• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË LIBËR, ME MENDIM E THIRRJE, PËR BASHKIM…

December 24, 2012 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/

Këto ditë, u zhvillua në kryrqytetin Tiranë, Festivali i 51-të i Këngës në Radiotelevizion. Por ai, fare mirë, mund të organizohej dhe të pritjej me shumë kënaqësi edhe në Prishtinë, Shkup, Ulqin e Preshevë. Këtë gjë e theksuan, me të drejtë, edhe dy paraqitesit e programit. Kjo, sepse, edhe pjesëmarrja në të ishte nga të gjitha trojet shqiptare. E rëndësishme është se aty u kënduan këngë  të bukura, të cilat vijuan të jepnin mesazhe paqeje, mirëkuptimi e dashamirësie dhe bashkimi, në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Pra, ai ishte pjesë përbërëse e misionit  dhe detyrës sonë për bashkimin e fortë dhe të panadër shpirtëror të të gjithë shqiptarëve, kudo që ata ndodhen.

E nisa me këto radhë, kur kam në dorë një botim fare të ri, nga prof.dr. Hulusi Hakon. Ai e ka titullin, ”Kosova, ëndrra ime“ (Komb-shteti i shqiptarëve, vepër e atdhetarëve të përkushtuar e vizionarë). Nga faqja e parë e hyrjes, që e ka shkruar vetë autori dhe deri në të fundit, me numër 290, atë e përshkon një ide dhe një mesazh i palëkundur: Medimi e thirrja për bashkimin tonë kombëtar. Tashmë, në vitin e 100-të të krijimit të shtetit tonë të parë, shqiptarët lipeset të ndërgjegjësohen, se ka ardhur koha, kur ata të jenë me shumë se kurrë të bashkuar.  Për këtë qëllim e për këtë ideal të shenjtë e të lartë, luftuan e u përpoqën, me të gjitha udhët e mjetet, rilindësit tanë zemërzjarrë, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rilindësit tanë tanë të shumtë. Për këtë detyrë madhore historike marshuan për në Vlorë, në atë fund-nëntori 1912, delegatët e popullit tonë, nga të gjitha trevat mbarëshqiptare, që nga Kosova, Shkupi, Mali i Zi e deri në  Çamëri. Rreth plakut të urtë e të mençur Ismail Qemali, u mblodhën sa e sa trima e luftëtarë, të pushkës e  të mendjes, ndër ta edhe Isë Boletini, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Sali Gjukë Dukagjini e të tjerët. Ata e shpallën, para gjithë botës, Shqipërinë e Kombin tonë të lirë dhe të pavarur, pas pesëqindë vjet robërie, nën Perandorinë Osmane. Por, fatet e tij u nëpërkembën nga shtetet grabitqare europiane, të cilat iu turrën furishëm, me armë e diplomaci dhe trupin e shëndoshë ia ndanë, përdhunisht, në disa pjesë.

I tronditur shpirtërisht, para kësaj të vërtete historike, por mjaft të hidhur për gjendjen e Kombit tonë, por dhe me deshirën, mendimin dhe shpresën për një zgjidhje të shpejtë, autori prof.H.Hako, që në faqet e para të librit të tij shkruan: “Siç ka ndodhur edhe me krijimin e shtet-kombeve të tjerë, kudo në botë, ashtu po e sjell koha edhe për ne shqiptarët rrjedhën e gjërave, në atë pikë, që ta realizojmë këtë ligjësi dhe aspiratë“. Ky mendim është zbërthyer, me fakte e argumente të pakundërshtueshëm, në të gjithë kapitujt e këtij botimi me mjaft interes. Ata janë shumë domethënës, si: ”Bashkimi bën fuqinë’’,”Vëllazërimi, integrimi, bashkimi, ja ç’na duhet, sa dielli, uji dhe ajri”, “Institucionalizimi i çështjes sonë kombëtare, ja ç’kërkohet në mënyrë imperative”,”Fitorja e re juridike e Kosovës, sanksionim i të drejtës së shqiptarëve, hap vendimtar i zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan”, ”Çamëri, më takon dhe mua të jetoj e mendoj për ty”, “Mirë integrimi europian, po ai  shqiptar?”, “Pse ky sindrom antishqiptarizmi në Masqedoni?” etj. Pra, autori përmendë dhe trajton me dashuri e atdhetarizëm disa “pika të nxehta” të çështjes kombëtare shqiptare. Veçse, ai nuk paraqitet vetëm në rolin e shikuesit të thjeshtë ose renditësit të fakteve e dukurive, por jepedhe mendime për zgjidhje të shpejta e afatgjata të çështjes shqiptare në Ballkan, që është pjesë përbërëse e atyre europiane e më gjerë.

Pra, faqe pas faqeje, të ngjan se përmes tyre ai ka përmbledhur mendimet e shqetësimet e tërë bashkëkombësve tanë, kudo që ata jetojnë, në këtë fillimshekulli të ri. Natyrshëm, lindë pyetja: “Vallë, a kanë të drejtë shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, për të qenë të bashkuar dhe në një shtet, siç janë edhe popujt e kombeve të tjerë?” Ndërsa fallsifikatorët e  historisë ballkanike dhe asaj europiane, përpiqen t’ia mbushin mendjen vetes, se shqiptarët duan e kërkojnë “Shqipërinë e madhe”, se kështu ata “do ta rrezikojnë paqen e stabilitetin në Ballkan e më gjerë”!? etj. Po faktet “lakuriqe” ose “në dritë të diellit” janë krejt ndryshe. Pra, shqiptarët vetëm dëshirojnë, kërkojnë dhe u takon të jetojnë në paqe dhe miqësi me të gjithë fqinjët e tyre, në “Shqipërinë e vertetë” ose “Shqiparinë natyrale”. Ndërsa ata harrojnë ose nuk duan ta pranojnë, se shqiptarët, kurrë në historinë e tyre mijëravjeçare, nuk kanë qenë as nuk do të jenë agresivë, sulmues as pushtues. Përkundrazi, kurdoherë janë  venë në mbrojtje të të tjerëve, kanë zhvilluar luftëra mbrojtese dhe gjithnjë janë përpjekur e kanë sakrifikuar për mbijetesë.

Jo me kot, autori prof.Hako, e ka venë në titull dhe e ka trajtuar gjerësisht edhe çështjen e Kosovës, të martirizimit të saj, nën regimin shumëvjeçar serb, luftën e përpjekjet e saj për liri, pavarësi e demokraci. Ka marrë shembull njërin nga bijtë e saj, atdhetarin e luftëtarin gjakovar, Myrteza Nagafci. Ashtu si mjaft kosovarë të tjerë, ai përjetoi vuajtjet dhe tmerrin e rregjimit të kaluar edhe pse erdhi në “shtetin-amë”, i cili vetë vuajti nga diktatura e egër afër 50-vjeçare. Megjithatë, ndodhi mrekullia, nga pak kush e parashikuar, me përpjekjet titamike të popullit të saj, që u mbështet fuqishëm nga NATO-ja dhe  Bashkësia Ndërkombëtare. Pra, Kosova u çlirua njëherë e përgjithmonë nga rregjimi barbar shumëvjeçar i Serbisë, fitoi lirinë e pavarësinë dhe hyri në udhën e pandalshme të demokracisë e përparimit. Siç shkruan edhe autori,  “Libri  “Kosova, ëndrra ime”, vjen, kështu, edhe si një përgjigje e merakut dhe amanetit të madh, me të cilin u nda nga jeta, ky bir i Kosovës”.

Por edhe kur prof.Hulusi Hako trajton tema, në dukje, ta palidhura me zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, përsëri “çekanin” e rrahë në atë pikë. Kështu, lexojmë recensione për disa libra të kolegëve ose për veprimtari të zhvilluara, sidomos në kryeqytetin Tiranë dhe bindemi më së miri këtë gjë. Ja, shkrime të tillë janë edhe këta: “Krijohet lidhja mbarëkombëtare e shoqatave shqiptare”, “Një libër, që tregon shumë dhe apelon fuqishëm” (është fjala për botimin e  të ndjerit, Dr. Ibrahim Gashi, “Shqiptarët, Slloenia dhe Ballkani i trazuar, sipas një diplomati”), “Rusia dhe Kosova”, “Kjo botë interesash, kur do të bëhet pikërisht një botë të drejtash dhe vlerash njerëzore?”. “Po Republika e Kosovës, pse nuk u përfshi në kampionatin ballkanik të Judo-s?” etj.

Një vlerë të veçantë përmban në këtë libër pjesa e fundit e tij, të cilit autori i ka venë titullin interesant e domethënës,  “Nëpër shekullin tonë tëpërgjakur”. Janë plot 50 faqe, meditime të prof.dr. Hulusi Hakos, për  udhën,  nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët, gjatë 100 vjetëve të fundit. Sigurisht, kjo analizë e një intelektuali atdhetar është edhe një mësim ose  “leksion” për brezin e ri. Synimi është që të gjithë bashkëkombësit tanë, në trojet e tyre amtare etnike, të bëhen të ndërgjegjshëm, se historia është treguar e pamëshirshme, pra si një “njerkë e keqe”, me popullin tonë. Këtë gjë autori e ka shprehur dhe analizuar me kujdes, në disa nëntituj të kësaj pjese. Duke shfrytëzuar aktualitetin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, ai ka shkruar me nderim e respekt për “jubileun e madh të krenarisë dhe reflektimeve të thella”. Përmbledhurazi, na kujton të gjithëve, se janë bërë sakrifica mbinjerëzore nga shqiptarët, në këtë shekull: “Gjak për liri e identitet, për gjuhën e diturinë, për një shkollë e universitet, për germën dhe llojin e alfabetit; edhe  për institucionalizimin e kësaj demokracie moderne; gjak në Kosovën Lindore, Mitrovicë e Tetovë, Shkup e Kumanovë,; gjak shqiptari në Mal të Zi, edhe në Çamërinë shqiptare, nën Greqi!” Pastaj përmendë me dhimbje “flamën” e gjakmarrjes dhe të vrasjeve ordinere, prej krimit të organizuar e të paorganizuar.  Ndërsa, jep alarmin dëshprues, që: “As një garanci  nuk ka, se përgjakja nuk do të vazhdojë edhe më tej!”

Një vemendje i kushton autori çështjes së objektiviteteit, korrektësisë dhe respektit ndaj historisë sonë kombëtare, një detyrë kaq atdhetare kjo për brezin tonë. Afirmimin e të vërtetave lipset ta bëjë historiografia jonë, e pandikuar nga politika, se: “Pa vijimësi, s’ka histori; pa shkallë, s’ka ngjitje”. Duke u ndalur në rezultanten kryesore të udhëtimit shumëshekullor të shqiptarëve, prof. Hako e vë theksin te vitaliteti dhe mbijetesa e jashtëzakonshme e racës, e genit shqiptar, si sfidë ndaj shumë furtunave dhe rrebeshave të egra shfarosëse e asimiluese. Janë kaq domethënëse edhe fjalët e francezit  Pouquecville, i cili ka shkruar, për shqiptarët: “Ky popull heronjsh, të cilit gjatë shekujve, shpesh herë, iu desh të mbrohej në malet e tij të paarritshme, i shikonte nga lart perandoritë, se si lindnin e vdisnin dhe ri-zbriste për të fituar tokat e veta”. Lindë pyetja e natyrshme: “Po sot, ne pasardhësit e tyre, çfarë duhet të bëjmë?” Përgjigja është edhe në fjalët e gjeneralit në pension, Rrahman Perllaku: “Sot po bije  kambana e lirisë dhe e bashkimit kombëtar. Mjaft na kanë mbajtur të ndarë, më se një shekull!”

Në vazhdimësi, ky autor ndalet në disa faktorë me rëndësi, që e përcaktojnë jetën dhe   forcën e Kombit tonë, siç janë: niveli ekonomik; zhvillimet  arsimore e kulturore, me  gjuhë letrare  të përbashkët dhe me programe e tekste mësimore të njësuara, në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë etj. Vëmendje u kushon, në këtë pjesë, edhe  çështjeve të shumta të tranzicionit të stërzgjatur në Shqipëri, lirive e të drejtave demokratike, etjes  për pasurim dhe pushtet të një pjese të shoqërisë. Në një faqe të meditimit të tij, prof. Hako shtron pyetjen: ” Këtë tranzicion tonin, si ta quajmë, një revolucion demokratik paqësor, apo ai është thjesht një restaurim i kapitalizmit?” Në këtë logjikë të mendimit e fakteve, ai flet edhe për “doktrinën komuniste”, që  sipas tij, mbeten flozofia dhe projekti i ndryshimit më të thellë  të jetës shoqërore; po ashtu edhe për “përpjekjet e ethshme të antikomunizmit” etj. Në këtë kuadër, ai analizon dhe mbron vlerat e  Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe, së fundi, ndalet  në thesarin kombëtar të tolerancës fetare në Shqipëri, si një pasuri shumë e çmuar, për të gjithë ne.

Parë në tërësi, ku botim i ri i autorit të 12 librave të mëparshëm, prof.dr. Hulusi Hako,  na sjell në vëmëndje  problemin më themelor të çështjes shqiptarë, në ditët e sotme, që është ai i bashkimit tonë kombëtar. Festimet e jashtëzakonshme, në Shqipëri dhe në trojet tjera amtare e në disporë,  të 100-vjetorit të krijimit të shtetit të parë shqiptar dhe  shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, na e bënë shumë herë më të pranishëm këtë ideal dhe aspiratë të rilindësve tanë, gjë që  është dhe do të mbetet përherë altual për të gjithë ne, deri në zgjidhjen e tij përfundimtare, pavarësisht udhëve e mënyrave.

Në mbyllje të këtij shkrimi, meqenëse më duket me interes për lexuesin dhe lidhet me tematikën e këtij libri,  po shënoj këtu një pjesë nga mesazhi, që më dërgoi  këto ditë kolegu e miku, Hysë Hasa, emigrant në Filadelfia të Amerikës. Pasi informonte se, më 28 Nëntor 2012, u ngrit për herë të parë në histori, në qendrën e atij qyteti, Flamuri ynë Kombëtar, vijonte:

“Kam  kënaqësinë t’u përshëndes, në këtë fund viti, si viti i 100-vjetorit të Pavarësisë, i krijimit të Shtetit të parë Shqiptar dhe i ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar. Ishte koha, kur plaku i Vlorës Ismail Qemali, i mbështetur mbi gjokset e Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Dom Nikollë Kaçorrit, Vehbi Dibrës, Thanas Floqit, Abedin Dinos e te tjerëve, ngriti Flamurin e kuq shqiptar, me shqiponjën dykrenare në mes; Flamur, i cilië shtë shpirti dhe zemra, ku marrin frymë lirisht të bashkuar shqiptarët, që  nga Preveza e deri në Nish. Ky Flamur, pas 100-vitesh, më 23 Nëntor 2012, i mblodhi shqiptarët të festonin së bashku në Shkup. Aty, fjala e mençur e diplomatike, aspak nacionaliste dhe me guximin burrëror e trimëror, e Kryeministrit, Prof. Dr. Sali Berishës, i entusiazmoi dhe i bashkoi, si asnjëherë shqiptaret, duke u treguar të gjithëve, se historia: vlerëson-duron-toleron-vonon, por nuk harron! Ky flamur kulmoi në Vlorën heroike, më 28 Nëntor 2012, ku të gjithë shqiptarët festuan së bashku”.

Tiranë, 24 dhjetor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, nje liber per Kosoven

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT