• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa Françesku i lutet Nënë Terezës

May 7, 2019 by dgreca

Në ditën e sotme të udhëtimit të tij të 29-të apostolik, në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku shkoi në Shtëpinë-Memorial të Nënë Terezës dhe i drejtoi një lutje shenjtes shqiptare të bamirësisë, të cilën po jua propozojmë të plotë më poshtë.

Kujtojmë se Shtëpia përkujtimore është ndërtuar aty ku ngrihet kisha e Zemrës së Krishtit, shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963. Pikërisht në atë kishë, që ishte famullia e saj, themeluesja e ardhshme e Motrave të Dashurisë mori pagëzimin, një ditë pas lindjes. Guri i parë u vendos më 9 maj 2008, ndërsa përurimi u bë më 30 janar të vitit të mëpasëm. Ndërtesa, me një stil të veçantë evropian e indian, ka një bazament në gur me të cilin ndërthuren elementë të ndryshëm arkitektonikë, ku spikat një kullë xhami, në faqet e së cilës mbizotëron një kryq i madh, punim në filigranë. Kati i parë është një muze, ku ekspozohen fotografi e objekte të Nënë Terezës si edhe disa relike të saj; në katin e dytë, krejtësisht prej xhami, ndodhet kapela. Shtëpia përkujtimore vizitohet nga rreth 100 mijë vetë në vit.

Papa u prit nga eprorja dhe nga 3 motra të Nënë Terezës. Një fëmijë i dha një tufë me lule, të cilën Ati i Shenjtë e vendosi në shtatoren e shenjtes. Papa shkoi më pas në kapelë, ku ishin mbledhur krerët e bashkësive fetare të vendit si edhe disa kushërinj të Nënë Terezës. Në altar ishin vendosur relikja e shenjtes, disa objekte personale dhe pesë qirinj, që përfaqësojnë 5 bashkësitë fetare të Maqedonisë së Veriut. Këtu, Papa shqiptoi lutjen e falenderimit drejtuar Zotit, që i dha botës Nënë Terezën si dhuratë dhe lutjen drejtuar vetë shenjtes, që të ndërhyjë për të varfërit e për popullin. Ja urata e plotë:

O Zot, Atë i Mëshirës dhe i çdo të mire

të falenderojmë për dhuratën e jetës

dhe të karizmës së shën Nënë Terezës.

Përmes Provanisë tënde të pamasë e thirre

të dëshmojë dashurinë hyjnore

ndër më të varfërit e Indisë e të botës.

Ajo diti të bëjë të mira për më nevojtarët,

sepse pa në çdo burrë e në çdo grua

fytyrën e Birit Tënd.

E butë dhe e përvujtë ndaj dikimit të Shpirtit Tënd,

u kthye në zë lutës i të varfërve

dhe i të gjithë atyre

që kanë uri dhe etje për drejtësi.

Duke e bërë të vetën britmën e Jezusit në kryq,

“Kam etje”,

Nënë Tereza ia shuajti

etjen Jezusit në kryq,

me vepra dashurie të mëshirshme.

Të lutemi ty, o shën Nënë Terezë,

o nëna e të varfërve,

të lutemi për ndërhyrje të veçantë e për ndihmë,

këtu, në qytetin tënd të lindjes,

ku e kishe shtëpinë.

Këtu more dhuratën e rilindjes

në sakramentet e besimit të krishterë.

Këtu i dëgjove fjalët e para të fesë

në familje dhe në bashkësinë e besimtarëve.

Këtu fillove t’i shohësh

e t’i njohësh njerëzit nevojtarë,

të varfërit e të vegjlit.

Këtu mësove nga prindërit t’i duash

më nevojtarët e t’i ndihmosh.

Këtu, në heshtjen e kishës

dëgjove thirrjen e Jezusit për ta ndjekur

në misione si rregulltare.

E këtu po të lutemi: ndërhy pranë Krishtit

që edhe ne të marrim dhuratë hirin

për të dëgjuar me vëmendje dhe kujdes britmën e të varfërve,

të atyre, që privohen nga çdo e drejtë:

të sëmurët, të mënjanuarit, të fundmit.

Ai i Lumi na dhashtë hirin ta shohim

në sytë e atyre, që na vështrojnë

sepse kanë nevojë për ne.

Na dhashtë një zemër, që di ta dojë Zotin

e pranishëm në çdo burrë e në çdo grua,

që di ta njohë ndër ata

të cilët pësojnë vuajtje dhe padrejtësi.

Na dhashtë hirin të jemi, edhe ne,

shenjë dashurie e shprese në kohën tonë,

që ka kaq nevojtarë, kaq të braktisur,

kaq të harruar e kaq emigrantë.

Bëj që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë,

por të jetë e frytshme dhe e vërtetë,

që të mund të japim

dëshmi të besueshme në Kishë,

e cila e ka për detyrë

t’u predikojë Ungjillin të varfërve,

çlirimin të burgosurve, gëzimin të pikëlluarve,

hirin e shëlbimit, të gjithëve.

O Shën Nënë Tereza lutu për këtë qytet,

për këtë popull, për Kishën e tij

e për të gjithë ata, që duan ta ndjekin Krishtin

si dishepuj të Atij Bariu të Mirë,

duke bërë vepra drejtësie, dashurie,

mëshire, paqeje dhe duke shërbyer,

si Ai, që erdhi jo për t’u shërbyer,

por për të shërbyer e për të dhuruar jetën për shumë vetë,

Krishti, Zoti ynë.

Amen

07 maj 2019, 12:49

Papa: Nënë Tereza na ndihmoftë ta dëgjojmë me vëmendje britmën e të varfërve

Gjatë vizitës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, Papa i lartoi Zotit lutjen për nder të Shenjtores, duke i kërkuar të na bëjë edhe ne “shenja dashurie”, dëshmitarë të besueshëm të Kishës, që ka për detyrë t’ia predikojë Ungjillin të varfërve. Pas lutjes, takimi prekës me 100 të pastrehë, të asistuar nga Motrat Misionare të Bamirësisë dhe bekimi i gurit të parë për Shenjtëroren kushtuar Nënë Terezës.

R. SH. Vatikan

Një nga çastet më prekëse të kësaj dite në Maqedoninë e Veriut, ishte pikërisht vizita e Papës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, vendlindje e  Shenjtores, figurë e ndritur, në qendër të vëmendjes të këtij shtegtimi të 29-të apostolik, ashtu si Shën Gjoni XXIII. Do të jetë një ndërtesë moderne, që do të përurohet në vitin 2019 e do të ketë edhe një muze të vogël, me foto, objekte e relike të Nënë Terezës. Pjesa e parë e kësaj etape nisi me lutjen para shtatores së Shenjtores, një herë në heshtje. Pastaj, në kapelën e ndërtesës, ku ishin të pranishëm liderët e bashkësive fetare të vendit, dy kushërinj të Nënë Terezës e, natyrisht, edhe Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë, me tri rregulltare, Papa lartoi lutjen në nderim të  Shenjtores shqiptare.

Mbi altar ishte ekspozuar një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj, simbol i pesë konfesioneve fetare. Bashkësitë fetare të pranishme, sipas njoftimit të Kishës vendase, ishin: bashkësia ortodokse maqedone, e përfaqësuar nga metropoliti i Shkupit, Stefani; bashkësia islamike, nga ulema Sulejman Rexhepi; bashkësia ungjillore metodiste, nga pastori Michail Cekov; bashkësia hebraike, nga Berta Romano Nikolic. E nuk është rastësi që, në këtë vizitë, morën pjesë të gjithë liderët fetarë: këtë Grua të vogël- tejet të madhe – që u përkul mbi të  varfërit më të varfër, e deshën fort njerëz të feve, kulturave, traditave të ndryshme, në të katër anët e botës, sepse në të katër anët shkeli, deshi, shërbeu! Për t’ia  shuar etjen e Jezusit të mbërthyer mbi kryq!

Gjatë lutjes për nder të Nënë Terezës, kanonizuar në vitin 2016, Papa iu drejtua Zotit me fjalët prekëse:

“Të falënderojmë o Zot – u lut – për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së  dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.

Si Nënë Tereza, shenjë dashurie

Në vendin, ku sot ngrihet shtëpia përkujtimore, më parë ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, e rrënuar nga tërmeti i vitit 1963. Aty pati qenë pagëzuar Nënë Tereza! Aty i pëlqente shumë të lutej. E po aty, ndjeu së pari zërin e Jezusit! Zoti po e thërriste për ta ndjekur pas në jetën rregulltare si misionare – kujtoi akoma Papa në lutje. – Pikërisht prej këtij vendi, kaq domethënës për Shën Terezën, Françesku iu lut Shqiptares së Madhe të ndërmjetësojë pranë Jezusit, që të na e dhurojë edhe ne hirin ta dëgjojmë  britmën e të varfërve, të atyre, që u mohohet çdo e drejtë, të sëmurëve, të  shtypurve, të fundmëve. E edhe hirin që ta shikojmë Jezusin në sytë e nevojtarit:

“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë,  e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

“O Shën Nënë Terezë, lutu për këtë qytet – përfundoi Papa – për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si dishepuj të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi  si Ai, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

Takimi me të varfërit dhe bekimi  i gurit të parë të Shenjtërores së Nënë Terezës

Në përfundim, në oborr, Papa u takua me 100 të varfër, të asistuar nga Misionaret e Bamirësisë, Urdhër i themeluar nga Nënë Tereza. Eprorja vendase, motër Tekla, i drejtoi një përshëndetje Atit të Shenjtë:

 “Jemi ndërmjet të varfërve më të varfër – kujtoi – e, në vijim, përsëriti fjalët e paharrueshme të vetë Nënë Terezës: ‘Të varfërit janë njerëz të mëdhenj’; kanë kombësi, gjuhë, fe, përvojë të dhimbshme e tronditëse të ndryshme, por janë të bashkuar nga e njëjta shpresë”.

Shumë prekëse edhe dëshmia e Sonjës, një gruaje të asistuar nga motrat, që foli para Papës, duke mbajtur përdore vogëlushen e vet. Vajzë-nënë, ajo pati shpresuar të kishte një vatër familjare, por mbeti në mes të rrugës së madhe. Në pritje të foshnjës. Nga përvoja e saj u ndje fort dhimbja e thellë, por dhe mirënjohja, edhe më e thellë, për motrat që – theksoi – pa më pyetur fare ç’feje i përkas – e unë jam ortodokse – më hapën portën e zemrën, mua e bijës sime. Kur duhej të vendosja ta mbaja fëmijën apo ta abortoja – vijoi – zgjodha jetën, ngaqë e dija se Zoti është këtu, me ne, se Ai nuk na braktis kurrë”.

Fjalë prekëse, edhe sepse e bëjnë të dukshëm frytin e një morie jetësh të dhuruara për dashuri, fryt që lexohej qartë në sytë e ndritshëm të të varfërve të pranishëm në takim, të cilët Papa i përshëndeti një për një. Dëshmi tjetër, e prekshme, emocinuese, kjo, për t’u treguar se nuk janë të harruar. Se ka kush i kujton!

07 maj 2019, 14:17 (Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: Papa Francesku-Lutet-Nene Tereza

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT