Nga Shefqet Kërcelli/Nuk ka qytetar durrsak ose vizitor të huaj, që gjatë kalimit në portin e Durrësit, mos ti ketë rënë në sy prania e katër hinkave të mëdha metalike ose shkurt sillosëve të grurit.
Të vendosur fillimisht në molin nr. 5 të portit, këto sillosë nëpërmjet grykave të tyre të stërmëdha, kanë shkarkuar me mijëra ton grurë apo drithëra të llojeve të ndryshme, por dhe ngarkesa të tjera rifuxho.
Tani keto konstruksione metalike solide janë vendosur në molin nr.2 të portit, ku vazhdojnë të shkarkojnë tonelata mallra rifuxho, duke i futur arkës së shtetit miliona e miliona $.
Po kush është ideuesi dhe projektuesi i këtyre pajisjeve dobiprurëse?
Ai është inxhinjeri i talentuar Shpëtim Prodani, që gjithë jetën e tij e kaloi mes projekteve, skicave e zbatimit të tyre në port e më gjerë. Ing.Shpëtimi lindi në Durrës më 2.11.1950. Mbasi kreu studimet në Fakultetin e Inxhinjerisë mekanike, Universiteti i Tiranës, {1969-1974}, në vitin 1975 filloi punë në portin e Durrësit, ku për vite me radhë punoi në disa sektorë si, oficina mekanike, byroja teknologjike, etj.
Në bashkëpunim me kolegë, por dhe individualisht, ka realizuar dhjetra projekte, është autor dhe bashkëautor në prodhimin e elektrovincave portualë, autor në projektimin e vincave stacionarë për mallrat e lëvizshme në port dhe stacione trenash, bashkëautor në projektimin e pontileve të ndryshëm në bregdetin e Jugut, etj.
Por një nga veprat e tij dobiprurëse për portin dhe ekonominë e vendit janë sillosët për shkarkimin e grurit, një vepër mbi 37 vjecare, që pamvarësisht agjentëve atmosferikë e shfrytëzimit maksimal po i qëndron kohës. Cilido nga ne sheh cdo ditë, se si këta sillosë mbushen me grurë dhe furnizojnë vendin dhe Ballkanin.
Por mjaft qytetarë, nuk e dinë se për këto vepra ka harxhuar netë pa gjumë, inxhinjeri Shpëtimi, sa në tavolinat e projektimeve, aq dhe në shtëpi.
Zonja Shpresa, bashkëshortja e inxhinjerit kujton atë kohë, kur punohej për këtë vepër, ku shpesh herë e ndihmonte dhe ajo për të detajuar këtë vepër inxhinjerike.
Për arësye se ishte djali i Gjeneral Muhamed Prodanit, veprat e tij nuk janë promovuar. Por, Shpëtimi s’ka nevojë për titujt dhe gradat e njerëzve dritë shkurtër, pasi mendja dhe shpatullat e tij i kanë dhënë vendit vepra të pavdekshme, të cilat flasin vetë, ashtu si disa shokë e kolegë të tij në Port, kantier e Flotë Tregëtare.
Inxhinjeri mëndjendritur Shpëtim Prodani punoi në port deri në vitin 1991, me disa ndërprerje kohore në Institutin e Studimeve dhe projektimeve në Ministrinë e Transportit.
Në vitet 1991-1993, punoi në parkun e eksportit si kryeinxhinjer. Pas kësaj, me iniciativën e tij u ngrit një nga kompanitë e para në fushën e spedicionit, Kompania “Dyrrahspeed ShPK”. Ashtu si në fushën e projektimit e zbatimit, dhe në fushën e biznesit, dolën në pah aftësitë e vecanta të Shpëtimit, të cilat shënun një histori suksesi.
Ndërkohë Ing.Shpëtimi është ndër themeluesit dhe aksioner i kompanisë së parë të sigurimeve “Sigma SH.A” dhe Bankës Popullore. Por, Inxhinjeri i punës, projekteve e sakrificave ndërroi jetë para kohe, më 4 janar të vitit 2004, duke mos shijuar punën dhe veprat e tij, të cilave ju kushtoi shumë vite jetë.
Gruaja e tij Ing.Shpresa, djali Jonadri që ecën në gjurmët e të jatit, vajzat Evisi e Lela, që jeton në SHBA, kanë të drejtë të krenohen me veprat e babës së tyre, inxhinjerit të papërkulur, që u përball ashtu si një kapiten anije me dallgët e jetës, duke mos ju dorëzuar kurrë atyre.
Por, ajo që duhet të theksojmë është se në cdo vend kapitalist, si në SHBA e gjetkë, pasuria ka burim pronën e familjes, të trashëguar brez pas brezi, dhe të drejtën e autorit për shpikjen e bërë. Kujtojmë Fordin dikur, ose Microsoft, Google, Aple, etj. sot.
Nuk ta merr kush pronën dhe pasurinë intelektuale kollaj në shtetet e zhvilluara.
Po këtu ke ne cndodh?! Po të kishte shtet ligjor, familja e Inxhinjer Shpëtimit, duhet të ishte nga të parat familje milionere me djersën e ballit.
S’mjafton titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit. por duhet të njihet dhe pronësia intelektuale e mjaft inxhinjerëve, montatorëve e novatorëve të vendit tonë, që i kanë dhënë të ardhura shtetit. Kështu fiunksionon kudo në botë.
Ndërsa tek ne është paradoks, njihet cdo lloj pronësie, por jo ajo intelektuale.
Shënim:Të zgjeruar jetën dhe veprën e Ing. Shpëtim Prodanit e gjeni tek “Antologjia e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i II-të, faqe.375-377.