• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rubrika e Diellit: Tingellime vendemrash Ilire:ÇAJUPI

November 7, 2013 by dgreca

Nga e mori mali këtë emër?/

NGA NELSON ÇABEJ/

 Një nga majat më të njohura të maleve që rrëthojnë lugnën e Drinos në rrethin e Gjirokastrës është maja e Çajupit. Duke u lartësuar ne formën e një piramide  mbi vargmalin e Lunxhërisë, kjo majë arrin një lartësi prej 1530 metrash, duke zotëruar pamjen, posaçërisht në anën veriore të luginës së lumit Drino.

Si një objekt natyror gjeografik, Çajupi ka zënë një vënd të veçantë në vetëdijen dhe botën shpirtërore të banorëve të zonës e përtej saj. Ai është bërë symbol i madhështisë natyrore dhe i dlirësisë, i klimës  gjallëruese dhe i ujit të ftohtë, që siç i këndon populli “nuk është ujë për të pirë, por ilaç për të sëmurë’.

Në folklorin gojor të zonës, Çajupi është rrënjosur edhe si strehë e luftëtarëve për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si strehë dhe kamp malor i çetës së Çerciz Topullit e Mihal Gramenos dhe si “jatak i Bilbil Hajdutit”. Poeti ynë kombëtar, Andon Zako, e zgjodhi emrin e këtij mali si pseudonimin (akronimin) e vet letrar. Më së fundi, Çajupi, ashtu si dhe disa maja të tjera të larta të Shqipërisë (Tomor, Gramoz, Korrab, Shkëlzen, Sharr, etj.) përdoret edhe si emër njeriu.

Ne dimë se, si një trashëgim i kulturës fillestare të përbashkët indoevropiane, ndër ilirët, si dhe popuj të tjerë indoevropianë, malet, sidomos ato me forma të theksuara ngjitëse, me majat e tyre të mbuluara me borë, janë adhuruar si perëndi (Andon Zako (Çajupi) e quante malin e Tomorit “fron i Perëndisë”). Megjithatë, nuk dimë që në folklorin lokal të jetë ruajtur deri në ditët tona ndonjë funksion mitologjik i Çajupit.

Ne nuk jemi në gjëndje ta lidhim arsyeshëm emrin e kësaj maje me ndonjë fjalë të leksikut të sotëm të shqipes për të nxjerrë kuptimin e mundshëm ose prejardhjen e vëndemrit Çajup. Kjo na detyron të kthejmë vështrimin nga faza e lashtë e gjuhës shqipe, nga ilirishtja, si një pjesëtare e familjes së gjuhëve indoevropiane.

Shqyrtimi në këtë rrafsh kronologjik ilir duket shpresëdhënës. Nga kjo pikëpamje, duket se ky vëndemër është një emër i përbërë. Forma e rikonstruktuar ilire mund të ketë qënë *skaiop, që mund të zbërthehet në *skai ‘i ndritshëm, i shkëlqyer’ + op ‘pamje, sy’, në kuptimin “pamje e ndritur, e shkëlqyer’. Përbërësi i dytë -up mund të ketë dalë nga rrënja indoeuropiane *okw ‘shoh, sy’. Shndërrimi okw> op është bërë regullisht sepse, sipas Pokornit, mutacioni k >p ndër gjuhët indoeuropiane është karakteristik vetëm për ilirishten dhe greqishten1. Në shqipen e sotme rrënja indoeuropiane okw> op ruhet, ndër të tjera ne format e së kryerës së thjeshtë pashë, pe, pamë, patë, panë2.  Nga pikëpamja kuptimore kjo përputhet mirë me pamjen e shkëlqyer të malit nga Gjirokastra dhe lugina e Drinos, sidomos kur mali është i mbuluar me borë .

Evolucioni i emrit të këtij mali mund të përfytyrojet si më poshtë: Skaiop > Çaiop > Çajup. Shndërrimet sk > ç dhe o > u  janë karakteristike për shqipen (kështu ka dalë fjala çerdhe nga rrënja  indoeuropiane *skerdh ose çalë nga *skel).

Në mbështetje të kësaj hamendjeje vjen edhe fakti që në po këtë rajon rrënja -op- del  edhe në emrat e  dy maleve të tjerë, Merop dhe Aerops, që përmënden në burimet e lashta, e që mendohet se gjënden përballë njeri tjetrit në grykën e Këlcyrës në të dy anët e lumit Vjosa3.

Referimet

1. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Bern : Francke, 1959-1969.

2. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Tiranë, f. 152-153.

3. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodwell, New Bond Street, f. 385 and 389.

Filed Under: Kulture Tagged With: Cajupi, Nelson Cabej, rubrika e Dielli

Rubrika e Diellit-DROPULLI

November 2, 2013 by dgreca

Nga NELSON CABEJ/

 Me këtë emër njihet lugina e rrjedhjes së sipërme të lumit Drino, në rrethin e Gjirokastrës. Përgjithësisht pranohet se emri i Dropullit rrjedh nga emri i një qyteti të lashtë iliro-epirot që është lokalizuar me siguri në atë rajon, rreth 14 km në jug të Gjirokastrës. Në dokumentet e lashtësisë ky qytet del me emrin Hadrianopolis (Άδριανούπολις) dhe është thënë se këtë emër qytetit ia kanë vënë për nder të perandorit romak, Hadrian (76-138 të erës sonë), që  sundoi si perandor për 21 vjet, nga viti 117 deri në vdekjen e tij në vitin 138.

Megjithatë, dokumente autentike, joanekdotike, se ky qytet e mori emrin nga perandori Hadrian, me sa di unë të paktën, nuk ka. Ne dimë se për nder të atij perandori u emërtua Hadrianopolis, qyteti mbi të cilin është ngritur Edreneja në Turqinë europiane, dimë për Murin e Hadrianit që ai ngriti në veri të Anglisë, dimë se ai perandor ngriti një bibliotekë madhështore në Athinë si dhe një lagje krejtësisht të re, që për nder të tij u quajt Hadrianupolis1,2. Ndonëse Hadriani u shqua për vizitat që bëri anembanë perandorisë, si kurrë ndonjë perandor tjetër, nuk dimë që ai ta ketë vizituar ndonjëherë këtë qytet, e mbase  as  rajonin e Epirit. Ai ndërtoi shumë ujësjellsa, amfiteatre, duke përfshirë amfiteatrin në Durrës, biblioteka dhe banja por nuk dimë të ketë bërë ndonjë gjë të tillë në “Hadrianopol”.

Për të gjitha arsyet e sipërpërmëndura, prejardhja e vëndemrit Dropull duhet kërkuar edhe diku tjetër dhe, lidhur me këtë, duhet mbajtur mënd se për pesë shekuj para se të bëhej Hadriani perandor, d.m.th. që nga koha kur u themelua në shekullin IV p.e.s., ai qytet ka pasur një emër. Cili  duhet të ketë qënë ai emër?

Në gjysmën e parë të shekullit VI qyteti del në formën Hadrianupolis (Ἀδριανούπολις)3 te Synecdemos e Hieroklit.

Ndërkohë që nuk kemi të dhëna të tjera të lashta që mund të shfrytëzoheshin për të gjetur prejardhjen e vëndemrit Dropull, ne kemi nje burim gjuhësor, që është shfrytëzuar për herë të parë nga E. Çabej (1987). Është fjala për emrin e lumit Drino nga i cili, mendonte ai, ka dalë emri Drino-polis (qyteti i Drinos), në bregun e majtë të të cilit ky qytet shtrihej para se të zhvendosej në kodrat e fshatit të sotëm Peshkëpi, në të djathtë të rrjedhjes së Drinos, në periudhën e sulmeve barbare nga shekulli VI, kur administrate bizantine e ripagëzoi këtë qytet me emrin Justianianopolis. Siç na bën të dimë Prokopi i Cezaresë: “Këtu, gjithashtu, ai ndërtoi qytetin Justinianopolis, i cili më parë quhej Adrianopolis”)5. Por vetëm tre shekuj më vonë, në shekullin  X, Konstantin Porfirogeneti, në një listë të qyteteve të Epirit të Vjetër, e jep përsëri emrin e qytetit në formën klasike Hadrianopolis (Άδριανούπολις)6.

Emri Drin është një emër tipik i lumenjve në Iliri. Në trojet e Ilirisë së jugut sot ky emër del  në lumin Drino -degë ë Vjosës- (Gjirokastër) si dhe në Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi, kurse në trojet ilire të veriut ai del te lumi Drina në Bosnjë. Ne dimë se emrat e lumenjve në Iliri janë përdorur për të emërtuar qytetet që shtriheshin  në brigjet e tyre ose në luginat e tyre (kujto Salonën, Naronën dhe Rizonin në bregdetin  dalmat, Devollin dhe dhe Skampën e lashtë, p.sh.). Për këtë arsye, ngjashmëria e emrit të qytetit mbi Drino (Drinopolis) me emrin e perandorit Hadrian mundtë ketë ndikuar në autorët e lashtë për të quajtur atë qytet Hadrianopolis (kujto këtu se Ptolemeu quan Albanopolis kryeqendrën e fisit të albanëve, ndërkohë Zgërdheshi i sotëm ku është lokalizuar me siguri ai qytet, pas gjithë gjasash, ka qënë quajtur Skydreon polis (Σκυδρέων πόλις) e mbase thjesht Skydreon).

Burimet e lashta dhe mesjetare përgjithësisht janë konservative në kuptimin që forma në të cilën shfaqen emrat e qyteteve në ato burime shpesh janë forma të vjetruara ose libreske, larg emrave të vërtetë bashkëkohorë (shëmbuj, Berati, Vlora, Gjirokastra, Butrinti)

Është me interes të vihet re se të dy emrat libreskë Hadrianopolis dhe Justinianopolis nuk mbijetuan dhe u shuan jo vetën nga kujtesa e banorëve të atyre anëve por gradualisht edhe nga burimet historike bizantine. Të paktën që nga fillimi i shekullit IX, d.m.th. dy-tre shekuj pas futjes së emrit Justianopolis ai qytet del me emrat Adrianopoulis/Dryinopolis si qendër peshkopate7. Në vitin 1018 qyteti del me emrin Dryinoupolis, krahas njëmbëdhjetë qyteteve të tjerë Epirit, Nikopolit (Νικόπολις), Dodonës (Δωδώνη), Finiqit (Φοινίκη), Anhesmit (Άγχιασμός), Butrintit (Βουϑρωτός) dhe ujdhesave të Korfuzit (Κερκυρα) e të Itakës (Ίϑάκη) 8. Shihet se pas shekullit X emri Adrianopoulis ka humbur A-në fillestare për të dhënë formën Dryinopolis, që do të mbizotërojë në burimet e mëvonshme bizantine. Kështu, në shekujt XI-XII del si një nga peshkopatat ndihmëse (suffragane) të peshkopatës metropolitane të Naupaktit, krahas atyre të Janinës, Butrintit, Artës etj. 7, 10 .

Për të shpjeguar këtë dukuri fonetike duhet ose të pranohet se format Hadrianopolis dhe Justinianopolis janë forma letrare skolastike të variantit  hipotetik *Drinopolis ose shpjegimin alternative se emri i qytetit Hadrianopolis duke filluar nga shekulli X kishte evoluar në Drinopolis, evolucion që mund të shpjegohet me regullat fonetike të shqipes, por të asnjë gjuhe tjetër të popujve fqinj të Ballkanit ose të latinishtes.

Ndërkohë që hipoteza e Çabejt se emri original i qytetit ka qënë Drinopolis4 ka përparësi për arsyet që u parashtruan më parë në këtë shkrim, hipoteza që e lidh emrin e Adrianopolisit me emrin e perandorit Hadrian, nga e cila anon Profesor Demiraj8 nuk mund të hidhet poshtë përfundimisht.

Thelbësore këtu është se cilido shpjegim i prejardhjes së emrit Drinopolis të pranohet, evolucioni i këtij emri u bë në bazë të fonetikës shqipe, gjuhës së banorëve të lashtë të luginës së Drinos.

Referimet

1. Brockhaus` Konversationslexikon, 1902-1910, II, 14 Auflage, Brockhaus, Leipzig-Berlin Wien, f. 24.

2. Cybulski, S. (2013). Die Kultur der Griechen und Römer: Bilderatlas der Gebrauchsgegenstände und Bauten. BoD – Books on Demand, f. 31.

3. Hieroclis Synekdemos (Guide). Sipas Ernest Honigmann, Le Synecdèmos d’Hiéroclès et l’opuscule géographique de Georges de Chypre, Bruxelles 1939 referenca 651, 8).

4. Çabej, E. (1987). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes III, Tiranë, f. 319.

5. Procopius Buildings Libri IV, 1, 36.

6. Corpus  Scriptorium Hisotoriae Byzantinae. Constantinus Porphyrogenitus. Ed. B.G. Niebuhr, Bonn, 1840,  p. 392-393.

7. Prinzing, G. (2012). The AutocephalousByzantineEcclesiasticalProvince of Bulgaria: Hoë independent ëere its archbishops? Bulgaria Mediaevalis, III, 355-383 (376).

8. Demiraj, Sh. (2008). Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët. Infbotues, Tiranë, f. 170-71.

9. Haldon, J.F. (1999). Ëarfare, State and Society in the Byzantine Ëorld, 565-1204. Psychology Press, f. 89.

10. Angold, M. (2000). Church and Society in Byzantium under the Comneni, 1081-

Filed Under: Kulture Tagged With: dropulli, Nelson Cabej, rubrika e Diellit

RUBRIKA E DIELLIT-KU GJENDET DAMASTIONI ILIR

October 22, 2013 by dgreca

Nga Nelson CABEJ/

Damastioni ka qënë një qytet ilir që përmendet nga Straboni (63 p.e.s.- 26 të e.s.) në fillim të erës së re, në një kontekst të tillë:“Mbi Epidamnin dhe Apolloninë, deri në malet Keraune banojnë bilinët, taulantët, partinët dhe brigët. Diku aty afër gjënden minierat e argjëndit të Damastiumit, rreth të cilave kanë vendosur sundimin e tyre dyestët dhe enkelejtë (që quhen edhe sesaretë) dhe afër këtyre popujve janë edhe linkestët, territori i Deriopit, Tripoliti pelagonian, eordët, Elimea dhe Eratyra”1 Përshkrimi i hollësishëm i fiseve që banonin rreth Damastionit, tregon se Straboni e njihte relativisht mirë lokalizimin e këtij qyteti ilir.

Damastioni ishte i njohur në botën e lashtësisë për minierën e argjëndit dhe për monedhat e argjendit që priste ky qytet si dhe qyteti fqinj Pelagia për një periudhë që zgjati deri nga shekulli IV p.e.s. Monedhat e argjendit me stampën Damastinon (ΔΑΜΑΣΤΙΝΩΝ) janë gjetur në territore shumë të gjera të Ballkanit (Shqipëri, Sërbi, Greqi, Maqedoni, Bullgari e, në veri, deri në Trieste). Nuk dimë që në burimet e lashta ky qytet të jetë përmendur në ndonjë kontekst tjetër të zhvillimeve politike, shoqërore ose kulturore të Ilirisë së jugut.

Në shekullin XIX u bënë përpjekjet e para për ta lokalizuar këtë qytet të lashtë. Në vitin 1874 numismati zviceran Friedrich Imhof-Blumer (1838–1920) parashtroi hamëndjen se ky qytet mund gjëndej në fshatin Damës të Tepelenës, me sa duket duke u mbështetur  kryesisht në ngjashmërinë e vëndemrit të lashtë me emrin e fshatit Damës. Kjo hamëndje u vu në dyshim nga Philippson në vitin 1900 sepse, sipas tij “sot nuk njihen vëndburime argjëndi në ndonjë pjesë të  Ilirisë jugore ose të Epirit”, andaj ai e lokalizon atë në Argyrium (Gjirokastër) duke u bazuar kryesisht ne lidhjen e emrit të këtij qyteti me fjalën argjënd. Historiani çek Konstantin Jireçek, në një studim që botoi në vitin 1916, shprehu mendimin se Damastioni mund të gjëndet në Dibrën e sotme.

Mungesa e vendburimeve të argjëndit në Ilirinë e jugut bëri që vëmëndja e studiuesve të drejtohet ndaj atyre rajoneve që dihet se kanë vëndburime argjëndi. Kështu, studiesi nga Kosova, Zef Mirdita, në një studim të botuar në 1981 e lokalizoi Damastionin në territorin e Dardanisë e këtij opinioni i përmbahen edhe hartuesit e Fjalori Enciklopedik Shqiptar në zërin ‘Damastion’2. Kohët e fundit (2007) studiuesi sërb Popović e ka lokalizuar atë në Sërbinë juglindore, që banohej në lashtësi nga nënfisi agrian i fisit ilir të peonëve3.

Lidhur me hamëndjen e parë të lokalizimit të Damastionit në Damës të Tepelenës, duhet thënë se atë e bën të pabesueshme jo vetëm mungesa aty e vëndburimeve të  argjëndit më shumë se sa fakti që as enkelejtë, as linkestët, as pelagonët nuk kanë qënë afër këtij rajoni në lashtësi.

Edhe hamëndja e lokalizimit të Damastionit në Dardani dhe në Kale Krsevica të Sërbisë është po kaq e pabesueshme, për arsye se gjeografikisht është shumë larg fiseve që, sipas Strabonit banonin në afërsi të Damastionit.

Ka historianë që besojnë se një nga arsyet e themelimit të kolonive greke në Epir kanë qënë minierat e argjëndit të Damastionit. Kështu, në shekullin VII p.e.s. tirani i dytë i Korinthit, Periandri (c. 628–588) “themeloi kolonitë korinthiane në bregdetin e Epirit për të vënë nën kontroll minierat e argjëndit të Damastionit … mund të ketë qënë argjëndi i Damastionit që e lejoi Korinthin të priste monedha”4. Kundër lokalizimit të Damastionit në Dardani flet edhe fakti që në Damastion u prenë monedha argjëndi deri ne shekullin IV p.e.s., kurse jeta qytetare në Dardani ka filluar jo më parë se shekulli III p.e.s.

Çdo hamëndje e besueshme për lokalizimin e këtij qyteti ilir duhet të mbajë parasysh tre kritere:

a. Një kriter historik, d.m.th. të përputhet me të dhënat e hollësishme të Strabonit  për lokalizimin e tij,

b. Një kriter gjuhësor, d.m.th të gjëndet nje vendemër i sotëm që ruan, sigurisht në një formë të evoluar, rrënjën e  vendemrit Damastion, dhe

c. Një kriter gjeologjik, d.m.th. të mund të provohet se në afërsi të qytetit ka pasur në atë kohë miniera/minerale argjëndi.

Nga pasazhi i Strabonit, që sollëm në fillim të këtij shkrimi, del se ky qytet u përkiste dyestëve dhe/ose enkelejve/desaretëve. Ndërkohë që fisi i dyestëve nuk del në ndonjë burim tjetër të njohur të lashtësisë dhe për lokalizimin e tyre nuk mund të flitet me siguri, fiset fqinjë të tij si linkestët dhe eordejtë, që përmënd ai, gjënden rreth liqenve të Prespës dhe Ohrit. Kjo kërkon që ta drejtojmë vëmëndjen nga ai rajon i Ilirisë së jugut.

Duke shqyrtuar të dhënat e mësipërme del se në perëndim të Damastionit  gjëndeshin taulantët, partinët dhe brigët kurse në lindje të tij ishin linkestët paionët dhe eordejtë. Këto të dhëna historike e ngushtojne mjaft zonën ku duhet ta kërkojmë Damastionin: në zonën në perëndim të liqenit të Ohrit.

Pikërisht në këtë zonë të ngushtë gjëndet një vëndemër që plotëson jo vetëm kriterin gjeografik por dhe kriterin gjuhësor të lokalizimit të Damastionit. Ky vëndemër është Domosdova që njihet kryesisht me emrin Fusha e Domosdovës, e  njohur veçanërisht nga beteja e madhe që mendohet se prijsi i madh i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me ushtrinë e tij zhvilloi kundër ushtrive turke në vitin 1444. Vëndemri Fusha e Domosdovës menjëherë të kujton emrin e Damastionit dhe përmban të plotë rrënjen e atij vendemri ilir. Kështu, ky vëndemër plotëson si kriterin gjeografik (bazuar në të dhënat e Strabonit) dhe kriterin gjuhësor (ai përmban thuajse të pandryshuar rrënjën ilire të vëndemrit Damast-).

Megjithatë, fakti që sot në atë rajon nuk ka miniera argjëndi duket sikur flet kundër hamëndjes së lokalizimit të Damastionit në fushën e Domosdovës ose diku afër saj. Por, kjo vështirësi nuk është e pakapërcyeshme, po të mbahet parasysh se shumë miniera argjëndi që do të shfrytëzoheshin aq herët, qysh në agimin e jetës qytetare në Iliri, nga shekulli VI p.e.s., do të shteronin me kohë. Veç kësaj, historianë të huaj njoftojnë, por pa dhwnw burimin) se rajoni kufitar shqiptaro-maqedon në afërsi të liqenit të Ohrit ishte i njohur në lashtësi për minierat e tij të pasura të argjendit5.

Në të mirë të hamëndjes sonë flet edhe një tregues tërthor por elokuent, që është ekzistenca ekzistenca ende sot në atë rajon e mineralit të nikel-kobaltit, që shumë herë përmban edhe argjënd.

Një etimologji popullore e ka lidhur prejardhjen e vëndemrit Domosdovë me  fjalën turke domuz, që do të thotë derr. Sado afërmëndsh që të duket, një etimologjizim i tillë nuk mund tu bëjë dot ballë disa kritikave.

Së pari, në qoftë se ky vëndemër do të ndahej në dy përbërës: domus dhe dova, ky përbërësi i dytë dova nuk do të mund të shpjegohej as me turqishten as me shqipen as me ndonjë nga gjuhët e sotme ose të lashta të popujve fqinjë ballkanikë.

Së dyti, në qoftë se, ashtu siç mund të jetë në të vërtetë, në atë përbërës do të dallonim mbaresën sllave –ova, mbetet e pashpjeguar futja e d-së midis dy përbërësve.

Së treti, është e pabesueshme që, në troje shqiptare, një vëndemër turk, d.m.th. i futur kaq vonë, pas shekullit XV të mirrte mbaresën sllave –ova.

Hedhja poshtë e këtij etimologjizimi popullor, në mënyrë të natyrshme na bën ta kërkojmë futjen e mbaresës sllave –ova në epoka më të hershme, si rrjedhim i ndikimeve administrative, fetare e kulturore të sundimit bullgar (shekujt IX – XI) ose të sundimit sërb (shekujt XIII-XIV). Le të mos harojmë se një qytet arbëror si Ohri, që ishte në afërsi të drejtpërdrejtë me Domosdovën, ka qënë edhe kryeqytet dhe kryeqendra fetare e perandorisë bullgare.

Një shqyrtim gjuhësor tregon se rrënja domosd- e vëndemrit Domosdovë përputhet fare mirë me atë të Damastionit dhe shndërrimet a > o dhe  d > t në pozicionet përkatëse kanë ndodhur në pajtim me ligjet fonetike të shqipes.

Duke u mbështetur në topografinë e krahinës, ne mund të arrijmë në përfundimin hipotetik se Damastioni ilir ka qënë aty ku ndodhen sot rrënojat e një qyteze të lashtë ilire të shekullit VII p.e.s. në fshatin Rrajcë (gjetjet më të hershme në këtë rajon i takojnë neolitit) të rrethit të Librazhdit.

Jeta në Damastion, si dhe në shumë qytete të tjera ilire, mund të jetë shuar në lashtësinë e vonë, si pasojë e dyndjeve barbare dhe kjo mund të ketë bërë që emri i qytetit të fshihej nga vetëdija historike e banorëve të rajonit. Por ka arsye të mjaftueshme për të besuar se emri dhe kujtimi i qytetit u përjetësuan në një monument gjuhësor, në emrin që i dhanë banorët e asaj ane fushës që shtrihej në këmbët e Damastionit, fushës që sot e njohim si Fusha e Domosdovës.

Referimet

1. Strabo, Geography, Libri VII, 7: “τῆς γὰρ Ἐπιδάμνου καὶ τῆς Ἀπολλωνίας μέχρι τῶν Κεραυνίων ὑπεροικοῦσι Βυλλίονές τε καὶ Ταυλάντιοι καὶ Παρθῖνοι καὶ Βρῦγοι: πλησίον δέ που καὶ τὰ ἀργυρεῖα τὰ ἐν Δαμαστίῳ, περὶ ἃ Δυέσται συνεστήσαντο τὴν δυναστείαν καὶ Ἐγχέλειοι, οὓς καὶ Σεσαρηθίους καλοῦσι: πρὸς δὲ τούτοις Λυγκῆσταί τε καὶ ἡ Δευρίοπος καὶ ἡ τρίπολις Πελαγονία καὶ Ἐορδοὶ καὶ Ἐλίμεια καὶ Ἐράτυρα.”.

2. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985). Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë.

3. Popović, P. (2007). Numismatic finds of the 4th-3rd centuries BC from Kale at Krševica (southeastern Serbia).  Arheološki vestnik 58,  411-417.

4. The Solonian Reform. Internet:

http://www.metrum.org/measures/solonian.htm: “established colonies on the coast of Epiros in order to obtain control of the silver mines of Damastion. … it may have been the silver of Damastion that allowed Corinth to strike coins”

5. Cabanes P. (2008). Greek Colonisation in the Adriatic f. 155-185 (170). Në Greek Colonisation – An account of Greek colonies and other settlements overseas II, Red. G.R. Tsetskhladze, Brill, Leiden-Boston.The Albanian-Macedonian border region, in the vicinity  of Lake Ohrid, was known in antiquity for its rich silver mines; the  growth of rich princely families, marked by contacts with the Aegean world. The name of Damastion was associated in the 4th  century B.C. with good quality silver minting. Corinth was able to mint fine silver coins from very early on, but it could not extract the silver essential for this from its own territory. Finally, it serves to recall that Strabo (7. 7. 8) reports that the king of the Lyncestians was a member of the Bacchiad family from Corinth, which might lead one to believe that the mines were exploited for profit by this Greek metropolis before money was minted in the city of Damastion.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: damsoni ilir, Nelson Cabej

Rubrika e Diellit- KU ISHTE OMBALI I LASHTË

October 20, 2013 by dgreca

Nga Nelson ÇABEJ/

Një nga qytetet e lashta të Epirit që përmënd Ptolemeu është Ompali që Ptolemeu e shkruan Όμφάλιον (Omphalion) 1 dhe e lokalizon në koordinatat me gjatësi 450 40’ dhe gjerësi 380 40’. Ky qytet duket se ka qënë qendra kryesore e fisit të ompalëve, të cilët Stefan Bizantini i përmënd krahas fisit të parauejve, që gjithashtu jetonin në luginën e rrjedhjes së sipërme të Vjosës (“te parauejtë dhe ompalejtë fisnikë… që banojnë pranë lumit Vjosa”)2 .

Në vitin 1835 studiuesi britanik W.M. Leake shprehu hamëndjen se Ompalioni i lashtë duhet të gjëndet në themelet e Përmetit. Ai mendonte se kështjella e ndërtuar sipër qytetit të Përmetit nga Ali Pasha Tepelena, ishte ngritur mbi akropolin e qytetit të lashtë, ndonëse ndërtuesi italian i kështjellës i kishte thënë se gjatë ndërtimit të kështjellës nuk kishte parë gjurmë të ndonjë vëndbanimi të lashtë3. N. Hammond e ka lokalizuar Ompalionin në Labovën e Kriqit pranë Gjirokastrës.

Kërkimet arkeologjike ende nuk e kanë gjetur fillin e Ariadnës që shpie te Ompalioni i lashtë, që, pas gjithë gjasash, ndodhet diku në luginën e Vjosës, në afërsi të Përmetit. Një mundësi e pashfrytëzuar për këtë qëllim do të ishte  kerkimi i provave gjuhësore që mund të ndihmojnë për vërtetimin e hipotezës së studiuesit  britanik, d.m.th. kërkimi i gjurmëve të vëndemrit Ompalion në rajonin rreth Përmetit.

Ptolemeu dhe Stefan Bizantini na kanë dhënë përkatësisht emrin e qytetit  Omphalion dhe emrin e fisit omphaleis.

Këtu eshtë e nevojshme të bëjmë një parantezë. Kombinimi ph (φ) i greqishtes së lashtë ka dalë nga indoevropianishtja -bh-. Ndryshe nga greqishtja e lashtë, në ilirisht dhe shqip -bh indoeuropiane ka dhënë -b. Kështu, mund të merret me mënd se rrënja indoeuropiane *nobh- nga e cila ka dalë greqishtja omphalos (ὀμφαλός) ‘kërthizë’, në ilirisht do të ketë dhënë emrin *ombalos ‘kërthizë’ dhe emrin e qytetit *Ombalion. Ka arsye të besohet se forma Omphalion (Όμφάλιον), që del në burimet e lashta greke përfaqëson një helenizim/letrarizim të emrit origjinal të qytetit, që mund të jetë stimuluar edhe nga miti rreth fushës Omphalion (kërthiza e botës) në Kretë, ku Rhea lindi Zeusin. Përsa i takon mbaresës -ion duhet thënë se ajo është karakteristike për ilirishten, siç mund të provohet nga emrat e shumë qyteteve ilire dhe epirote si Damastion, Pelion, Kodrion dhe Krisondiona në Ilirinë e jugut, Dalmion, Oiminikaion dhe Epetion në Dalmaci, Merion në Dardani, Parsion, Rittion, Serbition dhe Potobion në Panoni, Thronion, Passaron dhe Kodrion në Epir, etj. Studiuesi  britanik Arthur B. Cook mendon se rrënja e vëndemrit mund të jetë *ompha, që, sipas tij, do të thotë  “zë orakullar”4 nga e cila, nëpërmjet etimologjizimit popullor, ka dalë Omphalion.

A ruhet ndonjë gjurmë e emrit të qytetit Ombalion në afërsi të Përmetit? Përgjithësisht, emrat e qyteteve, maleve dhe lumenjve, ndryshe nga emrat e fshatrave dhe mikrotoponimeve të tjera, janë të qëndrueshëm dhe i rezistojne kohës, duke evoluar, por edhe kur jeta në qytet për arsye të ndryshme shuhet dhe qyteti braktiset duhet pritur që emri i qytetit të lashtë të mos humbasë por mbartet në ndonjë vëndbanimi, mal, a vënd tjetër në afërsi.

Nga kjo pikëpamje, në  këtë zonë mund të shqyrtohen dy vëndemra, të cilët mund të kenë dalë nga emri i qytetit të zhdukur *Ombalion. Së pari, emri i fshatit Bual, që gjëndet në afërsi të drejtpërdrejtë të Përmetit. Nga ana gjuhësore kjo mundësi është e përligjur fare mirë (humbja zanores ballore o- të patheksuar dhe e mbaresës –ion dhe diftongizimi a-së në -ua-, përmes ndryshimit në -o-). Një mundësi e dytë është që vëndemri *Ombalion të ketë evoluar për të dhënë emrin e malit të Dhëmbelit, në rëzën e të cilit shtrihet Përmeti. Kjo do të mund të ndodhte në qoftë se theksi në vëndemrin Ombal do të binte në zanoren ballore o-. Në një rast të tillë evolucioni i vëndemrit mund të përfytyrohet si vijon: Ombalion > Ambal > Ëmbel > Dhëmbel, ku forma e fundit, Dhëmbel mund të jetë rezultat i një etimologjizimi popullor (Volksetymologie), që synon t’i japë një kuptim vëndemrit – një dukuri jo e rrallë në  evolucionin e vëndemrave në Shqipëri dhe në Europë.

Referimet

1. Claudii Ptolemaei, Geographia, Leipzig, 1843, Libri III, 14, 7.

2. Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt. Red A. Meineke, Berlin, G. Reimer, 1849. f. 503: “σὺν δὲ Παραυαίους καὶ ἀμύμονας Όμφαλιῆας… δὲ ἀπὸ τοῦ παρὰ τὸν Αὺον ποταμὸν οἰκεῖσϑαι”.

3. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece. I, London, J. Rodëell, Neë Bond Street, f. 392.

4. Cook, A.B. (1904). The European sky-God. Folk-Lore XV, 369-426.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i lashte, Ku ishte omballi, Nelson Cabej, rubrika e Diellit

Rubrika e Diellit- NGA DOLI EMRI I BALLSHIT

October 17, 2013 by dgreca

Nga Nelson CABEJ/

 Krahina e bylinëve “ager Bullinum” (trojet e Bulinëve)1, gjëndej në krahun e djathtë të lumit Vjosa (Aoos), i cili i ndante ata nga fisi i amantëve. Sipas Stefan Bizantinit, βουλῖνοί ose bulinët (kështu shqiptohej ky emër fisi në greqishten klasike) ishin një fis në Iliri (ἔϑνος περὶ Ἰλλυρίαν), kurse kryeqendra e tyre ishte Βύλλις2, që shqiptohej Bylis në greqishten klasike dhe Bulis në greqishten e lashtë. Edhe latinët emrin e fisit e shënonin Bullini. Në juglindje krahina kufizohej me trojet e parauejve, kurse në veri – me taulantët, por sipas Tit Livit (59 p.e.s.-17), ajo shtrihej deri në brigjet e Adriatikut.

Bylisi ka ekzistuar si qytet të  paktën që nga shekulli IV p.e.s. dhe arriti lulëzimin e tij të plotë para pushtimit romak të Ilirisë, në shekujt III-II p.e.s. Pas kësaj ai provoi një rënie graduale deri në shuarjen e plotë të jetës qytetare në të nga shekulli VI, siç duket, si pasojë e sulmeve barbare. Megjithatë, në shekullin VI, në  afërsi të qytetit të lashtë,  aty ku gjëndet Ballshi i sotëm, u ndërtua një bazilikë dhe më vonë, në shekujt XI-XII, në këtë  vëndbanim u bënë ndërtime me lëndën e sjellë nga rrënojat e Bylisit të lashtë. Bashkë me lëndën, njerëzit, duke braktisur qytetin, mbartën emrin e tij në vendbanimin e ri. Vazhdimësia fizike dhe historike e qytetit të lashtë në Ballshin mesjetar, dëshmohet jo vetëm nga të dhënat historike dhe arkeologjike por dhe nga pikëpamja gjuhësore toponomastike.

Autorët e lashtë na kanë lënë dy rrënjë alternative  bul- dhe byl- e para për emrin e fisit dhe e dyta për emrin e qytetit Bulis (Βύλλις)/Bylis. Në përdorimin e këtyre dy formave të emrit të qytetit nuk mund të përjashtohen edhe shtrembërimet eventuale, që lidhen me veçoritë e fonetikës e të drejtshkrimit të greqishtes së lashtë e të latinishtes. Në  përpjekjen për të përcaktuar se cila prej këtyre dy formave i përgjigjet më mirë shqiptimit original ilir të toponimit na krijohet tablloja krahasimtare e më poshtme.

Forma Bylis eshtë më e përhapur, por pranimi i kësaj forme nxjerr një vështirësi të  pakapërcyeshme gjuhësore: as rregullat fonetike të shqipes, as ato të greqishtes e të  latinishtes nuk mund të na shpjegojnë shndërrimin yàa, që vihet re në formën Balis (Philocaris episcopus Ballidi”) në  një  dokument të  vitit 4583 dhe si qendër peshkopate “Ballidi in Epirus nova”4.

Forma Boulis (Bulis) lejon dhe shpjegon evolucionin fonetik të këtij vëndemri që vihet re në burimet e lashta, d.m.th. format Belis dhe Balis. Ky evolucion mund të  shpjegohet me rregullat fonetike të shqipes ku janë të njohura shndërrimet ouàe dhe ouàa, që  kërkohen për të dalë  në format Belis dhe Balis.

Në qoftë se do ta shpinim këtë hetim më tej në lashtësi, do të gjenim se rrënja indoevropiane *bhel kishte kuptimin “fryhet”, që në gjermanishten ka dhënë “bal” – ‘top’ dhe në shqipen dha emrin “ballë ” e po kështu dha fjalët për ballë edhe në prusisht (ballo) e në indishten e vjetër (bhālam).

Hipoteza se me po atë rrënjë *bhel dhe me fjalën *bala, që është faza ilire e fjalës shqipe “ballë”6, doli vëndemri Boul(is), gjen një mbështetje të fortë në një fakt tjetër historiko-gjuhësor. Në kohën e sundimit bullgar kur Boulis u ripagëzua nga pushtuesit si Gllavinica [gllava (глава) është fjala e bullgarishtes mesjetare për kokë], që shihet qartë se ishte një përkthim nga shqipja për nevojat e administratës dhe kishës në kohën e sundimit bullgar në shekujt IX-XI. Po kështu, emri Boulis (Bulis) del i përkthyer edhe në burime mesjetare bizantine si Kephale nga greqishtja κεφαλή ‘kokë’.

Përkthimi i vëndemrave gjatë sundimit sllav dhe zëvëndësimi i emrave shqip ose përdorimi parallel i tyre është një dukuri e njohur në trojet shqiptare.  Kështu ka ndodhur me përkthimin e emrit Zagori nga vëndemri Prapamal. Emri Prapamal përdoret ende në ditët tona nga banorët e rrethit të Përmetit, por jo nga ata të Gjirokastrës, të cilët, duke qënë më pranë qendrës administrative të sundimit bullgar dhe sërb përdorin për këtë krahinë emrin Zagori. Po kështu, sipas gjuhëtarit rus A.M. Selishçev (1886-1942), ka ndodhur edhe me vëndemrin e sotëm Velipojë në rrethin e Shkodrës, që deri vonë quhej Fushgjanë dhe me fshatin Starovë në rrethin e Pogradecit që më parë quhej Plakoni7.

Forma Balis  mund të  kalojë  rregullisht  (në  baze të  rregullave të fonetikës historike të  shqipes) në formën e sotme Ballësh, që është emri i këtij qyteti, fqinj të vëndbanimit të  lashtë Bulis.

Fakti që evolucioni i toponimit të lashtë ilir Boulis në Ballsh ndodhi në përputhje me rregullat e fonetikës historike të shqipes, krahas faktit që në burimet mesjetare bizantine ky qytet del si përkthim i fjalës kokë në greqisht e bullgarisht përkatësisht si kephale (κεφαλή) dhe Gllavinica, tregon se qysh nga lashtësia dhe pa ndërprerje ai qytet ka qenë banuar nga shqiptarë.

Referimet

1. Titus Livius (Livy), The History of Rome, Libri 36, 7.

2. Stephani Byzantii ethnicorum quae supersunt. Red A. Meineke, 1849, Berlin.

3. Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, doc. no. 23.

4. Fabricius, J.A. Bibliotheca græca: sive, Notitia scriptorum veterum …, volumes 11-12, f. 274.

5. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Bern : Francke, 1959-1969.

6. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I, Rilindja, Prishtinë, f. 53.

7. Селищев, А. (1931). Славянское население в Албании. София.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Emri i ballshit, Nelson Cabej, rubrika e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT