Në lidhje me ngarkesën totale të taksave për biznesin, Shqipëria duket më pak atraktive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke qenë se renditet vetëm pas Serbisë për shkallën më të lartë të tatimit mbi fitimin, tatimit në burim dhe kontributit social të punëdhënësit. Por nga ana tjetër Shqipëria konkurron me Rajonin se ofron pagat më të ulëta dhe kjo është në interes të investitorëve të huaj. Paga minimale në Shqipëri aktualisht është 157 euro, ndërsa në Maqedoni paga minimale është 200 euro, në Serbi 226 euro, në Malin e Zi 288 euro, Kosova e ka 170 euro dhe Bosnja 164 euro. Diferenca është edhe më e lartë në pagën mesatare. Sipas analizës krahasuese që ka bërë Këshilli i investimeve, paga mesatare në Shqipëri është 357 euro, teksa Maqedonia e ka këtë nivel page 530 euro, Serbia e ka 500 euro, Mali i Zi 739 euro, Kosova 360 euro dhe Bosnja 424 euro. Shqipëria është e krahasueshme me Kosovën dhe Bosnjë- Hercegovinën për pagën minimale, por paraqet diferencë të dukshme në pagën mesatare, duke e bërë vendin tërheqës për koston e ulët të punonjësve relativisht të kualifikuar. Nga takimet me bizneset, por edhe nga disa anketime rezulton, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe certifikuar për procese teknologjike specifike si psh.:, në projekte në fushën e industrisë (naftë, gaz, TAP etj.), projekte të cilave nuk iu është paraprirë me investime nga ana e shtetit, në shkollimin dhe përgatitjen profesionale të specialistëve të mirëfilltë.