• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPELLA E PËLLUMBASIT NJË MONUMENT I MADH NATYROR NË SHQIPËRI

May 28, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/

Prej kohësh më ka shtyrë dëshira për të bërë një vizitë në shpellën e Pëllumbasit. Ajo ndodhet rreth 25 kilometra nga Tirana, në të majtë të luginës së lumit Erzen. Misteri që e rrethon po zgjon një kuriozitet të veçantë, dhe përherë e më tepër po shton vizitorët.

U ndodhëm tek ajo në orët e para të ditës. Penelatat e dritës, freskia e ajrit e bëjnë udhëtimin tonë të këndshëm, dhe në një ditë të tillë është vërtet kënaqësi, aq më tepër kur kalon përmes një zone të populluar gjatë gjithë gjatësisë së saj, e ku ndihet më shumë dora e njeriut. Këtu ndërtimet e shumta dhe të bukura i kundëron anë e kënd me tërë hollësitë e saj. Gurgullima e lumit Erzen të shoqëron kilometra më tej dhe e ndjen thellë atë. Erzeni është një prej rrjedhave ujore më piktoreske të Shqipërisë së Mesme, që gjatë stinës së përtëritjes vishet me një pamje gjelbërimi të harlisur deri në lartësitë e shpateve malore. Veçse, pak kilometra nga Tirana, i tërheq vizitorët me shumëllojshmërinë dhe bukurinë piktoreske. Mendja dhe dora e njeriut i kanë zbukuruar edhe më shumë me ndërtime çlodhëse, ndaj kënaqësitë që pret të shijosh janë të shumta, por edhe njëkohësisht ndrydhje në shpirt për Tiranën e mbuluar nga smogu. Bukuritë e rralla natyrore që të ofron lugina e Erzenit mbeten përherë potenciale për turizmin.

Udha gëlon nga trafiku i shumtë i makinave me hyrje- daljet për në Tiranë, ndërsa mikrobuzi me të cilin udhëtojmë ne, mori kthesën majtas, duke u ngjitur kodrave drejt Pëllumbasit. Rreth nesh mozaiku i peisazhit të gjelbëruar ndërron pas çdo kthese. S’mund të mos jesh i vëmëndshëm pa i vështruar aq mirë të veçantat e tij, teksa ngjitemi nëpër të përpjetën e një varg kodrinash të cilat ulen para rrjedhës gjithë dredha të Erzenit. Gjarpërimeve të rrugës mespërmes këtij peisazhi të mbuluar nga gjelbërimi natyror e kësaj të shtune maji, duke e mbuluar atë me kuvertën e Stinës së Luleve u shtohen edhe tokat e mbjella pëllëmbë për pëllëmbë, si dhe gjithfarë bimësh e drurësh frutorë, që nga ullinjtë me trungje gjithë gunga, e kurora të gjëra, e deri tek arrat, qershitë, kumbullat e vreshtat e rinj. Ndërmjet tyre shtrihet vendbanimi i Pëllumbasit në një hapsirë të madhe, e tërsisht të hapur nën këmbët e malit të Pashkasheshit, ku ashpërsia shkëmbore e tij i qëndron si mburojë zonës. Jeta rrjedh këtu me gjithë dimesionin e saj, edhe pse të shpalos një botë vështirësish me përpjekjet e banorëve për ta përballuar atë me punën në bujqësi e blektori.

Shpella e Pëllumbasit zgjon misterin

Shpella e Zezë e Pëllumbasit, kjo mrekulli natyrore ndodhet në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit. Ndërsa ne vazhdojmë udhëtimin tonë drejt saj, duke biseduar, udha këmbësore tepër e ngushtë sa vinte bëhej më e pjerrët. E mbrojtur nga parmakë druri, dhe e ngjitshme nëpër disa valëzime shkallaresh, të ndërtuara vitet e fundit, ajo hijeshohej nga pylli i dendur i shkozave. Aty këtu ca stola prej druri të krijojnë mundësinë të qëndrojmë për të bërë pushim, apo më mirë të themi të çpihemi pakëz nga lodhja e ngjitjes së mundimshme. Kush ka ardhur këtu e nuk është mrekulluar nga madhështia e maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës), dhe Dajti përbri, që ngrihen si një gardh madhështor në lindje të Tiranës dhe pellgut të saj. Nga kjo lartësi mbisunduese, pamjet e hapsirave të largëta që sheh syri të shfaqen si në pëllëmbë të dorës deri tutje, e të duket vetja sikur do të fluturosh. Tanimë ne jemi afër maleve dhe po udhëtojmë ngadalë të shoqëruar nën simfoninë e zërave të ndryshëm dhe erës që hedh valle me flatra pëllumbash mbi kokat tona. Mali i Pashkasheshit i veshur me drurë dhe bimësi të shumtë, të bën përshtypje me pasurinë e pafundme dhe të shumëllojshme të tyre si: shkozë, frashër, fier, sherbelë etj. Ajri i pastër dhe rrezet e diellit bujarisht e ngrohtësisht,të mbushin me gjallëri. Këtu duket se merr kuptim edhe fjala: të mbushesh me frymë, sidomos për ne që jetojmë në Tiranë. Hapat tanë krijojnë zhurmën kërcitëse nëpër gurë dhe çaste të tilla të rralla janë më frymëzuese. Të mungojnë fjalët për ta përshkruar më shumë këtë peisazh, por të duash ato, jo vetëm fizikisht, edhe me ndjenjat e shpirtit, është më të vërtet një kënaqësi e madhe. Në pjerrësinë shkëmbore të malit të Pashkasheshit dhe pikërisht atë më të thiktën, të murrme dhe të shplarë, nis hyrja e shpellës. Duke iu referuar pozicionit gjeografik , Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet rreth 350 metra mbi nivelin e detit. Por, pak përtej pamjes së saj, një farë mërzitie të shkaktohet nga blana ngjyra – ngjyra emrash dhe datash të shkruara prej vizitorësh të papërgjegjshëm. Zhgarravina mbi monumentet mungesë kulture! Si kudo në Shqipëri kjo është kthyer në një fenomen shqetsues, dhe një realitet i zymtë, i cili fatkeqësisht po vazhdon të dëmtojë jo pak vlera të papërsëritshme të natyrës. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmëndjen me ndërtimin e brendshëm, të ngjashëm me thellësinë e një galerie të s’tërmadhe miniere. Që në hyrje përfshihesh nga gjithë ato emocione dhe para syve me zemër i mbledh ato. Siç do të shihnim më tutje ajo të fut në një botë misteresh, e të një ndjesi ndryshe, ku mendimet kthjellohen e humbasin në hapsirën e pafundme të përfytyrimeve. Në thellësi duhma e lagështirës të zë frymën dhe heshtja thyhet nga hapat tanë të kujdeshëm, shushurimat e lakuriqëve të natës dhe pikat e ujit më kumbuese që bien nga tavani shkëmbor. Elektrikët e dorës çajnë errësirën dhe ne të zhytur për ta eksploruar atë ecim lehtë nën impresionet e pamjeve dhe të freskisë së ajrit të lagësht. Fisniku, që i njeh kalimet kaq mirë, na tregon udhën nëpër kënde të panumërta ku vështroje stalagimite dhe stalaktite gjithfarë formash, dikur të shumta, por sipas banorëve të Pëllumbasit ato janë dëmtuar nga njerëzit. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me trajta të çuditëshme gjeometrike. Më tej shfaqen si skulptura të gdhendura prej shekujsh, kollonat, ku më shumë e ku më pak janë ruajtur nga dëmtimet. Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë. Flitet se është e 10 mijë vjetëve më parë, por s’dihet prej sa kohe është zbuluar, veç faktit se studiuesit e fushës speleologjike e kanë zbuluar tepër vonë këtë mrekulli natyrore shqiptare. Vetëm 20 vite më parë janë kryer studime rreth saj, duke përcaktuar disa periudha të zhvillimit njerzor që nga neoliti, e bronxit dhe e hekurit. Nga gjetjet arkeologjike me interes janë zbulimet e disa enëve, kocka të kafshëve e sidomos të arinjve të shpellave. Kjo shpellë meriton më shumë kujdes dhe studime nga organizmat hulumtuese, për vetë faktin e zbulimeve me vlerë. Edhe pse është zbuluar vonë ka patur informacione interesante në kuadrin e gjurmëve të lashtësisë, sidomos ai i gjuhëtarit elbasanas, Kostandin Kristoforidhi. Jo pak legjenda e bëjnë këtë shpellë vend tepër mistik, që ka yshqyer besytni, të cilat lidhen me fenomene të ndryshme. Sipas  njërës prej tyre të treguar; dikur këtu jetonte një qënie misterioze që nuk pranonte të hynte askush në shpellë. A mund të besosh të vërtetën e kësaj besytnie ? Ndoshta mund të ketë qënë një e tillë dhe këtë fakt e sjellë historia gojore, sepse për të nuk ka asgjë të shkruar, por, edhe kjo bie poshtë po t’i referohemi po atyre që kundërshtojnë njëra tjetrën. Por ajo që qëndron është fakti se, këtu në vitet e Luftës së Dytë Botrore është strehuar e gjithë popullsia e krahinës së Bërzhitës.

 

Pamjet piktoreske bashkohen me gurgullimën e ujrave…!

 

Nën pushtetin e emocioneve dhe kënaqësisë ne dalim nga shpella të përshëndetur nga zhurma shurdhuese e lakuriqëve të natës, të fshehur në xhepat e saj. Pastaj pa u ndalur morëm rrugën tatpjetë shpatit shkëmbor të mbushur me drurë të dendur, atje ku rrjedh lumi i kaltër i Erzenit. E tatpjeta nuk zgjat më shumë se 20 minuta, por është e thepisur dendur. Lumi këtu e ndërpret shpatin shkëmbor në një grykë të ngushtë (Gryka e Skuranës) mes së cilës uji gjarpëron, dhe këtu peisazhi është i larmishëm. Rrjedha e ujit në kohëra i ka ronitur shkëmbinjtë, duke krijuar forma të ndryshme e të çuditëshme: ujvara me lartësi 3-10 m, pellgje pas pellgjesh e po ashtu kanione të vogla, të pakalueshme për shkak të gurëve të mëdhenj. E kundron lojën e mrekullueshme të ujit që rrjedh nëpër shkëmbinj dhe mrekullohesh. Në të dyja anët një pyll drurësh të shumtë fëshfërijnë lehtë me freskinë e malit, e së bashku me pamjet tërheqëse dhe tepër piktoreske, të dhurojnë kënaqësi.

Pas një orë çlodhje nëpër gurë e hijet e pemeve buzë lumit ujëpastër, pikërisht atëherë kur ndenja shpirtërore e përmbushi kënaqësinë e çlodhjes, morëm udhën përposht rrjedhës së Erzenit. Duke kapërcyer nga një gur tek tjetri, tatpjetë një shtegu të ngushtë dredha – dredha, që ndërpritej herë pas here nga një bimësi e harlisur në këtë terren kaq të pjerrët, ne kaluam ngjitur masive shkëmbore që lartësohen mjaft ashpër. Është një udhë, e cila thuajse gjatë gjithë gjatësisë së saj ecën ngjitur me lumin, i cili këtu shëndërrohet në një rrjedhë të vrullshme me brrylime të befta e të papritura. Më pas vazhduam në një pllajë të gjërë me drurë, që nuk janë aq të lartë, por janë të shumëllojshëm dhe të kultivuar nga banorët. I kundërojmë endshëm të përshëndetur nga rrezet e diellit, teksa ato përthyhen në shpatin shkëmbor të malit.Janë peisazhe të papërsëritshme dhe impresionuese. Emocionohesh nga bukuria e natyrës, kënaqësia e ecjes dhe pushimit pak çaste këtu në një gjelbërim të tillë pranveror, si në çdo rast tjetër kur peisazhet e bukura, si ky i malësisë së Tiranës, na e hoqi lodhjen si me dorë. Janë këto disa nga mrekullitë e natyrës këtu, pasi kjo zonë ka dhe shumë të tjera, që përbëjnë pjesën më atraktive, jo vetëm për një adhurues të natyrës, por edhe për një vizitor të thjeshtë. Kënaqësi që s’të ndahen hap pas hapi, por edhe kureshtje. Na mbetet vetëm t’i admirojmë e sigurisht t’i fotografojmë ato, për t ua bërë të njohur të tjerëve.

 

*   *   *

Orët ecin dhe ne si kemi ndjerë fare. E kemi shijuar kështu bukurinë e këtyre peisazheve piktoreske, vetëm pak orë, larg nga pluhuri i Tiranës dhe me vete kemi marrë kënaqësinë e një dite të veçantë. Sa më shumë që largohemi, aq më shumë ndjejmë brenda vetes gjelbërimin, aromën e luleve, gurgullimën e ujrave dhe rrahjen e krahëve të pëllumbave. Enigma e shpellës vazhdon në heshtje ta mbështjellë ende atë.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Pellum Gorica, Shpella e Pellumbasit

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT