• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POETI GJERGJ FISHTA, ME TË VËRTETË ATË…

December 30, 2020 by dgreca

– Emocion për praninë e tij të mistershme –/

Nga Visar Zhiti/

Kur themi Atë Gjergj Fishta, janë bashkë e të pandara emri i Poetit me fjalën parake, të lashtë sa vetë shqipja, “Atë”/ baba, që tashmë kanë marrë kuptimin më madhor, forcën shpirtërore dhe sigurinë e Fjalës të Patriarkut të letrave shqipe, që i ngriti në lartësitë botërore të eposit, duke u bërë sa ndërgjegje, po aq dhe kushtrim i shqiptarizmës në shekullin XX, në fillimet e të cilit ribëhej shteti shqiptar, pas një pushtimi mbi 4 shekullor dhe copëtimeve të rënda të trojeve. 

At’ Gergj Fishta duhej të tejkalonte dhe tri vdekjet e veta, atë të pas kalimit në amëshim, vrasjen e Emrit dhe të Veprës dhe të Varrit. Edhe vdekjen donin t’ia vrisnin, por Ai mori pavdekësinë.

Mund të thosha që u ringjall, por Ai ishte gjallë gjithmonë, djalli, armiqtë e Shqipërisë, kundërshtarët, s’e mposhtën dot. Mbetet triumfator. Me një lloj misteri përtej kritikës dhe harrimeve të qëllimta. At’ Gjergj Fishtës i ra barra të mbartte amanetet e kombit, kumtet e maleve tona si të mbetura në gojë shpellash, buzëve të plagëve të shekujve, duke u bërë dhe vetë zë i madh, me fuqitë hyjnore të Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili). Mbarti kryqin e Krishtit dhe priu me gjuhën e popullit të tij kujtesën dhe ndërgjegjet. 

At’ Gjergj Fishta u bë dhe vetë një legjendë moderne, ndërkohë ishte Poeti i gjallë, biblik, plot dije dhe urti, por që shungëllonte shqip si orteqet e maleve tona, onomatopeik dimrash e betejash e i lumenjve të gjakut. Akademik roman ndërkohë, që befas kthehej në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, Edhe dramaturg, prozator, mendimtar, kritik letrar, etj. Gjithmonë me një si zëmërim perëndish, që nga dashuria kristiane, si poet e kthen në satirë dashamirësë, ishte satiristi më i mirë në Ballkanin e kohës së tij, por që kumbon dhe sot aktual. Disa nga shpotitë e tij ngjajnë të porsa shkruara për ata që i kemi përreth dhe në krye

Átë Gjergj Fishta është veprimtari i lartë Kombëtar, patrioti i flaktë, deputeti në atdhe, opozitar dhe diplomati nëpër botë i çështjes shqiptare. Dhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, ai bëri politikanin e atdheut. Prift dhe poet. Me kryqin dhe Fjalën. I dekoruar dhe nga armiqtë për paqen që sillte. Ka të dhëna se është propozuar për çmimin “Nobel nga  amerikanët. 

At’ Gjergj Fishta është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, Ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, por dhe pas vdekjes, jo vetëm të tij, kur Shqipëria ishte në perandorinë komuniste, me diktaturën më të keqe të saj, ashtu varrprishur, me eshtrat e hedhur me një thes djalli në lumin Drin, Ai prapë gjallonte. Enciklopedia ruse dhe sllavët e Jugut e shikonin si rrezik dhe kundërshtar pasionant, por Ai ishte kundër shovinistëve sllave dhe kujdo, Europë qoftë, nëse ishin kundër atdheut të tij. Dhe At’ Gjergj Fishta vinte mistershëm. Më shumë se nga nëntoka, vinte nga Qielli, i vetëtimtë, me dritë të beftë, i pazhdukshëm ashtu si besimi, si me porosi nga Zoti.

Do sjell shembuj të thjeshtë, por me domethënie, sipas meje. Në festivalet folklorike, që bëheshin nën diktaturë, malësorët me lahutë këndonin me vargje të At’ Gjergj Fishtës, regjimi s’kuptonte gjë, se ato ishin bërë popullore, anonime. Poeti ia kishte kthyer borxhin popullit të vet duke arritur kështu atë që pak poetë e arrijnë në botë. Kur po binte diktatura dhe njerëzit guxonin të iknin, të takoshin, të shihnin Shqipërinë Jugë e Veri, për t’ju bashkuar protestave, kudo që bëheshin, në Shkodër, Tiranë, Kavajë, Lushnjë, Vlorë, Korçë, etj, në njërin nga autobuzët dikush kishte nisur  të recitojë diçka nga “Lahuta e Malcis” e Atë Gjergj Fishtës, befas ndal, ndoshta pa diçka nga dritarja apo po mendonte gjë tjetër, por menjëherë të tjerët në autobus do ta vazhdonin recitimin, dukej sikur u krijua kori antik, njëri thoshte një varg, tjetri vargun tjetër… kështu kishte ndodhur gjithmonë me Atë Gjergj Fishtën nëpër popull, në teatër, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.

Vepra e At Gjergj Fishtës është pjesë e Vargmaleve të Shqipërisë. Së bashku me pararendësin e tij, Naim Frashërin, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.

* * *

…u bënë 80 vjet, që nga 30 nëntori i viti 1940, kur Atë Gjergj Fishta mbylli sytë përgjithmonë dhe mori udhën qiellore të amëshimit. Në tokë, me baltën që u hodh mbi të, u bënë statuja të tij. Më së fundi u ribë shtëpia e tij e lindjes në Fshatin Fishtë, e rrënuar si vetë kujtesa dhe ndërgjegjia jonë, u kthye në muze. Ai nuk është thjeshtë vlerë muzeale, por frymë Kombëtare. Shtëpia e Atë Gjergj Fishtës është në shpirtin e çdo shqiptari. Besoj se Presidenca, Shteti, Parlamenti, këtë vit e kishin shpalur si Viti  Atë Gjergj Fishtës, s’e di a kështu dëshiroj të ketë qenë, dhe akademitë, bibliotekat, ajo e Françeskanëve së pari në Shkodër, botuesit, media, shoqatat, grupet etj, e kanë përkujtuar me botime e konferenca, manifestime e homazhe. Kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët, poetët, sidomos të rinjtë, personalitetet e larta të venditi e kanë thënë fjalën e tyre siç dhe do të thonë. Kështu besoj… Ndërkaq, e di, më shumë është thënë dikur, nga më të shquarit e Kombit, nga personalitete të huaja, përkthyesit e tij në gjermanisht, italisht, anglisht, etj, etj. Gurra fishtiane nuk shterr, Unë dhashë emocionin tim sot, pa asnjë pretendim, thjeshtë fola. Ardhurimin ndaj Atë Gjergj Fishtës e kemi dhe të trashëguar, nga etërit. Babi im, që kur isha fëmijë, e kutoj që na recitonte vargje nga Naimi dhe nga Fishta, atëhere kur Ai ishte i ndaluar. Ja, pos jell një strofë nga poemat e tij botuar postume. Piktori Guljelm Mosi, i frymëzuar, kompozia dhe një tablo, im atë në takimin me Atë Gjergj Fishtën.  Edhe unë kam shkruar poezi për Fishtën dhe në burg, edhe më pas, edhe në gegnisht. Të rinj dhe studentë sot e studiojnë, mbrojnë diplomat me tema për të. Kështu besoj. Dhe desha të thosha, që megjithatë, edhe kur nuk e dëgjojmë, zemra e At’ Gjergj Fishtës rreh mistershëm si zemër e popullit.

POEZITË TONA PËR POETIN

HEKURAN ZHITI

(Është quajtur dhe “Gjergj Fishta i Toskërisë” për poemat e tij dhe satirën..

Një strofë nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë”, shkruar në vitet 1943-44, vënë në skenë në ato vite, së pari në Berat, ku jetonte autori…):

GJERGJ FISHTA

(del nga një altar mermeri)

“Edhe hana do ta dije, edhe dielli do t’ket pa, 

Se përqark kësaj rrokullie si Shqipnia’i vend nuk ka!

……….…………………………..

Atje lejnë, po, Toskë e Gegë, /si dy rreze n’flakë, t’një dielli:

Si dy rrufe që shkojnë tue djegë,/kur shkrep reja nalt prej qielli.” 

………………………………………….

Jehona e Fishtës

Zani m’dridhet nga dashnia, 

dridhen kryqat n’vorret tona. 

Po s’u ba paradis Shqipnia, 

nga Qielli do zbresin me jehona…

VISAR ZHITI

(Nga libri me poezitë e burgut “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”)

DY VARRE PESËQIND VJET LARG NJËRI-TJETRIT

Përsëri erdhën nga larg, nga shkretëtirat. Kaluan 

malin e fundit. Panë detin e madh, të huaj.

Si llahtarí të kaltër, harbonjëse shtynte dallgët, 

si gjokset lakuriqe të grave të haremeve. Ja çadra 

e tyre si trëndafil mes mijëra çadrave ushtarake, mes                                                                          topave dhe kuajve nën rrapëllimën e daulleve dhe kazanëve, nën emblemat absurde. Pluhur i para 

pesëqind vjetëve. Atje poshtë ishte qyteti i vogël, i pushtuar. Kisha dhe varri i Gjergj Kastriotit, i xhindit, që xhindosi Sovranin e madh. Do të suleshin ata, gjithmonë ata, të njëjtët ata, do të shkulnin pllakën e rëndë të varrit, do të nxirrnin eshtrat e heroit si eshtrat e vetë kombit. Pastaj 

do t’i thyenin, copa-copa, eshtrat me baltë, të gjata 

sa shpatat. Do të thyenin kafkën si kubenë e qiellit.

Të çmendur dhe makabër. Nga një copë kockë si hajmali 

do të varnin në qafë ushtarët për të pasur fat 

nëpër betejat si armiku i tyre i madh. Pesëqind vjet më parë, kur dhe varret tani janë varrosur në harresë. Ra nata. Nata e kombit. Me heroizma si me gërmadha, pa skelete heronjsh.Nata me britma robërish që digjeshin si pishtarë. Pesëqind vjet natë ballkanike. Frutat e pemëve ashtu si buka s’kishin shije. Rrënjët thithnin gjak të turbullt, 

të përzier. Nëpër tokë kalbeshin trupa barbarësh dhe 

dezertorësh, bejtexhinjsh dhe devesh, spiunësh 

e kuzhinierësh të paqes më të kuqe se lufta. Njeriu 

binte e malet bëheshin më të lartë nga kufomat.

Malet u mbushën me partizanët e luftës më të fundit të

botës, plot si me pyje. Gërmadhë u bë mishi 

i historisë dhe ne kujtuam se erdhën ditë të reja.

Besuam tek urat. Besuam që deti u bë e dashura 

e të gjithëve si liria. Kështu thoshin këngët. Pastaj, ah,                                                              pastaj kur u hap tymi i betejave, nëpër pellgje pamë pasqyrimin e sundimtarëve të ikur, të sundimtarëve tanë 

që na udhëhoqën, u përzjehej pasqyrimi nëpër pellgje, 

binin si pluhuri i pushtuesve të para pesëqind viteve.

Na merreshin mendtë si këmbët. Dhe u sulëm ne, vetë ne, 

jo pushtuesit, te kishat tona. Thyem kryqin e 

megjithatë nuk shpëtuam dot nga udhëkryqi ynë. Në një                                                                               tjetër kishë gjetëm skeletin e Gjergjit… jo, jo të Kastriotit… 

të Gjergj Fishtës, më të madhit rapsod të shekullit njëzet, 

e fundmja lahutë e botës. Në zjarr i kishim hedhur librat 

e tij. O Zot! Jo, jo, nuk do t’ju them që pushtuesit anadollakë na vodhën skeletin e kryetrimit dhe ne, vetë ne, 

me duart tona, ditën me diell, humbëm skeletin e poetit,

(s’ua ndamë letrarëve të rinj si copa hajmalish 

kockat e tij), e hodhëm në lumë. Në lumin që vinte 

nga sllavët. Me brinjët e poetit mund të bëhen lira të bukura.

Spaç, 14 janar 1983

(Është botuar dhe në numrin e parë të revistës “Hylli i Dritës”, kur nisi të ridalë pas rënies së diltaturës… është përkthyer dhe italisht nga poetja arbëreshe Cate Zuccaro dhe është lexuar dhe në kishën San Atanasio në Romë, etj, )

SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS

(Nga libri me poezi “Thesaret e frikës)

N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën 

copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun. 

Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës,

që mbi dhė ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve 

e nan dhė eposin e gjallë të t’vdekunve? Baj kryq 

dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet 

si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si 

shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë. 

Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.

Visar ZHITI

Filed Under: Featured Tagged With: ATI, Poeti Gjergj Fishta, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT