin për të denoncuar tiraninë e diktatorit komunist.” (7)
(R. Kadia. William Shakespeare në Shqipëri, LCPJ, Volume 2 / 1, nr.37, 2009, f.8)
Ndërsa Akad.Alfred Uçi e shtrin analizën vlerësuese në ndërthurjen tematike dhe konceptin e tragjikes: “Veprat që përzgjodhi e përktheu Skënder Luarasi nga Shekspiri dhe komentet që u bënte, tregojnë qartë qëllimin e tij për të demaskuar, dënuar dhe satirizuar realitetin që po kalonte Shqipëria. Ai përktheu tragjeditë “Mbreti Lir”, “Rikardi II” e “Rikardi III” meqë “ mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike. Në këtë mënyrë do të kuptohej më mirë thelbi i konceptit shekspirian të tragjikes” (8)
(A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes. Libër i cituar, f.18)
Veçori karakteristike e përkthimeve të Skënder Luarasit është se ai i është përmbajtur tekstit dhe kontekstit të origjinalit duke ruajtur vlerën artistike të veprës. Kjo është arritur në sajë të kulturës së gjerë, njohjes së shkëlqyer të gjuhës së huaj dhe të gjuhës shqipe, afinitet ndaj veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, njohjes së shkëlqyer të letërsive e të kulturave të kombeve të ndryshme, njohjes së shpirtit e sjelljes së njerëzve në situata të ndryshme. Ai i ka kushtuar vëmendjen konstrukioneve ideomatike, aforizmave e proverbave, metaforave dhe shprehjeve metaforike nën një gjuhë të pasur e fleksibile, përdorimit të fjalëve e shprehjeve të rralla të tabanit popullor, proverbave e aforizmave. “Mund të thuhet se, në qoftë se aforizmat e Shekspirit janë quajtur margaritarë të veprave të tij, atëherë, lirisht mund t’i quajmë përkthimet e tyre në gjuhën shqipe nga S.Luarasi margaritarë të mjeshtërisë së përkthyesit tonë…Përkthimet e veprave të Shekspirit nga Prof.Skënder Luarasi pa mëdyshje i takojnë fondit elitar botëror të përkthimeve’’ (9) (Sh. Shaqiri: Artikull i cituar, f.14.)
Vlerë të posaçme në përkthimet e Luarasit paraqet thesari i pasur gjuhësor, në të cilin gjejmë mjaft shprehje ”popullorçe”. Frazeologjia popullore dhe proverbi popullor ka pasur gjithmonë ndikim të madh në gjuhën e shkruar shqipe. Ato kanë ndihmuar për njohjen më të mirë të letërsisë botërore, për zhvillimin e shijes letrare ndër lexuesit shqiptarë, për ngritjen e kritereve të tyre artistike , për zgjerimin e diapazonit estetik e kulturor në përgjithësi por edhe për të kritikuar e demaskuar grupimet e privilegjuara e vetë kreun e diktaturës
Skënder Luarasi i jepte rëndësi të madhe komenteve, diskutimit në auditor, improvizimit të skenave në auditor dhe shfaqjes në skenë të veprave të Shekspirit. Përveç temave në hartime e referate, improvizimit të auditorit në miniteatro, një pjesë e përkthimeve të tij u dhanë me sukses në teater. Veprat e Shekspirit janë shfaqur me sukses nga Teatri Kombëtar e teatrot e rretheve. Efektin e mesazheve shekspiriane na e ka saktësuar i përndjekuri politik Spartak Ngjela, i cili kujton se kur Teatri Kombëtar shfaqi dramën Rikardi II, diktatori i zemëruar e la shfaqjen përgjysëm. Ndaj edhe i paharruari Agim Qirjaqi përgatiti shfaqjen e parë si regjisor me “Rikardi III” të Shekspirit ne vitin 1992 dhe korri suksesin e merituar.
Se si interpretoheshin mesazhet shekspirine sipas realitetit e dëshmon edhe kjo
bisedë e lirë me studentët mbi dramën e Shekspirit ”Komedia e keqkuptimeve”.
Një studente e ngacmuar nga tema, pyeti Skënder Luarasin:
– A mund të na thoni, profesor, se me kë duhet të martohemi?
– Nuk mund të them se me kë duhet të martoheni, por me kë nuk duhet të martoheni!
– Sigurisht, jo me budallain, profesor .
– Jo, budallai nuk është rasti më i keq, por frikacaku!
– Po pse?
– Sepse një ditë të bukur, tek dilni për shëtitje në pyll, befas, ju del ujku. Gjëja e parë që do të bënte budallai, po ta dojë gruan, do t’i turrej ujkut, ndërsa frikacaku do të fshihej prapa saj dhe do të lutej të mos e hante atë por: “Haje gruan!”
Në vitin 1964, me rastin e 400-vjetorit të lindjes së Shekspirit, ai botoi disa artikuj, diskutoi në konferencën jubilare dhe organizoi me studentët e degës së anglishtes teatrin studentor ku u luajtën drama ‘’Shtrëngata‘’ dhe komedia ‘’Si ta doni‘’. (10)
(S. Luarasi, Shekspiri i madh, Drita, 19 prill 1964, f.3)
Skënder Luarasi dhuronte shumë libra ndër miq e institucione ndërkombëtare. Në këtë përvjetor ua dërgoi përkthimet e tij edhe Muzeut Britanik, Departamentit të Librave në Londër, Qendrës “Shekspir“, Biblioteka e vendlindjes, e riorganizuar me rastin e organizimit të festivalin përkujtimor.
Muzeu Britanik
Muzeu i librave të shtypur
Londër
16 Prill 1964
Z. Skënder Luarasi
Universiteti i Tiranës
Shqipëri
Sër,
Unë kam nderin tju bëj të njohur me falenderime marrjen e veprave të përmendura më poshtë që ju keni patur mirësinë tia dhuroni Fondit të Muzeut Britanik
Unë jam Sër,
Shërbëtori juaj i bindur
Ali Hudd
Librat e dhuruara:
Longfello H. : Kënga e Hajavathës
Shekspir U. : Mbreti Lir
Luarasi S. The Kyrias sisters
Festivali i Përvjetorit të të Shekspirit 1964
Zyra e Festivalit
Henley Street
Stratford-upon-Avon
Angli
7 Qershor 1964
Z.Skënder Luarasi
Universiteti Tirana
Shqipëri
I dashur z. Luarasi,
Më vjen keq që nuk ju kam shkruar më parë për tju falenderuar për dhuratën e këndshme të tre veprave të Shekspirit në shqip të përkthyera prej jush.
Unë do të dëshiroja të përcjell urimet më të mira të Fondit të Vendlindjes së Shekspirit për këto botime shumë interesante për Bibliotekën e Vendlindjes, e cila si mund të keni dijeni është vendosur në qendrën e re të Shekspirit, e cila është hapur zyrtarisht më 23 Prill të këtij viti për të shënuar 400-vjetorin e Lindjes së Shekspirit
I juaji sinqerisht
Peter Meseser
Ndihmës Drejtor i Festivalit
Në këtë mënyrë Skënder Luarasi ia bënte të njohur botës së qytetëruar se edhe gjuha shqipe është e aftë të përkthejë me dinjitet Shekspirin, edhe populli shqiptar është pjesë e qytetërimit botëror.Nuk mund të bënte më shumë në kushtet e një sistemi diktatorial që ia pengonte përfaqësimin e vlerave në arenën ndërkombëtare.