NELO DRIZARI/Ish editor i Diellit*/
Nelo Drizari, i njohur dhe i çmuar si gjuhëtar, publicist, studiues, shkrimtar dhe piktor që e zhvilloi gjithë aktivitetin e tij krijues në Amerikë, i kaloi njëzet vitet e fundit të jetës së tij në Kaliforni, në vendlindjen e Xhek Londonit. Për të, Xhek Londoni ishte një idhull. Ai ishte i dashuruar pas jetës dhe veprës së tij. Si Xhek Londoni, ashtu edhe ai e kishte nisur jetën nga zero. Nga një djalë i varfër fshati në Shqipërinë e mjeruar të fëmijërisë së tij, ai arriti të shtrojë udhët e jetës me sukses pas emigrimit në Amerikë. Duke shkelur në gjurmët e jetës së shkrimtarit të madh amerikan, në nder dhe si një homazh për të, Nelo Drizari shkroi këtë ese, të cilën ia botoi një vit para vdekjes së tij revista prestigjioze amerikane “Pacific Historian”. Milosao e sjell këtë shkrim sipas përkthimit të Zaho Sulajt, i cili ka një meritë të veçantë në zbulimin dhe publikimin e veprës së këtij shkrimtari në rrethin e gjerë të lexuesit shqiptar. Prej vitesh, Zaho Sulaj është vënë në gjurmë të jetës dhe veprave të Nelo Drizarit dhe po kërkon veç veprave të plota të botuara edhe gjithë shkrimet e tij jo vetëm në mediat e atjeshme në gjuhën shqipe, por edhe në anglisht. Në këto shkrime dallohen ato të botuarat në “New York Times”, ku Nelo Drizari botonte shpesh si bashkëpunëtor në kohën kur ishte kryeredaktor i “Diellit”.
Xhek London dhe “ëndrra e pamundur”
I njohur si një prej shkrimtarëve më të suksesshëm dhe idealist të Amerikës, Xhek Londoni ishte një ëndërrimtar i flaktë dhe i vendosur. Ai gjithashtu besonte fort tek dhuntitë e veta. Kurrë nuk hoqi dorë nga dëshira e zjarrtë për të kalëruar fuqishëm mbi Pegasin, perëndinë e pakapshme të letërsisë. Dhe sikur t’i kujtonte përherë vetes qëllimin që kishte, i pëlqente shumë ta quante veten “Ujk”. Ishte ky një imazh i fëmijërisë, që do të thoshte një ujk i pamposhtur mes mbinjerëzve.
Për Frederik Bamfordin, shokun e tij më të madh në moshë dhe mentorin e pazakontë, e ardhmja e nxënësit të ri po përvijohej si një poemë e veçantë… “një poemë e fuqishme”. Shoqëria e tyre e ngushtë ishte ndoshta më kuptimplote se një marrëdhënie thjesht sokratiane midis mësuesit dhe studentit. Në fakt, shpejt u vërtetua se djaloshi Xhek London ishte fatlum që gëzonte besimin dhe miqësinë e tij… Gjithçka filloi më 1895.
Kur u takuan për herë të parë, Frederik Bamfordi sapo ishte emëruar bibliotekar dhe kishte në ngarkim Departamentin e sapo krijuar të Huazimeve në sallën e Bibliotekës Publike të Oaklandit. Para kësaj, kishte qenë profesor i gjuhës dhe letërsisë angleze në Kolegjin Hesparian.
Atë vit, djaloshi Xhek London ishte bërë mjaft i vetëdijshëm për mungesën e së paku, arsimit të mesëm. Për këtë shkak, ai shpeshherë kishte marrë rrugë të gabuar. Një vit më parë, për shembull, pa u menduar mirë, ishte bashkuar me “ushtrinë” e të papunëve që ishin nisur nga Kalifornia drejt Washington DC. Mes tyre gjithashtu kishte shumë endacakë që nuk kishin asnjë qëllim në jetë. Rendja pas këtyre burrave tekefundit do të bëhej një aventurë e ankthshme.
Për të kaluar kontinentin amerikan nga Kalifornia me 2000 burra të këtillë, iu desh të lypte derë më derë bukë, rroba dhe qindarka të çmuara, për të mbajtur frymën gjallë. Pastaj, pasi dezertoi më në fund ushtrinë e të papunëve në pjesën qendrore të Amerikës, ai mbërriti në një qytezë të vogël në afërsi të Bufalosë në New York. Atje, papritmas i ra qielli mbi kokë.
Atë ditë, sapo zbardhi agimi, e arrestoi policia. Akuza ishte e çuditshme: nuk kishte mjete të dukshme financiare për të mbajtur veten. Pasi doli përpara gjykatësit të zonës, u gjykua pa praninë e jurisë dhe u gjend fajtor. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, pasi iu mohua e drejta kushtetuese e gjyqit me juri, u burgos për tridhjetë ditë me punë të rëndë.
Kur u lirua, i zhgënjyer mori rrugën drejt shtëpisë, andej nga kishte ardhur. Në Çikago, ngaqë nuk gjeti një punë për të qenë, sërish përjetoi një ndjesi të hidhtë trishtimi. Në thertore, punëtorët punonin për rroga aq të ulëta, saqë ishte për të ardhur keq. Orët e punës ishin tejet të gjata dhe të padurueshme. Kushtet higjienike ishin akoma më të këqija.
Kur u kthye në shtëpi, pas aventurës dështake e katastrofale, ai filloi me vrull Shkollën e Mesme të Oaklandit. Ndërkaq, pas mësimit, shpesh do të turrej me vrap drejt Bibliotekës Publike të Oaklandit. Atje, sakaq, Frederik Bramfordi sapo kishte arritur të organizonte departamentin e tij duke vendosur rregull në sistemin e huazimit të librave.
Djaloshi Xhek London përnjëherësh i pranoi mangësitë që kishte në fushën e arsimit. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, ishte e domosdoshme që të fillonte menjëherë shkollën e mesme.
Me qëllim që të fitonte pak të holla, ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, ai do të punonte atje si roje. Familja e tij ishte e varfër, do të rrëfente djaloshi. Njerku i tij, Xhon London, i shtyrë në moshë, kishte nevojë të madhe për ndihmë që të mbante familjen. Për më tepër, ai kishte nevojë të ngutshme për të blerë libra për shkollimin e tij “me nxitim”.
I prekur thellë nga nevojat e tij, të cilat ai ia kish rrëfyer gjithë sinqeritet, Bramfordi e siguroi menjëherë se do bënte çmos që ta ndihmonte. Dhe ky ishte fillimi i një miqësie të mrekullueshme, një miqësie të çmuar mes një studenti me ambicie të madhe, por që po haste vështirësi dhe një mësuesi të dashur e të përkushtuar.
Ndërkaq, Bramfordi kishte tërhequr vëmendjen e të rinjve dhe të rejave të tjerë me ambicie, që vinin tek ai grupe – grupe për këshilla. Mes tyre ishe dhe një vajzë e re. Quhej Xhorxhia Emeri Loring, e bija e Marie Emeri nga Maine dhe Uillinston Loring nga Kentaki. Teksa e pa për herë të parë Bramfordin pas tryezës së madhe në bibliotekë, ai përnjëherësh i la mbresa “me mënyrën e pazakontë se si vendoste, çdo ditë, një vazo të bukur me lule mbi tryezën e tij të punës”. Shtëpia e familjes Loring ndodhej pesë minuta larg prej aty, në rrugën Kastro.
Tashmë studente në Institutin modern të Arteve “Mark Hopkins” në San Françisko, zonjusha Loring e kalonte gjirin e San Françiskos me traget. Ajo do të nxitonte për t’u konsultuar me “këtë burrë, që e kishte njohur rishtazi dhe kishte kaq shumë shije artistike” rreth librave që i duheshin asaj. Një prej tyre ishte dhe një tekst shkollor i frëngjishtes që ajo do ta përdorte për njëfarë kursi shtesë “passhkollor” të cilin po e kryente në Shkollën e Mesme të Oaklandit, ku ishte diplomuar tre vjet më parë.
Atje, gjatë orës së frëngjishtes, zonjusha Loring shpejt do të takonte djaloshin Xhek London. Kur e pa për herë të parë, e vështroi me kërshëri dhe përnjëherësh përjetoi një ndjesi ngazëllimi. Ndërsa hyri i fundit në klasë dhe me nxitim u ul disa rreshta pas saj, ajo vuri re se ai “spikaste mbi djemtë e tjerë të klasës… me kaq shumë pjekuri rinore në fytyrën e pashme dhe me tipare që tregonin një njeri të vendosur”.
Shpejt e njohu nga afër dhe zbuloi se ai kishte ndjekur Shkollën Cole në perëndim të Oaklandit. Në të njëjtën shkollë kishte shkuar dhe ajo. Pak kohë para kësaj, ai i kishte shpërndarë gazetat “Oakland tribune” dhe “San Francisko examiner” familjes Loring në rrugën Kastro.
Por, pasi përfundoi kursi i frëngjishtes, ajo nuk e pa Xhek Londonin deri në fillim të vitit tjetër shkollor. Në përfundim të semestrit të pranverës në Shkollën e Mesme të Oaklandit, më 1896, papritmas ai vendosi të vihej në kërkim të horizonteve të reja. Në gji i vlonte dëshira e flaktë për t’u shkolluar në universitet. Kishte ëndërr Universitetin e Kalifornisë, në Berkeli.
Pikërisht në atë kohë, ai iu lut Bramfordit që ta drejtonte në atë që mësuesit i dukej si një ëndërr e parealizueshme, ngaqë djaloshi kishte më pak se një vit arsim të mesëm. Prapëseprapë, mentori me ngurrim ia dha lejen, por e paralajmëroi nxënësin e tij tepër ambicioz se do të ishte një detyrë rraskapitëse.
Atë verë, nën drejtimin e Bamfordit, i cili kishte një eksperiencë mjaft të pasur, djaloshi Xhek London u përkushtua me mish e me shpirt për të realizuar këtë ëndërr, që dukej e pamundur. Për më pak se tre muaj, duke ndjekur me përpikmërinë më të madhe udhëzimet e vështira të mentorit, ai e realizoi me sukses çka dukej një sfidë pothuajse e paarritshme.
Kur u zhvilluan provimet e pranimit në universitet, në Shtator 1896, ai doli me rezultate të shkëlqyera dhe kësisoj fitoi të drejtën e studimit. Mirëpo, për arritur deri aty, ai pothuajse u rrëzua përtokë për shkak të lodhjes mendore, ashtu siç e kishte paralajmëruar shoku më i madh.
Një ditë, në kompleksin universitar të Berkelit, zonjusha Loring pati sërish një surprizë të këndshme, kur takoi Xhekun. Teksa iu afruar plot gjallëri me një dëng të madh librash nën sqetull, me fytyrën që i ndrinte, ai i tha asaj i përndezur:
“Kam marr vepra – por kryesisht anglisht dhe sa më shumë anglisht.” Tashmë ishte më i vendosur se kurrë të bëhej shkrimtar.
Ajo do ta takonte përsëri, pas disa vitesh…. tashmë ishte bërë bashkëshortja e zotit Frederik Bamford. Ndërkohë, i riu Xhek London kishte përjetuar një mori
përvojash si të hidhura, ashtu dhe shumë të suksesshme. Me kujdesin më të madh, ajo kishte krijuar një album të përvitshëm me gazetat që pasqyronin arritjet e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar.
Ndërkaq, duke pasur përherë një ambicie të madhe, ai do të kërkonte të kapte me penën e tij ylbere të tjera të pakapshme. Ndërsa gjithë kjo i kishte dhënë përkohësisht kënaqësi të vërtetë si student, shpejt do ta linte të pakënaqur me vetveten. Kishte qenë student vetëm për një semestër.
Kështu, kur përfundoi sezoni i dimrit në kompleksin universitar të Berklit, nisi të mendonte për diçka tjetër, që sipas tij ishte më shpërblyese. Tashmë kishte një ëndërr të çuditshme të bëhej materialisht i pasur dhe madje sa më shpjet. Dhe përnjëherësh gjeti dhe pretekstin: zbulimi i arit në Klondike të Alaskës ishte objektivi i tij.
Përpara se të linte Universitetin e Kalifornisë, në pranverë të vitit 1897, e kaploi një ide tjetër. Ngaqë përherë dëshironte, ashtu si në ëndërr, të bëhej shkrimtar….madje më i madh se Horatio Algeri… tani donte patjetër të fillonte punë si korrespodent gazete. Besonte se do të mbulonte me sukses historinë e jashtëzakonshme të etheve të arit të Alaskës.
Por editorët, që nga koha e “News Letter-it” të Bostonit gjithmonë parapëlqenin korrespodentët me përvojë për detyra kaq të rëndësishme. Madje dhe editorët e “San Francisco Chronicles” dhe “Call” nuk e shihnin atë si kandidat të përshtatshëm. Vetëm editori i “San Francisco Examiner” i sugjeroi fort se mund të pranonte disa artikuj, por jo punë të përhershme.
Duke marrë zemër nga kjo fije shprese, i ngazëllyer, ia dha lajmin Eliza Londonit, motrës së tij të dashur. Ai iu lut me gjithë shpirt që ajo ta ndihmonte me të holla për aventurën e Klondike. Duke shpjeguar me pasion, atij i duheshin para për bukë, rroba leshi dhe pajime për ekspeditën e arit. Sapo të kthehej, premtoi ai tërë sinqeritet, do ta bënte motrën të pasur me arin e Alaskës. Megjithë kundërshtimin e fortë të Florës, nënës së tij që nuk i mbushej mendja lehtë, Eliza London Shepard (martuar në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare me kolonelin Shepard të Ushtrisë së SHBA), ia dha me dëshirë paratë që i nevojiteshin.
Por kur mbërriti në Territorin e Jukonit, bora e madhe dhe moti i acartë e kishte bërë pothuajse të pamundur kalimin për në Dawson City, vendi më i afërt me fushat armbajtëse të Klondike. Pikërisht në këtë kohë iu desh të përballej me Qafën e rrezikshme Chilkoot. Në moshën njëzetë e një vjeçare, i fortë si një dem i egër dhe më se i vendosur për t’ia dalë mbanë atje ku arkërkuesit e tjerët kishin dështuar, ai do të sfidonte sërish perënditë e mistershme.
Duke ecur kujdesshëm mbi shpatin e ngrirë të Qafës Chilkoot me borën deri në gju, duke u kthyer mbrapsht disa herë në ditë me peshë të rëndë mbi supe, më në fund ai do t’ua kalonte dhe indianëve të rreptë, të punësuar si hamej, që bartnin pesha të rënda mbi shpinë. Ata u mahnitën nga qëndresa dhe këmbëngulja e pabesueshme e këtij djaloshi të bardhë.
Në Dawn City, karshi fushave të arit, ai ngriti kampin për të kaluar dimrin e ashpër të 1897-98. Pastaj, vendosi piketat në dy ngastrat e ngrira të regjistruara në emrin e tij. Ndërkohë, ngaqë sezoni i kërkimeve kishte përfunduar për atë vit, asnjë arkërkues, përveç djaloshit Xhek London, s’mund të bënte gjë derisa të vinte pranvera.
Ndërsa dembelët harxhonin arin e çmuar në lokalet e kumarit dhe baret e shthurura, ai pa humbur kohë, zuri të grumbullonte një material tjetër, që kishte mundësi të shndërrohej në ar të çmuar. Nga gojët e grave dhe burrave të pashpresë, ai vijoi të qëmtonte me pasion rrëfenja tepër interesante, të cilat një ditë, kur të kthehej në shtëpi, shpresonte t’i kthente në tregime fitimprurës.
Në fillim të pranverës, kur bora kishte shkrirë mbi fushat e ngrira të Klondike, ai i kishte ngjeshur xhepat e fryrë me çka do të thureshin më vonë romane, artikuj dhe tregime realiste të suksesshme.
Papritmas, i trishtuar u detyrua ta përjashtonte mundësinë e gërmimit për ar në dy ngastrat e tij. Arsyeja kryesore, siç kishin urdhëruar tashmë në mënyrë të pamëshirshme, perënditë e Jukonit, ishte sëmundja e skurbutit, e cila për pak sa nuk i mori jetën. Mungesa e frutave të freskëta dhe ushqimeve të tjera të shëndetshme në një klimë të ashpër e kishin dobësuar shumë.
I sëmurë aq rëndë për të qëndruar atje dhe ndoshta të vdiste siç kishin vdekur shumë të tjerë, më në fund vendosi të kthehej në shtëpi. Edhe pse pa të holla dhe akoma më i dobët se sa kur hipi në avullore, ai filloi punë pranë motorëve të vaporit, ku i hidhte qymyr zjarrit, me qëllim që të paguante biletën e kthimit në Kaliforni.
Kur u kthye në shtëpi, në Oakland, e ëma e priti me fjalë të ashpra. Ai kishte harxhuar kot një vit të tërë dhe kishte prishur paratë e Elizës, do ta qortonte ajo tërë zemëratë. Më keq akoma, Xhon Londoni, njerku i tij, nga i cili priste një fjalë të mirë, kishte vdekur nga pleqëria.
Madje dhe e dashura e tij angleze, Mabel Applegarth, të cilën e kishte lënë pas dore dhe nuk i kishte shkruar rregullisht letra nga Territori i Jukonit, nuk do të kishte të bënte me të, në qoftë se ai nuk gjente një punë të mirë, siç ishte postier me postën e SHBA-së. Frederik Bamfordi e kishte rekomanduar atë fuqimisht për këtë vend pune. Dhe e pranuan.
Por, kur i kërkoi drejtorit të postës të Oaklandit që të fillonte punë pas një viti, me qëllim që t’ia kushtonte gjithë kohën të shkruarit, zyrtari i postës e refuzoi menjëherë.
Po ashtu dhe Mabel Applegarth-i. Kishte pritur njëfarë mirëkuptimi prej saj, rreth pasionit të tij për shkrimet fitimprurëse. Në fakt, ajo e kishte quajtur diçka utopike. Një vrundull dëshpërimi dhe pezmi e mbuluan. Në moshën 24 vjeçare, i frikësuar se mos qëndronte përherë pezull, i varur nga trazimi i herëpashershëm emocional, Xhek Londoni rrekej të gjente ndonjë mrekulli të pakapshme që ta shpëtonte nga rrokullisja drejt greminës, në buzë të së cilës qëndronte.
Për këtë, mëndja i vajti menjëherë te Frederik Bamfordi. Mentori i vjetër me bujarinë e tij e kishte ndihmuar të zgjidhte probleme që dukeshin të pamundura. Por tani përjetoi një ndjesi faji që e mundonte shumë. Në radhë të parë, e kishte zhgënjyer mikun e ditur, kur papritur la Universitetin e Kalifornisë pa i thënë atij as një mirupafshim, para se të nisej për Alaskë. Kjo i rrihte fort në ndërgjegjen e trazuar.
Në vend të Bramfordit vendosi që të takonte fillimisht Xhoni Heiholdin, shokun e fëmijërisë. Heinholdi ishte ende pronar i barit “First and last chance saloon” në fund të shëtitores së Oaklandit. Kur ishte i vogël, Xhek Londoni shpërndante atje gazetat lokale pas mësimit. Për më tepër, në atë çast, kishte nevojë të domosdoshme për ilaçin e zakonshëm. Ishte një fjalë përkëdhelëse që përdorte për pijen e fortë.
Xhoni Heinholdi e priti me përzemërsi. Se kishin parë njëri tjetrin qysh një vit më parë, kur filozofi i barit të Oaklandit mbushi dorën me para nga kasa dhe ia kishte dhënë hua. Ai ishte kthyer në shtëpi duarbosh, do të rrëfente djaloshi që kishte dëshirë të bëhej shkrimtar. Dhe nuk kishte para për të larë borxhin. Madje s’kishte as për pije. Por kishte sjellë një tufë të madhe rrëfenjash te çmuara për të cilat ishte i sigurt se do t’i rikrijonte dhe do të thurte shkrime realiste.
Pasi i rrahu shpatullat shokut më të vogël në moshë, duke buzëqeshur, Heinholdi e siguroi atë se tanimë ai e kishte harruar fare borxhin e vogël. Dhe pijet i kishte nga i zoti i barit. Ajo që donte tani, në të ardhmen e afërt, ishte vetëm një kopje, me nënshkrimin e autorit, të librit të tij të parë.
Shumë më shpejt se ç’kishte shpresuar, Xhoni Heidholdi e mori kopjen me nënshkrimin e autorit, ditën e martesës së Xhek Londonit me Besi Maddern. Ajo ishte kushërira e Mini Madern Fisk, aktores së mirënjohur amerikane. Dhe data e martesës: 7 Prill 1900. Atë ditë, Hauton Miflin me mirësjellje botoi librin e tij të parë, “Ujku i detit”, si dhuratë martese.
Në kapërcellin e shekullit, me ndihmën e përzemërt të Besi Madern-it, vajzës shtëpiake që i mungonte bukuria e brishtë e Mabel Applegarth-it, Xhek Londoni e kishte kaluar me sukses Rubikonin e tij letrar, që i ngjallte frikë dhe ankth. Në fund të 1900, emri i tij si shkrimtar i ri i prozës së fuqishme ishte bërë legjendë në gjithë Amerikën.
Vetëm në Janar të atij viti, muaji i tij i lindjes, tregimet e tij magjepsës ishin botuar në tre revista të mëdha. Rrëfenjat që kishte sjellë nga fushat e arit të Klondike – siç i kishte siguruar shokët me entuziazëm – tashmë ishin kthyer në ar të vërtetë. Revista “Atlantic monthly”, një gjigand letrar në Amerikën Lindore, do të botonte “Tregimet e veriut”. “The review of the reviews” kishte në faqet e saj tregimin “Ekonomia në Klondike”. Dhe “Youth’s companion” përmbante “Guxim dhe këmbëngulje”.
Ndërkaq, në fund të 1900, njëmbëdhjetë revista të tjera atë vit e rritën numrin mesatar të tregimeve dhe artikujve të tij të botuar deri në tre në muaj. Një botim tjetër i shquar i San Françiskos, “Overland monthly”, të cilën e kishte themeluar Bret Harte afërsisht gjysmë shekulli më parë, i kishte dhënë atij nxitjen më të madh që mund të ëndërronte një shkrimtar i ri; kishte botuar të gjitha tregimet e Klondike që ai u kish dorëzuar.
Dhe Nineta Imes, shkrimtarja e mirënjohur e revistës, në një intervistë të saj, çuditërisht kishte parashikuar se një ditë Xhek Londoni do të bëhej shkrimtari kryesor i Amerikës. Neta ishte bashkëshortja e Roskoe Imes, menaxherit që drejtonte biznesin e “Overland monthly”. Sharmian Kiterixh, e cila disa vite më vonë u bë bashkëshortja e dytë e Xhek Londonit, ishte mbesa e saj.
Me mënyrën e guximshme të Don Kishotit, tashmë, më në fund ai e kishte kaluar Rubikonin e shumëfrikshëm dhe i lumtur, po fluturonte mbi atë, që më herët dukej një Pegas krejt i pakapshëm. Në gjashtëmbëdhjetë vjet që i kishin falur kënaqësi të paparë, duke punuar në shtëpinë e tij në Glen Ellen me një shpejtësi marramendëse, shpeshherë dhjetë orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, ai do të shkruante dyzetë e katër libra. Ishin libra realist, të pakompromis, të ndjeshëm…krejt ndryshe nga librat “mjaltë të ëmbël” të Horatio Algerit, të cilit ia kishte kaluar me sukses si krijuesi i prozës realiste.
Le të marrim, për shembull “Ujkun e detit” dhe “Thundrën e hekurt”. I pari përmban një karakter shumë të fortë, i cili sundon mizorisht të tjerët, ata që do t’i përulen ngaqë janë të dobët. Dhe i dyti pasqyron vdekjen e lirisë individuale, dhe paralajmërimin e jashtëzakonshëm të asaj që ndodhi për fat të keq, disa vite më vonë, në Gjermaninë naziste të Hitlerit. Librat e ndjeshëm, të cilët dëshmojnë qartazi njohjen e thellë të botës së kafshëve si dhe dashurinë e tij për kafshët e egra dhe ato shtëpiake, janë “Dhembi i bardhë” dhe “Majkëlli, vëllai i Xherrit”, si dhe “Kushtrimi i të parëve.”
Ndërkaq, në 1907, ai ndërtoi një jaht modern, me të cilin lundroi me Sharmian në Paqësorin e pafund deri në Havai, Tahiti e më tej. Ai gjithashtu kishte blerë në Glen Ellen të Qarkut Sonoma një fermë 350 hektarëshe. Në vitin 1916, honoraret nga puna krijuese dhe të ardhurat nga ferma kishin kapur shifrën e nëntëdhjetë mijë dollarëve në vit. Librat dhe tregimet e kishin bërë të famshëm në gjithë botën e civilizuar, duke përfshirë dhe Rusinë cariste. Në vendin e tij, kishte fituar dashurinë e lexuesve, (si dhe anatemën e atyre që nuk pajtoheshin me disa nga idetë e tij kryengritëse). Edhe jashtë vendit, librat e tij ishin përkthyer në gjermanisht, frëngjisht, rusisht, danisht, suedisht dhe në shumë gjuhë të tjera.
Ëndërr e pamundur? Kurrsesi. Ai kishte realizuar potencialin e mendjes së tij idealiste. Përpjekjet e pareshtura. Planifikimin e shkëlqyer. Qëndresën e paepur.
Por ashtu sikurse Akili mitik, i cili kishte tersin vdekjeprurës në thembër, Xhek Londoni fatkeqësisht kishte një ves që do të shkaktonte një krisje shkatërrimtare për veten e tij: pijen kronike. Ky aspekt i tij është pasqyruar plotësisht në librin e tij autobiografik “Xhon Barlikorn”.
Në mënyrë të qartë dhe të çiltër, “Xhon Barlikorn” është historia e pabesueshme e luftës dhe brengës së Xhek Londonit për ta çliruar veten nga kthetrat e atij, që për njëzetë vjet dukej një përbindësh i kontrollueshëm. Dhe tani, kur përbindëshi e kishte kapur për fyti e se lëshonte më, ai e kishte hedhur gjithçka në librin e tij.
Tejet kureshtar të dinte se çfarë mendonte miku më i shtrenjtë dhe shoku i tij pijes, poeti i Kalifornisë, Xhorxh Sterlingu nga Karmeli, ai ia postoi menjëherë dorëshkrimin nga Glen Ellen. Kishin shkëmbyer shpeshherë dorëshkrime për kritikë. Kishin rënë dakord që të flisnin pa dorashka për punën krijuese të njëri-tjetrit. Bashkëngjiti dhe një shënim me nënshkrimin “Juaji, Ujku”.
Njiheshin prej kohësh, që kur ishin takuar në Piedmont dhe Oakland, përpara se Xhorxh Sterling të banonte në Karmel me bashkëshorten Carrie, pak kohë para se tërmeti i 1906 t’i jepte një goditje vdekjeprurëse San Françiskos. Të dy shkrimtarët ishin tejet të talentuar, të shkujdesur, si dhe pijanecë. Sterlingu e quante atë “Ujk” sepse shokut ia kishte ënda që ta thërrisnin me nofkën e fëmijërisë. Dhe Londoni e quante atë “Grek” për shkak të profilit klasik dhe qëndrimit të tij poetik.
Kur Shekulli botoi veprën “Xhon Barlikorn”, bota, më në fund, mori vesh se ç’kishte hequr Xhek Londoni. Si pijanec për njëzetë vjet, ai nuk kishte mbajtur asnjë të fshehtë në librin e tij. Madje dhe prohibicionistëve, që, tanimë, nuk kishin kurrfarë respekti për autorin e librit, u lanë mbresa të mëdha rrëfimet e tij të çakërdisura.
Ndërkaq, atë vit, të dy burrat shfaqën një interes të madh për organizimin e Klubit të Shkrimtarëve të Kalifornisë. Deri tani (1913), ata kishin qenë anëtarë të Klubit Xhon Ruskin, të cilin e kishte themeluar Frederik Bramfordi në Oakland, si një qendër letraro-artistike për artistët dhe dijetarët. Me ndihmën e pakursyer të Xhejms Mari Hoper-it, vetë një shkrimtar i shquar, si dhe shkrimtarëve të tjerë nga zona e Gjirit të San Françiskos, më në fund ata arritën të siguronin aktin themelues nga Sakramento.
Të tre burrat ishin gjithashtu të interesuar që të bëheshin anëtarë të Klubit Bohemian. Organizata shumë e vlerësuar e San Françiskos ishte magjepsur sidomos pas Xhek Londonit. Anëtarët e saj ishin midis kapitalistëve dhe profesionistëve më të dëgjuar të SHBA-së. Aktualisht si një shkrimtar i famshëm dhe kapitalist i pasur, edhe pse u josh më parë nga socializmi, me shumë dëshirë ai u bë anëtar i këtij klubi. Të dyve, atij dhe Sterlingut, u pëlqenin sidomos vizitat e përvitshme në Bohemian Grove, e dëgjuar për pemët gjigante sekuoja dhe tufat e kuajve, në Kaliforninë Veriore. Në 1916, Klubi Bohemian i kërkoi Londonit të shkruante një dramë për shfaqjen e tyre të përvitshme “High Jinks” në Bohemian Grove. Ai e shkroi mjeshtërisht.
Sa herë shkonin në Bohemian Grove së bashku, të dy ishin gjithashtu të dhënë pas lojërave zbavitëse me kuaj. Njëherë, për shembull, në mes të natës, befas trembën keqas disa anëtarë tepër hijerëndë të klubit.
Mbështjellë me çarçafë që valëviteshin në ajër, ata vërtiteshin si fantazma nga njëri kamp tek tjetri. Ndërkaq hëna e plotë kishte hedhur hijet e saj vezulluese e të frikshme përmes sekuojave që lartoheshin madhërishëm në qiell. Nga goja e anëtarëve të shquar, që përpiqeshin të flinin, zunë të dilnin mallkimet e tyre.
Kjo rini e përjetshme dhe miqësi e çiltër midis “Grekut” dhe “Ujkut” vijoi e lumtur deri një ditë tejet të trishtë kur “vrasësi” i pashmangshëm i dha Xhek Londonit goditjen fatale. Më 22 Nëntor 1916, ai vdiq papritur në moshën 40 vjeçare. Vdekja e tij e befasishme, përnjëherësh i dha shkas thashethemnajës së neveritshme se ai kishte vrarë veten.
Sharmian, e dërrmuar nga hidhërimi, me lot në sy e kundërshtoi shtypin. Burri i saj nuk kishte bërë vetëvrasje, ngulmoi ajo. Dhe dy vajzat e tij të rrituara, Xhoan dhe Bes, që banonin me Besin, nënën e tyre, menjëherë publikuan letrën që kishin marrë nga i ati një ditë para se të vdiste. Në letrën në fjalë, ai i ftonte ato të shkonin të lundronin me të, sikurse dilnin së bashku kur ato ishin ende fëmijë, në liqenin Merrit, në Oakland. Nëse qëllonte që atë ditë të bënte mot i keq, kishte sugjeruar ai, ato mund të shihnin ndonjë shfaqje sa për të kaluar kohën.
Ata javë, ai kishte rezervuar një vend në trenin transkontinental për të shkuar në New York. Kishte si qëllim t’u kërkonte botuesve një parapagesë të madhe nga honoraret e librave të tij “të ardhshëm”. Me ato para kishte planifikuar të ndërtonte një komunitet ideal brenda fermës së tij në Glen Ellen për punëtorët e fermës dhe familjet e tyre.
Një prej tre doktorëve që ishte përpjekur ta sillte në jetë atë ditë, i tha gazetës “Oakland tribune” se Xhek Londoni kishte vdekur nga helmimi uremik, me sa duket shkaktuar nga abuzimi me alkool dhe një dozë tabletash për të neutralizuar efektin.
Kur Frederik Bamfordi dhe Xhorxh Sterlingu morën vesh vdekjen e tij të papritur, u prekën thellë. Bamfordi, i cili zor se futi gjë në gojë për tre ditë, derdhi lot si fëmijë. Dhe Sterlingu, i trishtuar, i hipi menjëherë trenit “Del Monte Express” nga Monteri për të marrë pjesë në funeral në Glen Ellen.
Në sallën e funeralit, Sterlingu u ngrit nga vendi dhe me solemnitet bëri disa hapa përpara. Ndaloi mu atje, ku Flora – dukshëm me fytyrë të hequr dhe të lagur nga lotët që i kullonin rrëke – ishte ulur. Ajo ndodhej përbri “vogëlushit” të saj. Për një çast të nderë, Sterlingu heshti dhe në sallë ra një qetësi e thellë. Pastaj, si poetët e lashtë, ai ngriti krahët e gjatë dhe i zgjati përpara mbi trupin e pajetë të “Ujkut” të tij më të shtrenjtë. Atëherë, pa letër në dorë, mbajti një fjalim prekës: një elegji poetike që e kishte përfunduar atë ditë në bordin e “Del Monte Express”:
A ka pasur ndonjëherë fytyrë të pajetë
në të cilën, me vonesë, të gjallët s’kanë shquar
një thirrje të heshtur për dashurinë e fshehtë
një qortim të heshtur për fjalën e nxituar?
Dhe tani përkulemi para mikut të shtrenjtë
që lamtumirën e fundit nuk ia dhamë dot
i cili pa asnjë pëshpërimë apo shenjë
të kuptueshme, befas u nda nga kjo botë.
Oh larguar prej nesh, kush e di sa larg vallë?
iku rrufeshëm në përjetësinë e mugët
duke na lënë heshtjen ose fjalët që janë
për ngushëllimin, ashtu si për detin shkumët.
O zemër që s’ndien, qëndresa juaj e paepur!
O mendje e palodhur s’ju ndave të vërtetës!
Tani veç prehesh, o fisnik dhe trim, i vdekur
si luani i pamposhtur në kulmin e jetës.
Ndërsa ende e pushtuar nga dhimbja e thellë, Sharmian e pati të vështirë të zinte vendin e viganit të saj. Por pastaj, ajo do të nderonte me krenari veprën e tij. Ndërkaq, shpejt i ndërtoi një përmendore madhështore “të dashurit të çmendur”, siç e quante ajo në ditët e tyre të lumtura. Ishte njëfarë Taxh Mahali në kujtim të tij. I dha emrin “Shtëpia e mureve të lumtura”.
Madje dhe qyteti i Oaklandit, që, njëherë, e kishte arrestuar dhe dënuar me gjobë të riun Xhek London se kishte mbajtur një fjalim pa leje në rrugë, shpejt do të kushtonte me krenari dy memorialë për nder të tij. Përpara bashkisë së qytetit mbollën një fidan lisi, i cili shpjet do të rritej e bëhej një pemë madhështore. Dhe përgjatë kanalit të Oaklandit, atje ku kishte lundruar në 1907 me Sharmian në jahtin e tij Snark, këtij vendi tërheqës iu dha zyrtarisht emri, Sheshi Xhek London. Sapo vë këmbën në shesh, bust i tij në bronz, spikat për bukuri dhe të përshëndet.
Gjithashtu përgjatë gjirit, në San Françisko, dy shoqata të shquara një ditë do t’i bënin homazhet e tyre. “Djemtë e Perëndimit të Praruar” dhe “Vajzat e Perëndimit të Praruar” në mënyrë ceremoniale vendosën, së bashku, një pllakë në Third and Branman. Pllaka kishte datëlindjen dhe vendlindjen e tij. U lind atje më 12 Janar 1876. Xhek Londoni, me shkëlqimin e tij si meteor, ishte një amerikan shumë i shquar. (Shkrimtari shqiptar boton një ese për shkrimtarin amerikan në “Pacific Historian”)
Përktheu: Zaho Sula
*Ky shkrim është botuar në revistën “The Pacific Historian”. Pranverë 1977, Nr. 1. dhe e dergoi per Diellin, Zaho Sula