Sot, 30 Korrik deri 1 Gusht 2018 nga ora 11:00 am – 3:00 pm, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York hapë librin e zisë për të nderuar Heroin e Kombit Shqiptar, simbolin e rezistencës shekullore, Mandela i Kosvës Adem Demaçi.
Biografia:/
Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ai u rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Arsimin fillorë e kreu në vendlindje.
Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm.
Krahas krijimtarisë letrare, ai ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve.
Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap.
Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, “Jeta e re” falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit.
Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve.
Në nëntor të vitit 1958 Demaçi u arrestua në Prishtinë nga qeveria autoritare e RSFJ-së. Pas disa muajsh në hetuesi, doli para Gjyqit nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.
Ai u burgos përsëri në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990. Nga burgu u lirua vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1990. 28 vjet burgim të rëndë në burgjet e Federatës Socialiste të Jugosllavisë. Opinioni publik e njeh atë si Mendela i Evropës, për sakrificën e tij për idealin e lirisë së popujve të shtypur.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet të Francës për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Demaçi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të përgjithshme njerëzore, altruist dhe promovues i të drejtave të komuniteteve pakicë dhe grupeve të margjinalizuara.
Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.