Natyra këtu ka magji. Lasgushi këtë magji e kishte kthyer në poezi. Tani “dremit liqeri” me kujtimet për të…/
NGA PËLLUMB GORICA/Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj.
Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!
Kalojmë Elbasanin, Librazhdin dhe Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në panoramat interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.
Në liqen mahnitja dashuruar
Por kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një panorama magjepse si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi në zemrën e bukurive të Ballkanit.
Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyehen në liqen e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjeton këtë panoramë të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit me panoramat piktoreske, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Voloreku etj, me pamjet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës e të ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh.
Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Nëpër kodra bari mbulon tokën si qylym i blertë e që ndrit nga vesa. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Panorama tërheqëse e piktoreske e Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm na rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura…
Qyteti sot shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parqe, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.
Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat e qytetit, flladin e liqenit… Koloriti i stinës i jep një tjetër hijeshi qytetit. Rugët e tij gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, figurat e njohura të tij dhe liqenin. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorët u pëlqen ta emërtojnë gjoli. Ndërsa Lasgushi derdhte në vargje emrin liqeri. Por liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. I ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, monumenti i Lasgushit plot hir me qenin Cuci para këmbëve dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. Ndalemi pak çaste, ku valët e liqenit llokoçiten lehtë në breg dhe i flladit fytyrat tona të emocionuara. Por, duke kundruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, të kumbojnë vargjet e Lasgushit, ku ai ka derdhur dhëmbjen për plagët e nositit:
“Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:
Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.
Liqeri i shkretë e rrit tallazi porsi det
E shpirtin duke më përcjellë më thotë se
Ah! Shih sa është i thellë
Ky gjiri em që të patë pjellë”
Magjia ka zbritur në Volorek( Drilon)
Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Volorekun është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar”, për t’u shijuar sot nga gjithkush. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati të dalldisur të rrëmbejnë befasishëm e të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dhe me shtrirje përgjatë ujërave të kristalta e të qeta, që nën rrezet shëndritëse të diellit janë një kënaqësi ripërtëritëse. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave e të peshqve të veçantë, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.
– Voloreku i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.
Në Volorek ndërtimet: bar kafetë, restorantet dhe hotelet e zbukurojnë këndshëm në çdo stinë të vitit, ku nuk mungojnë shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme me një shërbim të kulturuar dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë.
Por, pak më tej Volorekut të bukur e të mirëmbajtur, spikatin ndërtimet e vjetra, por edhe të reja të Tushemishtit. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar po shpërfytyrohen barbarisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar pjesën e plazhit. Panoramat e bukura humbasin vlerat dhe nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.
Voloreku është një poezi që meriton të interpretohet. Natyra e tij të përkëdhel aq bukur sa të josh ta vizitosh atë përherë, jo vetëm në verë, por edhe në ditët e dimrit me borë. Se s’ka si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare gjithkush që e viziton gjen parajsën e shpirtit të munguar.