• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROMAN PA KOHË APO PËR GJITHË KOHËRAT?

January 26, 2021 by dgreca

NGA NDUE LAZRI/

-Rreth romanit “15 ditë prilli” të Anisa Markarian/

– E ruaj akoma në kujtesë, siç e kam edhe të fiksuar në fotografi atë ditë kur ajo erdhi në Shkodër. Ashtu përpara publikut me një tufë të bukur lulesh në duar, me buzëqeshjen e zgjuar e sytë tejet të mençur nën një palë syze elegante. Dukej e sapodalë nga sekuencat e filmit “Në çdo stinë”, aq i dashur për publikun dhe që e kishte bërë të suksesshme në fushën e kinematografisë atë studenten e talentuar e të zellshme të mjekësisë, yllin e ri të kinemasë shqiptare, Anisa Markarian. Bëhej promovimi i filmit në kinema “Republika në Shkodër”, e cila ishte mbushur plot me dëshirën për ta përshëndetur e duartrokitur mysafiren e bukur. Me këtë imazh në kokë ndalem në librarinë e aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, për të blerë pikërisht librin e ri të shkrimtares Anisa Markarian, romanin “15 ditë prilli”, për të cilin kisha lexuar fjalë të mira nga miq e kolegë të mi. Libri më bëri shoqëri gjatë udhëtimit me avion dhe kur zbrita në Bolonjë kisha arritur thuajse në gjysmë të tij, ndonëse ishte voluminoz me gati 400 faqe. Të nesërmen e kisha mbaruar së lexuari. Zakonisht kështu më ndodh me librat e bukur që më tërheqin shumë. Më kujtohet që librin “Dënimi i Paganinit” e kisha blerë në Bulqizë gjatë një shërbimi në Dibër nga gazeta “Bashkimi” dhe e kisha mbaruar brenda natës në hotel turizmin e Peshkopisë. Ka kaluar një vit që kur e kam lexuar librin. Menjëherë pas leximit, i pata shkruar Anisës në një mesazh: “Për shembjen e diktaturave është shkruar shumë, është shkruar mirë nga autorë të zotë, është shkruar keq nga autorë më pak të zotë ose mediokër. Ti ke shkruar shumë mirë sepse nuk je ndalur në kronologji ngjarjesh historike, por ke bërë një gjë më universale, gati jashtë kohës dhe hapësirës, me një stil që varion sipas situatave dhe u rri atyre a pennello siç thonë italianët kur diçka rri në mënyrë perfekte. Po kështu a pennello u rrinë personazhet situatave. Ke krijuar disa karaktere të forta e të veçanta, ku Ida Raez të bën për vete, ta dashurosh e gati ta ndjekësh hap pas hapi, Vlad Krela të bën ta adhurosh për talentin e guximin e tij, por edhe ta godasësh për ndonjë hezitim a vonesë të tij, Teo të krijon një pështjellim ndjenjash por të është gjithnjë e më simpatik e befasues në evolucionin e tij, Bulëza e ëmbël të bën ta ëndërrosh, Jargësi të ngjall krupë e neveri. Të gjitha këto sensacione falë stilit e portretizimit që u ke bërë ti. Tablloja e pazarit, sa e vërtetë aq surrealiste më bëri të ndihem si në skenat e filmit “Dom sa vjeshanje” të Kusturicës”. Pas këtij mesazhi herë pas here më ka ngacmuar idea për të hedhur përshtypjet e mia në një shkrim. Por asnjë herë nuk e gjeja veten aq të lirë sa të ulesha e të shkruaja me nge e me atë dëshirën që na frymëzon një gotë verë e mirë kur ulemi në tavolinë. E nëse tani pas një viti ulem e shkruaj, tregon se mbresat e librit të Anisës më kanë mbetur thellë në kujtesë e do vazhdojnë për shumë kohë. Përshtypja e parë pasi e mbylla librin ishte: Në këtë libër janë pena e shkrimtares dhe syri i artistes kinematografike, që e bëjnë letërsinë e autores të lëvizshme e të rrëshqitshme si karreli i operatorit gjatë xhirimit të një filmi. Lexuesi ecën përmes rreshtash, por me mendje ndodhet në skena të gjalla, midis personazheve dhe e përjeton në mënyrë dinamike çdo ngjarje e episod. Duket sikur autorja, me një ritëm felinian, e ka vendosur posaçërisht gjithë romanin në 15 ditë për ta bërë lexuesin të rendë bashkë me të atyre skenave sa reale, aq edhe surreale e absurde si në filmat e Kusturicës e herë-herë ta ulë ritmin e të shijojë më me nge ato skena të ngrohta dashurie që do të donin dorën e një artisti si Almodovar. 15 ditë prilli. Por është një prill i papërkufizuar në kohë dhe pa përcaktuar amfiteatrin e ngjarjeve se ku ndodhin. Mbase autorja këtë ia lë lexuesit, apo mbase ka synim të caktuar për t’u dhënë ngjarjeve një diapazon më të gjerë, ndërkontinental e gjithëkohor. Sepse Anisa Markarian synon letërsinë e madhe e vështron larg në kohë e në hapësirë. Këtë e kemi parë edhe në tregimet që ajo boton herë pas here.Në romanin e saj është periudha e lulëzimit, dekadencës dhe rrëzimit të regjimit totalitar. Tek shikon figurën sa butaforike, aq edhe djallëzore e kriminale të diktatorit me emrin “I përndrituri”, lexuesi mund ta çojë mendimin tek ish diktatori shqiptar, po aq sa mund ta çojë edhe lexuesi rumun, rus, kinez e të tjerë tek ish diktatorët e mëdhenj, por edhe lexuesit e vendeve e kohërave të tjera tek ish diktatorët e përgjakshëm përgjatë historisë botërore. Sepse pak a shumë lulëzimi, dekadenca e rënia e diktaturave ka patur të njejtën skemë gjithandej e gjithëherë. Autorja përshkruan përmes episodesh e ngjarjesh dramatike nënshtrimin e masës deri në ekzaltim e hyjnizim të figurës së diktatorit dhe shpurës së tij servile, bën sarkazëm me folklorizmin e përzgjedhjes së titujve e dhuratave për ditëlindjen e diktatorit dhe zgjon shpresën me rënien dhe shkatërrimin e regjimit totalitar. Por në mënyrë indirekte ajo përcjell artistikisht mesazhin e madh që nuk mjafton ta rrëzosh diktaturën, por duhet edhe ta denoncosh e dënosh veprimtarinë e saj kriminale, përndryshe ajo mund të ringrihet nga hiri i vetvetes duke përfituar nga amullia e njerëzve që mendojnë se regjimi mbaron me rrëzimin e tij, siç po ndodh aktualisht në shumë vende ku regjimet totalitare u rrëzuan, por janë zëvendësuar nga diktatorë të rinj që e mendojnë pushtetin e tyre të përjetshëm. Përshtypja e dytë ishte ajo e realizimit dhe ravijëzimit të personazheve dhe të ambienteve ku i vendos ngjarjet, çka autorja e bën me një mjeshtëri të spikatur artistike. Heroina e romanit është Ida Raez. Për një çast lexuesi, duke parë se ajo është një studente në mjekësi e që ka edhe prirje artistike, mund të mendojë se autorja ka vendosur në qendër të romanit veten e saj. Por sa më shumë thellohesh në lexim dhe e ndjek këtë heroinë sa rebele e kryeneçe, aq delikate, të brishtë, humane e të ndjeshme në momente e rrethana të caktuara, bindesh se autorja ka arritur të realizojë një figurë më të madhe e më përgjithësuese se vetja e saj. Mbase Anisa do të donte të ishte një Ida Raez, ose mbase do të jetë, por interpretuese e saj, në një film të mundshëm artistik mbi motivet e këtij romani. E me siguri do të dilte një film me përmasa e pretendime të mëdha artistike. Ose të marrim figurën e shkrimtarit Vlad Krela, që autorja e ka jo vetëm si një personazh të rëndësishëm të jetës e të kulturës së vendit ku zhvillohen ngjarjet, por edhe si një mjet artistik përmes veprave të të cilit ajo sjell si të thuash vizionin e fazave të lulëzimit, dekadencës dhe rënies së regjimit totalitar. I vendosur në atë ambient shkrimtarësh dhe artistësh ku pabesia ndaj njëri-tjetrit është injektuar nga regjimi, Vlad Krela të kujton disi Ismail Kadarenë, po aq sa të kujton edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj në vendet e regjimeve totalitare. Mendoj se realizimi i personazheve të tilla me përmasa që dalin tej caqeve të një romani, është një nga vlerat e dukshme të librit të Anisa Markarian. Edhe linja aq e bukur dhe e brishtë midis Teos dhe Bulëzës, përshkrimi i skenave e ambienteve në Kosheren e heronjve apo tunelet e Malit të Urthit, e turmave në demonstratën e madhe, janë të tilla që vetëm një penë mjeshtërore dhe një fantazi tejet e pasur mund t’i sillte me atë kolorit emocional e tronditës, siç i ka sjellë Anisa. Kosherja e heronjve është laboratori i sajimit të heronjve të ditës. Kujtoni heroin pozitiv në letërsinë e realizmit socialist apo heronj si Lei Feni kinez që mblidhte gozhdë e vidha apo Fuat Çela që i binte dhjetës në tabelën e qitjes edhe pse ishte pa sy. Kurse tunelet e Malit të Urthit janë qelitë e moskthimit, përtej tyre ekziston asgjëja, apo moskundi siç thotë në roman shkrimtari Vlad Krela. Imagjinojini në sekuencat e një filmi këto ambiente absurde me heronjtë e tyre tragjikomikë apo tragjikë. Përshtypja e tretë është që Anisa Markarian, me stilin e saj elitar, nuk i drejtohet vetëm lexuesit elitë, por gjithë auditorit letërsidashës, sepse, si tema e trajtuar, ashtu edhe mesazhet që ajo përcjell, janë për një auditor shumë të gjerë, auditor të cilin ajo e ka fituar në vite me talentin e saj, me personalitetin njerëzor si mjeke, si artiste, si femër e me atë thjeshtësi që na bën ta ndjejmë si njërën nga ne, si banoren e portës përbri, por që ka forcën ta ndriçojë rrugicën me buzëqeshjen dhe dritën që i buron nga brenda. Romani “15 ditë prilli” është një roman i fuqishëm, modern, i pasur artistikisht e në aspektin gjuhësor, aspekt në të cilin Anisa i ngjan një amvise të mirë që di të nxjerrë në pah edhe vlerën e mjeteve më të thjeshta të lëna mënjanë nga kujtesa e përgjithshme. E u jep atyre një shkëlqim të ri, jo artificial, por duke i bërë pjesë organike të gjuhës së romanit, duke e bërë atë më të këndshëm, më tërheqës e më intrigues në duart e lexuesit. Mbase autorja do më quajë pak të vonuar në këtë shkrimin tim. Por mendoj se nuk është kurrë vonë të shkruash mbresat për një libër që e mbart brenda teje në ato raftet e veprave të përzgjedhura, ashtu siç nuk je kurrë i vonuar të marrësh nga kantina një shishe verë të vjetër, ta hapësh me delikatesë dhe ta shijosh me miq që ia dinë vlerën.

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 dite prilli, Anisa Makarian, Nue Lazri

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT