• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maqedoni: Qeveri e re, probleme të vjetra

June 3, 2017 by dgreca

Pas një krize të stërzgjatur politike dhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Maqedonia më në fund ka një qeveri të re. Shpresat për një fillim të ri janë të mëdha, por edhe më të vështira janë sfidat për ndryshim./

Nga Boris Georgiveski/

Mazedonien Kabinett von Premierminister Zoran Zaev im Parlament in Skopje (Getty Images/AFP/R. Atanasovski)

Tri të shtëna nga një armë zjarri u dëgjuan në Shkup më 1 qershor, vetëm disa orë pasi ministrat e qeverisë së sapozgjedhur morën përsipër postet e tyre. Kjo ishtë një tentativë për vrasje, personi i synuar ishte Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar të VMRO-DPMNE. Todorov e mbijetoi sulmin i padëmtuar.Në shkurt të vitit 2015 ministri Todorov u kritikua pas vdekjes tragjike të nëntëvjeçares Tamara Dimovska, që nuk i dha leje për t’u kuruar jashtë vendit. Gjyshi i vajzës mori tani armën dhe e shkrepi drejt Todorovit. Tamara u bë si simbol lufte kundër korrupsionit të lartë në Maqedoni.

Shteti i korruptuar

“VMRO e ka helmuar shoqërinë duke ushqyer një nacionalizëm të tmerrshëm etnik. Qeveria e re tani duhet me zgjuarësi të qetësojë situatën në vend dhe jashtë vendit” tha njohësi i mirë i Ballkanit dhe deputeti i SPD-së në Bundestag Josip Juratovic. Ai vazhdoi se “kriza politike tani për tani mbaroi, por kriza ekonomike dhe sociale mbeten ende”. Fakti që disa orë pas zgjedhjes së qeverisë ka pasur tentativë për vrasje kundër një ish-ministri paralajmëron qartë detyrën e vështirë që ka përpara Kryeministri Zoran Zaev.

Mazedonien Premierminister Zoran Zaev im Parlament in Skopje (picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski)

Sulmi ndaj parlamentit dhe ndaj deputetëve më 27 prill, shfaqi edhe një herë që korrupsioni i lartë ka mbërthyer të gjitha instucionet e shtetit duke përfshirë edhe forcat e sigurisë.

Borxhi i lartë

“Kriza e gjatë e formimit të qeverisë tani mori fund. Por që krizat në Maqedoni perfundimisht kanë mbaruar, nuk e besoj dot”, kështu u shpreh për DW, Tobias Flessenkemper drejtori i Programit të Ballkanit në Qendrën Ndërkombëtare Evropiane (CIFE) në Nicë të Francës. Ai gjithashtu shtoi: “Do jetë një detyrë shumë e madhe dhe e vështirë, për të sjellë ndryshime sociale dhe për t’i kaluar problemet që u shfaqën vitet e fundit”.Përveç problemeve shoqërore, askush nuk mund të përshkruajë gjendjen reale ekonomike të shtetit. Deri në 5 milardë euro ka arritur borxhi i shtetit gjatë këtyre tetë viteve të fundit, ku në qeveri ka qenë Gruevski dhe partia e tij.

Mosmarrëveshja mbi emrin

Si pengesë kryesore për integrimet në BE dhe NATO mbetet mosmarrëveshja për emrin me Greqinë. Që nga viti 2008 Greqia vazhdimisht bllokon proceset e Maqedonisë për inegrimet në BE dhe NATO, për shkak të emrit.Raportuesi për Maqedoninë në Bundestagun gjerman, Torsten Frei është i mendimit se çdo gjë tani është në duart e qeverisë së re. “Gjermania dhe BE-ja së bashku mbështesin pozicionin e Maqedoninë, dhe nëse ka progres në bisedime, unë jam i sigurt se presioni ndaj Greqisë për çështjen e emrit vazhdimisht do të rritet” tha Frei për DW. Dhe theksoi që është shumë herët për të hapur negociatat për anëtarësim në BE “pasi gjatë konflikteve politike vendi ka bërë hapa mbrapa në çështjen e integrimit. Së pari Maqedonia duhet të tregojë sinjale ndryshimi” – tha Frei.(DW)

Filed Under: Featured Tagged With: Maqedoni: Qeveri e re, probleme te vjetra

VIT I RI – PROBLEME TË VJETRA

January 14, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Çdo 31 dhjetor, që i përgjigjet një rrotullimi të planetit tonë rreth diellit, është një kufi kohor, që njerëzit e kanë caktuar në vetëdijen e tyre për të bërë një shqyrtim të bëmave të 365 ditëve dhe një parashikim apo planifikim të atyre pasuese. Jo rastësisht, kjo ditë karakterizohet nga urimet e shumta mes individëve, familjeve, bashkësive, deri në nivelet e larta të organizimeve të këtyre të fundit që quhen shtete apo bashkime shtetesh.

Në këta urime shprehet shpresa për një vit më të mirë që, me fjalë të tjera, do të thotë më shumë begati lëndore e më pak probleme të llojeve të ndryshme, që nga shëndeti, puna, siguria, harmonia familjare në rrafshin individual e deri në konfliktet apo krizat e natyrave të ndryshme në sistemin botëror. Në bilancin e zakonshëm të këtij kufiri kohor të fundit të atij viti që shkoi apo fillimit në të cilin jemi futur, hasim në dukuritë reja apo të përsëritura. Në Vendin tonë këto të fundit duket se janë më shumë të pranishme.

Përballimi në çdo vit me të njëjtën problematikë është një tregues i paaftësisë sonë, si sistem Vend, për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me ecjen tonë përpara, për pasojë tregojnë një qëndrim në vënd, për vështirësi, shpesh të pakapërcyeshme, që frenojnë, në mënyrë të përsëritur, lëvizjen tonë drejt synimeve të paracaktuara.

Viti 2012 qe një vit i veçantë, që u përcaktua nga përkatësia historike e një shekulli të qënies sonë si shtet. Festimet e këtij njëqindvjetori qenë një shfaqje pozitive e shoqërisë shqiptare dhe klasës së saj drejtuese, në drejtim të pohimit të vlerave historike të kombit që, megjithëse i ndarë në përvoja të ndryshme shtetërore, tregoi se, në pjesën më të madhe të tij, mbetet i lidhur shpirtërisht me to. Pamjet e ndryshme të festimeve, që do të ngelin për një kohë të gjatë në kujtesën tonë, jo vetëm në truallin e Shqipërisë zyrtare, por dhe në atë të asaj virtuale, tregojnë se çështja kombëtare, e traumatizuar deri në asgjësim në gjysëm shekullin komunist, po përtërihet e fuqizohet, jo aq për meritë të koniukturave të politikës, se sa për një shtysë të brëndëshme të faktorit psikologjik e mendor të bashkësisë shqipfolëse kudo. Ai entuziazëm i njëqind vjetorit të Pavarësisë, me të gjitha këndvështrimet e tij politike, kulturore e rivlerësuese të trashëgimisë historike nën një prizëm respektues të së vërtetës së saj, për herë të parë mbas afër 70 vjetësh, qe një motiv i veçantë kënaqësie për këdo që, në botën e sotme, vazhdon të ruajë e të pasurojë identitetin kombëtar.

Si në çdo veprimtari të zgjeruar shtetërore, për të cilën mund të ketë gjithmonë vërejtje, edhe në organizimin e saj mund të shmangej ndonjë shfaqje folklorike e pavend si ajo e tortës në kryeqytet, por në përgjithësi, mendoj se organizimi i festës së madhe nuk çaloi e organizatorët duhen përgëzuar.

Lë për të dëshëruar, simbas mendimit tim, kundërveprimi i një pjese të politikës, asaj të majtë pas komuniste që, para pohimit të guximshëm të problemit kombëtar nga ana e kryeministrit në raste të ndryshme, doli me kritika të hapura që i u bashkëngjitën atyre të qarqeve qeveritare të Vendeve fqinjë. Qeveria dhe kryeministri në vitet e fundit, si pasojë e real-politikës dhe “porosive” të ndërkombëtarëve, patën luhatjet e tyre në pohimin dhe përballimin e atij problemi, që me gjithë ndryshimin e kohëve, mbetet më thelbësori i shoqërisë shqipfolëse. Një klasë politike përgjegjëse dhe e vetëdijshme për rolin e saj, para çështjesh madhore, siç është ajo e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ulet në tryezë dhe harton një strategji synimesh që mbeten si program veprimi për këdo që merr pushtetin. Çështja kombëtare, që prej një shekulli ka kushtëzuar të gjithë jetën politike e kulturore të shqiptarëve pa gjetur zgjidhje, duhet të jetë edhe sot një gur prove për klasën politike shqiptare. Termi “nacionalizëm primitiv” nuk tregon modernizim konceptesh, mbasi nacionalizmi si shprehje e dëshirës për të jetuar në një atdhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, mbetet gjithmonë një synim që, sigurisht, do t’i përshtatet ndryshimeve të botës, përsa i përket sendërtimit, që do të bëjë kompromiset e domosdoshme, por që nuk ka nevojë për epitete denigruese që nuk i bëjnë nder atyre që i shqiptojnë.

Fryma e bashkëpunimit për çështjet e mëdha të kombit duhet të jetë një detyrë, zbatimi i së cilës duhet të jetë mbi kundërshtitë, mëritë, programet e ndryshme politike, formimet e ndryshme kulturore, interesat e ndryshme të grupeve, partive apo individëve. Fundi i 2012-ës na solli dhe një lajm të keq, që më duket se nuk gjeti sa duhet shqetësim në shoqërinë shqiptare dhe mjetet e saj të shprehjes së opinioneve. Qe refuzimi për të tretin vit rradhazi i kërkesës për statusin e Vendit kandidat për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Sa i takon politikës sonë, mangësia e saj në përcaktimin e atij vendimi negativ apo shqetësimeve të vetë Evropës së Bashkuar në pështjellimin e një krize financiare dhe ekonomike të pashëmbullt në historinë e saj, është një çështje e diskutueshme. Ne nuk mund të ndikojmë në faktorët përcaktues të fateve të kontinentit, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të kryejmë deri në një detyrat tona për të “kaluar klasën”.

Fakti që për herë të tretë “mbesim në klasë” duhet të na bëjë të thellohemi në përsiatjet tona, si qytetarë të këtij Vendi që në vetëdijën e tij ka bërë një zgjedhje të qartë : të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar, të bashkojë fatin e tij me atë të kontinentit të cilit i përket gjeografikisht, historikisht, kulturalisht e shpirtërisht. Fakti që edhe në këtë proçes kontinental ne rrezikojmë të mbetemi të fundit, madje edhe mbrapa Serbisë që, jo më shumë se 13 vjet më parë, ishte në luftë me pjesën më të madhe t’Evropës, duhet të na bëjë t’a shohim me një sy tepër të mprehtë e kritik të gjithë punën tonë n’atë drejtim. Roli i politikës në këtë proçes vendimtar për fatet e Shqipërisë mbetet i dorës së parë, veprimtaria e saj mjaft e diskutueshme. Premtimet se çdo fund viti do t’i a arrijmë synimit nanurisin shpresat e shqiptarëve gjatë gjithë vitit, për të përfunduar në një shkëmbim akuzash të ndërsjellta mes dy forcave kryesore politike, mbas çdo dështimi janë kthyer në një dukuri sa të dhimbshme aq dhe qesharake. Opinioni publik vazhdon të zhvillojë këtë shkëmbim padish, pa u thelluar në analizën për të zbuluar një të vërtetë të hidhur : klasa politike, në tërësinë e saj, krijon përshtypjen se nuk e dëshiron bashkimin me Evropën dhe bën  çmos të mos arrijë në të.

Nuk e dëshiron mbasi prania n’Evropë ka detyrime të cilat do të cënonin “pavarësinë” e veprimeve të saj. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që parametrat e kërkuara nuk “plotësohen” kurrë. Me gjithë ndërhyrjen këmbëngulëse të institucioneve të Evropës për të gjetur një marrëveshje mes përbërësve të klasës politike që do të bënte të mundur plotësimin e atyre parametrave, duket se synimi i përgjithshëm është e kundërta. Problemi dhe pengesa kryesore e mos plotësimit të tyre qëndron në korrupsionin e gjërë që karakterizon një pjesë të mirë të jetës politike shqiptare me ndonjë përjashtim të rrallë. Ka njëzet vjet që politikanët padisin publikisht njëri tjetrin, apo më saktë kundërshtarin për korrupsion. Është në sytë e të gjithëve pasurimi i mjaft prej politikanëve të të gjitha niveleve, standarti i tyre i jetesës që nuk përligjet nga shpërblimi zyrtar i punës së tyre. Në bazë të këtij pasurimi, nuk  mund të jetë tjetër veç mitmarrjes në forma e mënyra të ndryshme. Nuk është i vetëm Vendi ynë në këtë rrugë, në Lindje e në Perëndim. Por paraqet një veçanti të rrezikëshme, nuk e lufton seriozisht korrupsionin në fushën e administratës publike, madje jep përshtypjen se sa më lart ngjiten shkallët e saj, në mbrojtje të keqbërësve vihen dhe organet e ligjëshmërisë, gjykatat. Kjo është dukuria më shqetësuese sepse aty ku nuk funksionojnë organet e Drejtësisë nuk kuptohet se ku mund të varen shpresat e qytetarit të ndershëm për të jetuar në një Vend normal.

Para se të hynte në Evropë Rumania, që përballohej me të njëjtat probleme të korrupsionit pas komunist si ne, ose ndoshta më keq, gjeti forcën të kalojë në proçese penale më shumë se 1400 vetë, të paditur për krime e shkelje të formave të ndryshme, njerëz që vinin nga funksione shtetërore të rëndësishme, duke filluar nga maja e piramidës qeveritare. Tek ne një dukuri e tillë është e pakonceptueshme. Edhe një rast, që u duk se mund të ishte një fillim i mirë i një kursi të ri, siç ishte ai i ish ministrit Meta, fajësia e të cilit provohej nga filmime të quajtura të sakta nga ekspertët e FBI-së amerikane, u mbyll me një vendim gjyqi për pafajsinë e t’akuzuarit! Në Tiranë një gjyqtare, “ish e përndjekur politike”, jep një vendim “paligjëshmërie” për grevën e urisë të disa ish të burgosurve politikë! Ndërsa në Fier gjykata merr në shqyrtim e jep vendime në kundërshtim me një të tillë të Gjykatës së lartë, që e përjashton me të drejtë si materie të punës së saj shqyrtimin e ndryshimit të barazpeshave politike të organeve të zgjedhura, si pasojë e kalimit nga një formacion në një tjetër të “tregtarve të flamujve”

Ky është një nga arsyet e dështimit të sipërmarrjes shqiptare në Evropë e dëmi që pëson Vendi është tepër i madh. Një Vend ku sistemi i Drejtësisë ka këto rezultate nuk mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Një klasë politike që shpreh institucione të këtilla nuk ka asnjë interes të bëhet pjestare e një bashkësie, në të cilën do të ishte nën një mbikqyrje të vazhdueshme që mund të vinte në pikëpyetje vetë qënien e saj.

Mesazhi i Evropës për shqiptarët është i qartë. U takon atyre të nxjerrin prej tij mësimin e duhur e të mos njëjtësohen me të keqen. Në çdo demokraci ka mjete e mënyra të larmishme për të kërkuar ndryshimet e një opinion publik i shëndoshë duhet të gjejë kurajën dhe fuqinë për të gjetur rrugën e drejtë të sendërtimit të tyre.

Janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, probleme te vjetra, Viti i ri

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT