KORRESPONDENCE.- “ Peticioni Shqiptaro-Amerikan për Gjendjen e Shqiptarëve në Ballkan” drejtue Presidentit William J.Clinton- Shtëpia e Bardhë, Washington,D.C../
Ridgefield, CT.- “Presidenti William J. Clinton Thekson Prioritetin Amerikan Ndaj Shqipërisë dhe Kosovës” ashtë titulli i gazetës ILLYRIAtë New York-ut me datën 20 gusht 1997. Ky shkrim i gazetës shqiptaro-amerikane u botue mbasi u ba publike korrespondenca me Shtëpinë e Bardhë për “problemin shqiptar, kryesisht Kosovën”…
Në muejin maj 1997, u themelue Këshilli Kombëtar Shqiptar-Amerikan (KKSHA) i motivuem nga keqësimi i gjendjes në hapësinen shqiptare të Ballkanit. Detyra kryesore e Këshillit (KKSHA) ka qenë ngritja e zanit të bashkësisë shqiptaro-amerikane në mbrojtje të interesave gjithëshqiptare në Ballkan. E rrezikueme nga dy fqinjtë, serbët në Veri dhe grekët në Jug, Republika e Shqipërisë mori tatëpjetën dhe ra në nji gjendje kaosi politik të rrezikshëm që shkatërroi strukturën shtetnore të vendit dhe rrezikoj nji luftë civile përfundimet e së cilës ishte e vështirë me u parapa. Flitej për nji “revoltë leniniste” në bashkëpunim me bandat e paligjëshme, nji kombinacion eksploziv….
Në Kosovë, urrejtja psikopatike serbe shkaktonte vrasje e shkatërrime të përditëshme me qellim dëbimin e popullsisë shqiptare nga ajo Krahinë dhe përvetësimin e Kosovës si tokë serbe njiherë e përgjithmonë.
Në Maqedoni, autoritetet qendrore maqedonase zbatojshin politikën e tyne raciste anti-shqiptare tue mohue edhe të drejtat ma fillestare të popullsisë shqiptare në atë republikë, nji grup kombëtar që përban ma shumë se 30 përqind të popullsisë së përgjithëshme të republikës. Ishte viti i mbrapshtë 1997 në vendin tonë! Shqipëria kishte nevojë për ndihmë!
Në Greqi, mohimi total i të drejtave të elementit autokton shqiptar në atë vend, banorë kryesorë të krahinës së Çamërisë, kryhej me paturpësinë ma të madhe. Edhe vizitat familjare të popullsisë çame në trojet stërgjyshore mbas dëbimit të dhunëshëm të viteve 1944-45 u këputën pa asnji spjegim. Vaji dhe lotët e viktimave çame as ndigjohej as shihej nga bota e shurdher dhe e verbët. Çamët kishin nevojë për dritë! Në SHBA u ndez nji dritë!
Për këte qellim, KKSHA vendosi të dergojë nji Peticion dhe të kerkojë nji audiencë me Presidentin W.J.Clinton me shprehë qartas gjendjen kritike të krijueme për të gjithë shqiptarët në Ballkan; mënjifjalë versionin shqiptar të së vertetës! Nevoja për nji veprimtari të organizueme në sherbim të atdheut shqiptar u paraqit si nji domosdoshmëni kategorike. Për këte qellim, dhe vetëm për këte qellim –e jo për rivalizim!- u themelue Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan-The Albanian American National Council (KKSHA/NAAC) me qendër në Washington,D.C.
Me inisiativën e KKSHA, me datën 11 qershor 1997, Koalicioni i Shoqatave Shqiptaro Amerikane Fetare. Kulturale dhe Civike, i formuem për këte qellim, i drejtoi nji Peticion Presidentit të SHBA-s, W.J.Clinton, tue kerkue përkrahjen e Qeverisë Amerikane në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të problemit shqiptar, dhe veçanërisht atij kosovar, me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga zgjedha shekullore serbe. Ma poshtë do të lexoni tekstin e plotë të Peticionit anglisht (përkthye shqip) dhe të firmuem nga “personi i autorizuem” nga të gjitha shoqatat, Dr. Sami Repishti, presidenti i parë i i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA). Me datën 8 gusht 1997, Dr.Repishti mori këte përgjegje me spjegimet e Presidentit Clinton (lexo ma poshtë).
Njikohësisht, nji Peticion i dytë i u drejtue Zonjës Madeleine K. Albright, Sekretare e Shtetit e SHBA-së, me tri kërkesa për Administratën Amerikane lidhun me Kosovën, të botueme në gazetën ILLYRIA (N.Y.) të datës 20 gusht 1997.
************
Teksti i përkthyem shqip i “Peticionit Repishti” drejtue Presidentit W.J.Clinton :
Nr. 1
“ Koalicioni i Shoqatave Shqiptaro-Amerikane Fetare, Kulturale dhe Civike
1825 I Street N.W. Suite 400 Washington, D.C. 20006 *
P E T I C I O N
I nderuemi William Jefferson Clinton
President i Shteteve të Bashkueme të Amerikës
Shtëpia e Bardhë
1600 Pennsylvania Avenue
Washington, D.C. 20500 11 qershor 1997
I nderuemi Z. President:
Na, të nënshkruemët, qytetarë të Shteteve të Bashkueme të Amerikës me prejardhje shqiptare, dhe pjestarë të shoqatave fetare, kulturale dhe civike shqiptaro-amerikane,i lutemi Qeverisë së Shteteve të Bashkueme të Amerikës të luaj nji rol ma aktiv në Shqipëri me qellim që të sjellin paqën, stabilitetin, dhe prosperitetin në atdheun e të parëve tonë.
Koalicioni i jonë paraqet të gjithë seksionet e kombit shqiptar prej shtatë miljonë në Ballkan, nji rajon ku vetëm shqiptarët mbeten akoma nji popullsi etnike e ndame në republika të ndryshme;Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia.
Dy javë ma parë, në Holandë, ju deklaruet se asnji komb demokratik nuk do të përjashtohet nga bashkësia atlantike. Ky ashtë nji vision i madh për nji të ardhme të ndritun! Shqiptarët janë njeni nga popujt ma të vjetër të Europës. Megjithate, fryma e ndryshimeve që vjen sot mbi të gjithë kontinentin nuk e ka prekë këte vend.
Lutemi na ndihmoni!
Në Shqipëri, kaosi i fundit dhe mosstabilizimi i shkaktuem nga vështirësitë ekonomike dhe mungesa e eksperiencës në ndërtimin e institucioneve demokratike rrezikon jetën e 3- 4 milionë qytetarëve shqiptarë që jetojnë me frikë të vazhdueshme. Ata sot kërkojnë ndihmën tuej, dhe na nuk duhet të ju a mohojmë!
Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin edhe të Shteteve të Bashkueme me luejtë nji rol ma aktiv për nji rregullim politik ma të qetë në Shqipëri, tue eliminue kështu nji element madhor të mosstabilitetit në atë vend.
Në Kosovë, shumica e popullsisë prej afër dy miljonë shqiptarë vazhdon të jetë objekt sulmi për abuzim dhe mohim të të drejtave të tyne dhe lirive fillestare, siç janë e drejta e arsimit, sherbimet shëndetsore, siguria personale dhe punësimi objekte sulmi nga rregjimi diktatorial serb i S.Miloseviqit. Megjithëse vendi i jonë ka qenë në front të bashkësisë ndërkombëtare të kundërshtimit të rregjimit të shtypjes së Milosheviqit në Kosovë, nji rol ma vendimtar nga ana e Shteteve të Bashkueme ashtë pa dyshim i nevojshëm. Gjendja në Kosovë po keqësohet me shpejtësi, dhe mundësitë e nji shpërthimi rriten çdo ditë.
Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me luejtë nji rol ma aktiv për rregullimin paqësor e politik në afrimin e shqiptarëve – pala e damtueme,- dhe rregjimit shtypës të Beogradit. Emnimi i nji ndermjetësi amerikan –si në Qipro- do të ishte shumë i efektshëm në eliminimin e mundësive që krijojnë mos-stabilizimin në atë zonë.
Në RFJ të Maqedonisë, numri i madh i shqiptarëve që jetojnë atje vuen nga mohimi i të drejtës për trajtim të barabartë, përfaqësim të barabartë dhe pjesëmarrje të barabartë në Administratën vendëse dhe qendrore. Megjithëse shqiptarët përbajnë ma shumë se nji të tretën e popullsisë së përgjithëshme, pjesëmarrja e tyne në Administratë ashtë minimale. Këto dy vitet e fundit, masa drastike qeveritare janë marrë me pengue zhvillimin e arsimit shqip për studentë shqiptarë; shembull: rasti Universitetit privat i Tetovës.
Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me ushtrue presionin e duhun pranë Qeverisë Maqedone të respektojë të drejtat e popullsisë shqiptare, ose të humbasë mbështetjen e Shteteve të Bashkueme.
Pakica shqiptare banojnë sot edhe në Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, fati i të cilave ashtë lanë në duert e tri autoriteteve respektive. Në Serbi dhe në Mal te Zi, forcat politike lokale shqiptare përpiqen me vështirësi me veprue mbrenda sistemit politik të tanishëm, por ata gjinden para qendrimit mohues të shumicës, qellimi final i të cilëve ashtë asimilimi i tyne.
Në Greqi, pakica shqiptare gjindet përballë asgjasimit të plotë. Asnji libër shqip, mësues ose shkollë ashtë e lejueshme për arsimimin e fëmijve të pakicës së shtypun shqiptarë (të njohun si Çamë). Të gjitha përpjekjet e bame me thye këte shtypje asfiksuese kanë dështue, për arsyen e thjeshtë se autoritetet greke refuzojnë të njohin edhe prezencën fizike të kësaj pakice fatkeqe.
Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me përdorë influencën e saj pranë Qeverisë Greke, tue theksue faktin se nji padrejtësi e këtill ashtë e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, dhe nuk ashtë në interesin e marrëdhanjeve të mira në mes të dy vendeve fqinje.
Në këte angazhim të shtatë miljonë shqiptarëve në Ballkan dhe përpjekjesh me ba nji histori te re në vendet që ata banojnë, ata kërkojnë me marrë pjesë në ndertimin e nji bote të re, “nji rrjet global qellimesh, dhe ligjor”; ata kanë nevojë për ndihmën e Amerikës me gjetë rrugën ma të mirë me arrijtë këte pikësynim. Na shpresojmë se ky Komb i Madh Amerikan që jemi na sot, nuk do të shgënjej popujt që vuejnë.
Shqiptarët janë të lodhun nga tirania, paligjëshmënia dhe udhëheqsit që qellimisht anashkalojnë interesat e popullsisë. Megjithëse nuk ka nji hartë që tregon suksesin, ata shpresojnë në ndërtimin e nji shoqënie të re ku e drejta e jetës, lirisë dhe prosperitetit kuptohen si të verteta që nuk mund të mohohen. Ata duen të jenë “…pjesë e nji sistemi ndërkombëtar i bazuem në parimet demokratike që përfshijnë të gjithë”, ashu si e theksoi Sekretarja e Shtetit Madeleine K. Albright.
Në këte përpjekje të tyne, shqiptarët meritojnë përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkueme dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Me respektin ma të plotë,
Sami Repishti, Ph.D.
(firmë e autorizueme)
Shoqatat pjesëmarrëse:
Albanian American Bektashi Monastery
Albanian American Roman Catholic Communities
Albanian American Islamic Center
Albanian Orthodox Archdiocese in America
Democratic League of Kosova in the United States
Foundation “Ded Gjo Luli”
Foundation “Plave –Gusinje”
National Albanian American Council (NAAC)
PanAlbanian Federation of America “VATRA”
Patriotic Association “Dibra”
*Adresa e “Koalicionit” ashtë ajo e Sekretarisë së Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Ëashigton, D.C.
————————————–
Nr. 2
Përgjigjja e Presidentit W.J.Cliton:
Shtëpia e Bardhë
Washington
8 gusht 1997
Sami Repishti, Ph.D.
President
National Albanian American Council
Suite 400
1825 I Street, N.Ë.
Washington, D.C. 20006
I nderuemi Sami:
Ju falënderoj për letrën tuej të datës 11 qershor në lidhje me situatën e Shqiptarëve etnikë në Ballkan. Shqipëria ka arrijtë në nji pikë kritike gjatë rrugës saj drejt demokracisë, dhe qetësimi i kaosit që mbizotënon atje që nga mueji i marsit ashtë nji përparësi e politikës sonë të jashtëme.
Na mendojmë që ashtë me randësi me veprue së bashku si nji bashkësi ndërkombëtare; prandej, Administrata e ime po punon ngushtësisht me partnerët tonë Europianë, tue përfshi edhe Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, me ndihmue ringritjen e institucioneve demokratike dhe me përmirësue situatën e të gjithë Shqiptarëve. Shtetet e Bashkueme po përkrahin me ndihma humanitare dhe kanë marrë vendim me kontribue menjiherë $1 miljon për organizatën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, si dhe $2.5 miljonë për Programin Ushqim për Botën të OKB-së.
Administrata e ime ashtë njikohësisht e shqetësueme edhe për abuzimet e të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me Kosovën. Shtetet e Bashkueme përkrahin përpjekjet e popullit të Kosovës me sigurue për vete respektin e të drejtave të njeriut me mjete paqësore dhe demokratike. Për këte qellim, këto kohët e fundit na kemi hapë Zyrën e Agjensisë së Informatave të Shteteve të Bashkueme, në Prishtinë. Pa ndërpremje na kemi kërkue nga Qeveria e Serbisë të pushojë politikën e saj shtypse, dhe kemi përsëritë shqetësimin tonë me autoritetet e Beogradit në nivelin ma të naltë. Respekti për të drejtat e njeriut në Kosovë ashtë nji element kyç i sanksioneve tona kundër Serbisë, dhe do të vazhdojë, deri sa të bahet nji përparim thelbësor Shtetet e Bashkueme nuk do të normalizojnë marrëdhanjet diplomatike me Beogradin. Për ma tepër, na do të vazhdojmë me kundërshtue anëtarsinë e Beogradit në institucionet ndërkombëtare.
Unë due të ju siguroj se Administrata e ime ashtë e angazhueme me punue për promovimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Ballkanit, si dhe me vazhdue përpjekjet tona drejt nji zhvillimi të demokracisë, dhe rivendosjes së rendit publik në Shqipëri.
Edhe nji herë, ju falënderoj për interesimin tuej aktiv në këte problem me randësi.
Sinqerisht
Bill Clinton (firma)
——————————————————–
(Fotokopje e origjinalit anglisht)
———————————————————–
Nr. 3
New York.- E merkurë, 20 Gusht 1997
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, prof. Sami Repishti, në një letër që i dergon Sekretares së Shtetit, Madeleine K. Albright, në prak të takimit të saj me presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, parashtron tri kerkesa-opsione që do të duhej t’i shqyrtonte Administrata amerikane me qellim të gjetjes së mënyrës për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës:
- Qeveria e Shteteve të Bashkuara të emërojë një të derguar të posaçëm që do të mundësonte një takim midis përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë, me qellim të ndërmjetësimit për një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Në gjetjen e këtij ekuilibri, prestigji i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është i pazevendsueshëm
- Qeveria e Shteteve të Bashkuara të marrë inisiativën për mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare mbi Kosovën, në të cilën problemi i Kosovës do të kishte një trajtim të drejtë si parakusht për një zgjidhje të pranueshme përtë dy palët.
- Po qe se “taktikat” e bashkëpunimit vazhdojnë nga ana e Serbisë, atëherë kërkojmë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe nga bashkësia ndërkombëtare që të njohin Republikën e Kosovës si një Shtet Sovran, kufinjtë e të cilit do të jenë të pacenueshëm, dhe se kjo Republikë do të pranohej si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Politika paqësore e Dr. Ibrahim Rugovës është nji garanci e qellimit paqësor të shqiptarëve, se do të jenë loajalë ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan është formuar një vit më parë me qellim të avancimit të çeshtjes shqiptare në Washington,D.C. dhe të informimit të Administratës, anëtarëve të Kongresit dhe politikanëve amerikanë për problemet gjithëshqiptare. (Gazeta Illyria, New York)
—————————————————————————————————-
(Botohet për herë të parë)