Ndeshja me Serbinë, Shqipëria shans për të bërë historinë/
Atmosferë festive në Elbasan për ndeshjen Shqipëri-Serbi/
TIRANË, 8 Tetor/Nga Gjergji Mima/ -Ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi e mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena”, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”, është një nga sfidat më të rëndësishme që kombëtarja shqiptare kaluajtur në historinë e saj, sepse kjo ndeshje mund të vleje kualifikimin historik për herë të parë në fazën finale të një Kampionati Europian.
Shqipëri – Serbi, skenaret e kuaifikimit të kombëtares
Shqipëria momentalisht ndodhet në vendin e tretë të grupit I, me 11 pikë, 1 më pak se rivalët e drejtëpërdrejtë për vendin e dytë, Danimarka dhe 4 më pak se Portugalia kryesuese. Në këtë aspekt, vendimtare për shanset e kuqezinjve për t’u kualifikuar do të jetë edhe ndeshja e sotme në Braga mes Portugalisë dhe Danimarkës. Nëse skuadra e Olsen nuk fiton në ndeshjen e saj të fundit të kualifikuese dhe kjo kombinohet me suksesin e shumdëshiruar të Shqipërisë në Elbasan Arena, atëherë mbrëmja e sotme do të jetë ajo e festës së madhe, pasi Shqipëria siguron automatikisht vendin e dytë në grup.
E rëndësishme do të jetë që Danimarka të mos fitojë, pasi kjo do t’i lejonte Shqipërisë që të shpresojë kualifikimin nga dera e madhe në Europian edhe në ndeshjen e fundit, të dielën e ardhshme në Yerevan me Armeninë, ku në këtë rast do t’i duhej me cdo kusht fitorja për të siguruar vendin e dytë. Shqipëria ruan këtë opsion për në Yerevan edhe nëse arrin në 8 tetor të njëjtin rezultat me danezët. Skenari më i keq, më mirë të mos thuhet qoftë edhe për supersticion, kombinimet matematikore janë disa, por e sigurt është dicka, Shqipëria ndryshe nga Danimarka është vetë zonjë e fatit të saj dhe ka në dorë për të hedhur cdo skenar negativ. në rast të dy fitoreve rradhazi kuqezi në dy ndeshjet e fundit të kombëtares, atëherë nuk ka opsion që shpëton rivalët.
Shqipëri-Serbi, shifra dhe fakte historike
Në prag të përballjes vendimtare mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”, mbrëmjen e sotme në oren 20:45, në kuadër të eliminatoreve të Europianit, panoramimi i disa fakteve historike, por edhe të ditëve të sotme, do të jepnin një ide më të qartë rreth diferencave që ekzistojnë mes të ekipeve.
Federata Shqiptare e Futbollit është pranuar në FIFA në vitin 1932, ndërsa homologia serbe është bërë anëtare e institucionit më të lartë të futbollit botëror që në vitin 1919.
Pozicionin më të mirë në renditjen e FIFA-s, të 22-tin Shqipëria e ka arritur në Gusht të këtij viti, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për t’i dhënë fitoren 0-3 në tavolinë ndaj Serbisë, për sfidën e Tetorit të një viti më parë, ndërsa pika më e ulët, që është vendi i 124-t, është shënuar në vitin 1994.
Ndërkohë, Serbia pozicionin më të mirë të 10-tin në botë, e ka arritur në vitin 1998, ndërsa pozicioni më i ulët, i 101, është shënuar në vitin 1994.
Golashënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare është Erjon Bogdani me 18 gola, ndërsa futbollisti me më shumë ndeshje është Lorik Cana me 86 paraqitje me fanellën kuqezi. Te Serbia si golashënuesi më i mirë i historisë spikat Stjepan Bobek, me 38 gola, ndërsa Dejan Stankovic ka luajtur plot 103 ndeshje, më shumë se cdo futbollist tjetër me kombëtaren serbe.
Vlera totale e futbollistë kuqezi kap shifrën e 34 milionë euro, ndërsa lojtarët serbë vlerësohen 158 milionë euro.
Fitoren më të thellë Shqipëria e ka arritur në miqësore ndaj Qipros në gusht të 2009, me rezultatin 6-1, ndërsa humbjen më të thellë e ka regjistruar me Hungarinë 12-0 në vitin 1950.
Në vitin 1972, Serbia, në atë kohë pjesë e ish-Jugosllavisë, fitoi 10-0 me Venezuelën, ndërsa humbjen më të rëndë e ka pësuar ndaj Cekosllovakisë në vitin 1920 me rezultatin 7-0.
Shqipëria i luan ndeshjet brenda në “Elbasan Arena”, që ka një kapacitet 12 800 vende, ndërsa Serbia në stadiumin e Partizanit të Beogradit, që mund të akomodojë 32 719 persona.
Shqipëri- Serbi, interesim maksimal i medias botërore
Ndeshja e “Elbasan Arena” mes Shqipërisë dhe Serbisë ka tërhequr vëmendjen e disa prej mediave kryesore botërore.
Interesimi i jashtëzakonshëm padyshim që ka të bëjë me historinë mes dy vendeve, por mbi të gjitha me ato që ndodhën një vit më parë në Beograd, me mediat globale që janë të interesuara të bëjnë dhe krahasimin me mënyrën se si u sollën tifozët serbë në 14 tetor dhe atë që do të shohin e përjetojnë në ‘Elbasan Arena’.
Mësohet se në tribunën e shtypit të “Elbasan Arenës” si kurrë më parë në ndonjë stadium shqiptarë do të jenë përfaqësues të mediave më të njohura të planetit. Siç konfirmon zyra e marrëdhënieve për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, në tribunën e mediave do të jenë gazetarët e CNN, BBC, Sky, Daily Mail, NY Times e të tjerë dhe padyshim ata të gazetave më të rëndësishme sportive si Gazzetta Dello Sport në Itali, L’Equipe e Francës apo Marca në Spanjë.
Shqipëri-Serbi, masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen e ndeshjes
Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri- Serbi në Elbasan janë marrë një sërë masash të rrepta sigurie nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit.
Në kuadër të këtyre masave që prej orës 08.00 të mëngjesit të sotëm është ndaluar qarkullimi rrugor tek bulevardet “Qemal Stafa” dhe “Aqif Pasha”, si dhe në aksin rrugor nga ish-Konservimi i vjetër deri tek Harullajt.
Gjithashtu, gjatë ditës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës; përreth dhe përballë stadiumit; si dhe përgjatë dy bulevardeve kryesore.
Hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 16:30, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Ata do të kontrollohen të gjithë në hyrjen e stadiumit dhe duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe, monedha apo metale. Lidhur me ndeshjen janë angazhuar 1.500 punonjës policie, nga të cilët 308 nga Drejtoria e Elbasanit.
Gjithashtu, të gjitha lokalet në këto zona do të jenë të mbyllura nga ora 12:00 deri në përfundim të ndeshjes, ndërsa në pallatet përreth nuk do të lejohen persona që nuk janë anëtarë të familjeve që jetojnë në to.
TIRANE, 8 Tetor /- Qyteti i Elbasanit është kthyer ditën e sotme në kryefjalën e emocionit, festës dhe shpresës për fitore, për të gjithë tifozët e kombetares shqiptare që do të ndjekin ndeshjen në Shqipëri-Serbi në stadiumin “Elbasan Arena”.
Flamuj kuq e zi, kapele, bluza e shalle me simbolet e Shqipërisë shihen ngado në rruget e sheshet e qytetit te Elbasanit.
Ndërkohë që, përveç tifozëve të kombëtares shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, shumë tifozë shqiptarë nga Kosova, Danimarka, Zvicra etj, do të jenë sot në stadium për të parë ndeshjen Shqipëri- Serbi, e cila është vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016.
Qindra tifozë nga Kosova, Presheva dhe Shkupi kanë mbërritur prej mbrëmjes se djeshme në Elbasan dhe të tjerë pritet të mbërrijnë gjate dites.
Tifozët, përveçse shprehin emocionet e mëdha për këtë ndeshje, u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për të shmangur çdo incident, pasi kjo mund të ndikojë në të ardhmen e futbollit shqiptar.
Kombetarja shqiptare do të kërkojë trepikëshin në fushën e gjelbërt, ndërsa festa në të gjitha trevat shqipëfolëse ka nisur prej ditësh.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes. Janë mbi 2300 policë si dhe njësia antiterror që janë angazhuar prej ditës së mërkurë, ndërsa RENEA do të ruajë kombëtaren serbe.
Kompanitë e basteve: Shqipëria favorite përballë Serbisë/
TIRANE, 8 Tetor /ATSH/. – Per ndeshjen Shqiperi – Serbi, në grupin I të eliminatoreve për Euro 2016, qe do te luhet sot ne oren 20.45 ne “Elbasan Arena”, kompanitë e basteve qe operojne ne vend favorizojnë ekipin shqiptar.
Ja disa nga kuotimet e kompanive te basteve:
1 X 2
Eccobet 2.50 2.95 2.80
bet365 2.87 3.00 2.90
eurolloto 2.75 3.00 2.75
lottosport 2.45 3.10 2.80
xhoilloto 2.75 3.00 2.80 /a.ke/