Nga Faik Krasniqi/*
SHIK-u duhet ta paguaj barrën e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. Pas zbulimit të këtyre vrasjeve politika e Kosovës do të kthehet në normalitetin e saj. Gjykata Speciale e cila pritet të formohet tashmë pas raportit të prokurorit Clint Williamson ndër të tjera do të merret edhe me hetimin e vrasjeve dhe burgosjeve që u bënë me motive politike.
Tashmë ka ardhur koha që shumë familjarë të marrin vesh të vërtetën për vrasjen e më të afërmeve të tyre dhe autorët të dalin para drejtësisë.
Do të ishte lehtësim për familjarët nëse autorët do të merrnin dënimin e merituar, thotë publicisti Faik Krasniqi.
“Krimi është krim dhe duhet të dënohet, pavarësisht se kush e ka urdhëruar. Njerëzit që janë vrarë nuk kthehen më. Por do të ishte lehtësim i madh për familjarët e viktimave që janë vrarë për motive politike apo për motive të tjera, kur të marrin dënimin e merituar kushdo që ka urdhëruar vrasjen e tyre. Do të ishte edhe në të mirë të shtetit të Kosovës kur do të dalin para drejtësisë urdhërdhënësit dhe vrasësit, sepse sipas raportit të Williamsonit personat përgjegjës për vrasjet e pasluftës janë zyrtarë të lartë të qeverisë, deputetë, ish deputetë, ministra dhe ish ministra dhe zyrtarë të lartë të partive politike”!
Kemi me dhjetëra-qindra vrasje të veprimtarëve të LDK-së, ish pjesëtarëve të UÇK-së, gazetarë, publicistë, intelektualë duke filluar nga Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Ekrem Rexha, Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj etj, e asnjëra sikurse edhe qindra vrasje të tjera nuk janë zbuluar deri më tash, që besoj për organet kompetente nuk janë të panjohur urdhërdhënësit.
Familjarët e këtyre viktimave presin drejtësi. Me që organet e drejtësisë së Kosovës dështuan ta zbardhin edhe një rast të vetëm, Gjykata Speciale mori përsipër t’i gjykoj edhe vrasjet e pasluftës. Bashkësia Ndërkombëtare nuk lejon ta fus në gjirin e saj një shtet që për udhëheqësh të shteti, ka njerëz që i kanë duart me gjak të atyre që i kanë konsideruar kundërshtar politikë apo pengesë për karrierën e tyre politike dhe interesat të ndryshme”, shton Krasniqi.
Ai thotë se prapa të gjitha vrasjeve politike të pasluftës qëndron SHIK-u bashkë me udhëheqësit e tij, duke shtuar se skena politike do të pastrohet kur të dënohen përgjegjësit e krimeve të pasluftës.
Derisa kreu i SHIK-ut Kadri Veseli, nuk del në opinion dhe të tregoj se kush i ka kryer vrasjet me motive politike, për mua e dyshimtë dhe qëndroj prapë në atë siç kam thënë gjithmonë, se prapa vrasje qëndron organizata kriminale SHIK-u( Shërbimi Informativ i Kosovës) me në krye Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Adem Grabovci etj, po pa përjashtuar edhe kryetarin e PDK-së Hashim Thaçin, sepse edhe ai është një ndër themeluesit e SHIK-ut dhe pa dijeninë e tij nuk besoj të ketë ndodhur ndonjë vrasje. Kështu që SHIK-u duhet ta paguaj barrën për krimet e ndodhura pas luftës, qoftë për motive politike, qoftë për arsye të tjera. Vetëm kur të dënohen përgjegjësit për krimet e pasluftës, pastrohet skena politike në Kosovë nga ata që i kanë duart me gjak dhe shteti kthehet në normalitetin e saj. Përndryshe, e ardhmja e këtij shteti do të jetë tepër i zymtë”, përfundon publicisti Krasniqi.
* Gazetar, bashkepunetor i Diellit nga Prishtina