Rreth librit “Politika ekspansioniste e shteteve ballkanike ndaj trojeve shqiptare”/
Nga Bajame Hoxha- Çeliku, Tiranë./
Kohët e fundit më ra në dorë rastësisht libri i Msc. Muhamet Shabanit mbi politikën gjenocidiale të fqinjëve tanë historik ndaj trojeve shqiptare,një libër i kompletuar dhe, deri diku shterues mbi këtë temë. Libri,një vështrim i thelluar monografik i çështjes, e tejshtrin vështrimin në shumë aspekte të historisë së Shqipërisë dhe të Ilirikumit dhe bën një panoramë të kësaj historie nga lashtësia gjer në ditët e sotme,duke trajtuar me shembuj, fakte, analiza dhe detaje, fatin historik të kombit shqiptar, përballë armiqve oreks-mëdhenj që gllabëruan tokat shqiptare dhe e vunë vendin tonë në morsën e shtrëngimeve dramatike ,dhe, nga ana tjetër populli shqiptar në këtë vibrim të vazhdueshëm të historisë, diti të ngrejë antikorpet e veta ndaj virusit të shuarjes ose tjetërsimit dhe zhbërjes. Me të drejtë mund të themi,se sado që stuhitë kanë fryrë në anën e kundërt të anijes së shpresës ,është gjetur gjithmonë një kohë e qetë për të dalë në breg. I gjithë libri i Muhamet Shabanit trajton pikërisht këtë ide,dhe vetiu shndërrohet në një manifest të përurimit të një ndërgjegje sa të vjetër dhe të re kombëtare:të vetëdijes se një popull që shuan kujtesën dhe nuk mbetet esëll, është i destinuar të zhduket. Këto mesazhe ky libër i përcjell më së miri dhe na i bën me dije ato përmes trajtesave me skrupulozitet shkencor.
Po kush është Muhamet Shabani?Ai ka lindur në fshatin Jezercë- Ferizaj më 1954. Ka kryer Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës për histori. Është një nga veprimtarët e e shquar të çështjes së Kosovës dhe arsimit shqip,dhe për shumë vite ka kontribuar si kryetar i Lidhjes,ku më pas, ka emigruar dhe është zgjedhur drejtor i shkollës shqipe në Bruksel ku ka ndihmuar vite me radhë fëmijët shqiptarë të mos asimilohen apo të harrojnë gjuhën e bukur shqipe dhe historinë e saj. Pra,një njeri i formuar në fushë të historisë dhe të hulumtimeve didaktike-shkencore, që sjellin natyrshëm të dhëna intertesante në dobi të çështjes së trajtuar. Muhamet Shabani në librin e tij niset nga një burim i pasur arkivor dhe nga një literaturë e pasur, e konsultuar me kujdes ,kështu, faktografia bëhet një tërësi piketash nga duhet të lëvizë mendimi drejt realizmit dhe objektivitetit, ashtu siç vërtetë e parasheh shkenca moderne historike, dhe siç duhet të ndodhë dhe të mirëkuptohet larg çdo skeme apo ideologjie të frustuar. Asnjë ideologji nuk mund ta udhëheqë historinë, përveç ideologjisë kombëtare,dhe kjo ,aspak nuk duhet të mitizohet,po të udhëhiqet nga kriteri i së vërtetës brenda arsyetimit rrethanor. Kështu duke vërejtur këto parime ,mund të themi se Muhamet Shabani ia ka arritur të bindë lexuesin, pavarësisht nga anësia, ta marrë atë me urtësi përdore dhe ta çojë tek burimi i së vërtetës për të freskuar kujtesën .Kjo, jo vetëm që është një arritje e tij,po edhe një mënyrë e bindshme e procedimit faktik duke dëshmuar edhe një herë se shumë historianë shqiptarë ,të zotë të mbrojnë të vërtetat e përgjakura të kombit të tyre, nuk kanë rënë kurrë në trajtesa të manipulimit të së vërtetës, as të urrejtjes etnike edhe pse nga kjo urrejtje, populli shqiptar shpesh e ka pësuar. Një nga këta historianë mbetet edhe Muhamet Shabani, i cili në librin e tij plotëson një kuadër të plotë të tablosë kombëtare duke e shtrirë vështrimin e tij që nga mugëtira e historisë e deri në të sotmen.
Dhe çfarë mësojmë ne nga gjithë trajtimet e tij. Mësojmë se shumë toka shqiptare sot vetëm emrin kanë të tilla, se në to nuk ka më banorë shqiptarë aty,mësojmë mbi projektet shfarosëse të Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit, diplomat dhe nobelist, po që në çdo takim projektonte dhe negocionte vetëm kundër shqiptarëve,mësojmë mbi shpërnguljet e mëdha nga Nishi dhe vise të tjera të Kosovës ,mbi negociatat dhe planet e kësaj shpërnguljeje nga jugosllavët me turqit,në mënyrë që popullsia shqiptare të shfarosej;mbi trysninë e ndërrimit të fesë dhe, përmes saj, të harresës etnike,mbi vrasjet ,masakrat dhe dëbimet e çfarëdolloj forme e metode ,mbi orekset e mëdha për zhdukjen edhe të Shqipërisë londineze etj, etj. Libri hapet me një përshkrim që u bën autori trojeve dardane,organizimit të asaj kohe,luftrave të pareshtura dhe emrave të mëdhenj që nxori kjo trevë,midis të cilëve spikat Konstadini i Madh. Dardania e shekujve 7-14 paraqitet në kohën e dyndjeve sllave. Duhet thënë se në këtë kapitull autori sjell një varg referencash nga autorë të huaj,midis të cilëve edhe të historianëve serbë, maqedonas, ku hedh poshtë shkencërisht të ashtuquajturën tezë serbe mbi gjoja Kosovën si djep të Serbisë. Të gjitha dokumentet dhe të dhënat e ndryshme vërtetojnë autoktoninë shqiptare të popullsisë së Dardanisë,duke hedhur tej gjithë ato sajime dhe maipulime që synojnë të mjegullojnë historinë dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të kësaj treve. Gjithë historia e mëvonshme me ardhjen e sllavëve në Ballkan aty nga shek 7, ka qenë histori luftërash dhe pushtimesh, po njëherit edhe histori qëndrese dhe përpjekjesh të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit qytetërues të një populli që përqafoi i pari krishterimin dhe vlerat perëndimore. Autori na flet me gjuhën e fakteve sesi pushtuesit u munduan dhe ia arritën që disa kisha t`i shndërronin nga kisha të besimit katolik në kisha serbe, siç bëhet fjalë për kishën e Pejës dhe manastirin e Deçanit.
Inkursioni historik i Muhamet Shabanit nuk ka të ndalur kur duhet të flasë me skrupulozitetin e shkencëtarit dhe flakën e pashuar atdhedashëse për t`u hedhur në kohërat më të vonshme e për të sqaruar me një metodikë të përsosur të shtjellimit fakt- kundërfakt dhe ballafaqim të arsyetuar të tyre brenda kornizës së logjikës shkencore. Emrat e përdorur gjithnjë në dobi të tezave të tij vijnë në ndihmë natyrshëm dhe nuk janë të kërkuara,po ato sillen përmes karuselit të së vërtetës dhe fiksohen gjithnjë brenda një sistemimi logjik. Mirë e shpjegon dhe e selit ai Betejën e Kosovës(1389)ku mjaft autorë të huaj thonë se ajo u zhvillua në Albani,midis të cilëve Filip Mezieri që është bashkëkohës i kësaj ngjarje të madhe. Ai me të drejtë dhe arsyetueshëm hedh poshtë historiografinë serbe që mohon rolin e shqiptarëve në këtë betejë,duke pohuar se kjo betejë ishte një aleancë ballkanike kundër vërshimeve osmane dhe roli i shqiptarëve ishte përcaktues,ndonëse dihet fundi i saj. Historiani Muhamet Shabani me vështrimet e tij analitike arrin të shkojë dhe të përqasë epokat e mëvonshme duke i bërë një prerje vertikale historisë shqiptare, gjithnjë mbajtur tek ideja se kjo histori është formuar në përpjekjet e njëpasnjëshme të një kombi heroik në luftë të vazhdueshme për mbijetesë dhe në ruajtjen e vlerave të larta qytetëruese. Vitet e vështira të pavarësisë së Shqipërisë dhe të Luftërave ballkanike gjejnë një vend të konsiderureshëm në faqet e këtij libri dhe shtjellohen me gjithë peshën dhe dramacitetin e tyre që mbartin. Orekset shoviniste serbe ishin të mëdha,nuk mjaftonte vetëm Kosova, po këto orekse arrinin deri në Durrës ,me qëllim kolonializimin e pjesës veriore të Shqipërisë londineze. Po kështu edhe synimet greke,të cilat si tentakulat e një oktapodi të pështirë, synonin thithjen e gjithë Shqipërisë jugore .
Autori Shabani u bën një analizë të hollësishme ngjarjeve,momenteve historike, eventeve ndërkombëtare, duke i sjellë ato në thelbin e tyre dhe në aspektin e shfrytëzimit të rrethanave kundërfatike. Ajo që bie në sy në librin e tij,mjaft të pasur me një faktologji kokëfortë dhe të padiskutueshme në aspektin e vërtetësisë ,është se autori niset gjithnjë në aspektin zbulues të këtyre fakteve, duke sjellë jo vetëm të dhëna nga ngjarje të caktuara, po edhe dëshmi e dokumente kohorë nga historianë dhe politikanë të kohës. Autori tregon se trojet shqiptare u bënë jo vetëm lojë për top nga rrethana të diktura ndërkombëtare, po ato shpesh mbetën si një resto për të kënaqur egoizmin e fuqive ndërlufturese dhe e palëve fituese ,të cilat për të vendosur raporte të brishta paqeje dhe ekuilibra të caktuara në interesa të fëlliqëta,iu desh që tokat shqiptare t`i këmbenin në këtë tregti të ndyrë politike.Autori Shabani e njeh mirë situatën e atyre kohërave dhe gjithë lojën diplomatike që është bërë, lojë që ka rezultuar në mënyrë të tërthortë dhe herë herë të drejtpërdrejtë në dëm të interesatve të kombit shqiptar.Autorët e projekteve famëkeqe të shovinistëve grekë dhe serbë, dalin në pah dhe zbulohet gjithë ajo përpjekje e tyre për të bindur tryezat e diplomacive europiane dhe botërore se këto përpjekje ishin të drejta dhe, sipas tyre, kërkonin të vinin në vend drejtësinë e munguar. Politika e justifikimit të pushtimeve arrinte deri në sajime monstruoze dhe të dala boje ,të cilat merrnin në krah justifikimet fetare dhe justifikime të tjera që nuk ia vlen të përmenden për irracionalitetin që mbartin.
- Shabani me një gjuhë të saktë dhe të shkruar pa peshën e emocionit të tepruar,çka vetiu e kërkon shkenca moderne ,arrin të paraqesë gjithë atë tablo të shtrirë dhe tronditëse të realiteteve shqiptare në trojet etnike duke i shikuar ato një dhe të pandara edhe pse Fuqitë e Mëdha i kishin copëtuar duke krijuar një shtet sa një e treta e tyre. Libri i tij,është një libër meritor, i cili historinë e Shqipërisë e sheh si histori e një populli të tërë ,aty ku ky popull banon edhe pse shumë pjesë të tij u ndodhën dhe ndodhen edhe sot në okupim. Me një largpamësi dhe në mënyrë shkencore shikon ai fatin e popullit të Çamërisë, të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi. Po kështu, Kosovën martire autori e përshkruan në të gjitha pikat kyçe të ngjarjeve historike, me Luftën e Dytë Botërore dhe kohën e pasluftës. Është një ndjesimendim që të bën të besosh këtë autor ,se ai sjell gjithnjë referenca dhe fakte ose thënie nga autorët e huaj, të cilët dëshmojnë në emër të ndërgjegjes dhe realizmit të tyre këtë genocid të paparë. Autori nuk niset nga pozita të ngushta nacionaliste, as nga emocione të cilat e çojnë në deformimin e së vërtetës së paluajtshme. Përkundrazi, ai niset nga e vërteta duke dëshmuar gjithë atë dramë kombëtare të një populli të copëtuar padrejtësisht,po edhe pse u copëtua, shovinistët në pjesët aq sa morën nën administrim, kishin një qëllim dhe vetëm një:zhbërjen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të liruara. Po kjo nuk ngjau me Kosovën.
Kosova si Feniksi u ngrit nga hiri i këtyre luftërave të përgjakshme dhe arriti të ruajë vitalitetin dhe identitetin e saj edhe pse e pagoi shtrenjtë çmimin e lirisë. Autori që ka qenë një aktivist i shquar i arsimit kombëtar në Ferizaj,me moton :”mësim ,mësim dhe vetëm mësim”,e përshkruan këtë luftë të UÇk-së dhe të popullit me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë si në luftë heroike ,ashtu siç ajo ishte në të vërtetë.Në faqet e këtij kapitulli do ndeshim me emra veprimtarësh,heronjsh (Adem Jashari),njerëzish të thjeshtë, të cilët gjithnjë me thirrjen e brendshme për liri, arritën të shkruanin akte heroizmi dhe sakrificash të panumërta.Krijimi i shtetit të Kosovës është një akt,një kompesim historik për trojet e shumëvuajtura shqiptare,po ky kompesim ende nuk është bërë plotësisht.
Në një gjendje jo të mirë, në mungesë të lirive të tyre kombëtare dhe njerëzore ndodhen shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi,ende sot po u refuzohet çamëve të shkojnë dhe të marrin shtëpitë e tyre në Çamëri. Autori arrin të shkruajë një libër të analizës së thellë dhe të plotësimeve tekstore që i shkojnë përshtat mbajtjes në këmbë të argumenteve të mirëpërcaktuara dhe që nuk mund të kontestohen. Ai arrin të na japë dimensionet e gjëra të një lufte të paprinciptë të ulkonjave shoviniste ndaj një populli që, historikisht, nuk u ka asnjë faj, të një populli që mbetet si një nga popujt e vjetër të Evropës dhe me një kulturë të lashtë. Natyrisht në vështrimet e tij gjithnjë ndeshim këtë ide,po nuk duhet të harrojmë se autori tërthorazi bën thirrje për syçeltësi dhe për forcim të elementit shqiptar,element që nuk mund të forcohet pa njohur historinë dhe pa u ndërgjegjësuar për faktin se tokat e Shqipërisë nuk i janë shkëputur hënës,siç thotë akademik Rexhep Qosja,po i janë shkëputur Shqipërisë. Është e drejta e saj t`i kërkojë ato,është e drejta e shqiptarëve që në kushte të reja demokratike të vendosin vetë. Autori bën një vështrim historik të thelluar dhe me peshë. Shquarsia e faktit dhe mbajtja e tij në rrënjë të së vërtetës, është tipar kryesor i aktit shkrimor të këtij historiani me peshë. Për historinë e Shqipërisë është shkruar shumë nga autorë shqiptarë dhe të huaj,mjaft gjëra janë të njohura dhe të ditura,po Muhamet Shabani e shtrin dimensionin e vështrimit të tij edhe mbi bazën e njohjeve të veta,mbi studimet dhe zbulimet e kryera, duke thelluar ato dhe duke krijuar një panoramë më të plotë.
Në librin e Shabanit njihemi me figura të mëdha të historisë sonë që nga Skënderbeu,Nënë Tereza,Hasan Prishtina,Hoxhë Kadriu, Ramiz Cërnica, Adem Jashari,Sanihe Aliu-Sherifi(organizatore dhe udhëheqëse e demonstratave të grave dhe vajzave të fshatit Balaj kundër suprimimit me dhunë të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989),e emra të nderuar e të dashur si gjenerali Clark,Havier Solana,Toni Bler,Bill Klinton(vëllai amerikan)) e Madelen Ollbrajt,njihemi posaçërisht me atë hero kolektiv ,popullin e Kosovës,me ato ngjarje të tmerrshme të plojës së luftës ,çfarë flet për një qëndresë kombëtare,epopeja e së cilës në kohrat moderne u ngjet betejave skënderbejane dhe homerike. Duke i përshkruar këto beteja, Muhameti u bën vetiu një homazh këtyre njerëzve ,emri i të cilëve është shkruar në panteonin e kombit shqiptar.
Libri kurorëzohet me historinë e re të Kosovës,me shifrat tmerruese të therorive në emër të lirisë,djegiet(një foto e djegies së Çarshisë së Gjakovës i ngjet një pamjeje biblike),me eksodin kosovar dhe gjithë atë teatër të përgjakshëm luftimesh ku rinia e lavdishme kosovare arriti me heroizëm të pashoq të shkruajë historinë më të re të lirisë. Libri të befason me shifrat,faktet dhe kjo ia shton vlerën prozës shkencore të Muhamet Shabanit duke shkuar drejt thellimit të argumentit në shtrirje të dimensioneve kohore, drejt thellimit për të kapur thelbin etnik të një populli qëndrestar në shekuj ,siç ishte populli shqiptar…dhe siç vazhdon edhe sot me të drejtën e zotit të jetojë në trojet e veta.