Nga Ardian Ndreca/
Norbert Jokli ka qenë nji prej figurave mâ të shndritshme që ka njohtë albanologjia gjatë shekullit të kaluem. Ai ka lindë me 25 shkurt 1877 në Bzenec apo siç njihet ndryshe Bisenz, në jug të Moravisë dhe ka vdekë në rrethana tragjike në maj të vitit 1942.
Por, para se me u njohtë si albanolog i madh ai ishte i çmuem si studjues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar (Oberstadtsbibliothekar) i Universitetit të Vjenës.
Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Sqiroit, Naimit dhe traditës bektashjane, njohtës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati nji letërkëmbim të dendun me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare.
Âsht meritë e tija që qysh në vitin 1914 në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës. Ai njihet si autor i shumë studimeve që trajtojnë kryesisht probleme etimologjike dhe çeshtje letrare të gjuhës shqipe.
Ernest Koliqi, tue përshkrue nji vizitë të bame së bashku me Aleks Budën në shtëpinë e Joklit në dhetor të 1937, shkruente nji vit mâ vonë te «Demokratia» e Vangjel Koçës:
“E më çoi fíll ke nji raft librash […] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shtî për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zêmra më ndrydhej. Paska qênë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”.
Jokli pat krijue nji bibliotekë albanologjije e indogjermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtue mâ pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruente dorëshkrimin e nji Fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, i cili ishte vazhdimi ideal i punës së nisun prej G. Meyer-it. Mjerisht gjurmët e atij dorëshkrimi kanë humbë qysh në pranverën e vitit 1942.
Duhet thanë se dëshira e tij ishte që biblioteka e vet t’i përkiste Shqipnisë. Simbas historianëve të sotshëm, ka qenë pikërisht kjo dëshirë fisnike e Prof. Norbert Joklit që ka shenjue fatin e tij mizor. Ngjarjet kanë rrjedhë pak a shumë kështu.
Kalvari i Joklit zen fill në maj të vitit 1938, atëherë kur nacionalsocialistat filluene me e persekutue e me ia mohue të drejtat profesionale. I shtymë prej disa miqsh – ai vendosi me i drejtue në vjeshtën e vitit 1939 nji lutje Gauleiter-it Bürckel, komisarit të Reich-ut për zonën e Ostmark-ut, tue i kërkue njohjen e të drejtave të barabarta me “racat e përzieme të gradës së parë”. Lutja nuk u pranue e kështu që Joklit iu mohue e drejta me konsultue deri edhe bibliotekën dhe iu revokuen të gjitha privilegjet akademike.
Megjithatë, në Shqipni, Prof. Jokli pati gjithmonë dashamirë dhe miq të sinqertë. Me rasën e Kuvendit të parë të organizuem prej Institutit të Studimeve Shqiptare, të zhvilluem në Tiranë prej datës 9 deri me 13 prill 1940, ishte ftue me marrë pjesë edhe “profesor Jokli, albanologu i njohtun izraelit prej Vjenet” – kujton Francesco Jacomoni (shih: La politica dell’Italia in Albania, Cappelli, Rocca San Casciano 1965, fq. 183). Dihet se organizator i atij tubimi të randësishëm ishte ministri Ernest Koliqi.
Në nji letër të shkrueme në Tiranë me datën 15 prill 1940, Aleksandër Xhuvani ndër të tjera i kumtonte Joklit:
“Kemi pasë këto ditë, si do ta marrish vesh, nji Kuvend të parë të studimeve shqiptare, ku u mblodhën Shqiptarë e Italianë shkencëtarë e studimtarë, ndër të cilët edhe Bartoli e Tagliavini. Ju kemi zanë n’gojë shumë herë dhe na vinte keq që s’gjindeshit edhe ju në mes t’onë. Ju kemi dërgue të fala me disa kartolina.
Gjithë përpjekjet t’ona rrahin që të të sjellin këtu ose gjetiu të veç, për të vijue punën e studimevet t’ueja, dhe shpresojmë që t’ja dalim në krye kësaj dëshire”. (shih: Jokl Nachlass Autogr. 279/114)
Në vitin 1972 Ernest Koliqi kujtonte ndër vûllajt e «Shêjzave» sesi Prof. Carlo Tagliavini, albanolog i Universitetit të Padovës, me nji «letër kushtrimore» të datës 14 mars 1941 i kërkonte me bâ diçka për Joklin:
“…bahet fjalë me shpëtue njeriun. Dëshira e tij kishte me qenë, siç e din, me kalue vjetët që i kanë mbetë (tash âsht 64 vjeç) në Shqipni… Un t’i shkruej këto gjana që të jesh në dijeni të plotë dhe n’emën të miqsisë sonë të vjetër të lutem që të bajsh gjithçka âsht e mujtun; bahet fjalë me shpëtue njeriun, me shpëtue albanologun mâ të madh, i cili mundet me i dhanë ende shumë studimeve shqiptare”. (Shêjzat, 1972, n. 1-4, fq. 83-88)
Duhet thanë se prof. Tagliavini e kishte këshillue Joklin me ia falë me anë të nji akti zyrtar bibliotekën e tij Shtetit shqiptar, në mënyrë që me e pasë mâ të lehtë me marrë lejen për me shkue në Shqipni (shih: C. Tagliavini, në Indogermanisches
Jahrbuch, XXVIII, 1949)
Me 15 mars 1941, konsulli shqiptar në Vjenë, dr. Nikollë Rrota (vlla i piktorit Simon Rrota dhe i gjuhëtarit Át Justin Rrota) i shkruente Koliqit:
“Në rasë të konferencës qi mbajti më 27 fruer v.v. miku i jonë, z. Prof. Tagliavini, e informova hollësisht mbi gjendjen e tmershme në të cilën ndodhet sot Prof. Jokl, kurse rryma e sotshme e Nacizmit ka marrë masa tepër të rrepta kundra çëfutënve […] parashifet qi shpejt do t’instradohet për në Poloni pa pasë mundësí as me e marrë me vehte bibliotekën e tij e as me krye mâ ndonji vepër ditunije. Siç dihet, biblioteka e tij âsht nji ndër mâ të pasunat dhe mâ të vlefshmet mbi letratyrën shqipe, sikurse mund t’a vërtetojë edhe z. Prof. dr. Ekrem Çabej”.
Konsulli Rrota, siç marrim vesht prej nji letre të P. Kretschmer-it kishte fillue përpjekjet për shpëtimin e Joklit qysh në prill të vitit 1940.
Në ketë kohë personalitete të ndryshme të kulturës e politikës europiane dhe të vetë qeverisë shqiptare, të përfaqsueme në personen e Ernest Koliqit, po bânin çmos për me e shpëtue Prof. Joklin – tue e ftue me jetue e me punue në Shqipní. Ketë gja e dëshmojnë letrat e profesorave Krahe, Kretschmer, Tagliavini, Koliqi, F. Ercole, G. Schirò jr., e gjithashtu edhe hapat e marrun në rrugë diplomatike prej ministrit Giuseppe Bottai, prej ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin dhe prej konsullit shqiptar në Vjenë, Dr. Nikollë Rrotës, i cili u përpoq me aq sa mundej edhe mbas vdekjes së Joklit për me dijtë diçka për rrethanat tragjike të fundit të tij.
“Sa mora letrat e Tagliavinit dhe të Rottës, kujtonte E. Koliqi në vitin 1972, unë fola me Kryeministrin z. Shefqet Vërlaci i cili pranoi menjiherë propozimin t’êm me e êmnue Jokl-in Organizator t’Arkiveve Shtetnore dhe të Bibliotekave shqiptare. Mblodhi Këshillin Ministruer, qi njizâni vendosi at êmnim. I a dërgova dekretin përkatës Prof. Jokl-it në Vjenë dhe kumtova njikohësisht Tagliavinin dhe Rottën”.
Mbas këtyne orvatje fillestare, Koliqi do të shkonte apostafat në Romë për me folë për shpejtimin e çeshtjes së Joklit me ministrin Bottai. Ndërkaq ishin tue u bâ traktativa ndërmjet Ministrisë së jashtme italiane dhe asaj gjermane e Bottai e këshillonte Koliqin me folë me Ciano-n, në mënyrë që ky t’i shkruente J. Ribbentrop-it.
Edhe Prof. Eqrem Çabej, i cili ndodhej në Romë në korrik të vitit 1941, mbasi ishte emnue prej Koliqit si përfaqsues i palës shqiptare për hartimin e «Atlantit gjuhësor» për pjesën e arbëreshëve, interesohej në mënyrë aktive për fatin e Joklit.
Me 18 tetor të vitit 1941 Prof. Tagliavini, i cili s’prânte tue u përpjekë për kolegun e vet austriak, i shkruente Koliqit se konsulli Rrota dhe Jokli kanë ndeshë në vështirësina të paprituna në marrjen e lejes së kalimit dhe se âsht nevoja që Mëkambësi Jacomoni t’i shkruente nji letër urgjente ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin. Jacomoni e shkroi letrën dhe ia nisi menjiherë ambasadorit italian. Megjithatë, si ministri Bottai ashtu edhe ambasadori Alfieri nuk e përmendin në ditaret dhe kujtimet e veta çeshtjen e Joklit.
Me nji letër tjetër, e cila mban datën 1 prill 1942, Tagliavinit i kumtonte Koliqit lajmin e arrestimit të Joklit dhe përpjekjet për me ndërhy nepërmjet kryeministrit Kruja.
Shkruen Koliqi:
“Unë nga Tirana i telefonova menjiherë Bottai-t në Romë e shkova mandej fíll tu Mustafa Kruja i cili në sý t’êm mori telefonin e foli me Ciano-n tue e lutë nxehtësisht me bâ çmos për shpëtimin e Jokl-it. Ciano përgjegji se do të lutte Mussolinin me ndërhy pranë Hitlerit”.
Duhet thanë se përveç Gestapos, kishte edhe persona të tjerë që nuk donin që Jokli të gjente strehë në Shqipni, nji ndër këta ishte edhe Viktor Christian, dekani i fakultetit të filozofisë në Universitetin e Vjenës. Christian kishte frikë se tue fitue të drejtën me shkue me jetue në Shqipni, Jokli do të merrte me vete edhe bibliotekën e tij; ndërsa në rasën tjetër, biblioteka e sekuestrueme prej nazistave do t’i kalonte fondit të Universitetit.
Në fakt, dekani i filozofisë Christian, që mâ vonë do të bâhej rektor i Universitetit, i shkruente SS-Hauptsturmführer-it Brunner se në qoftë se Jokli do të shkonte në Shqipni, biblioteka e tij s’do të mbetej në Vjenë, por në rasë se autoritetet do ta internonin në Poloni, dekani i lutej oficerit SS, që biblioteka t’i jepej fakultetit të filozofisë.
Kah mbarimi i prillit 1942, dekani Christian ishte i informuem për internimin e Joklit dhe për faktin që biblioteka e tij – tue i kalue Universitetit të Vjenës – do të vendosej së shpejti në mjediset e Institutit të Indogjermanistikës ose të atij Oriental.
Menjiherë do të interesohej edhe drejtori i përgjithshëm i Bibliotekës Kombtare austriake, Paul Heigl, i cili kërkonte që librat e «çifutit Jokl» të baheshin pronë e komunitetit të gjanë të studjuesve. Edhe ambasada italiane në Vjenë, në emën të së drejtës që kishte fitue Italia prej bashkimit të kunorave mbretnore me Shqipnin, bante hapat e saj për marrjen e kësaj biblioteke me përbamje albanologjike.
Nji ndër gjanat mâ me vlerë që humbën prej asaj biblioteke, âsht edhe dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe.
Nji fat të ngjashëm me Fjalorin etimologjik të Joklit, pati edhe Fjalori i gjuhës shqipe i Mustafa Krujës, i cili, edhe pse ekzistonte në dorëshkrim në Institutin e Studimeve shqiptare, mbas vitit 1944 i humbi fara si mos me pasë qenë kurrë. Fate të ngjashme me bibliotekën e Joklit patën edhe mâ të mëdhat biblioteka që ekzistojshin asokohe në Shqipni: biblioteka dhe arkivat e Lef Nosit, Mithat Frashërit e Eqrem bej Vlorës si edhe biblioteka dhe arkivi i Etënve françeskan dhe i atyne jezuit në Shkodër.
Tue u kthye te Jokli: mjerisht, megjithë përpjekjet e autoriteteve mâ të nalta shqiptare, egërsija naziste nuk i dha mundësí albanologut të shquem me u strehue në vendin tonë.
Me 3 mars 1942 dy nëpunësa të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndryene mâ së parit në Sperrgasse e mandej në kazermen Roßauer në Vjenë. Si nji shkencatar i vërtetë dhe si njeri i dashunuem mbas librash, ai ndihej prej kohësh i dëshpëruem vetëm prej idesë se mund të ndahej përgjithmonë prej librave të tij të çmueshëm. Bile, i kishte pohue gjuhëtarit Carlo Tagliavini, se në rasë se do t’i duhej me u nda prej librave të vet, do të preferonte me mbytë veten.
Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por përsa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme. Ernest Koliqi – i informuem prej konsullit Rrota – tregon se gjatë rrugës për në nji kamp përqëndrimit në Riga, Jokli u hodh prej trenit kur po kalonte mbi nji urë të naltë rreth 100 metër dhe mbyti veten. Disa studjuesa austriakë pohojnë se Jokli vdiq nën tortura në kazermen Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqëndrimit të Maly Trostinec-it, nji lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minsk-ut, në Ruteninë e Bardhë. Ka gjasë që ky variant të jetë mâ i mundshmi.
Kampi i Maly Trostinec-it ishte krijue qysh në nandor të vitit 1941 në territorin e ish kolkozit «Karl Marx». Tue qenë se në gjysmën e marsit të 1942 partizanët kishin sulmue kampin tue vra rojet, mbas këtij episodi kompania e rojeve ishte shtue si numër, tue arritë shifrën 250 ushtarakë. Zakonisht ekzekutimet në masë në ketë kamp bâheshin me anën e pushkatimit, i cili kryhej në pyllin e Blagowshçinës.
Simbas listave të transportit të Reichsbahn-it (hekurudhat e Reichut III), mbartja e parë e hebrenjve prej Vjenet për në t’ashtuquejtunin «Reichskommissariat Ostland», u bâ me datën 6 maj 1942. Nji gja të tillë e konfirmon edhe nji raport i detajuem i komisariatit të policisë vjeneze (95. Pol. Revier) i shkruem me datën 16 maj 1942. Raporti përshkruen me hollsi «evakuimin» e 1000 hebrenjve prej Vjenet, lista e të cilëve, sqaron me nji ton të ftohtë burokratik funksionari i policisë, ishte raditë prej kapitenit SS Brunner. Mbasi përshkruen me hollësi nisjen prej Vjenet, itinerarin si dhe ndalesat e ndryshme, raporti ven në dukje faktin se me datën 9 maj – kur treni mbërriti në Kajdanowo, në afërsi të Minskut, kishin vdekë 3 burra dhe 5 gra prej hebrenjve të internuem. Emnat e tyne nuk shenjohen, por ka shumë mundësi se njeni sish të ketë qenë albanologu Norbert Jokl.
Epilog: nazizmi dhe komunizmi si anmiq të njerzimit
Lind pyetja: a do të kishte mujtë me shpëtue Jokli po të kishte mbërrijtë me marrë lejen për me jetue në Shqipni? Deri në nandor të vitit 1944 besojmë se po, por mâ vonë – tue marrë parasysh se Jokli kishte qenë nëpunës i Perandorisë austro-hungareze dhe se në Shqipni kishte shkue vetëm nji herë, i ftuem prej Mbretit Zog për me marrë dekoratën e naltë «Komandar i Urdhnit të Skanderbeut», e cila i ishte dhanë me rasën e 25 vjetorit të Pamvarsisë; por mbi të gjitha tue mos harrue faktin se kishin qenë fashistat si Ernest Koliqi që e kishin ftue me ardhë përgjithmonë në Shqipni – na duket pak e vështirë se puna e nisun prej Gestapos do të kishte mbetë përgjysmë për mungesë zellit prej homologëve të tyne të shquem të regjimit të Tiranës!
Por tue qenë se punët kanë rrjedhë njilloj keq, mâ mirë që «marrja» për ketë vrasje të poshtër i ka mbetë gjermanve dhe jo shqiptarve.
Edhe pse mbi ndërgjegjen e shqiptarve peshojnë vdekje të tjera po aq tragjike sa ajo e Joklit; bâhet fjalë për emna si Lef Nosi, Pal Dodaj, Xhevat Kortsha, Pashk Bardhi, Bernardin Palaj e shumë të tjerë. Mbi ndërgjegjen e kombit peshon edhe sekuestrimi i mundit të tyne shumëvjeçar dhe përvetësimi i paturpshëm i vlerave studimore prej autoriteteve të vetëquejtuna «shkencore» të regjimit komunist.
Fati i Joklit âsht nji mësim historik dhe njerzor: nazizmi dhe komunizmi janë degët e thata të po të njejtit “dru të shtrembët që âsht njerzimi” (I. Kant).
Në qoftë se në hymje të kampit të Auschwitz-it komandanti R. Höss kishte shkrue: «Puna të bân të lirë», mos të harrojmë se në hymje të gulagëve sovjetikët venin shprehje si këto: «Puna të kthen në shtëpi» ose «Puna në BRSS âsht çeshtje nderi dhe lavdie» (kampi i Vorkutës).
Në vitin 1947, ish-komandanti i kampit të përqendrimit të Auschwitz-it, Rudolph Höss, ndërsa pritte në nji burg polak ekzekutimin e dënimit kapital, shkruente me të shpejtë kujtimet e veta (shih: Rudolph Höss, Kommandant in Auschwitz. Autobiographische Aufzeichnungen, me parathanje dhe komente të Martin Broszat, Stuttgart 1978). Ndër të tjera tregon – tue dashtë me provue se edhe ndërmjet «fitimtarëve» ka njerëz si ai – sesi në kohën e aleancës me Moskën: në vitet 1939-1941, nazistat merrshin eksperiencë prej kolegëve të tyne sovjetikë në fushën e kampeve të çfarosjes në masë. Mbas pushtimit të territorit sovjetik – vazhdon Hoess – nazistat mbetën të mahnitun për punën shumë të respektueshme që kishin bâ kolegët e tyne sovjetikë. Kah ana tjetër komisioni tepër sekret i Vishinskit – shkruen historiani rus Arkady Vaksberg në vitin 1990 – që mbikqyrte punimet e gjyqit të Nürnberg-ut, kishte si qëllim mospërhapjen e «sekreteve» të tilla prej të pandehunve.
Sulmi i Hitlerit ndaj lëvizjes komuniste – simbas dëshmive të hierarkut nazist H. Rauschning – bâhet mâ tepër për arsye taktike sesa ideologjike, tue qenë se themeli i nazizmit ishte vetë marksizmi. Ndërsa socializmi sulmohej për karakterin e vet internacionalist dhe demokratik – ashtu siç sulmoheshin shtetet demokratike për karakterin e tyne plutokratik.
Pesë ditë përpara sulmit ndaj BRSS, J. Goebbels-i shenjonte në ditarin e tij se fitorja ndaj judeo-bolshevizmit do të çonte drejt vendosjes së socializmit të vërtetë (der echte Sozialismus).
Nacional-socializmi hitlerian tue vue në jetë të ashtuquejtunen «zgjidhje finale» për çeshtjen hebraike, nuk bânte gja tjetër veçse ndiqte pikë për pikë mësimet e Marx-it dhe të Engels-it.
Justifikimi i genocidit dhe spastrimi etnik janë karakteristika të Shtetit totalitar dhe të teoricienëve të tij (shih: George Watson, The lost literature of socialism, The Lutterworth Press,1998).
Siç ka vue në dukje studiuesi G. Watson, në vitin 1849 Friedrich Engels-i kërkonte prej faqeve të revistës «Neue Rheinische Zeitung» – (e cila drejtohej prej mikut të tij K. Marx) – zhdukjen e hungarezëve, mbasi këta ishin rebelue ndaj Vjenës. S’mjaftohej me aq, por donte edhe shuemjen e disa popujve sllavë si serbët, e mandej baskët, bretonët dhe malësorët skocez. Nuk âsht për t’u çuditë që Stalini te vepra e tij “Themelet e leninizmit” (1924) e porositëte këtë artikull si të nevojshëm për t’u lexue prej revolucionarëve. Engels-i edhe te nji letër drejtue Marx-it (23 maj 1851) mohonte ekzistencën e polakëve si komb dhe vlersonte ekspansionin prusian drejt lindjes, si të domosdoshëm; bile edhe çmonte Rusinë e Carit si nji «vend progresist». Engels-i e konsideronte racën si nji ndër faktorët ekonomikë që përcaktojnë fenomenet historike (shih: Letër e Engels-it drejtue W. Borgius, 1894).
Edhe Marx-i te shkrimi me titull «Revolucioni dhe kundërrevolucioni në Gjermani» (botue te NRZ, 1852) mendonte sesi mund të zhdukeshin prej faqes së dheut grupet etnike të çekëve, sllovenëve, dalmatinëve – të cilat simbas tij s’kishin vitalitet dhe duhet të asimiloheshin prej gjallnisë gjermanike.
Prej këtyne nënvizimeve jo të rastësishme kuptojmë se doktrinat totalitare duen me shpëtue gjysmën e botës tue shue gjysmën tjetër – e të gjithë ata që i kundërshtojnë janë të destinuem me iu bashkangjitë asaj «gjysmës tjetër».
Tiranët nuk i duen njerzit e lirë të kulturës dhe të shkencës, e edhe atëherë kur mundohen me u paraqitë si shpëtimtarë të kulturës e të vlerave kombtare, tiranët nuk bâhen dijetarë apo të urtë, mbasi ai që tue vra shkencatarin kujton se ka shpëtue veprën, përveçse mizor âsht edhe stramastik i përbuzshëm.
Shenjim:
Dashunia për vendin tonë në nji farë mënyret i ka marrë jetën profesor Joklit, kurse vendi ynë – po të përjashtojmë dekoratën e Zogut – s’i ka dhanë atij pothuejse asgja.
Çka ka teprue prej dorëshkrimeve të tija të vlerta, prej kah u nxorën edhe letrat që po botojmë, gjindet sot e kësaj dite në fondin e Bibliotekës Kombtare Austriake në Vjenë. Âsht për t’u shenjue se krahas origjinalit shqip, në Arkiv ruhet edhe përkthimi gjermanisht i letrës së Koliqit, gja që tregon se Jokli e përdori atë dokument pranë organeve kompetente për me mujtë me marrë lejen e udhtimit për në Shqipní.
Nji katalogim i paplotë i Nachlass-it të Jokl-it âsht bâ prej Dr. Robert Schwanke-s. Duhet shtue se gjatë viteve të komunizmit, në vitin 1979, nji pjesë e letrave të Joklit janë marrë në dorë dhe janë studjue prej profesorave E. Çabej dhe J. Thomai.(Dielli-arkiv)