Nga Prof.MURAT GECAJ/
Në sallën kryesore “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u bë përurimi i librave (shqip-anlisht) të autorit nga Prishtina, prof.dr.Jusuf Osmani, drejtor i Arkivave të Kosovës. Ishin të pranishëm profesorë e akademikë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike. Kishin ardhur edhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe studiues nga Prishtina etj.
Tubimin për përurimin e librave: “Krimet e Serbisë në Kosovë”,1998-1999 (nr.1 e nr.2) dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve, në Kosovë”(1998-1999), me mbi 1.300 faqe, në format të madh dhe shkruar nga prof.dr. Jusuf Osmani, për një kohë të gjatë drejtor i Arkivave në Kosovë, e hapi drejtori I Institutit të Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof.dr. Beqir Meta. Ai u ndal posaçërisht në përmbajtjen kryesore të këtyre veprave voluminoze,e dokumentare e cilësore dhe nënvizoi se ato e pasqyrojnë mjaft mirë historinë më të re dhe tragjike të Kosovës. Në to, ka dokumente e fakte të panumërt dhe të pakundërshtueshëm, marrë nga arkivat dhe organizatat e ndryshme shoqërore e organet shtetërore, sidomos ndërkombëtare, si nga Kryqi i Kuq, OSBE e NATO, nga institucione fetare dhe shtypi shqiptar, por dhe ai serb etj. Dokumentet e paraqitura janë klasifikuar sipas kritereve të rrepta shkencore. Ndër to, bien në sy krimet e bëra ndaj fëmijëve, që nga helmimet masive dhe deri te vrasjet e pamëshirshme e çnjerëzore. Po kështu, janë dokumentuar mirë shkatërrimet në qytete e fshatra etj. E gjithë kjo dëshmon se organeve gjyqësore përgjegjëse ndërkombetare u vihen në dorë fakte të shumta e bindëse, për ta vënë në bankën e të akuzuarëve regjimin gjakatar serb, me krimet e shkaktuara në Kosovën martire.Me interes u ndoq edhe parashtrimi i paraqitur, rreth këtyre librave, nga studiuesi, prof.dr. Marenglen Verli. Ndër të tjera, ai theksoi punën e përkushtuar në drejtimin e arkivave të Kosovës, nga autori i këtyre librave, prof. J.Osmani, sidomos për përgatitjen dhe kualifikimin e arkivistëve sa më të aftë nga ana profesionale. Ndërsa, duke u ndalur në librat e përuruar, tha se ata përmbajnë dokumente nga burime të sigurta dhe interpretimet e tyre janë bërë me profesionalizëm të lartë, shkencor e metodik etj. Kështu, jepet edhe paraqitja teorike e çështjeve, për 100 vjet krime në Kosovë, pra si për ato të vjetrat, por dhe të rejat, në vitet 1998 e 1999. Pushtuesit serbë ndoqën politikën e kolonizimit dhe të shpërnguljeve masive të shqiptaravë nga trojet amtare stërgjyshore, por dhe të shfarosjes masive të tyre. Kështu, nga 30 komuna shqiptare të kësaj krahine, janë shpërngulkur më shumë se 300 mijë shqiparë, janë djegur e shkatërruar 100 mijë shtëpi banimi e institucione të ndryshme etj. Në vazhdim, prof.d. Përparim Kaba trajtoi, posaçërisht, se si janë dokumetuar në librin e përuruar krimet ndaj fëmijëve, të cilët përbëjnë 20 përqind të të gjitha krimeve serbe në Kosovë, të dëshmuara më tepër në krahinat e Skënderajt, Drenasit, Gjakovës etj. Gjithashtu, ai u ndal në keqtrajtimet ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, si nga paramilitarët, ushtria dhe policia serbe. Ata bënë keqtrajtime të pamëshirshme dhe organizuan dëbime masive të popullsisë civile të pafajshme, burgosje dhe vrasje nga më çnjerëzoret. Në fund edhe ai theksoi se mesazhi nga këta libra është: Asnjëherë mos të harrohen dhe as mos të zvogëlohën e anashkalohen krimet serbe në Kosovë, sidomos në vitet 1998 e 1999, gjë që i takon t’i gjykojë me drejtësi dhe paanësi edhe Tribunali i Hagës.
Po në këto linja, diskutoi edhe studiuesiiI njohur Uran Butka, I cili e përgëzoi autorin për punën e madhe studimore dhe për sistemimin e dokumentacionit të shumtë, nga të gjitha burimet e mundshme. Kështu, ato janë bërë një pasuri e paçmuar në duart e lexuesve të sotëm, por dhe atyre, që do të vijnë.
“Mësuesi i Popullit” Gani Demiri, i afërm i autorit të këtyre librave, solli dëshmi për traditat atdhetare të familjes së tij dhe nënvizoi përkushtimin, në këtë udhë, të J.Osmanit, në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Kjo gjë është pasqyruar më së miri edhe në këto botime të reja të tij, me dokumente e dëshmi të panumërta, për krimet serbe në Kosovë, gjë që u theksua gjerësisht edhe nga parafolësit.
Në fund, prof.dr. Jusuf Osmani i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurimin e këtyre librave. Ai përmendi edhe synimin kryesor të tij, me këto botime, që krimet serbe në Kosovë t’i bëjë sa më të njohura, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe para opinionit publik ndërkombëtar. Prandaj dhe këta libra janë përkthyer në gjuhën angleze. Ne e urojmë nga zemra autorin e tyre, për tërë këtë punë të madhe e frytdhënëse dhe i dëshirojmë shëndet të mirë, jetëgjatësi dhe lumturi familjare!(Ne Foto: Autori, prof.dr.J.Osmani, duke folur…)
Tiranë, 15 maj 2013