Portali jonë Zëri i Shqiptarëve, megjithëse më i lexuari shqiptarofolës në Zvicër dhe në gjithë diasporën shqiptare në botë, nuk ka marrë asnjë informacion. Kryeministri Edi Rama flet pastaj për diplomaci ekonomike apo krijon portofol ministrie për emigracionin, kur, në mantatin 4 vjeçar pararendës, nuk ka treguar as interesin minimal për diasporën shqiptare në zemër të Europës dhe në botë.
Por le të kthehemi në kantonin e Tiçinos që të ofron diçka të re sa herë e viziton. Kësaj here grupi jonë do të ishte i përqëndruar kryesisht në qytetin Luganos e rrethinat e tij.
Sapo mbërrijmë pas një udhëtimi komod në klasin e parë befasohemi nga stacioni i trenit ndërtuar tërësisht i ri, i vendosur si në një ballkon mbi lartësi përballë pamjes magjike të Liqenit të Luganos.
Në hotel me të arritur na japin bileta gratis për të lëvizur me mjetet e qarkullimit publik, bus, tren, anije nëpër të gjithë Tiçinon gjatë gjithë kohës të qendrimit. Kjo është një risi tiçineze në mbështetje të turizmit lokal.
Udhëtimi ynë këtë herë në Tiçino përkon me ndërrimin e stinëve, kur vera gjithandej ia ka lëshuar vendin vjeshtës. Por këtu është ndryshe, këtu të dyja stinët duket se kanë bërë një kompromis, për të qenë të pranishme në të njëjtin vend dhe kohë. Me një fjalë, vjeshta ka ardhur, por vera nuk ka ikur. Këtë na e thotë Liqeni që shkëlqen prej rrezeve të diellit; njerëzit që shëtisin të shpenguar rrugëve nën shoqërinë e mjellmave, duke u ndalur nëpër bare e restaurante; jeta e natës alla Dolce Vita.
Tiçino po na pret mrekullisht me ngrohtësinë e qytetit të Luganos dhe mënyrën e organizimit nga ana e mikpritësve për ta prezantuar kësaj here zonën e tyre sa më bukur përmes enogastronomisë të traditës.
Grupi jonë i gazetarëve e nisi mbrëmjen duke ndaluar nëpër bare, restaurante dhe tavernat më pikante të Luganos nisur nga emri i njohur Bernasconi duke shijuar verën dhe specialitetet gastronomike të gjitha me markë nga Tiçino.
Kryefjala e darkave ishte vera Merlot, e llojeve të ndryshme, diku e shoqëruar me lardo të prerë hollëz si fletëza transparente, me llojëra të pafund proshutërash, mishrash të tymosur, djathrash me qumësht dhie e duke mos harruar polentën me kokrriza në ngjyrë të kuqe e të zezë gatuar me kërpudha pylli.
Vera e cilësisë më të lartë arriti kulmin me një Merlot të bardhë përgatitur duke e zhveshur rrushin nga lëkura, një prodhim origjinal vendas.
Teksa na e shërbejnë, të zotët e lokaleve na e shpjegojnë se sekreti i shijes së papërsëritshme të Merlotit tiçinez nuk është vetëm tek teknologjia, por pikësëpari tek toka që e prodhon atë dhe dielli, që ia japin shijen unike.
Lëvizja nga njëri lokal tek tjetri nën shoqërinë e verës bëhet edhe më e magjishme pranë palmave dhe xixëllojave të dritave nga zonat e banuara për rreth liqenit. Përballë na shfaqet Mali Bré krejtësisht i mbuluar nga ndriçimi duke i dhënë një pamje surreale atmosferës mesdhetare të këtyre mbrëmjeve luganeze.
Në qytet ka jetë të pasur kulturore. Përgjatë spostimeve si shëtitje në këmbë nga reklamat dhe nga Patrizia, guida jonë shumë e përkushtuar mësuam se këto ditë në Lugano po kujtohej aktori komik italian Toto.
E reja tjetër është Qendra e Kulturës e Luganos, LAC – Lugano Arte e Cultura e inauguruar me 2015, një ndërtese gjigande me një arkitekturë të jashtme dhe të brendshme nga më modernet e më origjinalet e dizajnuar nga Ivano Gianola. Momentalisht aty po mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrove. Në këtë qendër kulturore është inkorporuar salla e koncerteve, e shfaqjeve teatrore, ka biblioteke, salla për ekspozita dhe evente si dhe aty është i vendosur edhe muzeumi i ri i artit me një koleksion permanent nga Muzeumi i arteve i Zvicres italiane. Vizitën tonë në Lugano e nisëm pikërisht prej këtej.
E përtërirë është edhe Kisha Shën Maria e Engjejve, të cilën e kishim parë kur ishte në restaurim. Është ndër më të vjetrat, pothuaj e ka themeluar Luganon, ndërsa afresku qendror është më i madhi i periudhës të Renesansës në gjithë Zvicrën pikturuar nga Bernardo Luini, studenti i Leonardo da Vinçit.
Kulmin e udhëtimit tonë e shënon vizita në Monte Generoso (Mali Bujar), ku u takuam nga afër me një nga kryeveprat arkitekturore, firmosur nga akitekti i famshëm vendas Mario Botta.
Në lartësinë 1705 metra mbi nivelin e detit qendron Fiore di Pietra, Lulja e Gurit, një metaforë që nuk ka si të mos i shkojë kullës së ngritur në një nga pikat më piktoreske jo vetëm në Zvicër, por edhe në botë.
Vera që kishim pirë deri në mesnatë nuk na pengoi të zgjoheshim herët sepse programi i ngjeshur fillonte menjehere pas ngrënies të mëngjesit.
Në Stacionin Qendror në Lugano u nisëm për në Capo Lago. Këtu priste treni i vogël dhe nëpërmjet linjës së posaçme hekurudhore bëjmë 9 kilometër rrugë në ngjitje deri tek Fiore Di Pietra.
Për në Capo Lago treni kaloi stacionin e Melides, ku ndodhet Swissminiaturë. Ngjitur me Melide ndodhet Morcote, ku ne për të shkuar atje tre vjet më parë morëm nga Lugano anijen nëpër liqen.
Në Morcote vizituam varrin e Aleksandër Moisiut dhe bashkoshortes së tij. Vjet, më 2016 Morcote u shpall qyteza më e bukur në gjithë Zvicrën.Por kësaj here kishim destinacione të tjera.
Në Capo Logo, bashke me ne në tren kishte plot turistë të huaj dhe zviceranë. Zvicra vizitohet nga rreth 36 milionë turistë në vit, nga këta rreth 20 milionë janë të huaj dhe 16 milionë zviceranë. Tiçino nga rreth 3 milionë.
Treni ku hipëm është i veçantë. Edhe shinat ku ec po ashtu, të përshtatura për sigurinë e ngjitjes në lartësi.
Lexuesin tonë edhe më herët ne e kemi njohur me këtë mjet dhe me këtë infrastukturë të jashtëzakonshme udhëtimi në Zvicër.
Në Lucernë, për shembull, ku pati përdorimin më të hershëm, ky lloj treni i vogël quhet Pilatus, për shkak të emrit të malit të Lucernës, nga kulmi i të cilit mund të shikohen 73 maja malesh. Ideatori për ngjitjen e maleve ishte inxhinieri Eduard Locher në shekullin e XIX. Shumë njerëz e quajtën atë të çmendur, duke parë relievin e thepisur dhe defektet që mund të kishte mjeti në ato vende. Por ideja e tij e çmendur u bë realitet me inaugurimin e linjës hekurudhore. Kjo vepër u ndërtua në 400 ditë nga 600 njerëz. E gjatë 4618 metër, që të çonte nga Alpnachstadi në Pilatus Kulm. Linja u përdor nga një tren me avull deri më 1937. Ajo që sot mbetet një nga vendet më të thepisura në botë është konsideruar një kryevepër inxhinjerike.
Kjo mënyrë udhëtimi është edhe për në Monte Generoso, 125 vjet e vjetër, që pati periudhën e saj të krizës gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur, me rënien e përkohshme të interesit turistik, pronari i atëhershëm e shiti dhe më 1941 atë e bleu themeluesi i Migrosit, Gottlieb Duttweier. Prej atëherë Migros ka përqindjen e saj të aksioneve në këtë infrastrukturë dhe në industrinë përkatëse të turizmit.
Ngjitja nga Capo Lago deri në kuotën 1705 metër të Monte Generoso është më se mahnitëse. Para syve tanë kalojnë të gjithë brezat pyjore dhe të bimësisë. Një adrenalinë të veçantë japin zonat e zhveshura, tejet të rrëpirta. Pika më e lartë e udhëtimit, ku ndodhet edhe Fiore di Pietra, maja më panoramike e Tiçinos dhe nga më të magjishmet e Zvicrës, lejon një shikim 360 gradësh ku spikat Liqeni i Luganos, Lugina e Lumit Po deri tek Apeninet, masivi alpin i Gotthardit dhe Bernina. Më të pasionuarit vijnë këtu për të parë lindjen e diellit dhe gjithë shndërrimet që pëson natyra gjatë trajektores së diellit deri në perëndimin e tij, në një mori të pafundme ngjyrash dhe nuancash. Turistët e dhënë pas aspektit aventuror ndalin në stacionet e ndryshme për të shkelur me këmbë shtigje të vështira malore.
Linja hekurudhore e Monte Generosos, përuruar më 1890, është një ndër të parat e ndërtuara në Zvicër. Ndër vizitorët më të famshëm të saj janë Mbretëresha Margerita e Savojës, Princi i Kurorës më vonë Mbreti i Italisë Viktor Emanueli III, Princesha Enriketa e Saksonisë, Mbreti Boris i Bullgarisë, Mbretërsha Xhovana e Savojës, romancieri francez Hektor Malot, poetesha italiane Ada Negri e shumë të tjerë.
Hotel restoranti Vetta, i ndërtuar në truallin ku deri atëherë ndodhej Hoteli Kulm, do të mbyllej më 2010 për shkak të një fundosje që ndodhi poshtë ndërtesës, nga rrëshqitja e një shkëmbi. Prishja e ndërtesës zgjati deri më 2014 dhe Migrosi vendosi të ndërtojë një restorant të ri panoramik. E kjo iu besua kujt tjetër post arkitektit tiçinez me famë botërore Mario Botta.
Fiore di Pietra është një ndërtesë tetëkëndëshe e përbërë nga tetë “petale”. Tetë “petalet” janë prej gurësh gri. Në pesë katet e kullës ka dalje nga të gjitha anët tek dritaret e gjera që përshkojnë gjithë katet. Në mjediset e brëndëshme ndodhet restauranti, një tjetër restaurant self-service, të dyja me kapacitet për 120 vetë, salla e konferencave e të tjera ndërsa pjesa e posaçme është tarraca në majë të ndërtesës nga mund të kundrosh nga të gjitha anët panoramat, duke të krijuar ndjesinë se je në avion dhe me dorë mund të prekësh qiellin.
Arkitekti Mario Botta e konsideron realizimin e këtij projekti që ka kushtuar 25 milionë franga zvicerane si një kthim në zanafillën e tij. Kur ai ishte i ri dhe me miqtë e tij organizonin shpesh udhëtime aventurore duke i kaluar ditët dhe netët e verës në këto lartësi. Që atëherë brenda tij rritej dëshira që të bënte diçka për të rinjtë e vendlindjes.
Fiore di Pietra u përurua më 29 mars 2017 dhe u hap për publikun më 8 prill.
Grupin tonë të gazetarëve e pret një tjetër surprizë. Ne jemi të privilegjuar sepse tek Fiore di Pietra na pret i biri i arkitetit Mario Botta, Tobia Botta, edhe ky arkitekt, tejet i pasionuar dhe i dashuruar pas veprës së babait të tij që na e zbërthen metaforën e Lules së Gurtë. Në tren, gjatë rrugës të kthimit Tobia Botta, i jep një intervistë të plotë kolegut tonë dhe presidentit të APES Jean Musy.
Ndersa në Lugano temperatura ishte 25 gradë C, në Monte Generoso shënonte 12-13 gradë C. Po kjo është e bukura e Tiçinos.
Prej Monte Generoso në rrugën e kthimit u ndalëm në Capo Lago për të ngrënë drekë. Prej aty morëm trenin drejt Belinconës, kryeqendrën e kantonit, në ceremoninë përuruese të Ignazio Cassis. politikanit.56 vjeçar tiçinas, me profesion mjek i cili prej 1 nëntorit merr detyrën e Ministrit të Jashtëm të Zvicrës, 20 vjet pasi këtë post e mbante një tjetër tiçinas, Flavio Cotti. Ignazio Cassis (Injacio Kasis) u zgjodh në këtë detyrë më 20 shtator, i propozuar nga Partia Liberale Zvicerane, duke pasuar në këtë detyrë Didier Burkhalterin e dorëhequr. Ai ka njëzet vjet karrierë politikë të suksesshme në parlamentin kantonal e pastaj atë federal. Zgjedhja në këtë detyrë e këtij politikani shumë popullor është pritur me entusiazëm në Tiçino. Ai është ministri i tetë në historinë e Zvicrës me prejardhje nga Tiçino.
Tiçino ka një sipërfaqe 2812 kilometër katrorë me rreth 350 mijë banorë, pra dhjetë herë më e vogël se Shqipëria. Në këtë sipërfaqe sektori i turizmit ofron 438 hotele me rreth 20 mijë shtretër ndërsa 30 mijë shtretër të tjerë i ofrojnë shtëpitë e pushimit, pensionet, hotelet për rininë etj. Duke kalkuluar pak që Shqipëria të ketë një turizëm duke patur si model atë zviceran, i duhet të ofrojë rreth 500 mijë shtretër, me këtë infrastrukturë si kjo që ofron Tiçino, ku në çdo cep edhe më të largëtin shkojnë mjetet e qarkullimit publik, dhe ku do të gjesh kudo sigurinë dhe shërbimin me cilësi të garantuar.
Në grupin tonë të gazetarëve dominonin gazetaret kinezë sepse Zvicra është për turistët nga Kina një destinacion që i përmbush të gjitha kriteret. Si model dhe destinacion turizmi Tiçino dhe Zvicra mund të jetë edhe për shqiptarët kudo ku ata ndodhen.
Turizmi i Tiçinos meqë ka një larmi të madhe për shkak të laryshisë së relievit do të ishte një model i shkëlqyer për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, një vend i bekuar nga Zoti dhe i mallkuar nga politika.
Nëse Zvicra do të kishte klimën që ka Shqipëria, do të ishte një parajsë. E megjithatë Zvicra është parajsë nga dora e Zotit dhe e njeriut.
Duke falenderuar Swissturizmus dhe veçanërisht Mr.Turizmus Federico Sommaruga që e shoqëroi grupin tonë përgjatë gjithë guidës turistike, hypim në tren duke e mbajtur kokën prapa sepse sapo treni u nis ne na mori malli rishtas për Tiçinon.
Me shumë të drejtë shkrimtari Herman Hesse, fitues i çmimit Nobel për Letërsi, i cili e pati zgjedhur Zvicrën si atdheun e tij të dytë dhe Tiçinon vendin për të jetuar pjesën më të madhe të jetës deri kur dha frymën e fundit në Montagnolo, thoshte se : “Tiçino është mrekullisht e pasur e tejet e bukur dhe ka gjithçka që nga Alpet deri në pikën më jugore.”
Falenderojmë kolegun tonë, fotografin Pierre Virot për fotografitë e këtij reportazhi.
Ëmbëlsira tiçineze e mikpritjes
LAC – Lugano Art e Kultura
Stacioni i ri i Trenit në Lugano
Me Arletën, gazetaren zvicerano-braziliane