Esse Nga Rafael Floqi/ DIELLI
Prapa shtëpisë sime ndodhet një shtëpi pleqsh. Rrallë i kam parë banorët e saj, vetëm atëherë kur vajza e ime e vogël mësonte biçikletën në oborrin e atij institucioni. Në atë rast, kur ime bijë foli me disa zonja të moshuara që ishin strehuar aty, lexova në sytë e atyre gjysheve një mal me mall si ai i dashurisë për nipat e mbesat.
Shpesh aty vjen ndonjë ambulancë apo makinë zjarrfikëse e kjo do të thotë se dikush nuk ndjehet mirë, elbete të moshuar mendoj. Gjithë këtë muaj duke qenë në karantinë e kam këqyrur atë shtëpi pleqsh me shqetësim dhe fatmirësish nuk kam dëgjuar sirena ambulancash. Por sot ishte diçka ndryshe. Dhjetëra vetura dhe SUV të zbukuruara u ranë burive për gati një gjysmë ore në parakalim, duke befasuar banorët dhe duke festuar ditëlindjen e ndonjë zonje aty brenda. Të dielën është Dita e Nenës thashë me vete, a do të ketë të dielën parakalime makinash si sot?
Po Dita e Nënës bie të Dielën, më 10 maj këtë vit. Dhe s’duhet të harroni dhe nëse se s’mund të gjeni fjalët e duhura për të shprehur sa e doni vërtet nënën atëherë veç i hapni asaj zemrën. Mos harroni se ajo është në punë 364 ditët e tjera të vitit, kështu që kur afrohet kjo e diel speciale, kushtojini nënës suaj respektin e duhur, jo vetëm me dhuratat më të mira dhe tufat e luleve më të bukura, por me praninë dhe me fjalët tuaja që t’i tregoni asaj se sa shumë e doni dhe interesoheni për të. Sa do të dhesha që mamaja ime të ishte edhe ajo ende këtu dhe unë të kisha mundësi ta çoja atë diku jashtë për darkën e dielës. Por ajo nuk është më mes nesh. Ajo na sheh nga diku lart. Ajo na sheh prej aty edhe sikur pyet, nëse vërtet jam bërë djalë i mbarë edhe tani që kam kaluar të 50-tat.
Ne shqiptarët jemi mësuar të festojmë 8 Marsin Ditën Ndërkombëtare të grave edhe si festë të nënave, pasi gruaja dhe nëna nuk mund të ndahen, ato janë të dyja në një. Por Origjina e Ditës së Nënës në Amerikë është e ndryshme. Ajo nisi në fillim të viteve 1900. Një grua me emrin Anna Jarvis filloi një fushatë për një festë zyrtare për të nderuar nënat në 1905, vitin kur asaj i vdiq nëna e saj. Kremtimi i parë në shkallë më të gjerë i festës u mbajt në vitin 1908, kur Jarvis mbajti një memorial publik për nënën e saj në vendlindjen e saj në Grafton, në Virxhinian Perëndimore. Gjatë viteve të mëvonshme, Jarvis u përpoq që festa të njihej zyrtarisht, dhe ajo të festohej gjithnjë e më shumë kudo në shtetet e SHBA. Gjer në në fund, në vitin 1914, Presidenti Woodrow Wilson ai që ka bërë shumë për Shqipërinë nënshkroi një shpallje, duke e bërë Ditën e Nënës një festë zyrtare, për t’u festuar të Dielën e dytë të majit. Qe Anna Jarvis kështu që e vendosi kështu pra Ditën e Nënës në kalendar, si një ditë e përkushtuar për të shprehur dashurinë dhe mirënjohje për nënat, duke vlerësuar sakrificat që gratë bëjnë në jetë për rritjen e fëmijëve të tyre.
Por tani për shumë amerikanë, Dita e Nënës e kësaj së diele ka një problem. Problemi është se kësaj here në ditën e Nënës shumica e restoranteve, ose nuk do të jenë ende të hapura, ose, edhe nëse do të hapen do të funksionojnë sipas udhëzimeve të reja të distancimit si në disa shtete. Në fakt, restorantet i sigurojnë fitimet e tyre më të mëdha të vitit, zakonisht gjatë Ditës së Nënës.
Por këtë të Diel, pandemia e Covid-19, e cila tashmë ka rrafshuar, disa festa me radhë, si : Shën Patrikun, Pashkën, 1 Majin dhe Ramazanin ,- do të shuaj disi edhe gëzimin e kësaj feste. Festë që për shumë njerëz, përfshirë edhe mua, është më e rëndësishmja nga të gjitha festat sepse ajo i kushtohet nënave.
Kashto pra tani, edhe për entuziastët më të zjarrtë në distancimit social, kërkesa për t’u mbledhur tok, për të sheshuar rregullat dhe jo kurbën, për të tejkaluar e thyer disi masat aktuale të distancimit do të jetë mjaft e fortë. Dua të them, atë që edhe, nëse moti do të jetë i bukur, ne do të mund të uleshim diku jashtë rreth 2 metra larg njeri-tjetrit, apo jo? Madje dhe dhuratat, mund t’i vendosnim në një dhomë për tre ditë më parë në shtëpi, sa të ngordhte virusi, boll të kishim nënën aty pranë.
Por për familjet shqiptare të diasporës, që jetojnë larg nënave ose gjysheve, që i kanë në vendlindje, do të mbeten me të vetmen zgjidhje të thjeshtë për të bërë një bisedë, me video me Viber apo Skype. Ime shoqe tani gjatë pandemisë flet me nënën e vet gati për ditë. Dhe ne do të ngremë të dielën një gotë për të, dhe për motrën e saj një nënë e një bebi të bukur. Pasi dita e nënave nuk është vetëm festë amerikane, mesazhi i saj i dashurisë është universal, më universal se kjo pandemi që na gjeti.
Ndërsa për ata që e kanë nënën, jo aq larg, por jo në shtëpi, shtrohen sfida të tjera: A do të duhet të bëheni gati dhe të shkoni drejt aty ku jeton për ta takuar nënën nënën tuaj? A po do tw prisni që nëna të na vizitojë në shtëpi? Apo të mund të takohemi në ndonjë restorant? Çfarë do duhet të bëjmë?
Sado e vështirë të jenë të gjitha këto për ju, përgjigja është mjaft e thjeshtë. Mos e bëni asnjë nga këto veprime! Udhëtimi dhe pasiguria do ta bënin, këtë ditë të vështirë por edhe shqetësuese, se madje edhe për dy javët në vijim, çdo teshtitje, çdo kollë dhe çdo dhimbje e përjetuar prej kujto në familje, do të shkaktojë dyshime dhe panik nga shqetësimi, se mos do t’i ndodhte gjë nënës suaj. Nuk ja vlen pra të rrezikojmë thjesht, për një vizitë – sado të vogël, – që ta ekspozojmë nënën, me këtë virusin vrasës. Për më tepër, që tani kemi edhe programin Zoom në dorë, të cilin patëm nja dy muaj kohë për ta mësuar, dhe nëse s’e kemi mësuar, fëmijët e kanë mësuar, pasi mësuesit po e përdorin vazhdimisht për mësim. Të gjithë e dinim që Dita e Nënës po vinte, besoj se jeni gati dhe ja keni marrë dorën, apo jo?
OK, pra festa është gati, dhe ne i dimë se si duken në video shtëpitë tona, muret dhe raftet e librave të të gjithëve nesh. Në të vërtetë, programi Zoom dhe konkurrentët e tij kanë bërë një punë të madhe, pas kaosit teknik të fillimit, duke përfunduar tek vështirësitë e kuptimit e të sjelljes në video, pasi askush s’e di me të vërtetë as tani, se kur duhet të largohet nga video konferenca, pa u dukur si i pasjellshëm. Ne të gjithë e dimë si mund të largohemi nga një darkë me të afërmit tanë. Por mos harroni se kjo festë edhe e largët virtuale është për nënën, po për mamin si të doni. Nëna është në qendër të gjithëve. Më vonë atëherë kur rrethi i pjesëmarrësve në Zoom do të pakësohet, do të rifillojnë po ato gjëra që ndodhin zakonisht, si atëherë kur u mblodh e gjithë familja herën e fundit, me mëritë, ngatërresat, keqkuptimet por dhe me diçka më speciale kësaj here, me bisedat private dhe me ankesat për ekonominë, punën dhe për karantinën.
Kjo në ato vende ku restorantet janë të mbyllura. Por edhe për shtetet ku do të jenë të hapur restorantet apo dhe sallat e ngrënies, ekziston problemi i distancimit social. A mund ta imagjinoni që këtë javë të shkoni në një restorant, ku lejohet të zihen vetëm 25% ose mbase edhe 50% e vendeve? Si mund të mbani maskë në një restorant dhe të hani(?!). Një shumë shtete restorantet do të jenë të mbyllura këtë të diel, duke shtuar edhe dhimbje të thella edhe duke thelluar dilemën ekonomike të mbijetesës së pronarëve të bizneseve në të gjithë Amerikën. Mes syresh dhe të atyre biznesmenëve të vegjël shqiptarë që janë përgjithësisht, pronarë e punonjës restorantesh familjare. Për disa restorante që do të jenë të mbyllur edhe kësaj të diele, mungesa e kësaj feste do të jetë si gozhda e fundit në arkivolin e biznesit të tyre.
Megjithatë këtë vit për të festuar Ditën e Nënës, ju ende mund ta mbështesni restorantin tuaj të preferuar, duke porositur ushqimet prej tyre dhe duke e sjellë atë që pëlqeni në shtëpinë tuaj. Kjo përsëri do ta nderonte nënën tuaj. Gjithashtu, mos harroni dhe insistoni që pastrimin e rrëmujës së pas darkës nëna nuk duhet ta bëjë vetë, në ditën e saj.
Në përgjithësi, kjo e diel është Dita më e hidhur e Nënës që kemi hasur këtu në Amerikë, kur edhe me miliona veta po luftojnë me sëmundjen edhe financiarisht. Megjithatë blerja e një vakti të plotë nga një restorant dhe sjellja në shtëpi për të ushqyer të gjithë është ende një mundësi për shumë njerëz. Por me rreth 70,000 ose më shumë vdekje për shkak të Covid-19 kjo Ditë e Nënës do të jetë ditë shumë e vështirë për shumë familje.
Por le të kalojmë tek festa. Kjo është e thjeshtë – porosisni në ushqime të mira për nënën, për ju gruan fëmijët, motrat tuaja dhe tërë familjen e gjerë. Prindërit duan të vëzhgojnë fëmijët e tyre dhe nipërit e mbesat. Gëzimi për të parë të gjithë të dashurit bashkë, gjati një darke të mirë, madje qoftë edhe e parë në video, është diçka shumë më e mirë sesa vetë konsumimi thjesht i një vakti. Por kjo gjë shtron tani një pyetje me të vërtetë të vështirë. A do të keni një shans për të biseduar me nënën tuaj nesër? Ajo do t’ju kuptojë ajo? Pasi një nënë e kupton edhe atë, që nuk ia thotë fëmija e saj. Një nënë, apo gjyshe të moshuar, që jeton vetëm ose në një institucion të kujdesit afatgjatë, qysh i bëhet ?
Amerika ka 1.600 shtëpi pleqsh që kujdesen për 1.3 milion banorë dhe rreth 70% e këtyre banorëve janë gra. Kjo për shkak se gratë jetojnë katër ose pesë vjet më gjatë se burrat, në pothuajse çdo shoqëri, duke krijuar edhe një çekuilibër aty. Ashtu siç është dokumentuar mirë javët e fundit, shtëpitë e pleqve, janë pikat më të nxehta të transmetimit Covid-19. Së paku, 1 në çdo 10 shtëpi pleqsh ka një rast (që zakonisht nënkupton shumë e më tepër se një rast) të infektuar. Vlerësimet e fundit, e vendosin numrin e vdekjeve në shtëpitë e pleqve nga Covid-19 në 17,000, një numër që sigurisht që do të rritet. Guvernatori i New Jersey-t njoftoi kohët e fundit, se rreth gjysma e vdekjeve në të gjithë shtetin e tij kishin të bënin me shtëpitë e pleqve, një situatë që tani i ka bërë që punonjësit të kenë frikë se mos sëmuren dhe i kanë ndaluar edhe familjarët e dashur të moshuarve që t’i vizitojnë ata. Dhe në SHBA, ky zbatimi i masave mbrojtëse nuk është aq i forcuar, me gjithë tragjedinë.
Dhe atëherë do të ketë një karrige bosh në tryezë. Miliona Amerikanë kanë nëna në shtëpi pleqsh. Nënat e tyre janë në rrezik të ekspozohen ndaj Covid-19. Njerëzit me siguri që nuk do të jenë në gjendje ta vizitojnë nënën apo gjyshen, sepse ajo ndodhet në një shtëpi pleqsh. Kjo është e dhimbshme. Por një paradë si ajo që pashë sot në “ American House“ është një zgjidhje disi ndryshe dhe novatore. Kjo periudhë pandemie ka kaq shumë skenarë shqetësues që luhen. Që nga punonjësit e kujdesit shëndetësor që janë në rrezik, deri tek papunësia dhe perspektiva e një epokë të re varfërie që sa po shkon e po godet vendin, deri aty, sa disa njerëz thjesht, janë duke u çmendur vërtet me masat e distancimit shoqëror.
Por gjithnjë ka mënyra për të festuar Ditën e Nënës edhe këtë vit të mbrapshtë, mos harroni!. Mos u distanconi nga kjo festë. Nderoni edhe nënën tuaj sa ta keni gjallë. Nderoni edhe nënat e tjera që kanë zënë një vend të veçantë tek ju. Kur do të shkruhet përfundimisht historia e pandemisë së Covid-19, mosrespektimi i vazhdueshëm e mizor i të moshuarve, do të përmendet, si një shembull tronditës i çnjerëzimit të shoqërisë së sotme.
Kur isha fëmijë, kisha 500 leke që i kisha fituar si honorar nga një rol në teatër. E vetmja gjë që doja të bëja, si fëmijë ishte të çoja mamin dhe babin tek lokali i hapur “Bar Lulishte Vollga”. Aty ku dëgjohej muzika me saksofon dhe ku ndjehej era e detit. Dhe kështu një ditë u ulëm që të gjithë aty. Nëna ime nuk donte që unë t’i shpenzoja paratë e mija, por ajo buzëqeshi kur unë pagova darkën atë ditë, edhe pse isha një fëmijë 10-vjeçar. Ndaj unë do të doja shumë që ta kisha mamanë time këtë të diel dhe do të bëja gjithçka, që ta bëja atë të buzëqeshte. Por s’mundem dot ajo veç më buzëqesh nga atje lart.
Dita e Nënës është zakonisht një ditë festimi e gëzueshme. Por për ata që kanë humbur nënat e tyre, e Diela e dytë e majit mund të jetë mjaft e dhimbshme. Është me rëndësi të mbani mend që nuk jeni vetëm ju në këtë ndjenjë edhe mjaft mendje tw ndritura kanë përjetuar të gjithë humbje të ngjashme, dhe kanë thënë me fjalë gjendjen në të cilën ju po e përjetoni tani. Pasi fjala më e bukur një buzët e njerëzimit është fjala “nënë” , dhe thirrja më e bukur është “thirrja e ‘nënës sime” Pasi jeta nuk vjen me një manual . Por vjen me një nënë.
Sepse në fund të fundit, nuk ka asnjëherë arsye të ndalosh të festosh për të, me të gjitha mënyrat e bukura pasi ajo i ka dhënë formë jetës suaj. Dashuria e një nëne ndikon tek ne në një mënyrë të jashtëzakonshme, gjithmonë, duke na udhëhequr duke na mbrojtur, edhe për shumë kohë, edhe kur ajo të mos jetë më mes nesh. Nga ballafaqimi me pikëllimin e deri tek reflektimi i kujtimeve të bukura që keni ndarë së bashku, të gjitha ato paraqesin llojin e lidhjes së pathyeshme, që një person ka vetëm me nënën e tij. Ndaj në këtë të Ditë e Nënës, kujtoni nënën tuaj të ndjerë dhe ajo, do t’ju bëjë të ndiheni më afër saj edhe pse nuk është më këtu.
Ndaj dhe unë desha të nderoj nënën time si dhe çdo nënë, si dhe gruan dhe vajzat e mia, që kanë përgatitur dhurata të fshehta për nënën e tyre. Mund të ketë, ndoshta aty, diçka virtuale, si ajo që vajza ime e vogël ia çoi mësueses së saj me Zoom për festë, një vizatim i një çokollate, virtuale natyrisht. Kohë pandemie. Sidoqoftë edhe pse një dhuratë fëmije, gjithnjë ia vlen nderimi dhe respekti për nënën.
Pasi nënat janë si ajo zamka, edhe kur s’janë më, ende e mbajnë familjen të lidhur fort së bashku.