• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujtojmë Pjeter Arbnorin me rastin e 85-vjetorit të lindjes

October 3, 2020 by dgreca

Kujtojmë Pjeter Arbnorin me rastin e 85 – vjetorit të lindjes-

Nga Anton Çefa-

Nga libri i Pjetrit “Lufta për të mbetur Njeri”, zgjodha shkrimin “Kembrixhi për Arbnorin” Arritje të shek. XX.”

“Urime! Ju jeni nga ata që u zgjodhën!” Qendra Biografike Ndërkombëtare e Kambrixhit, Angli, një nga organizatat kryesore botërore të kërkimeve dhe botimeve biografike, tha dje  se ka zgjedhur deputetin dhe shkrimtarin Pjeter Arbnori në grupin e një numri të vogël burrash dhe grash nga e gjithë bota, të denjë për  Dekoratën “Për Arritje të Shekullit 20”. Dekorata për Arbnorin, sipas kësaj qendre, shoqërohet me citatin: “Në njohje të veprave të shquara në fushën e të Drejtave të Njeriut”. Nicolas S Law, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare Biografike në letrën që i shkruan Arbnorit , thotë se  “Kolegët e mi në Bordin Botues të Qendrës Ndërkombëtare Biografike kanë qenë dakord që unë të zgjidhja vetëm fare pak individë, që do të përfshihen në botimin e 26-të për t’u përmendur në mënyrë të veçantë në një pjesë të shquar në krye të vëllimit. Kam kënaqësinë që emri juaj është njëri nga ata që u zgjodhën dhe po ju shkruaj që t’ju ofroj rastin që përveçse vënies së emrit tuaj në pjesën kryesore, që është gjë e sigurt, t’jua kushtojnë juve këtë botim. Duke pranuar këtë nder, Biografia Juaj e Përkushtimit do të jetë një nga zërat e parë në këtë libër”.

Përveç dekoratës për arritje të shekullit 20-të dhe përfshirjes në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar, Botimi i 26-të, Qendra e Kembrixhit, ka vendosur ta përfshijë Arbnorin, i cilësuar si Mandela i Shqiperisë, edhe në Botimin e Trembëdhjetë të Who’s Who Ndërkombëtar të Intelektualëve. Botuesi Sam Tyler i shkruan Arbnorit se, “ju ftoj të zini vendin tuaj ndërmjet faqeve të këtij botimi, ku deri tani ne kemi nderuar më tepër se 20. 0000 vetë, në gjashtëdhjetë e dy vende të ndryshme të botës”

Nëntor 1998 – “RD”

***

Tribuni i demokracisë Pjetër Arbnori

Fjalë e mbajtur në mbledhjen përkujtimore për Pjetër Arbnorin

në tubimin e organizuar nga “Vatra” më 9  shtator 2006

                Ndoshta më i afërmi ndër shokët e tij të fëmijërisë dhe të rinisë kam qenë unë. Rrethanat e jetës i ndajnë dhe i largojnë njerëzit, por zemrat e shokëve e të miqve nuk njohin ndarje.

                Vdekja e tij e parakohshme dhe e papritur më tronditi aq shumë sa që nuk qeshë në gjendje të merrja penën. E pra, unë kisha shkruar për të dhe kisha aq shumë për të thënë. E kisha detyrim, e ndjeja si peng, por edhe si çlirim shpirtëror nga dhimbja; megjithëse e dija që nuk do të shpëtoja nga ajo dhe nuk e ndjej se po përligjem e po qetësohem me këtë Fjalë në këtë tubim të bukur përkujtimor që po organizon “Vatra”. Ai  ishte mik i “Vatrës”, i historisë dhe bëmave të saj të shkëlqyeshme; dhe në një vizitë që i bëri “Vatrës”, pati deklaruar: “Në ‘Vatër’ e ndjej veten më ngrohtë se kudo”. Dhe ‘Vatra’ e priti dhe e përcolli me dashurinë, dashamirësinë dhe nderin që pritet një mik i shtrenjtë.

                U rritëm bashkë. I kishim shtëpitë jo më shumë se 100 hapa larg njëri-tjetrit. Nga dera e oborrit e shtëpisë sime, përtej rrugës dhe dy gardheve, e shihja atë kur dilte në kopshtin e “Shtëpisë së mbetur përgjysmë”, siç e ka titulluar ai romanin kushtuar viteve të fëmijërisë dhe të rinisë.

                Pjetri erdhi në lagjën tonë, në vitin 1942, shtatëvjeçar. Kishim një diferencë fare të vogël moshe, vetëm 5 muaj. E kujtoj që në fëmijëri me atë natyrë të qetë që e ka karakterizuar gjithnjë – refleks i një flegme pjekurie dhe maturie të hershme, që ndrydhte në çdo rast impulset e mospajtimit dhe kundërshtimit deri në protestë ndaj së keqes, në çfarëdo ngjyre që të shfaqej ajo dhe prej çfarëdo drejtimi që vinte.

                U nisshim për shkollë, mbasi zgjoheshim shumë heret, porsa dilte drita, nga zhurma e mitralozave që lajmëronin Shkodrën se në periferi të qytetit, pas varrezës së Rmajeve- shumë afër lagjes sonë, u pushkatuan edhe një grup “reaksionarësh”, mbi të cilët rëndonte një faj shumë i madh: ata e donin Shqipërinë ndryshe nga komunistët, që po ia bënin fli politikës sllave dhe paçavureve marksiste-leniniste. Për gjithë qytetin, e edhe për ne fëmijët, në atë kohë unë e Pjetri kishim shkelur në të 12-in e në të 13-in vit të jetës, bëhej objekt i përgjithshëm diskutimi ngjarja e përgjakshme. Shqiptoheshin emrat, flitesh për rrethanat e jetës dhe viheshin në dukje meritat e secilit prej martirëve.

                Dy shkollat e mesme të qytetit, pedagogjikja dhe gjimnazi, që zhvillonin mësimet në të njëjtën ndërtesë, qenë bërë qendër e rezistencës së rinisë shkollore kundër komunizmit. Për ta mposhtur këtë rezistencë, qeveria pati sjellë si nxënës konviktorë kryesisht nga Jugu i vendit ish-partizanë a djem të tyre, që i kishim ndër klasa, por që ishin 4-5 vjet më të mëdhenj nga ne. I mbaj ndër mend si sot mbledhjet e tendosura nervash, që organizonin ata me britma çjerrëse e kërcënime, që përfundonin në oborr të shkollës me rrahje. Këta “revolucionarë të çartur” i sulmonin të rinjtë që përjashtoheshin herë pas here nga shkolla dhe i rrihnin kafshërisht. Ky kontigjent, i çmendur politikisht dhe i çoroditur moralisht, mbas mbarimit të shkollës dërgohej për të studiuar jashtë shteti, në vendet e Evropës Lindore, kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Mbas përfundimit të studimeve këta elementë u bënë kuadro të atij regjimi kriminal, që sundoi për 50 vite. Edhe sot e kësaj dite, mjerisht, pa i vrarë ndërgjegjja fare për çfarë i bënë popullit dhe   atdheut, shetisin në rrugët e kryeqytetit, kryenaltë për bëmat e tyre të fëlliqura. 

                Në këto rrethana u formuam me një urrejtje të ligjshme kundër komunistëve. Kur u ndamë, unë u emërova mësues në rrethin e Matit, (ai, një vit më vonë, në Dukagjin), i dhashë një poezi prej dy sonetesh, që ia kisha kushtuar atij sikurse edhe ndonjë shoku tjetër. Titulli qe: “Kah galeritë e ardhmenisë arbnore”, që ai e ndryshoi: aty për aty: “Kah katakombet e ardhmenisë arbnore”, si për ta parandjerë zezonën që do t’i ndodhte atdheut. Dhe shkroi: “Questo e il mio dramma che pianger’ mi fa”. (Kjo është drama ime që më bën të qajë). Me shumë poezi të tjera u dogjën edhe sonetet e katakombeve. Mbaj ndër mend vetëm strofën e parë dhe disa rreshta të shkëputur:

“Ndër sytë e tu, gjurmues t’ mendimit pashë

                Shqetinë e vlagshtë për botën e praksueme

                Shqetinë qi thekshem shpirtin t’ vrau e n’ fashë

                Zemrën s’ta la jo kurr n’ ndiesi t’harbueme.”

                Pjetri në atë kohë shkruante poezi satirike. Kishte një talent të rrallë. Letrat e tij derdheshin në një harmoni të çuditshme satire. Koha i zhduku të gjitha.

*   *   *

Arbnori na ka lënë një pasuri të madhe shpirtërore në disa fusha: rrugën teorike dhe praktikën e politikës së tij për ndërtimin e demokracisë, veprën letrare, të cilësuar si “koherencë shembullore njerëzore dhe artistike” të jetës së tij dhe, mbi të gjitha, plarformën e përpjekjeve në rrethana të jashtëzakonshme jo vetëm për të mos iu nënshtruar, jo vetëm për t’i dalë përballë, por edhe për ta mposhtur të keqen, poshtërsinë, të shëmtuarën, ferrin e diktaturës, atë që ai e ka quajtur “Lufta për të mbetur njeri”, luftë në të cilën pati shumë luftëtarë të shquar dhe Arbnori qe një nga më të shquarit. Kështu e ka quajtur ai ditarin e tij sekret të mbajtur në vitet e gjata të burgut, sipas një kodi të veçantë, për dëshifrimin e të cilit ai vazhdonte të punonte para se ta tradhëtonte vdekja.

  “Në mënyrë të ndërgjegjshme – ka shkruar ai në librin e tij ‘Martirët e rinj në Shqipëri’ – iu futa një rruge që më çoi në një burgim të gjatë.”

“Të mbetesh njeri – vijon ai më poshtë – nuk është ndonjë trimëri e madhe, por është detyrë. Megjithatë nuk ka qenë e lehtë të luftoja për të ndërtuar një strehë pa lënë tjetrin në shi; të siguroja një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja, të përpiqesha të shkollohesha pa e lënë shokun në errësirë, të rropatesha në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut që kisha pranë. Në kushte tepër të vështira e quaj arritje që kam shpëtuar pa u turpëruar dhe kam mundësi t’i shikoj shokët, miqtë dhe armiqtë drejt në sy.”

*   *   *

                Mendoj se është me vlerë të them shkurt, vetëm dy fjalë për “tabanin” e edukatës familjare ku u rrit Pjetri, meqë nuk e di a ka folë kush për këtë. I ati, Filip Toma, oficer i xhandarmërisë shqiptare, i njohur për tri “pa” – i pakorruptuar, papërkrahës, pa shtëpi”, u vra duke luftuar trimërisht kundër komunistëve në v. 1942, mbasi pati luftuar edhe me 7 prill kundër pushtimit Italian. Me 5 prill të v. 1939, ai i vuri në dorë të birit katërvjeçar nagantin dhe e ndihmoi të tërhiqte këmbëzën, sepse kishte lindur trashëgimtari i Mbretërisë Shqiptare. Gjithsesi, ky njeri me tri “pa”, i pati lënë të birit një bibliotekë të pasur.

E ëma, Gjystina a Dyta, siç e thërrisnim në lagje, një nënë më stoike e më të përcaktuar në detyrën e saj si prind nuk kam njohur, ndikoi shumë në edukimin e të birit. Pjetri kujton disa parime të kësaj nëne, që shkëlqente nga dinjiteti për rezistencën e treguar ndaj reprezaljeve të regjimit komunist, dhe që ai u përpoq t’i ndiqte:

Të mbështetem në besimin tek Zoti.

Të ruaj krenarinë e familjes.

T’i shtrohem punës me zell e këmbëngulje.

Të mos i ankohem njeriut për hallet e mia.

Të mos turpërohem moralisht.

Të mos prek gjënë e botës.

Të mos tradhëtoj as miq as të huaj.

 Të mos bëhem shërbëtor i askujt.

Të mos e humbas humorin as në kushte të vështira.

Pa u shitur trim të jem qëndrestar.

                                *   *   *

                Për qëndrimet politike të Arbnorit mbas rënies së diktaturës nuk do të flas. Janë të njohura prej të gjithëve: I ekuilibruar në atë kaos çekuilibrimi të përgjithshëm të politikës shqiptare gjatë këtyre viteve të tranzicionit; i përmbajtur e gjakftohtë përballë të ndërsyerve të shfrenuar; i vendosur pa kompromisin më të vogël në luftën e tij për demokraci dhe procese integruese ndaj strukturave evropiane dhe evroatlantike, me shpresë e besim të plotë në një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

                Ai i qëndroi besnik politikës dhe partisë ku aderoi që në fillim, por politika e braktisi, siç kishte braktisur edhe demokratë të tjerë të vërtetë për t’i zëvendësuar me “katovicas”, mjeshtër të kualifikuar për ta penguar dhe për ta çoroditur demokracinë.               

E merrja shumë rrallë në telefon. Nuk doja ta trazoja, por e ndiqja hap për hap jetën e tij përmes njerëzve të familjes sime dhe shokëve. Disa ditë mbasi u dhanë rezultatet e zgjedhjeve, s’u durova më dhe i merakosur, i telefonova. Me një zë si të huaj, m’u përgjigj: “Flitet për një emërim në ambasadën në Vatikan, por deri tani asnjë njoftim zyrtar nuk kam; por vazhdoj të punoj në kuadër të Institutit “Alqide de Gasperi” (një institut që merrej me studime politike, të cilin e drejtonte ai vetë) dhe, si gjithmonë, vazhdoj të shkruaj.”

Thonë që “ishte i lodhur”. Vërtet, por po të ishte atje në Bruksel për të përfaqësuar Shqipërinë, zëri i tij do të dëgjohej më shumë se zëri i çdo tjetri. Vërtet, Evropa që e kishte futur në “Fjalorin ndërkombëtar të biografive” “për kontributin e shquar për të mbetur njeri”; në “Fjalorin e biografive ndërkombëtare” “për nder të kontributit të tij të shquar për të drejtat e njeriut”; Evropa që i kishte dhënë “Çertifikatë merite shpallur në të gjithë botën” “për shërbim të shquar, i cili dhe është shënuar në vëllimin XXVI”, në “Fjalorin e biografive ndërkombëtare”; Evropa që i kishte dhënë “Çertifikatën për njohje të arritjeve të shquara, të cilat janë regjistruar në botimin XIII ‘cilët janë intelektualët ndërkombëtarë”, dhe  titullin  e Asamblesë Parlamentare të Vendeve Frëngjishtfolëse ‘Oficer i madh i Urdhërit të Plejadës”,  etj.; Evropa do ta kishte pranuar dhe nderuar më parë se cilindo, siç e pati pranuar dhe nderuar, kur Arbnori firmosi për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e saj. 

Arbnori kishte një ideal të lartë për demokracinë. Ndoshta ai qe ndër të paktët që iu futën politikës, duke e kuptuar esencën e saj dhe, ndoshta, qe ai që e kuptonte atë më mirë se të tjerët. Një ndikim të dukshëm, siç duket, ushtroi tek ai përkthimi i “Historisë së Anglisë” të Andrea Maurois, përkthim që e bëri nën nxitjen e juristit të shquar, që e kaloi një pjesë të mirë të jetës në burgun e Burrelit, Engjëll Çobës, i cili i pati thënë “Mund të mësosh prej tij – është fjala për librin e Historinë së Anglisë –  më tepër se nga çdo libër tjetër që qarkullon në Burgun e Burrelit”. Për bindjet e tij për demokracinë, Pjetri ka shkruar: “Nëse popujt e tjerë nuk mund të ndjekin pikë për pikë këtë shembull, Historia e Anglisë duhet t’i mësojë njërës palë ta heqin mendjen nga ‘revanshi me çdo kusht’ dhe palës tjetër se do të jenë fitimtarë për një kohë të gjatë po të jenë tolerantë dhe të bëjnë kompromise të arsyeshme duke përsosur çdo ditë demokracinë.”

*   *   *

Vepra e tij letrare me vlera të mëdha njohëse, artistike e edukative është mjaft e vëllimshme dhe nuk është botuar ende plotësisht. Janë botuar nga viti 1992 deri në v. 2000: romanet “Mugujt e Mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”; “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Vorbulla”, “Brajtoni, një vetëtimë e largët”; novelat “Kur dyndën vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”. Ka botuar gjithashtu; studimin historik “Nga jeta në burgjet komuniste”, epistolarin “Letër nga burgu”, një përmbledhje intervistash “Lufta për të mbetur njeri”; “Pjetër Arbnori – shkrimtar, politikan, njeri”; një përmbledhje kujtimesh, fjalimesh dhe artikujsh publicistikë “Martirët e rinj në Shqipëri”; në gjermanisht, kujtime mbi priftin gjerman dom Alfons Tracki “Unë kam mbijetuar dhe kam shkruar”, përkthimet: “Historia e Anglisë” e Andrea Moruas dhe “Ngritja e rënia e Rajhut të Tretë”, përkthyer nga frëngjishtja..

                Nuk është vendi këtu të bëjmë analizë për vlerat letrare të këtyre veprave, por kam dëshirë të tërheq vëmendjen për tri gjëra.

                Së pari, Arbnori bën pjesë në treshen e shkëlqyeshme të lëtersisë së zhvilluar në burgje: krahas Trebeshinës së zjarreve të skëterrës dhe Zhitit të yjeve të qiellit. Së bashku edhe me disa emra të tjerë, kjo letërsi mbetet t’u zbulohet lexuesve, sepse ngërthen në gjirin e saj vlera të pakrahasueshme artistike, njohëse dhe edukative. Në parathënien e monografisë “Pjetër Arbnori-shkrimtar” të studiuesit të huaj, Giuseppe Gradilone, Lazër Stani ka shkruar “Shkrimtari Pjetër Arbnori bën pjesë ndër ata krijues shqiptarë, që duke jetuar në kushte të jashtëzakonshme, nuk bënë asnjë lloj kompromisi me skemën zyrtare të realizmit socialist dhe krijuan atë letërsi shqipe që mund të kategorizohet si “letërsia tjetër”.

Studimi kritik fatkeqësisht sot mungon. Lavdërohen deri në neveritje vepra që në vend të letërsisë kanë byk e krunde; por që kanë antivlera të jashtëzakonshme çedukuese, sidomos për brezin e ri, në fushën e kuptimit të artit të fjalës dhe realizimit të mjeshtërisë artistike, shpesh edhe në fushën e moralit qytetar. 

Së dyti, Arbnori shkroi në kohën e mungesës së lirisë gjatë viteve të diktaturës, që qenë vite të rënduara nga robëria diktatoriale, jo vetëm për Pjetrin dhe shokët e tij të burgosur politikë, por për gjithë popullin tonë. Mungesën e lirisë e vuajtëm të gjithë ne që ishim të ndërgjegjshëm për atë që po ndodhte nën atë regjim antikombëtar e antipopullor krimi. Dëshira më e parë e më humane për njeriun – liria – e çoi Arbnorin drejt letërsisë si nevojë shpirtërore krijuese, si qëllim, si mjet dhe si ndihmesë për ta realizuar atë për vete, për popullin dhe për atdheun e tij. Një ndryshim i madh diametral me rrugën e shkrimtarit tonë më të madh të realizmit socialist, Ismail Kadare, të cilin siç ka pohuar ai vetë në hyrje të librit “Nga një dhjetor në tjetrin” dhe e ka përsëritur më vonë në “Dialog me Alain Bosquet”: “Letërsia e ka çuar drejt lirisë, dhe jo e kundërta liria drejt letërsisë.”

Arbnori kishte krijuar në vetëdijen e tij një hapësirë me të gjerë konceptuale për lirinë. Ai ka shkruar: “Për intelektualin, dhe jo vetëm për intelektualin, jeta është përpjekje për të zgjeruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë dritaret e kontaktit me botën, me realitetin kur s’mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë. Ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është e mundimshme por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit.” Këtë dukuri të lartë shpirtërore, Gradilone e ka cilësuar si “fitorja e mundimshme, e pikërisht për këtë e vlertë, e lirisë së brendshme, ku ndien nevojën e meditimeve të shpirtrave të mëdhej, si Shën Agostini e Severino Boecio.” 1).
                Së treti, në një intervistë, Arbnori ka thënë: “Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të më qëllojnë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.”. 

Mbasi të kalojë kjo periudhë e stërzgjatur krize shpirtërore, mbasi të shërohet kjo klimë e sëmurë e kulturës sonë dhe mbasi në vendin tonë të triumfojë demokracia e vërtetë, që dëshironte, shpresonte dhe për të cilën punoi Arbnori, do të krijohen kushtet e leximit dhe të studimit të veprës letrare të tij dhe breznitë e reja do të reflektojnë dhe do të kuptojnë se kush e tha të vërtetën për çka u bë në atdheun tonë gjatë viteve të diktaturës, Arbnorët, Trebeshinat e Zhitët, apo vanadaku i pafund i penave të realizmit socialist, sado të fuqishme të kenë qenë ato në fushën e mjeshtërisë artistike.

Populli ynë duhet të krenohet që nxori, në një nga periudhat më të vështira të historisë së tij, historisë së turpshme të luftës së vëllezërve shqiptarë ndërmjet vetit për hir të një ideologjie edhe më të turpshme a për hir të një kolltuku të përgjakshëm diktatorial, një personalitet të tillë si Arbnori. Lufta për rrëzimin e komunizmit dhe për ndërtimin e demokracisë lindi në Evropë udhëheqës politikë e shpirtërorë të mëdhenj: në Poloni, një Lek Valezë; në Çekosllovaki një Vaklav Havel dhe në Shqipëri një Pjetër Arbnor.

Me vdekjen e parakohshme të Rugovës dhe të Arbnorit, Kosova e Shqipëria humbën – në një kohë që kishin shumë nevojë për ta – dy personalitete të shquara, të çmuara prej popullit të tyre dhe të vlerësuara nga Evropa dhe mbarë bota: Gandistin e Madh Ibrahim Rugova dhe Disidentin Tribun të Demokracisë Pjetër Arbnori; por ata do të përjetojnë pavdekësinë e tyre në vetëdijen kombëtare dhe do të jenë të pranishëm, për të gjitha breznitë shqiptare, në panteonin e personaliteteve të ndritura që ka nxjerrë kombi ynë.

1). Boethius, Anicius Manilius Severinus (480-525), filozof dhe burrë shteti romak, veprat filozofike të të cilit ndikuan fuqimisht në zhvillimin e mendimit mesjetar. Në burg, duke pritur ta ekzekutonin, shkroi veprën “Ngushëllimi i filozofisë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: 85 Vjetori i Lindjes, Anton Çefa, Pjeter Arbnori

Ku je, Pjetër Arbnori!

July 9, 2020 by dgreca

Në foto Pjetër Arbnori dhe Elida Buçpapaj në redaksinë e gazetës Bota Sot në Zürich./

U mbushën 14 vjet prej kur pushoi së rrahuri zemra e Pjetër Arbnorit.

Zemra e një martiri, e një njeriu që luftoi në çdo çast të jetës për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Edhe përgjatë 28 viteve në burg, si i burgosur i ndërgjegjes!

Pjetër Arbnori, Mandela i Ballkanit, është shembëlltyra e krimeve të regjimit diktatorial!

Sepse hyri në burg 26 vjeç e doli prej burgut 54 vjeç!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Thërras pa zë, me këtë apelativ që bën jehonë pasi sot më tepër se kurrë Pjetër Arbnori i duhej Shqipërisë!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Me e çue në këmbë atë shqiptari që po zvarritet e nuk po çohet dot në këmbë!

Sepse nuk beson tek ata që e mashtruan!

Kemi patur fat të njihemi me Pjetër Arbnorin. Skënderi ka bashkëpunuar me Pjetrën kur ishte në krye të RTSH, unë si gazetare.

Pas 1997 kur u vendosëm në Zvicër dhe kontribuonim tek Bota Sot, Pjetër Arbnori ishte miku i gazetës që ngrinte në këmbë kombin!

Sa herë do të vinte në Zvicër, do ta intervistoja, gjerë e gjatë. Intervistat botoheshin me vijime dhe bëjnë një libër të veçantë.

Pjetër Arbnori ishte njeriu i urtë, pajtues, paqebërës; njeriu i sakrificave, i burgjeve, por edhe i grevës 21 ditore të 1997, kur shkoi afër vdekjes për hir të lirisë të fjalës; ishte njeriu që kishte përjetuar deri në kockë persekutimin e regjimit komunist, por që shihte përpara, pa bërë koncensione me të vërtetat; Pjetër Arbnori ishte shkrimtari, njeriu i letrave, me zemër të ndjeshme, që diktatura ia vrau rininë, por kurrë jo humorin shkodran dhe inteligjencien. Do të mbetet i paharruar si kryetari i Parlamentit të Shqipërisë prej 1992 deri 1997, që e ka drejtuar në mënyrë virtuoze, si një personalitet me vizion kombëtar.

Tridhjetë vitet e burgut nuk e bënë hakmarrës, përkundrazi e bënë që të jetë një nga themeluesit e parë të pluralizmit politik në Shqipëri.

Jo si shumica e klasës politike që vinte nga zyrat e diktaturës dhe e shihte demokracinë si shans për t’u pasuruar!

Ku je, Pjetër Arbnori ?

Politikani me integritet tek i cili besonin shqiptarët!

Për herë të fundit, jemi dëgjuar me telefon me Pjetrën, kur u përhap lajmi se e kishin emëruar Ambasador në Vatikan!

Ishte shumë pak për formatin e tij, por megjithatë Pjetër Arbnori e kishte pritur mirë këtë lajm.

Që në fakt nuk ishte i vërtetë.

Merreni me mend, në zgjedhjet e 2004, Pjetër Arbnori nuk ishte deputet i PD.

PD kishte përfshirë në listat, rrënimtarët e saj, por jo Pjetër Arbnorin.

Është veprimi i parë eksplicit i lidërshipit të PD për rrëshkitjen nga obligimet si parti e qendrës së djathtë!

PD e tradhtoi Pjetër Arbnorin, ndërsa Pjetër Arbnori ishte dhe mbetet simboli i pluralizmit politik shqiptar!

Ku je, Pjetër Arbnori!

Atje prej Parajse zgjoje ndërgjegjen shqiptare prej dal prej burgut të indiferencës, sepse nuk ka pasuri më të madhe se liria!

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Pjeter Arbnori

14 VITE PA PJETER ARBNORIN

July 8, 2020 by dgreca

Me 8 Korrik 2006 u shua në Napoli-Itali, Pjetër Arbnori, një nga legejndat e qëndresës antikomuniste shqiptare,shkrimtari, krijimtaria letrare e të cilit mbijetoi falë vullnetit dhe pasionit. Sot, në përkujtim të jetës dhe veprës të Arbnorit e kujtojmë si intelektual antikomunist, si shkrimtar, përkthyes, si ish kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet, por mbi të gjitha si NJERI.
Pat lindur më 18 Janar 1935 në Durrës.Kishte përfunduar studimet e larta në fakultetin e Filologjisë. U arrestua me 27 maj 1961. Fillimisht u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me pushkatim. 64 ditë qëndroi në qelinë ku mbaheshin të izoluar të dënuarit me vdekje; me 13 tetor 1962 iu fal jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, duke iu dhënë dënimi përfundimtar 25 vjet heqje lirie.Gjatë kryerjes së dënimit iu shtuan dhe 10 vjet të tjera. Kreu 28 vjet burg; u lirua në gusht 1989. Ishte pjesë e demonstratës antikomuniste të Shkodrës të 14 Janarit 1990. U zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës. Në zgjedhjet pluraliste të 31 marsit 1991 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nga 6 prilli 1992 deri 24 korrik 1997, ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Pjetër Arbnori ishte vlerësuar me urdhëra, medalje e tituj të shumtë. Ai ishte «Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës» të Asamblesë së vendeve frëngjishtfolëse, ishte i përfshirë në fjalorin «Who’s Who» të intelektualëve, hartuar nga Insituti Biografik i Kembrixhit, si dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar.Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me urdhërin”Nder i Kombit” (pas vdekjes) me 28 nëntor 1911 me motivacionin: «Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar».
Për t’u futur në thelb të krijimtarisë të shkrimtarit Arbnorin, risjellim studimin e Profesorit Italian Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës me titull” Pjetër Arbnori-Shkrimtar,” botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.

***

PJETËR ARBNORI PËRBALLË KADARESË: LUFTA PËR LIRI E ÇOI TEK LETËRSIA, JO E KUNDËRTA

Përsiatje rreth studimit të Prof. Giuseppe Gradilione”Pjetër Arbnori-Shkrimtari”, si homazh për shkrimtarin në 84 vjetorin e Lindjes

Nga Dalip GRECA/ Dielli

Ka kohë që përmes mikut tim Anton Çefa, poetit, stdiuesit dhe ish Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli” mora librin e Profesorit Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës-Pjetër Arbnori-Shkrimtar, botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.
Libri i përkthyer nga i ndjeri Daniel Gazulli me parathënie të shkrimtarit Lazer Stani, botuar nga Enti Botues ”Gjergj Fishta”.
Profesor Gradilone sjell një studim serioz dhe të thelluar për veprën e shkrimtarit që e krijoji veprën e tij në kushtet e mungesës së lirisë, duke u ndalë në anilizën artistike të çdo vepre dhe rrethanat kuu u shkruan.
Që në krye të studimit të veprës të Pjetër Arbnorit profesor Gradilone nxjerr përfundimin se shkrimtari nuk ka pasë mëdyshje në luftën e tij kundër diktaturës komuniste,njeriu dhe shkrimttari Arbnori e ka pranuar me vetëdije përballjen dhe dyluftimin. Natyrisht që i ka marrë në sy pasojat e rrezikshme për jetën dhe i ka hedhur dorashkën regjimit antiliri.
Përfundimi i dytë i studiuesit për veprën e Arbnorit dhe kushtet ku dhe kur u krijua, që si renditje mund të ishte i pari, është: Kërkimi i lirisë dhe përballja me mungesën e saj, e çoi tek Letërsia. Duke e përballë Arbnorin me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, studiuesi arrin në përfundimin logjik se intenerari i rrugëtimit drejt letërsisë për të dy,- është jo në të njëtën kahje. Citoj: Në se intenerari i tregimtarit të madh Ismail Kadare-citimi është i detyrueshëm për përmasat e tij si shkrimtar- ka qenë nga Letërsia tek Liria (Ka qenë Letërsia që më udhëhoqi drejt lirisë. Nuk njihja liri kur fillova të shkruaja, ka shkruar Ismail Kadare në bisedë me Erik Faye.)…Pjetër Arbnori ka ndjekur rrugën e kundërt: Ka qenë lufta për liri ajo që e çoi tek Letërsia, ajo që e frymëzoi dhe i dha kuptim;një koherencë shembullore njerëzore dhe artistike ajo e tij.
Njeriut Pjetër Arbnori ia mohuan lirinë duke e burgosur në moshën 26 vjeçare (1961), e tronditën duke e dënuar fillimisht me vdekje, e kthyen më pas në 25 vjet burg, dhe kur kishte kryer 18 vjet burg, e trondisin sërish duke i dhënë 10 vjet plus se kishte shkelë kufijtë e lirisë, kishte guxuar të shkruante në studion-burg, (që ishte katërcipërisht e ndryshme nga studio Kadare) romanin “Shtëpia e mbetur përgjysëm”. Studio ku krijoi imagjinata dhe fantazia e Pjetër Arbnorit për 28 vite ishte në kushtet e mjerushme, në errësirën qelive dhe burgut, por pikërisht ajo lloj lerësie shpëtoi njeriun Arbnori. Në atë lloj laboratori shkrimtari krijoi korpusin e veprës së tij, që u botua pas rrëzimit të komunizmit, si një vepër që sillte shpirtin e paepur nga zgafellat e Burrelit.
Realiteti tragjik i krijuar nga diktatura komuniste e çoi pjetër Arbnorin në krijimin e romanit të parë të tij ”E bardha dhe e zeza”, e cila është shkruar në vitin 1964, viti i tretë pasi e kishin mbyllur në burgun famkeq. Iu desh që ta maskonte romanin nën një emër tjetër dhe se ai ishte vetëm përkthyesi.Romani ka si motiv luftën kundër racizmit. Paralelizmi mes racizmit në Afrikën e Jugut nuk ka shumë dallim nga realiteti shqiptar. Citojmë nga përcjellja që i bën vetë autori Pjetër Arbnori librit ”E bardha dhe e zeza” botuar më 1996: Në Afrikën e Jugut ndodhi një masakër më 1960, ku u vranë zezakë pa dallim.Në Shqipëri kanë ndodhë disa Shapërvile, që nga Postriba në 1946, deri tek revolta e të burgosurve të Spaçit në 1973. Këtë jam përpjekur ta pasqyroj në romanin tim që keni para duarsh, ku emrin tim e kam maskuar me një autor të paqenë që shtjellon ngjarjet në një vend të largët, por që nga fati ishte i afërt me Shqipërinë.”
Arbnori ka stilin e tij të veçantë të të shkruarit, ku shquhet densiteti i mendimit në fjali me strukturë të veçantë sintaksore. Studiuesi arrin në mendimin se fundi i masakrës është përshkruar me një dendsi të rrallë, veti dalluese kjo e stilit të tij, me tri fjali të bashkërendituara pa lidhëza e në një progresion numerik të viktimave: Të vrarët ishin të shumtë, të plagosurit edhe më të shumtë, të arrestuarit pa numër”- “E bardha dhe e zeza”.
Dy novelat e Arbnorit”Vdekja e Gëbelsit” shkruar më 1972 dhe “E panjohura” e shkruar më 1975, studiuesi Gradilione i konsideron si akt-padi kundër diktaturës. Novela”E panjohura” ka në qendër të subjektit historinë e një gruaje të re që ndiqet nga Sigurimi i Shtetit komunist. Ema, kështu quhet gruaja, e vënë në qendër të novelës, është prurësja e një letre që ia ka besuar një autor i shquar, i dhënë pas saj që ndiqej prej Sigurimit. Gradilone veçon stilin e rrëfimit të autorit, që përmes letrës organizon shtjellën e gjithë novelës. Rrëfimi shquhet për zbërthimin e karakterit psikologjik të vajzës, për të sjellë më pas tronditjen nga skenat çnjerëzore të persekutimit të saj. Studiuesi arrinë në përfundimin se detajet e dramës së Emës janë përshkruar mjeshtërisht me artin e përkorë të autorit. Citojmë nga novela:
Zhvisheni!-bërtiti ai, aq befas dhe egër, sa vajza e re kryqzoi duart në krahëror e u mbështet për muri, e trembur për të parën herë prej tyre… e më tej: “Njëra grua u mor me kontrollin e imtë të rrobave, tjetra i kontrolloi birat e veshit, gojën, fijet e hundës, ia zhdrivilloi flokët e artë fije-fije, vrejti nën sqetulla, i preku dy gjinjtë e fortë, e bëri të hapte mbarë e prapë shuplakat e duarve, shojet e këmbëve, dhe gishtat, pastaj e urdhëroi të hapte shalët në një pozicion të turpshëm.Vajzës i rrodhën gjatë kurrizit dy-tri pika djerse akull e dëborë dhe kundërshtoi për të parën herë duke u përqethur shtatit. Por me bashkëpunëtoren e Sigurimit nuk bëhej shaka. Ajo ia përdrodhi dorën si pulës dhe kontrolloi me dorën tjetër para mbrapa sa deshi….
E veçantë në korpusin e veprës së Arbnorit është novela”Vdekja e Gëbelsit”, ku qeni trajtohet si qenie njerëzore, sa ta drithëron shpirtin. Të burgosurit kishin harruar të gëzoheshin, të qeshnin, dhe sjellja ilegale e qenit dukej se ndryshoi jetën e tyre. Shkrimtari Arbnori e përshkruar kështu gjendjen e krijuar mes të burgosurëve me këtë mysafir të rrallë(vini re përshkrimin fizik të burgosurëve): Grumbuj-grumbuj erdhën njerëzit te krevati i të dënuarit…Gjithë ato fytyra të rreshkuara, me rrudha të thella,me kocka të dala, me sy të groposur, sa shikonin qenin e vogël në mes të batanijes, zbuteshin, qeshnin e zgjateshin nga qenia e vogël që kishte qejf t’i mbante sytë mbyllur e që çdo gisht që iafrohej te goja e pandehte si thithën e gjirit të së sëmës. Ata njerëz të lodhur dukeshin tashti si fëmijëa që mblidhen rreth një lodre që do t’ju sjell gëzim e zbavitje…
Studiuesi ka vënë re ecurinë e subjektit sipas gjendjes që kalonte qenushi i vogël ”Gëbelsi” se si përcillte torturat e të burgosurëve prej xhelatëve të burgut, se si sulej përmes televe me gjemba duke marrë plagë nga telat që i nguleshin në trup, e deri në fundin e tij heroik përballë xhelatit. Ja si e përshkruan Pjetër Arbnori fundin e krijesës së vet:” Gëbelsi i vogël s’u rrëzua as dhe një herë, nuk lëshoi asnjë britmë vajtimi a frike gjatë torturës. Vetëm tashmë reagonte, jo aq shpejt, hunguronte më kërcënushëm, por më rrallë dhe mezi merrte frymë. Hasan Dida që s’e priste një qëndresë të tillë, ishte zbehur e përçudnuar më keq se qeni dhe vetëm turpi e mbante në këmbë, kaq ishte këputur. Herën e fundit kur i mëshoi hurit, qeni ia shtërngoi aq fort me dhëmbë sa i rrëshqiti këmba e qe duke rënë. Dikush qeshi. Ai u ngrit, tërhoqi hurin e mezi ia shkuli goje. Dhe kur u përgatit që t’i jepte goditjen tjetër, qeni vari kryet dhe frymën e mbrame. Trupi i mbeti si në fillim, në pozicion mbrojtjeje, ulur në bisht, mbështetur drejt në dy këmbët e para si statuja”Vdekja e Centaurit” të Antuan Burdel…
Për studiuesin Giuseppe Gradilone, qeni ngrihet si symbol i rezistencës të paepur të një populli të tërë. Një nga novelat e arrira të Pjetër Arbnorit është ajo me titull” Kur dynden Vikingët”. I gjithë subjekti është ngritur mbi metaforën e dhimbjes dhe përshkohet nga ideja: Diktaturat të gjithë kanë një emërues të përbashkët, Vikingët e djeshëm janë të njëllojtë me ata të sotmit.
Për studiusin vjen logjik konstatimi se shtjella e novelës zhvillohet mes intrigash që të ngrijnë gjakun, duke shkelur drejtësi, e të vërtetë, duke trazuar pafajsinë, dënojnë duke i mbyllë në çmendinë ata që i denocojnë (rasti i Elenës) apo në kampe përqëndrimi (rasti i Karlit) duke shkelur çdo të drejtë njerëzore (rasti i të paprekshimt Vikingu i madh, avokatit von Shvajcer).
Ndiqeni rrëfimin e trishtë , të hidhur dhe të pafuqishëm të Karlit: Më se njëmijë e pesëqind anëtarë me përgjegjësi të reparteve të sulmit, bashkë me shefin e tyre të shtabit, ministrin Rem, u vranë pa gjyq. Edhe trajtimi mizor që u bëhej çifutëve nuk më pëlqente, por nuk isha i zoti të gjykoja mbi vlerat e argumenteve që paraqiste kundër tyre Fyhreri ynë. Thashë se përpiqesha të mos vija re ç’bëhej rrotull meje, por edhe padashur njeriu vëren.
Në përgjithësi subjektet e veparve të Pjetër Arbnorit përshtateshin me studion e tij burg, subjekte të ashpra, por kishte dhe raste të daljes jasht studios së errët të burgut, kur imagjnata ç’burgosej dhe merrte arratinë përtej burgut. E kësaj natyrë është novela ”Bukuroshja me hijen-idil nga plazhi”, e shkruar në vitin 1974 dhe e botuar më 1994 në Tiranë. Studiuesi Gradilone konstaton se dëshira për t’u arratisur drejt hapsirave të paanë të detit është shenjë e kujtesës dhe pritjes, por sidomos e ruajtjes të pacënuar të ndjenjës së përjetshme të dashurisë. Po në ç’kushte u krijua kjo novelë? Ndiqeni rrëfimin e Pjetër Arbnorit:” megjithëse e kam shkruar shtrirë mbi çimenton e birucës në grevë urie, besoj se më ka dalë një tregim dashurie i këndshëm, shumë njerëzor.”
Vepra që i ka kushtuar më shumë kohë dhe mund shkrimtarit Pjetër Arbnori është”Muzgujt e Mesjetës”. Nëpër roman lëvizin ngjarje tronditëse, përshkruhen Aventura të protagonistit Mark Topia.
Për studiuesin e Arbnorit, boshti qëndror i romanit është egzaltimi i lirisë e i rezistencës së popullit shqiptar ndaj çdo sundimi të jashtëm e të brendshëm përmes ngjarjesh të stuhishme të historisë së tij… Personazhi i Mark Topisë, forca centrifugale rreth së cilës sillen gjithë të tjerët, secili fiksuar në një personalitet njerëzor të vetin, të gjallë e të spikatur, mbrojtja me xhelozi dhe egzaltim i vlerave tradicionale, ajo ç’ka i bën ato të qëndrushme e kompakte në gjithçka, vlera që gjithësesi nuk përjashtojnë hapjen ndaj së resë, dënimi haptaz i vetëizolimit që Shqipëria e vuajti gjysëm shekulli.
Dy romanet e Arbnorit më me vlerë për studiuesin Italian Gradilone janë “Shtëpia e mbetur përgjysëm”- e mbruar së shkruari në mars 1969, dhe “Vorbulla”-shkruar në burg që nga 1 dhjetori 1971 deri në 18 shkurt 1972, që u botuan të dy më 1997. Shtëpia e mbetur përgjysëm” është një roman kujtesë, po ashtu edhe romani Vorbulla, ku ngjarjet janë vendosë në Shkodrën  e pas Lidhjes së Prizrenit.
Vepra e Pjetër Arbnorit, ashtu si e shumë shkrimtarëve e poetëve të dënuar nga diktatura, apelon dhe kërkon më shuëm vlerësim dhe më shuëm vëmendje nga studiuesit dhe kritika e munguar shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: 14 vite mungese, dalip greca, Pjeter Arbnori

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT