Hoti: Marrëveshja me Serbinë, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës/
-Kryeministri Hoti mori pjesë në tryezën me temë “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”: Parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është: E para, integriteti territorial i Kosovës, është i panegociueshëm. “Unë nuk kam mandat që të hapi këtë temë në procesin e dialogut. E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh kryeministri Hoti/
PRISHTINË, 17 Qershor 2020- Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në tryezën e diskutimit me temën “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë”, e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Hoti tha se ka mandat që të negociojë mbi bazën e Kushtetutës dhe ajo i jep autorizime të qarta që të udhëheqë këtë proces. “Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën edhe më të qartë, në detaje i tregon kompetencat e mia në procesin e dialogut, të cilat kompetenca as nuk dua, as nuk mundem t’i transferoj tek dikush tjetër, e as nuk do të lejoj që dikush tjetër të ndërhy në kompetencat e mia. Po besoj që kjo nuk ka nevojë as të thuhet realisht pasi për aq kohë sa Kushtetuta është e qartë nuk kemi pse të brengosemi për këtë çështje”, tha kryeministri Hoti.
Më tej, kryeministri Hoti tha se parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është: E para, integriteti territorial i Kosovës, është i panegociueshëm. “Unë nuk kam mandat që të hapi këtë temë në procesin e dialogut. E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh kryeministri Hoti.
Gjatë këtij diskutimi, kryeministri Hoti është përgjigjur edhe në pyetjet e përfaqësuesve të shoqërisë civile që kishin të bënin me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me këtë proces.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HOTI:
Faleminderit shumë z. Kryeziu për ftesën dhe për mundësinë që sot të prezantojmë edhe përpara juve, përpara shoqërisë civile, përpara ambasadorëve, përpara njerëzve që në organizata të ndryshme të shoqërisë civile ose në kapacitete të ndryshme që kanë pasur në të kaluarën e kanë përcjell këtë proces nga afër tash e shtatë – tetë vjet prej se ka filluar ky proces i dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Të nderuar Ambasador i Zvicrës, Ambasador i Shqipërisë,
Të nderuar pjesëmarrës, profesor Mustafa, të gjithë që jeni prezentë, përfaqësues të partnerëve tanë zhvillimor, të organizatave që e keni mbështetur Kosovën ose Qeverinë e Kosovës në të kaluarën në kapacitete të ndryshme.
Sinqerisht jam i nderuar që përpara një audience të tillë që kanë përvojë detale disa në këtë proces, të prezantoj qasjen që kemi ne karshi procesit të dialogut.
Në fjalën time jam i bindur që nuk do të dëgjoni asgjë të re që nuk e kemi thënë më përpara. Atë që e kemi bërë bashkë me bashkëpunëtor, me kabinetin, është se e kemi strukturuar qasjen që duhet të ketë Qeveria e Kosovës në këtë proces edhe e kemi formalizuar mënyrën se si duhet të zhvillohet ky proces.
Kjo është besoj e reja që ne kemi prezantuar edhe qasjen për të siguruar transparencë të plotë gjatë këtij procesi i cili unë besoj se është procesi më jetik që i ndodh Kosovës nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe tash konsolidimi dhe përmbyllja le të shpresojmë përmbyllja e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ky është një proces siç e dini që ka filluar nga viti 2011 për të normalizuar marrëdhëniet tona mes të dyja vendeve. Mandej me marrëveshjen e vitit 2013 dhe si derivat të saj ka pas një listë të gjatë të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel. Sigurisht kemi plot arsye për të mos qenë të kënaqur me moszbatimin e atyre marrëveshjeve, por ka plot prej këtyre marrëveshjeve që kanë siguruar normalizim të jetës dhe të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve në segmente të ndryshme të ekonomisë dhe shoqërisë tonë. Edhe në veçanti në funksionalizim të institucioneve të Kosovës në mbarë territorin e Kosovës dhe për këtë jemi falënderues ndaj BE-së dhe vendeve të tjera partnere që na kanë qëndruar afër dhe që e kanë bë atë ndikimin e nevojshëm tek vendi ynë fqinj Serbia, që të respektojë këto aranzhime në funksion të normalizimit të funksionimit të ekonomisë dhe të shoqërisë në mes të dy vendeve tona.
Tash përveç përballjes me COVID dhe me një plan të rimëkëmbjes ekonomike, ne në fokus tonin si qeveri kemi dialogun domosdo dhe t’ju them sinqerisht me shumë dëshirë do të isha marr në baza ditore me profesionistë shëndetësorë për t’u marrë me rritjen e rasteve tash me COVID, se si të hapim ekonominë ndërkohë që parandalojmë përhapjen e COVID-it, se si t’i zbatojmë sa më parë masat për rimëkëmbjen ekonomike, por gjysmën e energjisë time dhe të kabinetit është duke e marrë procesi i dialogut.
Po e them një gjë të cilën e kam thënë edhe njëherë publikisht që të jemi të gjithë në të njëjtën faqe kur flasim për procesin e dialogut. Unë nuk jam prej personave që kam marr pjesë përpara në procese të dialogut , pra nuk i di prapaskenat e këtij procesi. Atë që kam kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë në ditën e parë që e kam marrë detyrën në telefonatat në Berlin, në Paris, në Bruksel edhe në Uashington edhe në të tjera, por në veçanti këto katër qendra kryesore kam kërkuar si kryeministër të di ku ka arritur procesi. Përgjigja e tyre ka qenë e qartë “Nuk ka arritur askund. Të dyja palët do të uleni në tavolinë si dy shtete të pavarura dhe do të negocioni për të mbërri një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të çoj tek njohja reciproke”. Dhe çka nënkupton kjo, nënkupton të gjitha konspiracionet e ndryshme për harta, për shkëmbime territoreve, për mua janë jorelevante. Nuk janë të vërteta. Nuk e di a ka ndodhur a nuk ka ndodhur, por nuk merren parasysh dhe nuk janë pjesë e diskutimeve që unë do të kem bashkë me ekipin tim në këtë proces. Dhe tash, nisur nga kjo, jemi ulur brenda kabinetit bashkë me partnerët e koalicionit dhe kemi strukturuar qasjen tonë në këtë proces, prandaj thashë në fillim që në platformën tonë nuk do të dëgjoni diçka të re, përveç një qasje që është e strukturuar dhe e organizuar karshi këtij procesi.
I kemi vendosur parimet tona në këtë proces. Unë kam mandat që të negociojë mbi bazën e Kushtetutës, as një mandat tjetër nuk kam. Kushtetuta më jep autorizime të qarta që të udhëheq këtë proces, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën edhe më të qartë, në detale i tregon kompetencat e mia në procesin e dialogut, të cilat kompetenca as nuk dua as nuk mundem t’i transferoj tek dikush tjetër, e as nuk do të lejoj që dikush tjetër të ndërhy në kompetencat e mia. Po besoj që kjo nuk ka nevojë as të thuhet realisht pasi për aq kohë sa Kushtetuta është e qartë nuk kemi pse të brengosemi për këtë çështje.
Parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është:
E para, integriteti territorial i Kosovës, është i panegociueshëm. Unë nuk kam mandat që të hapi këtë temë në procesin e dialogut.
E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Tek objektivat me të cilat ne hymë në këtë proces, sigurisht njohja reciproke dhe më lejoni ta them shumë hapur dhe të shpreh kënaqësinë time që me të gjithë partnerët që bisedoj, kur shtohet kjo çështje, të gjithë e konfirmojnë para meje që kërkojnë që Kosova të ulet në tavolinë të dialogut për njohje reciproke dhe për normalizim të marrëdhënieve. Është një ndryshim shumë i madh. Nga viti 2011, 2013 e këndej dialogu është zhvilluar për normalizim të marrëdhënieve. Tash, dialogu zhvillohet për njohje reciproke dhe normalisht si derivat i saj edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Pra, objektiva jonë është njohja reciproke, njohja nga pesë vendet e BE-së, që ende nuk na kanë njohur deri më tash, anëtarësimi në OKB, si çdo vend tjetër, shfuqizimi i Rezolutës 1244, këto janë ato që duhet të arrihen menjëherë kur të nënshkruhet, kur të arrihet marrëveshja dhe normalisht marrëveshja duhet t’i hapë rrugë Kosovës sikur çdo vend tjetër të shkojë nëpër procedura të zakonshme, standarde të integrimit euroatlantik.
Dhe gjithashtu kemi për qëllim pra, njëra nga objektivat e rëndësishme është që këtë marrëveshje duke qenë se është duke u formatizuar po i themi si marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohjen reciproke dhe çështjet tjera që i përmenda, por edhe adresimin e të gjitha çështjeve të hapura që i kemi me Serbinë. Nga të pagjeturit që është çështje bukur e ndjeshme, pensionet, kthimi i të dhënave kadastrale, i artefakteve, reparacionet e luftës, suksesioni i ish- Jugosllavisë e plotë e plotë çështje për të cilat qeveria është e përgatitur me ato që quhen “position papers” për secilën prej këtyre temave.
E katërta që besoj është e rëndësishme, mënyra se si do ta organizojmë procesin e dialogut. Unë e kam bërë qëndrimin tim të qartë para partnerëve të koalicionit dhe kam marrë mbështetjen e plotë nga ta që unë nuk do të përkrahi asnjë format, delegacion të dialogut, i cili nuk është institucional. Pra nuk ka struktura mbi institucionale ose jashtë institucionale që dialogojnë në emër të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim unë e kam formalizuar forumin e liderëve të partive politike parlamentare.
Edhe ju mund ta shihni nga titulli i këtij, është forum, pra është një organizëm ku kryetarët e partive politike e parlamentare që kanë përgjegjësinë politike në bazë të numrit të votave që kanë në Parlamentin e Kosovës do të mblidhemi dhe do të diskutojmë për qasjen e qeverisë në procesin e dialogut. Unë do të jem plotësisht i hapur me ta duke i informuar ata para çdo procesi të rundit të dialogut dhe pas çdo rundi të dialogut.
I kam takuar veç e veç liderët e partive politike, kam dërguar ftesa edhe tek opozita. Një pjesë e opozitës kanë refuzuar, një pjesë nuk është se kanë refuzuar, por ende nuk kanë pranuar të vijnë në takim. Unë e këtu shfrytëzoj edhe këtë mundësi këtu përpara jush, përpara mediave, që t’i ftoj ata në takimin e forumit të liderëve të partive politike.
Sot në mëngjes unë e kam ftuar takimin e parë të këtij forumi për nesër në ora 11:00, duke qenë se është intensifikuar menjëherë çështja e dialogut me një ftesë të parë që tanimë kemi më datë 27 qershor në Uashington dhe paralajmërimi mandej për samitin e Parisit, dikur në muajin korrik.
E para, sa i përket organizmit është forumi i liderëve politikë që e ka përgjegjësinë politike për të siguruar një marrëveshje e cila duhet të jetë e zbatueshme, e ratifikueshme në Kuvendin e Kosovës dhe mandej e zbatueshme.
E dyta, brenda zyrës time do të themeloj Këshillin e ekspertëve për dialog. Këtu do të përfshihen të gjithë njerëzit që kanë përvojë në këtë proces për të siguruar atë që quhet memorie institucionale, të gjithë pa përjashtim, nga negociatat e Vjenës e deri e më tash. Kjo është për neve tepër e rëndësishme për t’u siguruar që në procesin e arritjes së marrëveshjes për njohjen reciproke ne i adresojmë ato çështjet tjera që i përmenda, me qasje shumë profesionale, të pagjeturit, reparacionet, dëmet etj etj, një listë e gjatë e çështjeve që qeveritë e kaluara me këta ekspertë kanë punuar me formate të ndryshme.
Tanimë kam siguruar mbështetjen e Ambasadës Britanike dhe Ambasadës Norvegjeze për të mbështetur punën e Këshillit të ekspertëve të Zyrës së Kryeministrit, së shpejti do të themelojmë një lloj sekretariati, 3-4 veta që do ta bëjnë punën teknike të organizmit dhe besoj se është çështje ditësh kur do të ftojmë një takim të zgjeruar të gjithë njerëzve që në forma të ndryshme kanë qenë të përfshirë në procesin e dialogut. Plot prej tyre janë në institucione të ndryshme, disa janë në shoqëri civile, unë me kënaqësi do t’i ftoj të gjithë që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Dhe elementi i fundit tek mënyra e organizimit është themelimi i Komisionit Parlamentar për Dialog, i cili Komision do të udhëhiqet nga opozita. Besoj që përmes forumit të liderëve të partive politike dhe këtij Komisioni Parlamentar ne sigurojmë mekanizmin e përfshirjes së të gjitha forcave politike në këtë proces. Unë besoj se është ndryshim signifikant prej qasjes që ka ekzistuar pak më herët, sepse para dy tre vitesh qeveria e atëhershme na u ka qasur neve atëherë në opozitë që të hyjmë në proces të dialogut por të marrim rol udhëheqës dhe për mendimin tonë, atëherë e kemi vlerësuar që ai ka qenë mekanizëm mbi institucional. Atë që po e kërkojmë tash është një proces i konsultimeve përmes forumit të liderëve të partive politike, një komision parlamentar që e udhëheqë opozita që e mbikëqyr procesin e dialogut, por barrën për procesin e merr Qeveria në bazë të Kushtetutës.
Këtë qasje që e prezantova sot unë e kam bëtë publike para disa dite në një tryezë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Tanimë e kam komunikuar tek ambasadorët e QUINT-it në një takim formal për këtë çështje që e kam ftuar në zyrën time. Gjatë kësaj jave do të kemi një takim me të gjithë ambasadorët e BE-së për t’i informuar formalisht edhe njëherë për këtë çështje. Ambasadorët e Kosovës që janë në qendrat kryesore në Evropë dhe në SHBA, i kanë marrë udhëzimet e qarta për qasjen e qeverisë karshi procesit të dialogut dhe ne e konsiderojmë vetën të gatshëm për të filluar këtë proces.
Siç ju informova nesër do të mbajë takimin e parë formal me të gjithë liderët e partive politike për t’i informuar pak në detaje për agjendën e takimit të parë për dialog që ndodh në Uashington më datën 27 qershor dhe nga ai takim e tutje do të sigurohemi si qeveri që të jemi plotësisht transparent në këtë proces.
Nuk ka asgjë që qeveria do të mbajë brenda zyrave e të mos e ndajë me partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës dhe me shoqërinë civile. Unë këtë proces e shoh tepër të rëndësishëm, jo vetëm për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, sepse me njohjen reciproke ne përmbyllim një çështje dhe lëvizim si çdo vend tjetër drejt BE-së, por është çështje e sigurisë evropiane. Këtë e kam bërë të qartë tek ambasadorët dhe kisha përshtypjen, së paku kjo është intuita ime nga ai takim, se ka një dakordim në këtë drejtim që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është çështje e sigurisë evropiane. Kjo është tepër e rëndësishme që sa më parë të përmbyllet ky cikël i integrimit evropian të regjionit për të ndaluar dominimet nga lindja dhe keni parasysh për çka po flas në këtë drejtim.
Ju falënderoj shumë për vëmendjen, Ju falënderoj z. Kryeziu!
Unë mbetem i hapur për sugjerime, kritika, vërejtje që mund të keni në këtë proces.