• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për një Tour D’Horizon Shqiptar dhe Evropian (II)

February 24, 2014 by dgreca

NGA GENTI MIHO*/

Në ditët e sotme gjeopolitika dhe zhvillimet botërore ushtrojnë më shumë ndikim në rajonin tonë nëpërmjet diskursit shoqëror, politik, diplomatik e fetar sesa nëpërmjet sektorit privat, ndryshe nga ç’ndodh në Islandë. Disa nga këto ndikime, së bashku me praktika monopoliste në vend, pavarësisht doktrinës ekonomike të majtë apo të djathtë që përfaqësojnë, pengojnë mirëqenien e njeriut të zakonshëm dhe zhvillimin e vendit. Mendimet në këtë shkrim të dytë janë një tour d’horizon, sic kanë parë marinarët me shekuj horizontin për të drejtuar anijen larg rrezikut dhe drejt erërave të mbara.

Bllokimi i pjesshëm i tregut dhe shkëmbimit të lirë në rajon është një nga arsyet kryesore të mungesës së mirëqenies ekonomike ku gjenden sot shqiptarët, si rrallëkush në kontinentin evropian.Një zonë e lirë është lehtësisht e realizueshme, jo vetëm në letër, por si praktika të njësuara që prekin cdo aktivitet të sektorit privat. Do të krijonte një hapësirë me burime më të shumta njerëzore, toke dhe kapitali vendas mes të paktën tre shteteve me shqiptarë dhe do të përfaqësonte më shumë fitim për firma investitore. Më rëndësishëm, është ekosistem për të vendosur kapacitete të mëdha prodhuese për shitje gjetkë, nga rrjedh një treg më i fuqishëm për produkte të tjera nga jashtë. Ky do të ishte ambient më i përshtatshëm për investime gjermane dhe amerikane. Po të kishte treg të lirë, kompanitë gjermane dhe amerikane do ta shikonin më pozitivisht edhe rrezikun politik, situatën e sundimit të ligjit dhe nivelit arsimor në rajon.

Bllokimi i pjesshëm por dominues i këtij tregu të lirë dhe shkëmbimi të lirë është simptomë e një krize të thellë shumëvjecare: shkërmoqjes së ekonomisë në themelet e saj. Një stimul ekonomik i ngjashëm me Planin Marshall, si politikë ndërshtetërore evropiane “Rindërtim, jo Meremetim!” duhet të kishte filluar sa më shpejt që të ishte e mundur, për shembull në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit. Sipas rëndësisë, në radhë të parë mungesa e vullnetit në Evropë, së dyti udhëheqjet e ndryshme brenda shteteve me shqiptarë dhe së treti politika e jashtme amerikane në mbështetje të integrimit evropian janë tre faktorët që nuk kanë dhënë rezultat për stabilitet dhe zhvillim mes shqiptarëve.

Pa këtë stimul ekonomik nuk ka pasur asnjë shans për të sjellë ndryshime rrënjësore pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në Shqipëri e Kosovë. Mungesa e stimulit përbën edhe bazën e vërtetë të një destabilizimi të vazhdueshëm shoqëror, politik, fetar apo kriminal në rajon, por edhe të dëshpërimit dhe varfërisë në masë të shqiptarëve. Mungesa e këtij stimuli ekonomik, që shfaqet edhe si vonesë, për cfarëdolloj arsyesh, e hyrjes në Bashkimin Evropian është kërcënim për sigurinë jetike kombëtare të shqiptarëve në të paktën një nga disa skenarët e mundshëm në të ardhmen.

Pasojat janë të njohura dhe në shumë raste të provuara: largon njerëzit nga mirëqenia individuale drejt nacionalizmave boshe. Krijon ambient për kaos, i cili mund të përhapet lehtë për qëllime politike, fetare apo interesa personale, si nga brenda edhe nga jashtë vendit. E bën të lehtë edhe kontrollin e institucioneve nga një individ ose grup me interesa të ngushta. Përfaqëson “brishtësi” për demokracinë si mosaftësi për të detyruar pushtetin të përmirësohet ndjeshëm nga një cikël zgjedhjesh në tjetrin. Si rrjedhojë, nxjerr jashtë loje konkurencën ekonomike si motor për të krijuar pasuri, në pamundësi të së cilës diskutimet dhe energjitë e shqiptarëve kanalizohen vetvetiu drejt shpërndarjes së pasurisë ose fjalosjes.  Pasoja më e rëndë është se tkurr hapësirën për përdorimin e dijeve dhe praktikave të mira të punës qe shpie në degradimin e pashmangshëm të tyre dhe realizimin e hapësirës shqiptare si hambar aftësish të pakualifikuara për tjetërkund.

Pamundësia për sundimin e ligjit krijon njëkohësisht mundësi për kontroll të lehtë mbi shoqërinë si shprehje e progresit të vetëm një segmenti të vogël të shoqërisë. Nga ana tjetër, legjitimimi i strukturave kriminale, brenda ose jashtë shtetit, ndodh jo vetëm si pazotësi apo mungesë vullneti nga shteti për t’i eliminuar, por edhe si alternativë e vetme për njeriun e ndershëm të ndjekë rrugë të paligjshme në kërkim të mirëqenies legjitime personale.

Ky fenomen mund të barazohet, pa frikë se mund të gaboj, me totalitarizëm të pranuar si e keqja më e vogël nga të gjithë – zaptim të shtetit nga pamundësia për zhvillim – dhe zhvlerësim të shoqërisë dhe të njeriut, karakterit kombëtar dhe vullnetit të tij të lirë. Si situatë është e përafërt me një gjendje pas lufte apo fatkeqësie natyrore të përmasave kombëtare të cilat autori i këtyre radhëve i ka parë nga afër në disa shtete. Një situatë e ngjashme ndodhi në Gjermani pas Luftës së Parë Botërore që solli në pushtet Hitlerin.

Në këtë rast udhëheqja evropiane, megjithëse me eksperiencë të gjatë në situata të ngjashme, e anashkalon realitetin. Retorika evropiane nuk duhet parë vetëm si dështim për të ndihmuar siç duhet, por edhe si fshehje e realitetit dhe me përgjegjësi të parë. Udhëheqësit vendas kanë kontribuar dhe e kanë pranuar këtë realitet si fait accompli, pjesërisht si vendosje e interesave të tyre personale para interesave të popullit të vet apo për të mos turbulluar ujërat. Po ashtu kanë përgjegjësi të parë.

Pamundësia për zhvillim prek interesat e te gjithëve, por sidomos ato të njerëzve të thjeshtë, të cilët s’kanë faj dhe asnjë gjë në dorë në këtë rast. Si kaos ky manifestohet shpesh si i organizuar në zanafillë, fillon me skript dhe vazhdon i çrregullt dhe shpesh i pakontrollueshëm në nivel institucional, në dukje i padeshifrueshëm, por gjithnjë me logjikën e vet. Prandaj mund të gjykojmë se krizat politike dhe ekonomike mund të ndryshojnë pak nga njëra-tjetra, por të ngjashme priten edhe në të ardhmen.  

Të mos bëhet pre dhe pjesë e këtij rreziku si kaos është motiv kryesor i autorit të këtyre radhëve, pasi i ka menduar me vite para se të arrijë me siguri të lartë në këto përfundime. Ndarjet politike apo të cfarëdolloji, jo vetëm si pasione të natyrës njerëzore, por edhe si kaos deri diku i qëllimshëm për interesa të ndryshme së bashku me fshehjen e së vërtetës edhe si frikë e trashëguar nga totalitarizmi duhen larguar që të mund të kuptojmë së bashku më mirë çështjet me rëndësi jetike. Vetëm pas kësaj mund të ketë përmirësim të ndjeshëm dhe të shihet sa janë shanset reale për shqiptarët për t’u vetzhvilluar si popujt e tjerë evropianë dhe sa mund të japin kontribut me ide dhe prodhimet e tyre në tregun e lirë evropian dhe botëror.

Këto fakte ekzistojnë jo si teori konspiracioni, por si skenar i njohur shtetndërtimi në nivel doktrine, që rezulton me lënien në mjerim e varfëri të shqiptarëve si evropianë në nevojë nga evropianët e pasur. Kjo duhet të shihet edhe si krizë identiteti evropiane dhe e popujve përbërës të Evropës që duhet të na bëjë më të vetëdijshëm për rëndësinë e veçantisë shqiptare dhe karakterit kombëtar shqiptar që shfaqet edhe me mbrojtjen e më të dobëtit. Po të fliste Evropa shqip si shqiptarët folën si shtet dhe si popull në Luftën e Dytë Botërore duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar hebrejtë, por edhe ish-pushtuesit italianë, shqiptarët do të ishin shumë më të zhvilluar ekonomikisht.

Rreziku për destabilizim dhe përhapje kaosi nuk është kërcënim vetëm për shqiptarët, por edhe për interesat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, sidomos ato evropiane, përderisa shqiptarët jetojnë në Evropë.

Mungesa e angazhimit evropian për zgjidhje afatgjatë, jo vetëm të kurimit të simptomave të sëmundjes, ishte një nga arsyet kryesore që Shqipëria përfundoi si Koreja e Veriut, kur mund të ishte si Koreja e Jugut.  Kaosi që pasoi, sidomos nga varfërimi në 1991 dhe në 1997 preku edhe shtete të tjera në Evropë. Fatkeqësisht për ta ky problem ka rëndësi të dorës së dytë dhe konsiderohet si i pranueshëm dhe i menaxhueshëm përderisa nuk i prek direkt dhe po aq fort sa shqiptarët. Megjithatë, në një situatë të ngjashme në Evropë do të kishte shqetësime serioze në rrugët e Parisit apo Berlinit, gjë që do të pasonte me veprime konkrete stimuli ekonomik atje. Ky përfundim i autorit të këtyre radhëve vjen nga studimi, por edhe nga eksperienca në shtetndërtim për periudha të gjata në katër kontinente.

Kjo situatë, në dukje “pa shpresë”, por e ndryshueshme në nivel politikash shtetërore dhe ndërshtetërore, duhet ngritur si çështje alarmante me shkrim e me gojë. Autori vetë e ka ngritur në publik të gjerë me zotin Romano Prodi, ish-President i Komisionit Evropian, në vitin 2011 në Boston, me zotin Peter Feith, ish-Përfaqësues i BE në Kosovë, në Universitetin John Hopkins SAIS në 2012 dhe me zyrtarë të tjerë evropianë nëpërmjet pyetjeve në forume të ndryshme në Washington D.C. Duhet ngritur jo vetëm si çështje e Kosovës dhe e Shqipërisë por evropiane në radhë të parë, si barazi e shqiptarëve apo banorëve të tjerë evropianë njësoj si evropianët në Francë, Greqi apo Gjermani.

Kjo është njësoj çështje e SHBA, pavarësisht se Bashkimi Evropian de facto ka rol parësor në krahasim me SHBA.

Vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë themeluar “nga njerëz që qeverisin veten” dhe qëndrojnë pas atyre që kërkojnë të drejtat e tyre dhe sjellin paqe, stabilitet dhe drejtësi në botë. Duke pasur parasysh argumentet më sipër por edhe detyrimin moral të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para disa ditësh autori, si përfaqësues i organizatës “Vizion 21” të shoqërisë civile në Washington D.C., i bëri një pyetje në publik Zotit Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës së Punëve në Evropën Jugqendrore në Departament të Shteti: i përmenda “situatën e nderë” mes Kosovës dhe Shqipërisë si një nga rastet e mungesës së tregut dhe shkëmbimit të lirë në Ballkanin Perëndimor. Siç e pata parë vetë në terren para disa ditësh, kur pyeta njerëz të zakonshëm kudo në Kukës, në Morinë e Prizren, realiteti ishte se 25 vjet pas rënies së komunizmit ishte e vështirë të kalosh pa pengesa serioze edhe “dy kilogramë” suxhuk mes shumë rastesh të tjera, pa pasur rëndësi nëse ishte për arsye administrative apo në nivel politikash shtetërore.

Politikat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të shkojnë përtej kontrollimit të problemeve njëdimensionale, drejt parandalimit strukturor të destabilizmit në Ballkanin Perëndimor, me rezultate afatgjata për begatinë e të gjithë evropianëve. Kjo mund të realizohet nëpërmjet një stimuli ekonomik me kosto të ulëta për Bashkimin Evropian, si në rastin e Spanjës.

Kështu iu përgjigj Zonja Madeleine Albright pyetjes sime në public, se pse ndihmoi shqiptarët në Kosovë: “Rugova kërkoi respekt për njerëzit e tij dhe ne ia dhamë atë”.

Në këtë përvjetor të papërfunduar të Pavarësisë së Kosovës, mendimet e shprehura për këtë tour d’horizon përfundojnë me respektin që duhet të fitojnë në radhë të parë udhëheqësit shqiptarë si dhe udhëheqësit evropianë nga populli shqiptar evropian. Shumë shqiptarë pa faj janë të ngujuar nga gjakmarrja, nga më të varfërit në Evropë, lindin në familje ku nuk ka asnjë libër dhe janë pre e krimit edhe pse janë popull po aq heroik dhe i veçantë, sa francezët dhe amerikanët.

Konvergjenca e ngadaltë ekonomike dhe ndihma e deritanishme kanë rezultuar në varfëri në masë mes shqiptarëve evropianë midis shkëlqimit dhe bollëkut evropian. Udhëheqësit evropianë duhet ta kërkojnë respektin siç duhet nga shqiptarët përtej retorikës politike, fajësimit të faktorit vendas dhe politikave ndërshtetërore të pjesshme. Trajtimi njësoj i çdo evropiani është bazë për identitetin evropian dhe për të ardhmen në kontinentin tonë.

*Genti Miho është bashkëthemelues i “Vizion 21”, organizatë në Washington D.C., që punon edhe për ndriçimin dhe vetrealizimin e shqiptarëve. gentimiho@gmail.com

Filed Under: Featured Tagged With: D'Horizon shqiptar, Evropian, Genti Miho, per nje tour

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT