






Presidenti Amerikan Bill Clinton në festën e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës, do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, i cili do mbahet ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00/*
-“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s të saponisur në 24 Mars 1999/
-Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 Maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton/
-Në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit Rugova me të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit Clinton, Senatorin Amerikan Robert Doll, ishte edhe një paralajmërim lirie/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 10 Qershor 2019/ Kosova feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike. Edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
“Në 12 Qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, deklaroi sot Këshilli Organizativ.
Tubimi Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë mbahet ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në tubimin qendror, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të falënderuar Presidentin Clinton për lidershipin e tij në ndërtimin e paqes në Kosovë dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin”, thekson njoftimi i dërguar sot nga Këshilli Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
Ky Këshill dje njoftonte se ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
Në këtë pranverë të 2019-tës u bënë 20 vjet nga 24 Marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës.
Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli mbi caqet e forcave kriminale serbe shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Raportimet që bëja në ato rrethana lufte dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
Ende pa kaluar tre muaj
nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë
ishte arritur Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për
tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave
ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të
NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume,
në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar
kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të
nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt
Prizrenit…
Edhe në atë ditë e orë historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…
Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 Maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, Senatorin Amerikan Robert Doll, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.
Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999, u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.
Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…
Presidenti Amerikan Bill
Clinton, në 1 Nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe
në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e
Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte
dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një
universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i
Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën,
në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka
përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…
*Me shume fotografi gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli