
Pren Marashi, Anëtar i kryesisë qëndrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK në Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se: Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj krerëve të UÇK -ës janë të përpiluara me të vetmin qëllim që UÇK të paraqitet si ndërmarrje kriminale dhe të zhvlerësohet roli i saj çlirimtar në betejat e lavdishme për liri e pavarësi.
ARRESTIMET PËR TË NJOLLOSUR KOSOVËN

Arrestimet e fundit nga ana e Prokurorisë Speciale i shoh si një vazhdimësi e disa qarqeve anti shqiptare me qëllim që të njollosin luftën tonë çlirimtare për liri e pavarësi por edhe shtetin e Kosovës. Që nga nisma e themelimit të kësaj Gjykate me mandat të skaduar, ne si veteranë të luftës për liri e pavarësi në Kosovë, ishim kategorikisht kundër dhe vazhdojmë edhe sot që të jemi kundër kësaj padrejtësie. Mjerisht edhe përkundër thirrjeve të pa ndërprera, protestave dhe peticionit me mbi 230 mijë nënshkrimeve dërguar Parlamentit Evropian, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash e ka miratuar ndryshimin kushtetues dhe ka themeluar një Gjykatë e cila aspak nuk është e Kosovës dhe nuk bashkëpunon me organet e sigurisë e as të drejtësisë së Kosovës, përkundrazi të vetmin burim të informacioneve e ka nga organet kriminale serbe, e kuptohet se çfarë shënimesh dhe akuzash janë në gjendje të përpilojnë ata.

AKUZAT NDAJ UÇK PËR TË ZHVLERËSUAR LUFTËN
Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj krerëve të UÇK -ës janë te përpiluara me të vetmin qëllim që UÇK të paraqitet si ndërmarrje kriminale dhe të zhvlerësohet roli i saj çlirimtar. Vetë fakti se në një pikë të aktakuzës ceket se kinse cak i UCK-së ishin katolikët e dëshmon cqartë se kjo është e Serbisë dhe se qëllimi është të nxitet urrejtja ndërfetare në mes të shqiptarëve. Akuzat janë të poshtra, të pavërteta dhe kurdoherë të papranueshme. Këto akuza janë përbaltje dhe kanë synim të destabilizojnë Kosovën.

EUROPA PO LUAN LOJËN E RUSISË DHE SERBISË

Bashkimi Evropian nën presionin e Rusisë, dhe disa shteteve të tjera të cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë kundër pavarësisë së Kosovës e progresit të Kosovës. Duke u bazuar në dëshmi të rrejshme dhe me ndihmën e raportit të Dick Martit, përpiluan akuza me të cilat çdo njeri normal rrënqethej nga përshkrimi dhe imagjinata e tyre fantastiko-shkencore. Kjo fanta-imagjinatë ka bërë që të futen në lajthitje edhe deputetët e Kosovës, SHBA-ja e cila insistonte që për shkak të këtij raporti të themelohej gjykata, por tani të gjithë jemi veç dëshmitar se u mashtruan dhe ranë në grackën e përgatitur nga rusët, kinezët, Serbia dhe disa shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Është pra pikërisht kjo Evropa që për mëse një shekull e ushqente nacionalizmin shovinist serb dhe i mbyllte sytë për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve dhe në fund përkundër dëshmive të cilat i ka parë e tërë bota, ngriti një gjykatë vetëm kundër shqiptarve si vazhdimësi e miklimit të Serbisë dhe miqve të saj, turp. Një padrejtësi e vazhdueshme dhe e papranueshme.

KOSOVA KALON DITË TË VËSHTIRA
Sot në Kosovë situata është jo stabile në shumë aspekte, kemi një ekonomi më të dobtën në rajon, dhe mbi 30% të popullsisë që jeton në varfëri të skajshme, në anën tjetër skena politike shqiptare është e përçare deri në maksimum si pasojë e dëshirës për pushtet e jo për shkak të koncepteve të ndryshme politike, kishte një reagim kundër veprimeve të kësaj gjykate por mungoi guximi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të rishqyrtohet kushtetutshmëria e kësaj gjykate të cilës në momentin që bëri arrestimet në Kosovë ishte pa afat kushtetues. Në ditët në vazhdim Këshilli Drejtues i OVL të UCK-së së bashku me organizatat simotra do të vendosë për mënyrën e veprimit me qëllim të kundërshtimit të kësaj gjykate e prokurorie antikushtetuese.